Albspirit

Media/News/Publishing

Pse SHBA nuk bllokoi rezolutën kundër Izraelit?

Zhgënjimi i administratës Obama me zgjerimin e vendbanimeve izraelite u shpreh qartazi ditën e djeshme në OKB. Shtetet e Bashkuara ndërmorrën një hap të pazakontë duke lejuar kalimin e një rezolute kundër Izraelit në Këshillin e Sigurimit.

15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuan me 14 vota pro rezolutën, ndërsa ambasadorja amerikane Samantha Power abstenoi.

Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, e quajti rezolutën “të turpshme” dhe tha se Izraeli kishte pritur të merrte mbështetjen e zakonshme nga Shtetet e Bashkuara. Ai e quajti këtë hap të Këshillit të Sigurimit “një fitore të terrorit, urrejtjes dhe dhunës”.

“Rezoluta e sotshme i shtohet listës së gjatë dhe të turpshme të rezolutave kundër Izraelit. Në vend të gjetjes së një rruge përpara, po i dërgoni palestinezëve mesazhin se duhet ta vazhdojnë terrorizmin dhe goditjet; se duhet të vazhdojnë ta mbajnë peng popullin e tyre dhe se duhet të vazhdojnë të kërkojnë deklarata të pakuptimta nga komuniteti ndërkombëtar.”

Ambasadorja Power tha se SHBA-ja abstenoi për shkak të shqetësimeve se zgjerimi i vendbanimeve të hebrenjve në zonën e pushtuar të Bregut Perëndimor po kërcënon zgjidhjen e mundshme paqësore të dy shteteve, Palestinë dhe Izrael.

I dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour, u tha gazetarëve se kjo është “një rezolutë me rëndësi pas vitesh të tëra paralize” dhe një hap përpara drejt trajtimit të “një plage të hapur 70-vjeçare” që ka penguar krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Jemi shumë të kënaqur që më në fund Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë shumë të rëndësishme, ndoshta historike, për çështjen e vendbanimeve dhe ruajtjen e zgjidhjes së dy shteteve, duke mbajtur kështu të gjallë shpresën.”

Rezoluta i kërkon Izraelit që “të ndalojë menjëherë dhe plotësisht të gjithë aktivitetin për vendbanime në territorin e pushtuar palestinez, përfshirë Jeruzalemin lindor”.

Zëvendës këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Ben Rhodes, u tha gazetarëve se nuk “na lejonte ndërgjegja të përdornin veton ndaj rezolutës”.

Zoti Rhodes tha se qeveria e Izraelit ka injoruar shqetësimet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për rritjen e vendbanimeve në territoret palestineze të pushtuara që në vitin 1967 dhe se tashmë ka 90 mijë banorë të rinj përtej gardhit të vendosur nga vetë Izraeli.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump që do të marrë detyrën muajin tjetër, dëshironte që SHBA-ja të vendoste veton ndaj kësaj rezolute. Ai u shpreh nëpërmjet Twitter-it se “në OKB, gjërat do të jenë ndryshe pas 20 janarit”.

Please follow and like us: