Ministri i jashtëm grek: Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të hapë negociatat
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se, pavarësisht tensionimit të marrëdhënieve me Shqipërinë, po vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e problemeve dypalëshe.
Në një intervistë për agjencinë zyrtare të lajmeve, ANA-MPA, te publikuar sot, Kotzias është ndalur gjatë në konkluzionet e presidencës sllovake për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
“Në ndryshim nga dokumente të mëparshme që kishte përgatitur Komisioni Europian dhe që fokusoheshin ekskluzivisht në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tashmë në këto konkluzione evidentohen 5 prioritetet kyçe që janë vënë si kushte bazike për shqyrtimin e një hapjeje të mundshme të negociatave të anëtarësimit”, – sqaron Kotzias.
“Këto prioritete përfshijnë promovimin e reformës gjyqësore, luftimin e krimit të organizuar – veçanërisht në prodhimin dhe trafikimin e drogës dhe sigurisht respektimin e minoritetit”, – shton ministri i jashtëm grek.
Gjithsesi, shefi i demokracisë greke ka theksuar edhe një herë se Greqia dëshiron që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por ka theksuar se ky anëtarësim duhet bërë me përmbushjen e gjithë kritereve që kanë pasur edhe aspirantët e tjerë dhe që duhet të vlejnë edhe për Shqipërinë.