Jevrem Brkoviq: Letërsia shqipe është e fuqishme
Shkrimtari më i njohur malazez, Jevrem Brkoviq, në një shkrim të botuar në të përditshmen malazeze “Vjesti”, duke folur për poezinë e Lulzim Tafës, i përkthyer dhe botuar kohët e fundit në gjuhën malazeze e ka cilësuar letërsinë shqipe si letërsi të fuqishme.
E njoh mirë poezinë shqipe të të dy shteteve. Ngaherë jam takuar me poezinë e Migjenit dhe të Vëllezërve Frashëri. Isha i befasuar me origjinalitetin dhe perfeksionizmin. Më duhet të them se me vite, apo më mirë të them me dekada, që kur ka ekzistuar Jugosllavia, jam miqësuar me poetët kosovarë – Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Enver Gjerqekun, Din Mehmetin, Ibrahim Kadriun, Ramiz Kelmendin, Beqir Musliun, Ismet Markoviqin, Qerim Ujkanin, Rugovën, Rexhep Qosjen…
Në rininë e hershme jam njohur me Esad Mekulin, klasikun e letërsisë shqipe në Kosovë. Shpejt u bëmë miq, dhe jo vetëm sa për sy e faqe, por miqësi e ngushtë, ashtu siç malazezët e shqiptarët dinë të miqësohen.
Ishte kjo kohë e takimeve të poetëve, festivaleve e simpoziumeve, ku shkoja me kënaqësi nëse në listën e të ftuarve shihja emrat e poetëve të mi të dashur nga të gjitha viset e Jugosllavisë së atëhershme. Nuk mund të mos e përmend me këtë rast poeten më të talentuar malalzezo-kosovare Darinka Jevriq. Kjo poete vërtetë e talentuar nuk mundi t’ i rezistojë sulmeve të nacionalizmit serbomadh të Millosheviqit. Sot varri i saj gjendet diku në periferi të varrezave të Beogradit dhe askush, nuk e përmend. E madhe ishte ajo vëllazëri poetike e Jugosllavisë së dikurshme.
Nëse politikanët e sotëm të Kosovës mendojnë se të parët kanë filluar të ëndrrojnë dhe të jetojnë shtetin e lirë të Kosovës, gabohen shumë. Lajmëtarët e parë të Kosovës së emancipuar ishin poetët shqiptarë të Kosovës, në veçanti në mënyrë nostalgjike dhe me zemër vëllami im Ali Podrimja. A nuk i vuajti miku im Adem Demaçi, Mandela i Kosovës, tridhjetë vjet errësirë për shtetin e Kosovës. Edhe poetët e rinj, edhe ata të moshës së mesme i kanë kënduar e transmetuar ëndrrat e tyre për Kosovën. Isha ndër të rrallët që i kuptoja ato ëndërra. Dhe isha krah tyre.
Pse sot është veçanërisht e rëndësishme poezia e Lulzim Tafës?
Lulzim Tafa në përvojën poetike të Kosovës dhe letërsinë bashkëkohore shqipe sjell një frymë dalluese, të veçantë, postmoderne – që nga tonet parodike deri në dridhjen e tradicionales që është e rëndësishme për të gjitha letërsitë që kanë arritur pjekurinë. Lulzim Tafa është rapsod bashkëkohor, ndonjëherë cinik, ndonjëherë “shkatërrues”, por gjithmonë pafundësisht i dhënë pas poezisë dhe gjuhës.
Janë shumë të vështira traditat tona, këtu, në Ballkan. Tradita aq të fuqishme që lehtësisht e zotërojnë bashkëkohoren. Prandaj, poetët që nuk frikësohen ta lëkundin dhe ta hedhin edhe traditën më të rëndësishme, janë shumë të çmuar në të gjitha letërsitë kombëtare, pra edhe në letërsinë bashkëkohore shqipe…
Lulzim Tafa është poet që nuk i frikësohet asgjëje, “fushëbeteja” e tij është gjuha, e aty, siç e dimë poetët nuk arrin t’ i mundë askush…
Duke njohur poezinë bashkëkohore të shqiptarëve të Kosovës mund të them se ata janë poetë të guximshëm, të gatshëm t’ i kundërvihen çdo detyrimi dhe force që kërcënon ata dhe poezinë e tyre. Poeti Lulzim Tafa është vërtetë poet i guximshëm, i talentuar, ngurrues ndaj mitomanisë folklorike e cila gjithmonë sulmon poezitë e disa popujve ballkanik. Për Tafën, si për të gjithë poetët e mëdhenj, poezia është “mrekullia e botës dhe fuqia e zotërave” para së cilës gjithçka bie në harresë. Lulzim Tafa në librin “Punë dreqi”, në poezinë “Poetët”, thotë:
Kur zemërohen Zotërat
Lindin poetët.
Në shenjat e para të jetës
I kundërvihen Zotit të vet!
Poezitë i ka përkthyer me shumë sukses Ismet Markoviq, ashtu siç poeti dhe përkthyesi i mirë përkthen poetin e mirë.