Albspirit

Media/News/Publishing

Vrasja e Gërmenjit, një gabim i rëndë historik

Zylyftar Hoxha

Më 9 nëntor 1917, vritet në Selanik patrioti Themistokli Gërmenji, atdhetar dhe luftëtar i shquar shqiptar, udhëheqës çetash, përfaqësues shqiptar i Republikës Autonome të Korçës të shpallur në marrëveshjen me francezët në 10 dhjetor 1916, për të neutralizuar praninë greke në Korçë. I bindur për luftën kundra grekëve, Gërmenji iu ofroi kompromisin e tij francezeve, duke arritur kështu të shpëtojë Korçën nga pushtimi i sigurt i forcave të Venizellosit. Si truri dhe zemra e Republikës Autonome (që një vit më vonë u bë Franceze) të Korçës, Themistokli Gërmenji bëri shumë për Korçën dhe Shqipërinë.

Intrigat greke ndaj tij, bënë që francezët të bien në kurth dhe të vrasin padrejtësisht aleatin dhe bashkëpunëtorin e tyre më të ngushtë, rilindësin e shquar Themistokli Gërmenji. Themistokliu, bashkë me të edhe Qamil Panariti, ishin kurbanët që i bënë francezët krahinës autonome të Korçës për të kënaqur interesat shoviniste të Greqisë, veçanërisht të Venizellosit që vepronte në rajonin e Selanikut. Ky gabim i bërë më 1917, u korrigjua vetëm 81 vjet më vonë. Më 1998, Republika Franceze vendosi të njohë pafajësinë e Themistokli Gërmenjit dhe Ambasadori Francez në Tiranë i asaj kohe vendosi një tufë me lule mbi varrin e tij në Korçë.
Këto ditë, në datat 9 e 10 dhjetor, në Korçë, me rastin e 100-vjetorit të formimit Republikës Autonome të Korçës, u zhvilluan disa veprimtari, për të cilat duhet thënë se autoritetet vendore i kishin organizuar mirë. Ndër to përfshihej  dhe Konferenca Shkencore e organizuar nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Universitetin Fan S. Noli të Korçës, ku kumtuan akademikë dhe historianë vendas dhe të huaj (francezë), përfshi Profesorët Shaban Sinani, Valentina Duka, Beqir Meta, Marenglen Verli, Fatmira Musaj, Ali Jashari, Floresha Dado, dr. i shkencave Orion Ago, autoritetet vendore etj.

Për hir të së vërtetës, nëpërmjet materialeve të përgatitura dhe dokumenteve historikë që publikoheshin për herë të parë, u  hodh dritë mbi ngjarjen, duke sjellë argumente e fakte të reja, sidomos për bashkëpunimin e bashkëveprimin e autoriteteve franceze (ushtarakëve) me popullsinë vendase, gjë që dha frytet e veta në kulturimin dhe civilizimin me hapa të paimagjinueshme të qytetit të Korçës, aq sa ai pas kësaj u quajt “Parisi i vogël”. Po kështu, u ndriçuan dhe u analizuan çështje të ndërhyrjes dhe të ndikimit të qarqeve greke në jetën e qytetit të Korçës, të aleancave pragmatike dhe fluide të kohës.

Megjithatë, është për të ardhur keq, që, në gjithë atë veprimtari, të mos flitej  ose të flitej fare pak, madje ndrojtur, për vrasjen e Themistokli Gërmenjit. Në kishte rast, ishte ky për të folur dhe zbardhur gabimin e madh historik që është bërë me vrasjen e tij.

Unë i ndoqa me vëmendje të gjitha trajtesat, si gazetar që merrem me rubrikat historike dhe memoristike, jo si historian, se nuk kam kompetencën dhe tagrin e duhur, por, për fat të keq, vura re një ndrojtje për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, me emrin e tyre. Dhe kjo se mos prishim gjë, mos krijojmë ndonjë incident diplomatik! Jo, mor, jo. Diplomacia është diplomaci, me fjalë të kërkuara dhe tone të buta, dhe historia është histori me dokumente dhe fakte kokëforta. Autoritetet ushtarake franceze të asaj kohe të vendosur në Korçë vranë Themistokli Gërmenjin, arkitektin dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të veprës së tyre. E vranë në mënyrë të pabesë, sepse midis tyre kishte edhe nga ata që ndikoheshin nga shovinistët grekë, ashtu siç kishte edhe në qeverinë e tyre në Francë (Ministrinë e Jashtme), që nuk e shikonin mirë apo që ishin kundër Republikës Autonome të Korçës.

Gjërat duhet thënë siç kanë ndodhur, në kontekstin historik të kohës. Mos harrojmë se ishte kulmi i Luftës së Parë Botërore, dhe lufta ka edhe gabimet e saj. Por që të mbajmë sot një qëndrim timid, servil, se mos keqkuptohemi, dhe të injorojmë faktet historike, kjo është e papranueshme dhe fyese.

Pse e them këtë? Sepse si në konferencën shkencore të mësipërme; si në përmendjen e Kryeministrit Edi Rama, në rubrikën e tij “AMARCORD”, ku përkujtoi 100-vjetorin e shpalljes së Republikës Autonome të Korçës, ashtu edhe në fjalën tri-faqëshe të Presidentit Nishani me rastin e dekorimit të atdhetarit dhe patriotit të shquar (pas vdekjes) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, nuk u përmend mënyra dhe shkaktarët e vdekjes së tij, që ishin autoritetet franceze të kohës.

Po në këtë “grackë” kishte rënë e dhe  televizioni i mirënjohur TCH, me një dokumentar ku i thurej himn Francës dhe harrohej fakti që ai në një farë mënyre ishte një vend pushtues. Nga ana tjetër dokumentari i TCH të linte për të dëshiruar, pasi në intervista merreshin njerëz që ishin në periferi të ngjarjes dhe jo akademikë dhe historianë.

Historia është histori, politika, politikë, dhe diplomacia, diplomaci. Njerëz me një civilizim mbi 200-vjeçar nuk të keqkuptojnë kurrë, i kanë koncepte të qarta.

Po ne, pse kemi frikë ta themi të vërtetën?

Qamil Panariti, martiri magjepsës i Republikës Autonome të Korçës

 

Edhe pas më se një shekulli eshtrat e këtij luftëtari të njohurnuk treten” nga malli për atdhe në Guajanën Franceze

 

foto-11Rasti i  heroit tonë, Qamil Panariti, një luftëtari shqiptar që eshtrat ende i “klithin” pa prehje në hijen e një kontinenti të largët, jeta i mbeti e burgosur, por edhe vdekja i mbeti e burgosur.

Qamil Panariti ishte vëllai i gjyshit të Edmond Panaritit, ministrit aktual të Bujqësisë. Në mënyrë individuale dhe personale, Edmondi është përpjekur për të sjellë eshtrat e paraardhësit të tij nga Guajana Franceze, por nuk ka mundur. Një gjë të tillë duhet ta bënte shteti, si shtet që është, aq më tepër në 100-vjetorin e ngjarjes, ku pushtetarë, akademikë dhe historianë “kakarisin”!…

Ajo që nuk ishte bërë mirë deri më sot, të ndreqej tani në kremtimin 100-vjetorit të Republikës Autonome të Korçës, të bëhej një rivlerësim, ashtu siç iu bë edhe Themistokliut nga Presidenti i Republikës, sepse edhe Qamili qe për të njëjtën çështje, në të njëjtën qeli të burgut të Selanikut, dhe pati të njëjtin fat të keq si edhe Themistokliu, i vrarë pabesisht në një burg të largët.

Nga ana tjetër organizatorët e aktivitetit, gjënë më minimale dhe më normale për këtë njeri ishte t’i kishin marrë eshtrat që nuk i treten nga malli për atdheun atje në Guajanën e largët Franceze…

***

Kur u arrestua nga francezët në Korçë, Qamil Panarit, njëri nga komandantët e batalioneve të Sali Butkës, madje krahu i djathtë dhe këshilltari i tij i letrave, Plaku i Butkës kish ulëritur si i xhindosur për këtë pabesi evropiane. Ai kish dashur të takonte ata që kushedi sa herë i kishin bërë reveranca prej pashai këtij njeriu të thjeshtë dhe plaku të urtë, që ndjenja atdhetare e kishte ngritur në nivele gjeneralësh dhe që francezët, jo shumë ditë më parë, atje në Voskop të Oparit, i ishin ulur në gjunjë dhe i ishin lutur si qeni t’u gjente një zgjidhje të butë për Korçën, të paktën ai të mos i  sulmonte.

Domosdo, plaku kishte pranuar, po ja ç’i kishin bërë, vranë Themostokli Gërmenjin me një gjyq paçavure në Selanik dhe ja tani i morën edhe Qamilin, por tani s’kishte ç’të bënte, vetëm t’i binte murit me kokë. Shumë vite më vonë, kur plaku i Butkës kishte vdekur, dhe në Shqipëri kishin ardhur pushtues të rinj ndaj të cilit ishin ngritur pushkët anë e kënd, dikush kujtohet që njësisë partizane të sapokrijuar në Vithkuq më 10 korrik 1943 t’ia vënë emrin Batalioni “Qamil Panariti”. Emri u vulos me brohoritma. Qamili për herë të dytë u bë komandant, por këtë radhë i vdekur, pasi komandonte vetëm emri.

***

Në tetor 1916, sipas një marrëveshjeje të të mëdhenjve, trupat franceze hyjnë në Korçë, fillimisht ndjekin një politikë progreke e muaj më pas jo në përkrahje të tyre.  Ata detyrohen të nënshkruajnë protokollin e datës 10 dhjetor 1916 që e shpall Korçën Republikë Autonome. Ngrihet flamuri kombëtar. Fillojnë veprimtaritë  atdhetare: hapen 60 shkolla shqipe; ngrihen ura; përmirësohen rrugë… Por shpejt francezët ndërruan pllakë. Me që Greqia u radhit në  anën e forcave të Antantës, e nën petkun për t’u mbrojtur edhe nga austro-hungarezët, ata morën krahun grek, ia kufizuan  forcën vepruese  Republikës Autonome dhe  në nëntor 1917 arrestuan Themistokli Gërmenjin dhe e dënuan me vdekje nga një gjyq i inskenuar në Selanik. Në qershor 1918 arrestuan  shefin e policisë së qarkut, krahun e djathtë të Themistokliut, njeriun që qeveria shqiptare e kohës e pati dekoruar me urdhrin ”Besë e Bashkim” kur luftoi e dërrmoi  hordhitë zjarrvënëse pushtuese greke, luftëtarin dhe drejtuesin  e shquar, Qamil Rushit Panariti. Ai  si dhe miku i tij pati të njëjtin fat: Dënim me vdekje me akuzën e  sajuar si  filoaustriak, por me një ndryshim, të vuante dënimin deri në ekzekutim në Guajanën Franceze, në Amerikën Latine.

Qamili padrejtësisht syrgjynoset prapa botës nga administratorët francezë të Korçës, por kurrë nuk dorëzohet, nuk humbet shpresat, vijon të mendojë për Shqipërinë, për nënë Havanë  e për më tepër akoma edhe  të dashurën e tij, një bukuroshe ortodokse korçare që e deshi aq shumë, për 17 vjet.

Në atë burg francez famëkeq të sigurisë së lartë, Qamili kish shok vuajtjesh edhe një oparak, tjetër luftëtar shqiptar që mundi të shpëtojë gjallë. Aty në qeli, shqiptari “lis i Panaritit”, siç e kish quajtur Themistokliu, në një ditë të zezë të vitit 1923, krejt papritur, një plumb pas shpine nga dora e tradhtisë, aty brenda në burg, e shtriu Qamilin përdhe për të mos u ngritur kurrë.

 

Kush është Qamil Panariti

Lindi  në vitin 1883 në Korçë, kishte baba Rushitin nga Panariti i Vakëfeve të Korçës dhe nënë Havanë nga Leshnja e Skraparit. I ati vdiq herët. Hava Panariti, duke vlerësuar se pasuria më e madhe që mund të lërë një prind për fëmijën, është dituria, u interesua që të katër të shkolloheshin. Gjimnazin Qamili do ta mbaronte në Manastir, ku  merrte dy lëndë nga atdhetari i madh gjirokastrit, Bajo Topulli, i cili e ndihmoi nxënësin e vet të  thithte shpejt idetë më përparimtare,  madje, me cilësinë e nëndrejtorit të shkollës, e ndihmoi që të mos e përjashtonin nga shkolla kur  administrata turke pikasi se Qamili ishte anëtar i një grupi të fshehtë që luftonte për  mësimin e gjerë të shqipes, për lirinë e mëmëdheut dhe pavarësinë e trojeve shqiptare. Tok me mësuesin e tyre, Bajo Topulli, nxënësit arratisen nga gjimnazi dhe dalin malit për lirinë e mëmëdheut, ndërsa e ëma e Qamilit e ktheu shtëpinë e saj në vatër patriotike. Më 3 maj 1907,  24-vjeçarin Qamil Panariti  e shohim në  rrethet e shqiptarëve emigrantë të Amerikës ku agjiton për  Shqipërinë. Aty njihet me Fan Nolin, Faik Konicën etj. Një vit më pas, ai gjendet në Stamboll me veprimtari të dendur atdhetare. Në vitin 1910 ai luan si aktor përgjatë shfaqjeve në skenën korçare  të dramës “Besa” të rilindësit të paepur  të vatanit të shqiptarëve, Sami Frashërit. Qamili luan rolin e Selmanit. Aktorë të tjerë ishin Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e Hil Mosi. Lidhet me Spiro Bellakmenin dhe ndihmon që  ai të futet ilegalisht nga Maqedonia në Shqipëri. Qamili,  edhe pse tregon zotësi organizuese, mjeshtëri në luftën ilegale, maskim në qytet,  aftësi sqaruese e bindëse në fshatra, bie në sy, spiunohet  dhe burgoset. Pas  disa muajve në burg, në qershor 1911, krijon çetën e vetë  patriotike luftarake me 20 vetë, të rinj  nga të dy fetë, ortodoksë dhe myslimanë, të cilëve as që u shkonte ndërmend ky fakt. Ai mblodhi ata që kishin një ideal, të shpëtojnë Shqipërinë nga sundimi turk. Pak kohë më parë ishin krijuar  çetat e  plakut të  mençur e trim Sali Butka dhe  atdhetarit Haki Mborja. Njihet me Halim Xhelon, vlonjatin që e strehon në shtëpinë e vetë.

Çeta e porsa krijuar nën drejtimin e djaloshit   syfajkua, Qamil Panariti, kryen  luftime e aksione luftarake  në Tomorricë, Përmet, Skrapar, Kolonjë, Vakëfe. E dëgjojmë Qamilin në mbledhjen e Frashërit në  vitin 1911, por e gjejmë edhe në krye të luftimeve në Orman Çilfik, në Berat, në Cakran e Mallakastër, për të përfunduar në aktin e madh të ngritjes së flamurit në Vlorë, ku është  njohur, takuar e ka bashkërenduar pikëpamjet e veprimet me Bajram Currin, Hasan Prishtinën e Ismail Qemalin.

I  ofrohen poste e grada në qeverinë  e parë të Shqipërisë të Pavarur, por Qamili kthehet në qytetin  ku lindi që të vijonte  luftën për  administrimin e fitores së arritur. Kalon nëpër Skrapar, ku është nip, takohet më Themistokli Gërmenjin, atë kohë aty nënprefekt, dhe më 16 janar 1913  me luftëtarët  e tij godet  forcat greke në Qesarakë. Në 1 mars 1914   luftëtarët kryengritës shqiptarë hyjnë triumfatorë  në qytetin e Korçës, duke vendosur kështu për herë të parë edhe administratën e tyre. Komandant i korpusit vullnetar shqiptar u zgjodh Themistokli Gërmenji dhe Qamil Panariti  me gradën kapiten është drejtuesi kryesor ushtarak i Qarkut, që përfshinte edhe Kolonjën e Bilishtin.

Janë vite shumë të mjegullta, kur Shqipëria që vuan nga mjerimi, dhe  bijtë e saj luftojnë  për t’u shkëputur  nga perandoria osmane, është kthyer në shesh lufte ku bëjnë pazare e hanë kokën e njëri-tjetrit të mëdhenjtë e Evropës: Francë, Angli, Austro-Hungari, Itali e Greqi, ndërsa pasojat bien mbi të vegjlit…! Ndaj Qamil Panariti me shokë qëndrojnë vigjilentë. Grekët edhe pse u tërhoqën nga Shqipëria, me 300 forca, nën  parullën e njohur Vorio-Epiriote  i bëjnë puç kësaj administrate. Në vitin e ngjeshur 1914 Qamil Panariti drejtohet me armë kundër andartëve grekë që po i vinin zjarrin  fshatrave të Skraparit e Beratit.

 

Please follow and like us: