Albspirit

Media/News/Publishing

Krishtlindja dhe hipokrizia postkomuniste shqiptare

Artur Zheji

Jezu Krishti lindi në Betlehem, mbi 2000 vite më parë, rrëfen Testamenti i Ri dhe kjo Festë ka pra 2000 vite, që festohet në të gjithë botën e Krishterë.
Mbas Luftës së Dytë Botërore, me triumfin e komunizmit në Shqipëri, shkëlqimi i kësaj Feste, filloi të venitej politikisht nga rregjimi. Fillimisht duke shpikur dhe duke përshtatur festa të tjera kombëtare, si përshembull 8 nëntori, dita kur lindi Partia Komuniste shqiptare. Pastaj 29 Nëntori, dita e Çlirimit, pastaj dita e revolucionit sovjetik. Më pas akoma 7 Marsi, dita e mësuesit dhe 8 marsi, festa e panjohur më parë, festa e gruas.

Kryefesta më pompoze ishte, 1 Maji, festa e puntorëve, që sëbashku me 29 Nëntorin, festohej me marshime të mëdha dhe për të cilat qeveria komuniste shpenzonte para, mjete dhe fishekzjarre të shumta.
Krisht Lindja, u lejua të festohej deri në në vitin 1967 dhe ata që e festonin shiheshin shtrembër, si të deklasuar, të mykur, të prapambetur, jo modernë, jo komunistë, jo të partishëm, si konspiratorë apo spiuna potencialë, me pak fjalë si “fundërrinat” e shoqërisë, nëse marrim hua një shprehje të Maksim Gorkit, për borgjezët dhe mikroborgjezët…

Mbas vitit të kobshëm 1967, u dha urdhëri kriminal, i poshtër dhe antihistorik, për shkatrrimin me dhunë të çdo objekti kulti në Republikën e Shqipërisë, ku masakra më e madhe, u bë në kurriz të manastireve dhe kishave më të vjetra shqiptare, që ishin hera herës edhe mbi 500 apo 700, madje edhe 1000 vjeçare. Edhe xhamitë nuk u kursyen përvec asaj të Ethem beut në qendër të Tiranës, por xhamitë shqiptare nuk ishin përgjithësisht më shumë se 100 apo 200 vjeçare dhe në më të shumtën e tyre, të ndërtuara mbi themelet e kishave të vjetra shqiptare, të shkatrruara nga pushtuesit turq dhe pushteti i tyre anadollak.

Dëmi arkitektonik ishte i pallogaritshëm dhe vazhdon të mbetet i tillë, sepse edhe mbas vitit 1990, kishat e vjetra shqiptare, nuk u ndërtuan kurrë më, me shpenzimet e shtetit, të shtetit që i shkatrroi, nuk u restauruan dhe nuk u rimëkëmbën më kurrë. Hynë në lojë ndihmat e huaja, ku vendin e parë e zuri Greqia, që filloi helenizimin e të gjitha gërmadhave të mbetura të ish kishave ortodokse shqiptare, si edhe disa dhurata nga Kisha katolike, për Kisha të reja, pa asnjë vlerë historike dhe arkitektonike.

Kanë kaluar 26 vjet nga gjoja demokracia shqiptare. Dhe e vetmja gjë e kthyer “në identitet”, janë ministritë e kohës së Zogut në Bulevard, arkitekturë mediokre e stilit fashist, gjithësesi e vetmja arkitekturë, në konceptin e mirëfilltë të fjalës, në kryeqytetin e betonit tonë. Asnjë ministër kulture shqiptar, përgjithësisht dhe mjerisht thelbësisht të pakulturuar, nuk e vuri kurrë ujin në zjarr, për të vizatuar qoftë edhe një zhgaravinë fillestare, për Rilindjen e Panteonit të zhdukur arkitektonik dhe të krishterë shqiptar, në të gjithë Shqipërinë.

Nuk është ruajtur asnjë gur dhe as një themel i katedraleve, që përshkruhen shumë saktësisht në “Illiricum Sacrum”, një kryevepër historike, që përmbledh dhe përshkruan krejt Epikën e Krishterë të shqiptarëve, përpara dhe përngjatë pushtimit ottoman. Ku edhe jepen me saktësi koordinatat e Katedraleve të kohës së Gjergj Kastriotit dhe të Princave dhe Kontëve shqiptarë, anembanë e në çdo pëllëmbë të Shqipërsië. Ku dhe thuhet në Illiricum Sacrum (Illiria e Shenjtë), se “Illiria” e Mesjetës ishte toka e 300 Katedraleve të mëdha të Krishtera…

Por kjo duket sot dhe mjerisht do të duket edhe nesër një marrëzi e kotë, në Epokën e debilëve me pushtet, që grumbullojnë si derrat e babzitur, plehun që hanë me orkeks, milionat dhe miliardat e këtij vendi dhe që janë të gjithë hypur avionëve për të festuar Krishtlindjen, majmunërisht, sepse kështu bën sot dynjaja në Perëndim!

Ata që marrin vendimet se si është dhe se si duhet të jetë Shqipëria e Kulturës, e arkitekturës dhe Shqipëria e Rrënjëve, janë duke admiruar sot, në qytetet e huaja europiane, katedralet qindra vjecare, ku këmbanat gëzojnë për KrishtLindje. Ndërkohë që ne ecim në Shqipëri, mbi themelet e një kulture edhe më të vjetër të së kaluarës sonë, që do të mbetet nuk dihet sa kohë akoma, e varrosur, e mohuar dhe në mjerim, grabitje apo braktisje.

Dhe hajde dëgjo kryeministrin tonë, sot katolik, thjesht për të lehtësuar në mënyrë hipokrite, vetprezantimin e tij, si një specie tjetër e qytetëruar, në xhunglën “post -otomane dhe myslymane” shqiptare, në takimët politike me perëndimorët e krishterë.
Për të mos folur për mesazhet dhe qokat me tekst bajat, që shpërthejnë nga jo besimtarët politikë, më çdo 25 dhjetor të çdo viti, në Shqipërinë e monumenteve kristiane të varrosura.

Please follow and like us: