Albspirit

Media/News/Publishing

Anthony Giddens: Shqiptarët duhet ta kuptojnë që bota po ndryshon shumë shpejt

Sociologu i famshëm anglez, Anthony Giddens tregon rrugët e transformimit. Besimi i tij se mirëqeverisja dhe ndryshimi i zakoneve mund ta ndryshojnë rrënjësisht Shqipërinë.

Mund të ndalojmë të flasim më shumë për sociologji apo edhe për politikë?

Mund të më pyesësh për gjithçka. Për sa i përket sociologjisë, deri tani jemi në një tranzicion të madh të shoqërisë botërore sot. Bota në këto 20-30 vitet e fundit nuk mund të vazhdojë në të njëjtën mënyrë, duhet të gjejmë një mënyrë tjetër të zhvillimit të ekonomisë dhe shoqërisë së botës dhe besoj se roli i sociologut është pikërisht të analizojë këtë tranzicion dhe të shohin se çfarë ndryshimesh duhet të institucionalizojnë për vende si Shqipëria apo Mbretëria e Bashkuar, apo Evropa.

Çfarë ju ngacmoi juve të studioni sociologji Lord Giddens?

Në fakt unë nisa të studioj për psikologji, por shpeshherë njerëzit ndikohen nga ajo që ti ke në mendje dhe prandaj mendova se ishte më interesante të merrem me shkenca sociale, sesa të studioja vetëm psikologji.

Një sociolog i shekullit të 21-të, në cilat pika kyçe duhet të ndalojë? Sidomos, çfarë duhet të kuptojë?

Për mendimin tim, ajo që unë përpiqem të shoh dhe të fokusohem janë forcat madhore ato që sjellin ndryshimet e mëdha në këtë botë që është krejt e ndryshme nga ajo e 20 viteve më parë, sepse është shumë e ndërvarur për shkak të avancimeve të internetit, për shkak të zhvillimit, të ndërvarësisë globale, për shkak të rreziqeve shumë të mëdha me të cilat përballemi, të oportuniteteve me të cilat përballemi. Kjo është bota ku ne jetojmë, këto janë çështjet që duhet t’i interesojnë kujtdo, por sociologët duhet t’i studiojnë këto fenomene në mënyrë sistematike dhe të përpiqen të shohin se ku po shkon kjo botë dhe çfarë politikash duhet të prodhojnë për t’i dhënë asaj formën e duhur.

Çfarë ka të bëjë me sociologjinë ajo çfarë ndodh sot në Greqi, Itali, Qipro apo në fakt nuk ka të bëjë fare me sociologjinë, por ka të bëjë thjesht me euron?

Në fakt nuk do fokusohesha shumë tek sociologjia për sa i përket këtyre fenomeneve. Kjo është një krizë në ekonominë e gjithë botës, në politikën botërore, e cila përbën një rend të dyfishtë krize sepse në Evropë, siç e dimë, euroja u krijua mbi premisa pjesërisht false pa mekanizmat e nevojshëm për ta mbrojtur atë dhe për ta çuar përpara dhe kjo po na detyron të marrim vendime drejt integrimit më të madh evropian. Por, pas gjithë kësaj kemi krizën e shoqërisë industriale për shkak të niveleve të mëdha të borxheve, për shkak të vështirësive të gjenerimit të një rritjeje ekonomike, që është një vështirësi sa këtu, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të një shtrirjeje të madhe. Pra, kemi dy nivele të krizave që lidhen me njëra-tjetrën. Kjo është ajo që e bën kaq të vështirë zgjidhjen e kësaj situate aktuale.

Në një artikull jeni shprehur se për të stabilizuar euron duhet një urë për ndryshe afatgjata dhe një stimul për imagjinatën.

Në fakt ne jemi në një situatë ku jemi të detyruar të krijojmë një Evropë më të integruar, na duhet të paktën një Evropë e tipit federal. Në momentin që kemi një sistem fiskal që të ndihmojë euron, atëherë do të na duhet të kemi edhe një lloj mënyre qeverisje që vepron shpejt, që nuk është një qeverisje burokratike, që është e përgjegjshme ndaj vendeve anëtare të BE dhe kjo do të thotë që të bëhen ndryshime kritike për sa i përket ndryshimeve ekonomike. Kjo është një sfidë dhe mundësi shumë e madhe për të krijuar një euro më të mirë. Ne tani shohim projektet evropiane, shohim tërësinë e Bashkimit Evropian, shohim se ku duhet të shkojmë, të mos ndërtojmë thjesht një Evropë më të madhe, por një Evropë të ndryshme. Duam që edhe Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ne duam që Bashkimi Evropian të shtrihet në të gjithë kontinentin. Edhe unë dua që Bashkimi Evropian të ketë politika më të fuqishme ekonomike, ndoshta mund të kishim edhe një balancim më të mirë të politikave dhe një ristrukturim të ekonomisë botërore në mënyrë më efikase. Unë besoj që na duhet një influencë më e koordinuar evropiane në të gjithë botën dhe për mendimin tim kjo fuqia e projektit të Bashkimit Evropian. Sigurisht që kjo është e vështirë sepse BE-së po i humbet popullariteti, të cilin duhet ta rifitojë dhe shpresojmë ta rifitojë me rikthimin e sukseseve ekonomike dhe një mbrojtjeje efikase të euros si një mënyrë për ta arritur atë.

Një qytetar evropian i shekullit të 21, kur mendon për të ardhmen, në ç’mënyrë mendon?

Personalisht mendoj se nuk mund te kthehemi prapa në Evropë nëse përpiqemi ta shpërbëjmë Bashkimin Evropian, kjo do të ishte gati-gati një katastrofë sepse çështja është se ku shkojmë dhe për mua kjo do të thotë që të ndërtojmë një lloj qytetarie të vërtetë evropiane që nuk vjen vetëm nga lart-poshtë, por edhe nga poshtë-lart, një lloj qytetarie që mbështetet në eksperiencën e evropianëve të rinj që inkurajojnë lëvizjet evropiane në të gjithë kontinentin, që krijon një Evropë që deri në një farë krijon një lloj atashimi emocional pra, jo thjesht një gjë teknike që nuk na pëlqen shumë. Besoj se kjo është sfida për këto 10 vitet e ardhshme. Unë do të doja të shihja një Evropë si një sistem i fuqisë evropiane në botë. Mund të jesh pjesë e një kombi të caktuar, por njeriu duhet të ndjejë edhe nevojën e përkatësisë në Bashkimin Evropian. Dhe besoj se ky është edhe roli ynë në botë, kjo është ajo që na bën të ndryshëm edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për shembull, kjo ndjenja e përkatësisë na bën të ndjehemi ndryshe nga Azia dhe për mua kjo është një gjë shumë e rëndësishme.

Ju thoni se ne jetojmë në një botë që ka lëvizur nga kufiri i historisë. Çfarë keni parasysh me këtë?

Në fakt, unë them që jetojmë në një botë që e ka kaluar atë greminën e historisë dhe me këtë dua të them se kemi shumë rreziqe dhe oportunitete dhe mundësi sot, të cilat nuk i kemi pasur në civilizimet e mëparshme. Nëse marrim si shembull rrezikun e armëve bërthamore, popullsinë që po shkon deri në 10 miliardë banorë, nëse shohim impaktin e ndryshimeve klimatike, pasojat që mund të kenë këto ndryshime, apo nëse shohim barazinë midis burrave dhe grave. Këto janë gjëra që nuk kanë qenë pjesë e asnjë qytetërimi të mëparshëm pra, jemi duke ecur në një rrugë në të ardhmen që nuk është aspak e ngjashme me të kaluarën tonë. Qytetërimet e mëparshme kanë pasur sigurisht ato ulje-ngritjet e tyre por tashmë qytetërimi po shkon në një mënyrë lineare domethënë, në një lloj të ri botë që është plot me rreziqe sepse ne jemi shumë të tepër të ndërvarur se çfarë kemi qenë më parë. Po të shohim, për shembull, rënien e sistemeve ekonomike apo nëse shohim armët bërthamore të Iranit dhe rreziqet që ato paraqesin por nga ana tjetër shohim edhe gjithë këto mundësi për krijim vendesh pune në fushën e shkencave mjekësore, në fushën e teknologjisë. Ajo që po bëjmë sot, kemi kaq njerëz që mund ta shohin këtë program në të gjithë botën, është një gjë e mrekullueshme. Pra, siç thashë, kemi një nivel të lartë rreziqesh dhe mundësish në të njëjtën kohë që ka për të qenë shumë e ndryshme edhe për brezat e mëpasshëm. Sigurisht që është një botë e vështirë për t’u jetuar, por po aq është edhe e mbushur me mundësi.

