Rikthim i merituar i Çekrezit, i pari që shkroi historinë e Shqipërisë në gjuhën angleze
“Ka qenë një pikë reference në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që nga fillimi, librat e tij për Shqipërinë kanë qenë në tryezat e diplomatëve të Perëndimit, autor, botues dhe protagonist në jetën politike të diasporës, i një rendi me Nolin, Konicën dhe Kristo Dakon, por pothuaj i harruar për gjysmë shekulli”. Këto ishin sot vlerësimet e studiuesve për Kostë Çekrezin me rastin e promovimit të veprës së tij nga shtëpia botuese “Naimi” organizuar në Akademinë e Shkencave, Tiranë, ku morë pjesë historianë, dashamirës dhe miq të tij.
I pari e mori fjalën prof. dr. Aleksandër Meksi, ish-kryeministër. Sipas tij, “Letrave shqiptare u mungonte një studim për jetën dhe veprat e Kostë Çekrezit, për veprimtarinë e tij politike atdhetare e demokratike, për të cilat e meritonte me kohë një vend në historinë politike të shqiptarëve. Qenia e tij kundërshtar i regjimeve autoritariste, pushtuese e diktatoriale ia mohoj këtë vend të merituar për më se një gjysmëshekulli me heshtje dhe harresë të qëllimshme. Dhe libri që promovohet sot e mundëson këtë; plotëson një boshllëk. Duhet të nënvizojmë se, për fat të keq, në Shqipëri mbizotërojnë mitet, heronjtë kordhëtarë që vetëm ata kanë luftuar pushtuesit duke i mundur, vetëm ata bënë pavarësinë, shtetin e diktaturën, të mirat e të këqijat etj. etj. Po kështu në arte, letërsi e shkenca. Duhet të heqim dorë nga kjo mënyrë e vlerësimeve, e të shkruarit të historisë. Jo pak mendje të hapura po e kuptojnë nevojën për t’ju shmangur kësaj kulture mitesh dhe kanë filluar me sukses të qëmtojnë jetën dhe veprat e personazheve të neglizhuar, anatemuar, fshehur e “harruar”. Kostë Çekrezi ishte një nga intelektualët më të shquar të kohës. Këto botime të librave të tij kryesore: “Shqipëria; e shkuara dhe e tashmja”, “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, “Letra shkresa dhe fjalëtore” në origjinal dhe “Udhërrëfyes në komunikim” në botimet “Naimi” 2016, si dhe kjo monografi mbi jetën dhe veprën e Çekrezit, “Kostë Çekrezi – I treti, i munguari” e shkrimtarit Andon Andoni, botuar po nga shtëpia botuese “Naimi”, flasin për seriozitetin dhe përpjekjet për ta sjellë edhe njëherë sërish në jetën e sotme këtë njeri të palodhur, erudit të përkushtuar ndaj fateve të mëmëdheut. Ato ndihmojnë për të njohur një tjetër shqiptar që u përpoq për Shqipërinë e la vepra me vlerë për të”, konkludoi ish-kryeministri.
Prof. dr. Hamit Kaba, nga Instituti i Historisë, Tiranë, u përqendrua në vlerësimet për monografinë e Andon Andonit me titull “I treti, i munguari”, kushtuar Kostë Çekrezit. Sipas prof. Kabës, “libri plotëson kështu trekëndëshin e tre burrave të mençur të kombit tonë në Amerikë, të cilët përfaqësonin anët më të mira të shqiptarëve, por edhe tipin e sertë, sedërlli e polemist deri në ekstrem. U desh ky botim që të na tregonte neve, bashkëkombësve të tij, atë që të tjerët e dinin përpara nesh, se Kostë Çekrezi qëndron përkrah Nolit e Konicës – si udhëheqës natyralë të Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Një enciklopedi amerikane e fundit të Luftës së Dytë Botërore, duke i njohur mirë vlerat e Kostandin Çekrezit e radhiste atë si të tretin në radhë, pas Nolit e Konicës. Rizbulimi i Çekrezit nga autori Andon Andoni është meritë veçanërisht e tij, por edhe e shtëpisë botuese “Naimi” që mundësoi daljen e këtij libri dhe, më herët, të dy librave të tij:Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja dhe Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë.
Në kumtesën e tij prof. dr. Shaban Sinani e përqendroi vëmendjen tek vlerat e librit “Udhërrëfyes për komunikim” të Kostë Çekrezit. Mes të tjerash, studiuesi tha: “Në vitin 1917, thuajse në të njëjtën kohë që shkruante monografinë e njohur Shqipëria: e shkruara dhe e tashmja, që i ishte porositur nga Harvard University, si pjesë e përpjekjeve amerikane për të njohur popujt e vegjëltë Europës së vjetër, nga do ta kishte burimin parimi i vetëvendosjes, shpallur nga Woodrow Wilson në Konferencën e Versaille-s (1919), Konstantin Chekrezi, që njihet ndër ne (për aq sa njihet) si Kostë Çekrezi, përgatiti dhe botoi një prej librave më të pashoq në historinë e shkrimeve shqip, titulluar Letra, shkresa, fjalëtore. Pas botimit nga autori në SHBA (Boston 1917) dhe botimit të dytë të përmirësuar (Tiranë 1927), libri vjen sërish tek lexuesi shqiptar, pikërisht në 100-vjetorin e daljes së parë në dritë, kësaj radhe me titullin Udhërrëfyes për komunikim nga shtëpia botuese Naimi. Kjo po ndodh jo vetëm për të plotësuar shkallë pas shkalle ndihmesat origjinale tënjë trinie të rrallë, që veproi e krijoi në SHBA, si F. Noli, F. Konica dhe ai vetë, por edhe për të njëjtin qëllim për të cilin u shkrua kryekrejet, si një lehtësi pune për të gjithë ata që duan të përcjellin kumte me shkrim tek njëri-tjetri: vetjake e familjare, formale e zyrtare, popullore e elitare, publike e të pashpallura. Për fat të keq, deri në vitin 1990 kësaj trinie i qenë prerë dy krahët, F. Konica dhe K. Çekrezi. Rikthimi i ngadaltë, por i sigurt, i F. Konicës pas ndryshimeve që ndodhën në fundin e shekullit të kaluar, deri vonë nuk u shoqërua me të njëjtën vëmendje edhe për Kostë Çekrezin (të cilin vit pas viti po e risjell tek lexuesi me durim e ngulmim shtëpia botuese Naimi)”.
Prof. Miço Samara, gjuhëtar, nisur nga pozitat e profesorit tashmë të dalë në pension, mendon se “për jetën dhe veprimtarinë e Kostë Çekrezit ose për ndihmesat e tij si historian, publicist e gjuhëtar, mund të hartohen monografi të veçanta në fushat e historiografisë, të publicistikës, të politologjisë, të gjuhësisë, të stilistikës letrare-gjuhësore etj., me qëllim që të bëhet më e plotë figura dhe personaliteti i tij, duke e plotësuar atë me të dhënat e nxjerra nga arkivat e Departamentit të Shtetit në ShBA, në Francë, në Shqipëri e gjetkë ose me të dhënat nga studimi më i hollësishëm i të gjitha shkrimeve të tij të botuara në shqip, anglisht ose frëngjisht”.
Naim Zoto, botues i veprës së K. Çekrezit, solli disa vlerësime të bashkëkohësve dhe bashkëpunëtorëve të tij si Noli, Konica etj. Çekrezi ёshtё ndёr tё parёt dhe tё rrallët shqiptarë qё u diplomua nё universitetin e Harvardit. I konsideruar sishqiptari mё me ndikim nё Washington dhe i parapëlqyeri i amerikanёve (madje, i projektuar si një kryeministër për një Shqipëri perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore), Çekrezi është themelues dhe drejtues i disa gazetave nё Amerikё e Shqipёri. Prej 2 marsit 1920, Çekrezi u akreditua nga qeveria e Kongresit të Lushnjës si Komisioner i Shqipërisë në SHBA. Sipas studiuesit amerikan Stephen Peters, “po të mos kishte qenë këmbëngulja sistematike dhe e pandërprerë e “Vatrës” në përgjithësi dhe e shqiptarëve të veçantë – ku, padyshim, ndër më të angazhuarit është Kostë Çekrezi – Shqipëria, ndoshta, do të kishte qenë edhe për Presidentin Wilson “një shprehje gjeografike”, siç kishte qenë për princin Otto Bismark në shekullin e kaluar”. Autorët e librit The Albanian Struggle e kanë cilësuar Kostë Çekrezin si “një nga katër liderët e komunitetit shqiptar të Amerikës, pas Faik Konicës, Fan Nolit dhe Kristo Dakos”, ndёrsa vetё Fan S. Noli do ta rendiste “ndër tre njerëzit që mund t’i sillnin dobi fatit të Shqipërisë” dhe “punëtori më i madh që ka nxjerrë Përlindja Shqiptare”. “Se cilat janë të drejtat e Shqipërisë duhet mësuar jo nga ç’thonë fqinjët, rivalët apo armiqtë e saj të mundshëm, por nëpërmjet një mjeti më të drejtpërdrejtë e më të besueshëm – zërit të vetë shqiptarëve. Kjo është merita kryesore e librit të Kostë Çekrezit. Ai na jep mundësinë ta shohim Shqipërinë me syrin e një shqiptari… Sepse, me sa di unë, ky është i pari libër i një shqiptari për Shqipërinë që ka dalë në gjuhën angleze”, shkroi Charles D. Hazen, Universiteti i Columbia-s, në parathënien e librit të K. Çekrezit: “Albania; past and present”, 1919”.