Qeresteja pa defter për Veliajn dhe një opozitë për t’i vënë kryqin
Sot Top –Channel përcolli një lajm mbi ndërtimin e një ure të re tek zona e ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”. Raportimi i kanalit kombëtar në fjalë ka interes të trefishtë: së pari për praktikat që po ndjek Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, e për të cilat ka akuza direkte. Së dyti për mënyrën sesi raporton ky televizion lajmin dhe së treti për rolin e munguar të partisë më të madhe opozitare, asaj që quhet Demokratike.
Si fillim duhet të themi se ura është një punë e mirë që po bëhet. S’ka asnjë dyshim për këtë. Aq më tepër që ura e vjetër të cilën ajo e zëvendëson ishte me të vërtetë një rrezik për kalimtarët. Por akuza nuk ka ardhur për këtë gjë, pra për vlerën e punës që po bëhet, por për procedurat që po ndiqen. Dhe atë e ka bërë Gjergj Bojaxhi:
“Duket sikur bashkia ka ndërtuar një sistem paralel, jashtë atij ligjor e administrativ ku ne paguajmë taksat tona. Dhe ne sot nuk dimë kush i financon këto projekte dhe përse nuk kalojnë procedurat e miratimit si çdo projekt tjetër që kërkojnë ligji dhe rregullat. Kjo urë është ndërtuar pa leje, nuk ka asnjë tabelë, asnjë lloj shenje. Nëse sot ligji do të zbatohej, Policia e Shtetit duhet të arrestonte ata që po ndërtonin këtë objekt”, deklaron Bojaxhi.
Një akuzë që është me vend, pasi në fund të fundit ngre dyshime për të cilat kërkohet përgjigje. Punët e mira janë të tilla kur janë në bazë të ligjit. Erjon Veliaj dhe Bashkia e Tiranës së fundmi kanë vendosur taksa të dyshimta në planin kushtetues, kanë imponuar rregulla për fillimin e punimeve në banesë. Kështu që kjo normë duhet të jetë pjesë edhe e veprimtarisë së saj. Ndaj përgjigja që pritet është që Bashkia, apo ndonjë përfaqësues i saj të dalë e të tregojë dokumentacionin. Mirëpo, me ndihmën e Topit, e kundërta ndodh. Për t’iu përgjigjur Bojaxhiut, motivet e të cilit këtu nuk kanë rëndësi, edhe nëse po bën një lojë dypalëshe me PS-në për t’u promovuar si opozitar, ka dalë zëvendësi i Erjon Veliajt, Arbi Mazniku. Shikoni çfarë thotë zotëria nën uniformën e propagandistit bashkiak:
“Ne kemi patur me qindra mijëra kërkesa nga qytetarët, të cilët thoshin se kishin nevojë për një urë të re. Nuk e gjej dot arsyen përse ka disa njerëz, politikanë të Saliut që nuk duan që gjërat në qytet të bëhen më mirë. Kjo është një urë e cila do ta bëjë më të thjeshtë e më të këndshme jetën e qytetarëve dhe është një dobi e madhe për qytetin”, tha ai.
Kjo është hipokrizi dhe vetëm përgjigje nuk i jep atij shqetësimit të Bojaxhi. Shqetësim që vë në dukje se Erjon Veliaj është një shkelës kronik i ligjit dhe i pandëshkuar madje.
Këtu vijmë te roli i munguar i opozitës kryesore parlamentare. Në të gjitha ngjarjet që kanë shoqëruar bashkinë dhe kryetarin e saj, PD-ja ka luajtur rolin e gjobvënëses. Protestat e mekura dhe pa rezultat për parkun e liqenit, gjithesesi të vlerëueshme, u ndoqën nga disa akuza për landfillin e Sharrës, pëshpërima për parkingun e papritur nën sheshin “Skënderbej” dhe prej dy ditësh, PD-ja është kujtuar edhe se Veliaj ka tri kallëzime penale. Dhe se ai nuk po hetohet. PD-ja ka shumë në dorë: kërkim informacioni, mbajtje të hapur të komunikimit, presion konstant mbi Prokurorinë që të japë të dhëna për ecurinë e hetimeve ndaj Veliajt që ka akuzë edhe për falsifikim firme, apo edhe deri një mocion formal mosbesimi në Këshillin Bashkiak. Jo, PD-ja e zhvillon aktivitetin e saj me fushata, në varësi të axhendave paralele që kanë të bëjnë me shqetësime që i vijnë njerëzve të saj nga reforma në drejtësi etj. Në vend të një opozite që nuk do linte rastin t’i shpëtonte përballë këtij kundërvajtësi ligjor, kemi një tulatje që fshihet nën britma pa bereqet. Më saktë kemi të bëjmë me një negociatë. Pavarësisht llogarive cinike, kjo politikë e ndyrë, që qëndron në tone poshtë medias, do e marrë shuplakën në zgjedhje, por është fatkeqësi të shohësh katandisjen e një partie në një subjekt që pret radhën.
Në finale një interes ka edhe raportimi i kanalit kombëtar, i njohur si Topi në gjuhën e lokaleve. Topi i ndërlidh të dy insertet, të Bojaxhiut dhe Maznikut me vox-pope të njerëzve që padyshim “kërkojnë që ura të bëhet”. Sepse ajo duhet të bëhet. Por kjo lojë me teknikën e lajmit prodhon atë optikën e manipulimit, pasi çështja janë procedurat jo nevoja e veprës.
Ishte po ky televizion, herë i kuq e herë pa ngjyrë, që për rrugën Durrës – Kukës prodhoi kilometra me kronika për procedurat e paligjshme. Me të drejtë sigurisht. Një top i vërtetë i interesit publik, por që në këtë rast, njësoj si në raste të tjera, ka shpërdoruar shumë nga objektiviteti. Nuk mund t’i kërkohet një sipërmarrjeje private si televizioni në fjalë të ndryshojë. Sepse jetojmë në sistem liberal siç thotë ndonjë deputet i majtë, ku tregu vendos gjithçka.
Vetëm se duhet të shpresojmë që ura e Lanës të mos klasifikohet si vepër e jashtëzakonshme, as të mos lyhet kuq e zi, për t’u analizuar topçe në shinat e nacionalizmit, ekskluzivitet i këtij kanali. Sepse ura na kujton ato punimet në kryeministri që Edi Rama na tha se i kishin bërë disa miq, të cilët janë edhe sot të panjohur për publikun. Njësoj si procedurat e parave të tyre. Atyre nuk u zihet emri në gojë as nga PD-ja, as nga nëpunësi dixhital. Arsyet dihen, apo merren me mend.
/respublica/