Lituania dhe beteja me propagandën ruse
Është një sezon i qetë festash në Vilnus të Lituanisë ndërsa njerëzit vizitojnë parqet për të admiruar dritat shumëngjyrëshe. Por përtej vezullimit të dritave, në këtë shtet të vogël balltik, zhvillohet një betejë në fushën e informacionit. Shumë lituanezë besojnë se vendi i tyre është objektivi i një lufte mediatike nga Rusia.
Për Ricardas Savukynas, beteja që ai po lufton nuk është fantazi. Konsulenti 43 vjeçari, është pjesë e një ushtrie vullnetarësh lituanezë që përpiqen të luftojnë atë që ata e shohin si një propagandë pro-ruse.
Ata patrullojnë median sociale dhe komentet në faqet e në internet për të zbuluar individë me llogari të rreme dhe për të hequr njoftimet fallso që ata thonë se publikohen nga individë të paguar nga Rusia.
Shumica e anëtarëve të grupit takohen vetëm online dhe koordinojnë përpjekjet përmes medias sociale.
Kohët e fundit CIA tha se dyshon për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet amerikane, një vlerësim që sfidohet nga presidenti i zgjedhur Donald Trump.
Shtypi amerikan thotë se administrata e presidentit Obama po përgatitet të njoftojë një seri masash kundër Rusisë për ta ndëshkuar këtë vend për ndërhyrjen në zgjedhjet e 8 nëntorit.
Në fillim të muajit, agjencia gjermane e zbulimit tha se Rusia po përpiqet të destabilizojë shoqërinë gjermane me propagandë dhe sulme kibernetike para zgjedhjeve të përgjithshme.
Por Lituania dhe fqinjët e saj balltikë, Estonia dhe Letonia, ndjehen veçanërisht të ekspozuara.
Pas pesë dekadash nën kontrollin e Moskës, Lituania u kthye nga Perëndimi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Ata hynë në Bashkimin Evropian dhe në Nato, duke zemëruar Rusinë e cila papritur e gjeti veten në dyert e aleancës ushtarake të Perëndimit.
Delfi, një nga faqet elektronike kryesore të lajmeve në Lituani, e kishte seksionin e komenteve të mbushur me postime pro-ruse para krizës në Ukrainë, thotë Monika Garbaciauskaite, kryeredaktore e faqes.
Ajo thotë se Delfi ka tani punonjës të dedikuar për të fshirë komentet më agresive.
“Konstatuam këtë rritje të numrit të komenteve dhe provokimeve të çuditshme para ngjarjeve të Krimesë,” thotë ajo, duke shpjeguar barren që krijon filtrimi mes komenteve legjitime që shprehin pikëpamje të ndryshme dhe komenteve të qëllimshme provokuese.
Autoritetet lituaneze simpatizojnë punën e këtyre vullnetarëve.
Tomas Ceponis, analist në departamentin e komunikimit strategjik të ushtrisë lituaneze thotë se fushata e informacionit që ka si objektiv Lituaninë, reflekton një strategji të menduar mirë, që përfshin mesazhe të fokusuara për grupe të ndryshme të popullatës.
“Kemi dalluar, veçanërisht kohët e fundit se ka një fushatë të madhe dhe të zgjeruar dizinformimi kundër shoqërisë sonë. “Është shumë më e lehtë të numërosh tanket apo avionët, por është shumë e vështirë të luftosh ndikimin e propagandës”.
Është më e komplikuar të merresh me faqe që ndajnë postime pro-ruse në Lituani.
Dyshohet se shumë prej tyre veprojnë për llogari të Rusisë.
Por rrjetet e medias sociale nuk i mbyllin këto faqe nëse ato nuk shkelin standartet.
Laurynas Ragelskis, 39 vjeç, drejton një faqe elektronike në Lituani dhe është aktiv në Facebook me postime që pretendojnë se në lindje të Ukrainës nuk ka prani ushtarake ruse.
Ai nuk është akuzuar asnjëherë për ndonjë shkelje por është përmendur me emër në një raport vjetor të departamentit të sigurisë si një nga aktivistët kryesorë pro-rusë, anti-perendimor dhe anti-Nato.
Ragelskis thotë se ai nuk ka marrë financime apo instruksione nga Rusia.
Ragelskis nuk e sheh Rusinë si një kërcënim.
“Putin po tregon shumë qartazi se di si të përshtatet me ndryshimin e rrethanave globale,” thotë ai.
Ky vizion ndahet nga disa rusë etnikë në Lituani, që kanë pikëpamje pro-Kremlinit dhe që kritikojnë zyrtarë lituanezë, për atë që ata e cilësojnë “propaganda anti-ruse”.
Roman Nutsubidze, 30 vjeçar, shpreh zemërin përse Perëndimi nuk e sheh Putinin si një udhëheqës të mirë që kërkon të rivendos krenarinë kombëtare.
Ai thotë se e do Lituaninë, por mendon se Putini nuk ka arsye përse të ndërhyjë në shtetet balltike.
“Nuk e di çfarë të keqe ka bërë,” thotë Nutsubidze.
Ministri i jashtëm lituanez Linas Linkevicius thotë se ekziston një përpjekje e përbashkët për të manipuluar opinion lituanez me informacione të rreme.
Qeveria po përpiqet të kundërpërgjigjet.
Ajo ndërmori kohët e fundit një fushatë kundër-spiunazhit në kanalet televizive duke u bërë thirrje qytetarëve të njoftojnë në se pikasin diçka të dyshimtë në rrugë ose në internet.
“Gënjeshtra nuk është një pikëpamje tjetër politike”, thotë Linkevicius. “Ka nga ata që e quajnë liri e të shprehurit, por në një makinë propogande, që synon manipulimin e njerzve, nuk është një pikëpamje alternative, ajo është një armë”, thotë ministri i jashtëm lituanez.