Albspirit

Media/News/Publishing

Ja deri në cilën moshë vajzat e Kosovës janë të virgjëra

“Monitorimi i situatës së fëmijëve dhe femrave”, një raport statistikor i realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me UNICEF-in, paraqiti disa gjetje të veçanta mbi prirjet seksuale në Kosovë.
Nëse përgjigjet e të anketuarve pasqyrojnë besnikërisht realitetin apo jo, kjo është çështje diskutimi, por rezultatet paraqiten mbresëlënëse në disa drejtime.

Sipas raportit rezulton se praktikisht të gjitha femrat e pamartuara deri në moshën 24 vjeç janë të virgjëra. Ndërsa deri në moshën 49 vjeç asnjë femër e anketuar nuk e ka ndërruar ndonjëherë partnerin.

Sipas këtyre përgjigjeve, Kosova del një kampione e virtytit seksual dhe besnikërisë në çift.

Anketa përfshin 20 mijë të anketuar nga mosha 15 deri 49 vjeç, dhe është realizuar gjatë periudhës nëntor 2013 – prill 2014.

Sjellja seksuale tek të rinjtë dhe edukata që ata kanë për përdorimin e mjeteve kontraceptive janë ndër gjetjet më interesante të anketës, sa u takon përgjigjeve të të anketuarve.

Të gjitha të virgjëra

Të rinjtë nga mosha 15 në 24 vjeç, të pyetur nëse kanë pasur ndonjëherë marrëdhënie seksuale paramartesore, raportuan norma të larta virgjërie.

Nga kjo grupmoshë, 91 për qind e femrave thanë se asnjëherë nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale, ndërsa për të njëjtën pyetje u deklaruan të virgjër 54 për qind e meshkujve.

Besim Gollopeni, sociolog dhe demograf, shfaq dyshimet e tij për këto përgjigje kur thotë se nevoja për marrëdhënie seksuale fillon që në moshën rreth 14 vjeçare si për meshkuj ashtu edhe për femra, në varësi të zhvillimi fizik dhe psikologjik të individit.

Ai thotë se statusi tabu që kanë tema të tilla mund të ketë ndikuar rezultatet e anketës së ASKU-ut dhe UNICEF-it në Kosovë, ndërsa shprehet i befasuar për këto përqindje kaq të larta të virgjërisë.

“Një përqindje kaq e madhe e të rinjve të cilët deklarohen se nuk kanë pasur asnjëherë marrëdhënie seksuale deri në këtë moshë [24 vjeç], është e paqëndrueshme përderisa, studime të tjera tregojnë për shifra shqetësuese të përfshirjes së adoleshentëve në marrëdhënie seksuale”, thotë Gollopeni.

Sociologu vëren se kushtet shoqërore në Kosovë, ashtu si në vende të tjera, janë rrethana që u japin liri më të madhe seksuale të rinjve.

“Liria e lëvizjes apo emancipimi që gëzojnë sot të rinjtë në Kosovë dhe pamjaftueshmëria e përkujdesjes së prindërve për fëmijët e tyre si rezultat i shumë faktorëve veç tjerash i jetës dinamike, bënë që të rinjtë edhe më tej, të kenë gjasa më të mëdha që të hyjnë në marrëdhënie seksuale në moshë më të re, krahasuar me periudhat e më hershme”, shpjegon ai.

Besnikë deri në vdekje

Përtej virgjërisë së raportuar nga të anketuarit, pyetjet tjera kanë të bëjnë me shumëllojshmërinë e partnerëve, duke u zgjeruar deri në moshën 49 vjeç.

Sipas përgjigjeve të dhëna, femrat asnjëherë nuk i kanë ndërruar partneret gjatë 12 muajve (përqindja është zero), çka përkthehet në një normë besnikërie në nivelin 100%.

Vetëm 7 për qind e meshkujve pranuan se i kanë ndërruar partneret në harkun e një viti, çka përkthehet në një normë besnikërie apo qëndrueshmërie në çift prej 93%.

Sipas këtyre përgjigjeve, rezulton se kosovarët janë pothuajse 100% besnikë në marrëdhëniet e çiftit dhe në të njëjtën normë kanë marrëdhënie të qëndrueshme dhe jetëgjata.

Këto përgjigje, sipas sociologut, kanë një farë përputhje edhe me gjetjet nga studime të tjera të ngjashme, ku në marrëdhënie me më shumë se një partner dominojnë meshkujt.

“Nuk do hamendje sepse një gjë të tillë meshkujt e bëjnë më shumë edhe për çështje krenarie dhe nuk hezitojnë ta bëjnë publike ndërkaq, e kundërta është te gjinia femërore, nuk deklarohen për partner të shumëllojshëm dhe kësisoj edhe nuk e bëjnë publike, sidomos, siç është puna e mentalitetit në shoqërinë kosovare”, thekson ai.

Bio – pa prezervativ

Përdorimi i kondomit gjatë marrëdhënies me partnerë të shumtë seksualë, te femrat e moshës nga 15 deri 49 vjeç është një mister i madh.

Askush nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje, ndoshta edhe sepse të njëjtat deklarojnë se nuk kanë ndërruar kurrë partner.

Kurse 37 për qind e meshkujve që i kanë ndërruar partneret (7% e totalit të meshkujve të anketuar) u përgjigjën se kanë përdorur kondom.

Të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç seksualisht aktivë që kanë pasur marrëdhënie seksuale me një partner jashtë martese gjatë 12 muajve, 7 për qind i takojnë gjinisë femërore dhe 37 për qind asaj mashkullore.

Nga kjo kategori e të rinjve janë 37 për qind e femrave kanë përdorur kondom, ndërsa te meshkujt kjo normë rezulton me 67 për qind të përdorimit të kondomit.

Mospërdorimi i kondorit në marrëdhënie seksuale njihet është botërisht ndër faktorët e transmetimit të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (SST-ve), por statistika të detajuara mbi këto të fundit mungojnë në Kosovë.

Kosova i trajton sëmundjet seksualisht të transmetueshme me legjislacion përkatës që në fillim të viteve 2000, në “Ligjin për Shëndetin Riprodhues”, Nr. 02/L-76.

Kapitulli i gjashtë i këtij ligji i kushtohet infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe HIV/AIDS, duke përmendur edhe institucionet përgjegjëse për parandalim dhe trajtim, si dhe duke ia lënë akteve nënligjore zbatimin.

Por, të dhënat e anketës në fjalë tregojnë se nga letra në zbatimin në terren, parandalimi i sëmundejve të transmetueshme përmes përdorimit të masave të përshtatshme, mbetet një sfidë për Kosovën.

Lumturi e pakushtëzuar?

Ndërsa ekzistojnë studime të panumërta nga vende të ndryshme të botës, të cilat tregojnë se mungesa e seksit rezulton edhe në mungesë lumturie, diçka e tillë mund të mos vlejë për Kosovën, nëse merren si të besueshme përgjigjet e të anketuarve.

Sido që të jetë jeta e këtyre të rinjve, të virgjër apo jo, me një partner apo me disa, me prezervativ apo me ‘seks natyral’ (të pambrojtur), mbi 90 për qind e tyre janë të kënaqur me jetën, kur u bëhet një pyetje e tillë.

Raporti sugjeron se 90 për qind e femrave dhe 83 për qind e meshkujve të moshës 15 deri 24 janë të lumtur.

Gjysma e të anketuarve (50 për qind) nga të dyja gjinitë shpresojnë se jeta e tyre do të jetë më e mirë pas një viti, por shumica e tyre sakaq janë përgjigjur se ndihen të lumtur edhe në kohën dhe rrethanat kur janë pyetur.

Statistika të dyshimta

Sociologu Besim Gollopeni thotë se puna në terren gjatë anketës dhe mentaliteti shoqëror mund të jenë arsyet kryesore të përgjigjeve jorealiste në anketën e ASK-ut dhe UNICEF-it, sa i takon sjelljes seksuale të të anketuarve në Kosovë.

“Mungesa e trajnimeve adekuate për hulumtuesit e terrenit dhe mos-kontrolli apo monitorimi adekuat i punës në terren… ka raste të shumta kur anketuesit më shumë i intereson numri i anketave që realizon se sa përgjigjja që jep respondenti dhe si rrjedhojë shpeshherë kemi rezultate të kësaj natyre”, thotë Gollopeni, duke shpjeguar mangësitë e mundshme në realizmin e pyetësorit.

Por mentaliteti shoqëror në Kosovë, sipas tij, është një faktor që nuk duhet nënvlerësuar sa i takon përgjigjeve joreale.

“…sidomos te gjinia femërore, të cilat ngurrojnë të tregojnë të vërtetën pra, të japin përgjigjen e saktë, dhe kur ja shtojmë edhe mospërgatitjen adekuate dhe interesimin e pamjaftueshëm të anketuesit, atëherë padyshim, si rrjedhojë e kësaj kemi përgjigje të pasakta”, thekson ai.

Gollopeni shpjegon se një anketë e kësaj natyre – MICS – realizohet për herë të parë në shoqërinë kosovare, ndaj mund të ketë pasur edhe vështirësi në realizim.

Sipas tij, diçka e tillë është shumë normale, mirëpo të këtilla anketa janë shumë të dobishme për bërjen e analizave dhe studimeve./Reporteri/

Please follow and like us: