Çamëria si dhimbja e gjyshes time
Rruga e Sonilës drejt Margëlliçit, postoblloqet e policisë greke dhe çfarë u tha në RAI 3 për Çështjen Çame.
“Italia ka shijen e bukës, mbi të gjitha atë të bukës së fëmijëve të mij. Tirana është e ëmbël si bakllavaja e mamit, e ëmbël si fëmijëria ime. Çamëria është e hidhur si ullinjtë, si kafeja e gjyshes, si dhimbja e saj!”
Kështu shprehet Sonila Alushi, emigrantja shqiptare në Itali, e cila sot është sipërmarrëse në Bergamo. Ajo u bë personazh kryesorë në dokumentarin , “Rrënjët, faqja tjetër e emigrimit” që transmeton RAI 3 prej katër vjetësh në televizionin italian. Qëllimi i tij është promovimi i shembujve pozitivë të emigracionit, të cilët janë dhe më të shumtit atje, por janë dhe më të heshturit! Programi mban firmën e të njohurit Davide Demichelis, i cili në bashkëpunim me Alessandro Roca-n, ka shoqëruar protagonistët në vendin e origjinës për të zbuluar bashkë me ta nga cili ambient vijnë e për të treguar më pas se si jetojnë ata në Itali, si janë integruar, kë frekuentojnë dhe ku punojnë atje.
Për Shqipërinë u zgjodh historia e Sonila Alushit, nënë e dy fëmijëvë (Eniani 8 vjeç dhe Dea 7 vjeçe), sipërmarrëse në Bergamo. Ja si i përgjigjet ajo pyetjeve të gazetarit italian:
Pra, ju ndiheni pjesë e Tiranës, e Bergamos, por edhe e Çamërisë! Si e jetoni, si e ndjeni këtë realitet të trefishtë brenda jush?
Po e përshkruaj me pak fjalë, të cilat i kam shprehur herën e parë që vizitova tokën çame bashkë me familjen time. Kur isha atje, para shtëpive të rrënuara e të braktisura, ndjeva të shprehem kështu: Italia ka shijen e bukës, mbi të gjitha atë të bukës së fëmijëve të mij. Tirana është e ëmbël si bakllavaja e mamit, e ëmbël si fëmijëria ime. Çamëria është e hidhur si ullinjtë, si kafeja e gjyshes, si dhimbja e saj!
Rikthimi në Çamëri dhe ndalimi nga policia
Pa harruar historinë e dhimbshme të të parëve te saj, ajo shoqëroi grupin e RAI-it 3 drejt Shqipërisë, ku ka lindur e është rritur, por edhe në qytezën Margëlliçit të Çamërisë, në shtëpinë tashmë të rrënuar të gjyshërve të saj!
Dhe gjithçka dukej sikur shkonte mirë në pjesën e parë të xhirimive, por grupi s’kish kaluar pa u vënë re nga vendasit dhe pa kaluar shumë, një polic civil grek u ndërpret xhirimet dhe i urdhëron ta shoqërojnë në polici.
Ja ç’shkruan Sonila në profilin e saj Facebook: “Dje vizituam Margëlliçin (Margariti), Çamërinë, tokën e gjyshërve të mi. Sikur të mos mjaftonte dhimbja që ndjeva duke parë përsëri ato shtëpi të pajeta, m’u desh të duroj dhe pyetësorin e pakuptimtë e të padrejtë të policisë së vendit: gjatë xhirimeve, një tip arrogant që më pas u identifikua si polic civil, na ndërpreu punën dhe shoqëroi në polici! Por, “sigurisht” që problemi ishim vetëm unë dhe shoferi që jemi shqiptarë, pjesa tjetër e grupit, qytetarë italianë, mund të rrinin të qetë madje ju ofrua edhe kafe! Pra, prej eksperiencës personale dhe të freskët fare, mund të konfirmoj që policia greke e zonave në kufi, vazhdon me këto sjellje të ulta kundrejt ne shqiptarëve dhe ky fakt tregon qartë sa shumë u djeg ende Çështja Çame.”
Pra, nga një grupi prej 5 personash, ku tre janë italianë dhe dy të tjerët janë shqiptarë, merren në pyetje vetëm dy shqiptarët!
Habisë së Sonilës për këtë fakt, polici i përgjigjet duke shpjeguar se ky na qenkërka rregull i policisë së vendit, për të kontrolluar hyrjet e daljet e të panjohurve, për sigurinë e qytetarëve ndaj keqbërësvë të mundshëm.
Dhe meqënësë pyetësori ju drejtua vetëm shtetasve shqiptarë, del qartë që vetëm ata u identifikuan si keqbërës të mundshëm.
Dhe pyetjes ndaj trupës televizive, nëse do të tregohet për këtë incident dhe këtë sjellje të policisë greke në dokumentar, Sonila ju përgjigj kështu:
“Duke marrë gjithmonë parasysh që ky dokumentar nuk ka për qëllim trajtimin politik të kësaj çështjeje, por thjesht tregimin dhe dokumentimin e historisë time, ju informoj me kënaqësi që mbi këtë fakt do të flitet dhe tregohet më shumë se ç’ishte në planet e mëparshme të RAI-t. Edhe pse na ndaluan në mes të punës, ne gjithësesi arritëm të filmonim aq sa na nevojitej. Për Çamërinë, për historinë dhe genocidin ndaj të parëvë të mi, do të tregohet sidomos nga zëri i gjyshes time, babait, dhe xhaxhait tim. U ndjeva shumë keq për diskriminimin evident që jetuam ne, dy shtetasit shqiptarë, por nga ana tjetër, më vjen mirë që ç’ka i kisha treguar grupit të RAI-t mbi këto sjellie të policisë greke në Çamëri, patën mundësinë t’i vërtetojnë personalisht. Ndaj po, mbi këtë sjellje do tregohet. Mbi Çamërinë do të flitet dhe në mos gaboj, për herë të parë në RAI 3.”
/Çamëria news/