Ju jeni një nga teoricienët lider të globalizmit. Kur keni nisur ta përdorni termin?

Edhe ne në Angli e quajmë globalizim dhe në atë libër që keni përpara, unë ndoshta kam qenë një ndër njerëzit e parë që ka përdorur termin globalizim sepse njerëzit flisnin atëherë për marrëdhëniet ndërkombëtare, flisnin për marrëdhëniet midis shteteve të ndryshme e gjëra të tjera të tilla dhe pastaj termi globalizim u bë goxha i përdorshëm kohëve të fundit pra, në vitet ’80 pothuajse nuk e përdorte njeri ndërsa tani e përdorin të gjithë. Termi globalizim është një shprehje ashtu siç e thotë fjala vet, dhe është bërë një folje e vetëkuptueshme që nënkupton një lloj qytetarie të re në këtë epokë të re globale ku ne jemi qytetarë evropianë, amerikanë apo çfarëdo tjetër. Pra, njerëzit e kanë tashmë këtë identitet të trefishtë.

Çfarë roli ka media, komunikimi online apo televiziv apo i shkruar tek globalizimi?

Për mendimin tim globalizimi nuk është pikë së pari për avancimin e tregjeve globale. Për shembull, për mua, globalizim do të thotë rritje e ndërvarësisë së shoqërisë së botës. Për mua, i gjithë ky proces udhëhiqet nga komunikimi pra, e ka origjinën në epokën globale që ka filluar që në 1970 kur filluan sistemet satelitore mbi tokë, që filloi të komunikonte në të njëjtën kohë nga njëra anë e tokës në tjetrën, dhe për mua ky ishte një transformim i plotë dhe këtu kemi pikërisht rolin e medies sepse media është qendra e gjithë këtij komunikimi. Ne tashmë jetojmë në botën e një media globale. Ajo çfarë bëni ju dhe ajo çfarë po bëj unë sot këtu është vetëm një aspekt i të jetuarit në një botë të ndërlidhur globale elektronike sepse në momenti që ti ngre telefonin apo e sheh apo i përgjigjesh nuk kontakton vetëm me një mik apo shefin por je në mes të një sistemi global sepse unë mund të të marr ty në telefon nga çdo cep i botës, unë mund të të shoh madje nga çdo cep i botës nëpërmjet celularit. Pra, siç ju thashë, është një transformim kohe dhe hapësire, ky është globalizimi. Globalizimi ka të bëjë me ngushtimin e distancave, me krijimin e intimitetit nëpërmjet ngushtimit të këtyre distancave në botë. Ajo çfarë bën televizioni është vetëm një shembull. Ne shohim që televizioni tashmë po shkrihet me kompjuterët, po shkrihet me shërbimet e ndryshe të komunikimit në botë. Në Mbretërinë e Bashkuara, për shembull, sot njerëzit nuk i shohin gjërat në media në kohën që ato jepen por ato i regjistrojnë lajmet dhe programet dhe i shohin kur të kenë kohë të përshtatshme. Pra, kemi integrim të televizionit me mënyra të ndryshme të komunikimit me zhvillimin e teknologjisë.

Ju jeni Lord Giddens, frymëzuesi, babai i “Rrugës së Tretë” të laburizmit të ri. Çfarë bëhet tani me to, ku është vendi i tyre sot në botë?

Rruga e tretë është vetëm një term, një term për atë sesi ne duhet të ristrukturojmë politikën dhe nuk ka pasur kurrë një rrugë të tretë midis gjërave, ka pasur gjithmonë një rrugë të tretë përtej gjërave. Prandaj unë mendova se në periudhën paslufte kemi dy lloje dominuese filozofish pra, kemi atë që keni pasur ju në vendin tuaj që është socializmi që vjen nga lart-poshtë dhe nga ana tjetër kemi vdekjen e zonjës Theçer pra, kemi këtë fundamentalizmin e tregut. Domethënë kemi dy pozicione të ndryshme alternative dhe për mua rruga e tretë është një pozicion kritik përtej këtyre dy qasjeve, është një rrugë për të shfrytëzuar sa më mirë aspektet e tregut por edhe për të krijuar hapësirë publike, për të krijuar një dimension publik, për të garantuar që dimensioni publik të mos jetë po ai dimension i shtetit por që të mund të ndërtojmë një jetë publike përmes shoqatave vullnetare, përmes organizatave jofitimprurëse pra, hapësira publike që nuk kanë është hapësira e shtetit. Ne u përpoqëm të gjejmë përzierjen më të mirë të aspekteve të ndryshme të tregut, aspekteve më të ndryshme të mënyrës sesi organizohet publiku, sesi rregullohet jeta e publikut dhe kjo vlen edhe sot e kësaj dite por në një formë ndryshe nga ç’ishte 15 viteve më parë për shkak të krizës globale.

Këto kohe u nda nga jeta Margaret Theçer. Nuk ka më politikanë si ajo, në fakt nuk ka më kohë si ajo kur Margaret Theçer drejtonte Anglinë. Po trashëgimia e saj cila është në fakt?

Ajo ishte pikë së pari një femër, ishte femra e parë kryeministre e Anglisë dhe deri tani kemi pasur shumë pak kryeministre. Ajo ishte shumë e zgjuar, e rëndësishme, ajo përdori feminilitetin e saj për të ushtruar pushtetin e saj mbi burrat për të bërë gjërat e duhura, ajo ishte një nga pak liderët britanikë të njohur më shumë në botë, ajo përbënte një shpresë të madhe edhe për vendet komuniste, ku njerëzit përpiqeshin të ishin të lirë. Për këto arsye, ajo ishte një figurë botërore. Nga momenti që ajo na la, ky do të jetë një tranzicion i madh pavarësisht se shumë prej politikave të saj mund të ishin edhe shkatërruese por ajo mbetet një figurë botërore dhe ne na duhet një lloj lidershipi i tillë në shoqëri. Ajo kishte figurën dhe staturën e një lideri që preferohej nga shumë njerëz dhe na duhen më shumë gra që të jenë në krye të politikës, na duhen më shumë gra në krye të biznesit dhe na duhen më shumë gra në krye të universiteteve në të gjithë botën. Dhe ajo ishte pioniere në këtë fushë edhe pse nuk ishte feministe ajo ishte një pioniere për të drejtat e grave.

Ndërkohë, kthehemi në Shqipëri. Ku qëndron rreziku për vende si Shqipëria për shembull, që rrezikojnë të implementojnë, rryma si rruga e tretë apo përtej të majtës apo të djathtës?

Zgjedhja është e juaja. Unë nuk do ta përdorja termin rruga e tretë sepse njerëzit e keqkuptojnë, ja pikërisht ndoshta për shkak të influencës që keni pasur ju si media. Media tenton t’i thjeshtojë gjërat. Njerëzit shpesh mendonin se kjo rruga e tretë ishte një version i jo asaj që ne kishim në mendje dhe ne donim që rruga e tretë të nënkuptohej si një mënyrë prosperiteti që në fund të fundit edhe të detyrohej. Ne na duhet një rifunksionim i këtyre ideve. Pra, rruga e tretë ndoshta shkon përtej filozofisë tradicionale, por tani është një mënyrë për të adresuar problemet e rritjes ekonomike, si t’i përballojmë borxhet, si të përballojmë këtë ndryshimin e strukturave në botë, çfarë ndodh me krizën në Kinë, si mund ta çojmë industrinë prapa, domethënë aty ku ka qenë, në lulëzimin e tij në Evropë, në Shtetet e Bashkuara, si të përcaktojmë rolin e sektorit financiar. Këto janë të gjitha sfida të ndryshme nga ato që kishim 10 apo 15 vite më parë. Pra, ende po përpiqemi të gjejmë një mënyrë për t’i përballuar, por sot duhet të kemi një tjetër skenar dhe në disa mënyra sot është shumë më e vështirë.

Sot vazhdon të ketë nevojë për rrugë të reja apo vazhdojnë të ekzistojnë nevoja për vija të bardha, semaforë, moral, autoritete morale, për orientim?

Bota sot është si një version global i asaj ku ne ishim në vitet 1950, ku njerëzit përpiqeshin të kuptonin se çfarë do të thotë industrializëm kur ky u zhvillua në Evropë. Sot industrializimi është një fenomen global dhe ne jemi duke u përballur me të njëjtat probleme në nivel global pra, ne tashmë duhet të pyesim veten se cilët janë kufijtë e prodhimit industrial, çfarë do të bëjmë sa i përket shkatërrimit të mjedisit, si do ta rimendojmë konceptin e rritjes, ç’shoqëri do të krijojmë në të ardhmen në këtë botë tashmë globale. Për mua kjo është një sfidë masive për shkencëtarët social për tu kthyer aty ku e kemi filluam dhe besoj se është në dorën tonë që të gjejmë mënyrat dhe ti aplikojmë ato në mënyrë të përshtatshme. Për shembull, unë jam shumë i interesuar për revolucionin e ri industrial. Revolucioni i ri industrial është përdorimi i kompjuterëve për të prodhuar gjëra, në atë që quhet printim i lirë, një lloj i ri prodhimi që ndryshon në kushtet e globalizmit. Duhet të shohim këto lloj tendencash për të parë sesi mund të rikrijojmë një prosperitet sidomos në vendet perëndimore. Kina dhe India, për shembull, besoj se kanë nevojë për një mënyrë të ri zhvillimi sepse modelet e tyre janë shkatërruese sa i përket aspektit mjedisor. Pra, ne duhet të kërkojmë modele të reja të përgjithshme që të jenë të shëndosha ekologjikisht dhe të jenë të qëndrueshme dhe që mund të aplikohen në të gjithë botën.

Lord Giddens, është një luks i madh të bisedosh për teoritë tuaja në Shqipëri, në një vend i cili ka nevoja mbijetese…

Unë jam shumë i lumtur që jam këtu, njerëzit kanë qenë shumë miqësorë, shumë të dashur, shumë të sjellshëm dhe më kanë pritur shumë mirë dhe në fakt do të thosha që i gjithë ky universi shqiptar më ka pritur shumë mirë dhe unë e kam shijuar qëndrimin tim këtu.

Unë po e shijoj gjithashtu, por pyetja në fakt ka të bëjë me faktin se çfarë ndodh me vende si yni, të cilat janë për një kohë të gjatë në tranzicion, përkthyer në gjuhë mjekësore janë në koma, dhe kanë nevoje ta dinë, që do të jetojnë dhe nuk do të vdesin?

E para, mendoj se në Shqipëri ju duhet të keni të qartë thellësinë e ndryshimeve që po pëson bota. Pra, unë kam përshtypjen se Shqipëria ka filluar si një vend me një komunizëm shumë të ashpër, i duhet të kalojë një tranzicion të gjatë, por nuk besoj se edhe modeli ynë është modeli i duhur sepse tashmë po jetojmë në një botë me ndryshime të menjëhershme për shkak të lidhjeve përmes internetit,  përmes prodhimit industrial. Pra ju në Shqipëri mund të bëni ndryshime të menjëhershme që mund të jenë transformuese dhe që mund të mos ndjekin atë zhvillimin me një hap të ngadaltë, siç e keni pasur deri tani. Besoj që këto ndryshime mund t’i bëni përsëpari në fushën e energjisë, pasi gjithçka që ne bëjmë varet nga energjia, madje as këtë intervistë nuk do ta bënim po të mos kishim këto projektorë, apo kamera. Shqipëria është një vend ideal për të qenë pionier për prodhimin e energjisë, gazit, të ketë platforma të mira në këtë fushë. Shqipëria mund të çajë rrugë të reja prodhimi në fusha të tjera, ta demonstrojë këtë. Ju mund të filloni workshop-et e prodhimit në 3D për 2 javë për shembull, ta pasur nevojë për 10 vjet apo më shumë. Thjesht duhet edhe një lloj aventure në këto kohë kaq të vështira. Besoj se Shqipëria nuk është në recension kështu që mendoj se deri tani ka ecur mirë. Pra, shoh mundësinë që duke qenë vend i vogël, te mund ta bëjë tranzicionin edhe më të shpejte. Sigurisht që kjo varet nga mirëqeverisja por edhe sa të aftë do të jeni për të ndryshuar zakonet kulturore.

Le të shohim Anglinë, për shembull. Ne kemi pasur një rrugë shumë më të gjatë, ne kemi një borxh që është sa dyfishi i atij të Shqipërisë dhe kemi ngecur në disa sisteme që na duhet t’i reformojmë. Ndërsa ju mund të filloni t’i ndërtoni disa sisteme edhe pa i pasur fare.

Çfarë mendoni se ndodh në vende të vogla dhe në zhvillim, a kanë ato nevojë për ideologji, apo le të jenë pragmatiste?

Nuk mund të komentoj për politikën dhe zgjedhjet shqiptare, por besoj se është shumë e rëndësishme që Shqipëria të shkojë drejt sistemeve demokratike. Mendoj se të qenit vend i vogël është avantazh, sepse është shumë më e lehtë për të ecur shpejt dhe prandaj unë do të inkurajoja një lloj debati politik, jo thjesht atë modelin e vjetër, ku njerëz vijnë nga askund për të bërë gjëra të reja. Për mua është e mundur që në Shqipëri të bëhen investime sepse kostot tani janë të ulëta. Investimet kapitale janë shumë të rëndësishme për shembull dhe nuk besoj se është e vështirë që të huajt të investojnë në këtë vend. Prandaj mendoj që duhet të ketë një klimë dhe model pozitiv i të ardhmes, nuk është thjesht një model politik por ka të bëjë edhe me qytetarët ku media ka sigurisht një rol shumë të rëndësishëm për ti edukuar dhe ndërgjegjësuar njerëzit se sa e ndryshme është bota. Mendoni se sa ka ndryshuar bota këto 10 vjet, se ku kemi qenë para 15 vjetësh ku nuk kishim celularë dhe kompjuterë në këtë masë që ka tani dhe gjithë këto transformime marramendëse kanë ndodh në kaq pak kohë. Jo gjithmonë të mira këto transformime por është një botë ku duhet t’i kesh parasysh rreziqet.

Një kapitalizëm i përgjegjshëm është ajo çfarë ka nevojë tani bota përfshirë Anglinë, Shqipërinë, vende të mëdha, të vogla, të zhvilluara apo të pazhvilluara?

Unë përpiqem të bëj të qartë se kjo nuk është përtej kontrollit të komunitetit të gjithë botës. Pra, kjo ka të bëjë, për shembull, me njerëzit që nuk paguajnë taksat, me evazionin fiskal, që do të thotë njerëz që duhet të paguajnë taksa dhe taksa që duhet të investohen dhe përdoren për sigurime shëndetësore. Sot na duhet të stabilizojmë aspekte financiare globale, nuk duhet të dominohemi kaq shumë nga institucionet, na duhet të rregullojmë sistemin bankar pra, janë disa detyra shumë më të detajuara sesa të thuash një kapitalizëm i përgjegjshëm. Për shembull, tashmë kemi një tregti goxha të madhe bazuar tek kompjuterët dhe nuk e di sesi funksionon kjo pasi ajo ndihmon vetëm ata që nxjerrin para nëpërmjet institucioneve financiare. Këto institucione financiare presupozohet t’i shërbejnë komunitetit në përgjithësi dhe ne duhet të garantojmë që ato do ta bëjnë një gjë të tillë. Jemi në fillimin e një procesi që mund të zgjasë 20 vite në ekonominë botërore.

Do të doja t’ju pyesja për të majtën që ju frymëzoni dhe mbështesni Lord Giddens. Çfarë ndodh me të majtën e shekullit të 21, pse ajo është gjithmonë në sherr dhe shpesh për shkak të kësaj në opozitë?

Jetojmë në një kohë ku bota po shkon përpara dhe partitë e majta vazhdojnë të mendojnë me mentalitetin e brezave të mëparshëm. Unë besoj se ajo çfarë kemi bërë në vitet 1990 me reformimin e të majtës, është një gjë që duhet ta bëjmë edhe një herë sërish nga e para. Nëse marrim një çështje konkrete, për shembull mirëqenien sociale, partitë e majta duhet të jenë po aq të interesuara për reformimin e mirëqenies sociale, siç bëjnë partitë e djathta, apo në vendet ku mirëqenia sociale po krijohet partitë e majta duhet të jenë avangarde. Unë mendoj se, nëse me lejoni të përdor disa terminologji, ne kemi pasur një mirëqenie sociale atë që sot e quajmë investim social. Mirëqenia sociale ishte një sistem ku pritej derisa të ndodhte diçka gabim që të reagohej. Ne tani duhet të punojmë për investimin social. Nëse kemi papunësi nuk mund të kemi mirëqenie sociale, pra tani jemi në sistemin e një investimi social që ndihmon për krijimin e investimeve, që ndihmon për shëndetin publik, që ndihmon për arsimin. Pra, kemi nevojë për më shumë aktivistë, kemi nevojë për një lloj sistemi të tillë parandalues, një sistem që shqetësohet më shumë për të parandaluar rreziqet, që shqetësohet më shumë për të krijuar shëndetin dhe jo për të rishpërndarë edhe një herë paratë në sigurime, pasi njerëzit sëmuren. Prandaj them që ne ende mund të përdorim modelin e Bashkimit Evropian që është shumë i ndryshëm nga ky i tanishmi. Në Kinë, për shembull, do të duhej të përdorej një sistem i ri për mirëqenien sociale. Ata kanë për të pasur po aq probleme sa kemi edhe ne për sa i përket kësaj politikës së tyre që u lejon kinezëve të kenë vetëm një fëmijë. Pra, do të duhej që të ndryshonte ky mentaliteti nga majtist drejt asaj të qendrës, më shumë, për ti dhënë një formë të re këtij shekulli.

Në shekullin e 21, a mund të flasim për ideologji, moral apo gjërat janë përtej të majtës dhe të djathtës, përtej të mirës dhe të keqes?

Do të thosha që e kundërta është e vërtete. Pra, tashmë kemi një lëvizje për të pranuar vlerat universalen të gjithë botën, vlera që nuk kanë ekzistuar më parë dhe ne mund të shpresojmë që lufta midis kombeve të bëhet gjithmonë e më e paktë, të themi që lufta të bëhet brenda kombit dhe jo jashtë kombeve në mënyrë që të kemi vlera globale paqeje mes kombeve dhe jo ato përplasjet komb me komb, shtet me shtet për shkak edhe të natyrës së globalizimit të botës ku jetojmë. Siç thashë edhe më parë, tashmë kemi një barazi midis dy sekseve pavarësisht se ka ende disa zona në këtë botë që janë tradicionale. Kjo barazi ka sjellë vlera globale dhe shpresoj që e njëjta gjë të vlejë edhe me vlerat mjedisore, sepse na duhet të rreshtim së shkatërruari mjedisin. Prandaj unë do të shihja të kundërtën. Unë shoh një botë, ku vlerat globale, në një farë mase po zëvendësohen apo po riformulohen për të arritur vlera më specifike në fusha të veçanta, çfarë  është pikërisht ajo që pritet në një epokë globale. Ne thjesht duhet të përpiqemi që këto vlera për të cilat flasim, t’i bëjmë të vërteta.

Në fund do të doja diçka për librin tuaj, takimin tuaj të parë me lexuesin shqiptar “Pasojat e Modernitetit”. Çfarë do të donit t’i thoshit lexuesit shqiptar nëpërmjet këtij libri?

Bota po na sjell përfitime të mrekullueshme nga njëra anë, por nga ana tjetër kemi rreziqe shumë të mëdha që nuk e dimë a do jemi në gjendje t’i kontrollojmë. Asnjë qytetërim tjetër nuk ka pasur armë bërthamore dhe ne duhet të sigurohemi që të mos i përdorë askush këto armë. Ne nuk po jetojmë në një botë fantastike, por po jetojmë në një përzierje mundësish dhe rreziqesh, gjë që është shumë e ndryshme nga e kaluara. Tashmë jemi udhëtues, eksplorues dhe nuk kemi më atë jetën tonë tradicionale të dikurshme, madje edhe ju nuk po silleni një grua e 30 apo 40 viteve më parë, apo jo?! Ju keni një jetë tjetër, keni një mënyrë të re të shprehuri, keni cilësi të re jete, keni lirinë tuaj, nuk doni të jeni e varur nga burrat.

Please follow and like us: