Albspirit

Media/News/Publishing

Edhe 12 deputetë të kriminalizuar

Nga hetimet e grupit të prokurorëve, përveç deputetëve, rezultojnë edhe 6 kryetarë bashkie me probleme kriminale.

Përveç dy deputetëve që rezultuan me probleme ligjore, sipas Prokurorisë, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, edhe 12 ligjvënës të tjerë preken nga ligji i dekriminalizimit. Mësohet se Struktura e Dekriminalizimit, një njësi e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme është duke verifikuar formularët dhe për 12 deputetë të parlamentit. Ka të dhëna se ligjvënësit kanë fshehur probleme me ligjin, sidomos kur kanë qenë jashtë vendit, bëhet e ditur nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjatë muajve të fundit Struktura e Prokurorisë ka marrë në shqyrtim të gjitha dosjet e zyrtarëve të lartë që kanë plotësuar formularin e dekriminalizimit. Burime nga Prokuroria thanë për “Koha Jonë” se nga verifikimet me probleme kanë rezultuar edhe 6 kryetarë të bashkishë. Të njëjtat burime nga prokuroria janë shprehur të rezervuar në lidhje me emrat e deputetëve apo krerëve të bashkive që rezultojnë se kanë probleme me ligjin në fuqi, por konfirmojnë se bëjnë pjesë në të gjitha kampet politike. Gjashtë prej tyre janë deputetë të qarqeve Tiranë e deri në Veri, tre nga Shqipëria e Mesme, ndërsa pjesa tjetër nga dy rrethe të Jugut. Informacionet tregojnë se dy janë biznesmenë të fuqishëm. Gjatë javëve në vijim, pas verifikimeve, prokuroria do të kërkoj nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve largimin nga detyra të zyrtarëve që rezultojnë me probleme ligjore. Por pa marrë vendimin për deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri si dhe kryetarin e bashkisë së Kavajës Rroshi, mësohet se Prokuroria nuk do ti bëjë publik emrat e 12 deputetëve. Dje në KQZ u duk hapur se ky institucion kushtetues ishte kundër Prokurorisë, gjë që ka sjellë reagimin e dy ambasadave të huaja në Tiranë, të cilët janë marrë seriozisht me dekriminalizimin. Nëse KQZ nuk do votoj heqjen e mandatëve, sipas Prokurorisë, mësohet se vetë anëtarët e KQZ do jenë të parët që do futen në sitën e hetimeve për pasuritë,etj. Burimi diplomatik tregon se i është bërë presion kryeministrit Rama që nëse kryetari i KQZ, që është përfaqësues i PS-së, nuk do të jetë në anën e drejtësisë, atëhere përgjegjsia politike do bjerë mbi kokën e Edi Ramës.

Ligji i dekriminalizimit nisi zbatimin në muajit e parë të këtij viti. Ky ligj i iniciuar nga Partia Demokratike pati mbështetjen e gjithë faktorit ndërkombëtar. Kryesisht, Ambasada e SHBA-ve dhe Ambasadori Donald Lu kërkuan që ligji të mundësonte largimin nga politika dhe zyrat e shtetit të gjithë personave që kanë bërë krime. Është një nga nismat ligjore që është cilësuar si më të ashprat në Europë. Efektet e para të ligjit për zyrtarët e lartë prekën, pas padisë së Prokurorisë, dy deputetët Selami dhe Tahiri, si dhe kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.

Ndërkohë që prej disa muajsh në Strukturën e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme mësohet se janë depozituar rreth 500 dosje punonjësish të cilat duhet të verifikohen. Pjesa më e madhe e dosjeve është dërguar për verifikim nga Drejtoria e Administratës Publike (DAP), e cila ka dhe numrin më të madhe të punonjësve. Institucionet e tjera që kanë dërguar punonjës për verifikim janë Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucione të tjera kushtetuese, punonjësit e të cilave kanë detyrim ligjor plotësimin e formuluarit. Për rreth 40 zyrtarë të nivelit të ulët, mësohet se prokuroria ka kërkuar ndjekje penale. Ndërkohë që për disa të tjerë është kërkuar largimi nga funksionet publike.

Rastet e prekjes nga ligji për zyrtarë të niveleve të ulëta janë më të shpeshta, por ajo që tërheq më shumë vëmendjen janë deputetët dhe zyrtarët e lartë. Për këtë kategori zyrtarësh, prokurorët kanë kryer hetime në disa drejtime duke konfirmuar të gjitha rastet ku rezultojnë shkelje ligjore.

Struktura e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme u ngrit në muajin mars dhe drejtohet nga prokurorja, Rovena Gashi. Në përbërje të saj janë disa nga prokurorët e vendit. Së fundi pjesë kësaj strukture është bërë dhe prokurori Petrit Fusha, i cili është dhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës.

Pritet që kjo strukturë të kryejë dhe verifikimet e fundit për deklarimet e 12 deputetëve dhe 6 krerëve të Bashkisë, para se të kërkoj në rrugë institucione ndërprerjen e mandateve të tyre, ose t’i dërgojë për kallëzim penal.

Ambasadori amerikan Lu është në “përgjim” të çdo rasti që mundohet ti anashkalohet drejtësisë për këtë ligj të rëndësishëm. Pra dekriminalizimi është çështje drejtësie dhe nderi jo vetëm shqiptar, porse edhe amerikan. Ndaj zyrtarët që kanë në dorë hetimet dhe vendimet për këtë ligj duhet të mendohen mirë!/K.J/

Please follow and like us: