Atdhetarët e kombit që u japin mesazhe politikanëve të sotëm
(Klubi “Vëllazërija” i Filatit dhe një letër e rrallë 117 vjet më parë)
Mesazhet e veprave të atdhetarëve të shquar, janë një shërbim i madh që i duhet bërë kombit, kur vjen fjala për kauza të tilla siç është kauza e Çamërisë, përpjekjet, lufta, mundimet dhe sakrificat e bëra nga atdhetarë të shquar të kësaj krahine vitale, mendoj se duhet të jenë vëmendje specifike për këdo pasardhës të Çamërisë, sot dhe në të ardhmen. Nëse vërtet duam që kjo kauzë e madhe e cila sot ndodhet në përballje me sfidat e kohës, duhet të qartësojë mendjet e të gjithë atyre që duan të punojnë për zgjidhjen e çështjes çame. Mjaft të njihesh me veprimtaritë e atdhetarëve dhe intelektualëve të shquar të Çamërisë, bindesh në të vërtetën se një kauzë e madhe kërkon përpjekje të mëdha, sakrifica të shumta, urtësi mendimi dhe veprimi dhe mbi të gjitha dëshirën për të bashkuar dhe thirrur pas kësaj kauze, jo vetëm komunitetin çam, por të gjithë shqiptarët, se kjo është një çështje mbarëkombëtare, për më shumë flet trajtesa e këtij shkrimi.
Sfondi atdhetar i shoqërive dhe klubeve patriotike në fillimet e shekullit XX, në trojet shqiptare, ka qenë një tregues i realiteteve të përjetuara në tërësinë e tyre mbarëkombëtare. Jetën politike, shoqëritë atdhetare e kryenin përmes njohjeve dhe bashkëpunimeve që krijonin personalitetet në të gjithë hapësirën nga Kosova e deri në Çamëri, ku pjesa qendrore e Shqipërisë zinte një vend dominues. Nëse sjellim në kujtesë atë thënien e një latini të lashtë “O Kombe, ruani të mëdhenjtë, se përmes tyre do t’iu njohë e ardhmja”, këtë më së miri e fokuson një letër e vitit 1909 që drejtues të jetës së Filatit në Çamëri i drejtonin klubit “Vllazërija” në Elbasan. Është Mehmet Sejko, kryetar dhe Musa Demi, sekretar, dy personalitete të jetës shoqërore dhe asaj politike jo vetëm në Filat që bëhen protagonistë që në emër të klubit “Vllazërija” të Filatit i drejtojnë homologut të tyre në Elbasan.
Pa hyrë në detajet e formulimit si një letër e një kohe gati 117 vjeçare për shkrimin dhe bukurshkrimin apo për vulën e përdorur, është përmbajtja e saj e thellë, është mesazhi që përcjell, është fryma e dashurisë dhe e vllazërisë që manifestohet në shërbim të çështjes kombëtare dhe rritjes së ndërgjegjes në funksion të përparimit të kombit shqiptar. Vetë fakti që dy personalitetet e Filatit, Mehmet Sejko, babai i të mirënjohurve Taho dhe Teme Sejko dhe Musa Demi, një figurë me angazhime të gjithanshme e fisit të Demëve, janë tregues të përfaqësimit intelektual që ata i bënin shoqërisë shqiptare të Çamërisë dhe që sensi atdhetar i shprehur në letrën e 8 majit 1909, flasin për një vëmendje të një niveli të lartë për shqetësimet e kohës.
E gjithë jeta e këtyre familjeve me emër në Filat përcaktonte dhe rrugën e drejtë që i jepnin filozofisë atdhetare të shqiptarëve të Çamërisë, duke përcjellë edhe tek vëllezërit e tyre në Elbasan atë interesim për të bashkuar vullnetet në shërbim të përparimit të vendit. Domosdo që këto ishin shoqëri ose klube që u krijuan në ato vite të zjarrta për mëvetësinë e Shqipërisë si një finalizim i filozofisë së Rilindjes Kombëtare dhe fill pas Kongresit të Manastirit, që më shumë se sa një kongres drejtshkrimor ishte një bashkësi vlerash intelektuale që orientuan shqiptarët drejt prosperitetit për ngjarjet e mëdha që e prisnin.
Viti 1909 është shumë i rëndësishëm jo vetëm për Elbasanin që mblodhi Kongresin e tij dhe përcaktoi hapjen e shkollës Normale, por për të gjithë trojet shqiptare, sepse përcaktoi ardhmërinë e bashkimit kombëtar në një gjuhë të vetme dhe si një komb i vetëm. Mjaft të lexosh këtë letër të 8 majit të 1909, bindesh për argumentat intelektuale që përdoren dhe frymën e atdhetarizmit që përcjell duke pasur si emërues të përbashkët shqetësimin për të qenë të bashkuar në idenë për një komb të njësuar në të gjitha aspektet. Sinqeriteti dhe ndjesia e miqësisë që përshkon këtë letër, kanë brenda vetes edhe domethënien e madhe se edhe pasardhësit e këtyre dy personaliteteve do të ishin bij të së njejtës sërë në shërbimin për kombin, edhe pse historiagrafia shqiptare ka vonuar të përcjellë të vërtetat e ngjarjeve në kohë të mëdha edhe pse të trazuara.
Filat 8 maj 1909
Të nderçëmes pleqësi të
Klubit Vëllazërija
Ndë Elbasan
No 70
Zot.
U gëzuam shumë kur mësuam se çeltë dhe një Klub me emër Vëllazëri në atë vënt të nderuar.
U urojmë me gjithë zemërë dhe Zoti t’u përparojë ndjenjat kombjare që dëshëron mëmëdheu ynë, duhet pra kurdoherë ose kur ta dojë nevoja të kemi letërkëmbim që të mundim të mirremi vesh me njeri tjetrin. Na vjen shumë liksht kur shohim se Klubet e Shqipërisë flenë diku i pasur kaqë nevoja.
S’dimë ç’të themi për këtë heshtje që na ka rrethuar, kemi frikë më shumë se mos është heshtj’e përgjithshime, se po të jetë për ne çamërit vetëm, përsëri do jemi të kënaqur. Kur të jenë të tjerë vendet e Shqipërisë më një qëllim, atëhere është mjaftë për ne çamët, d.m.th. mbushet dhe qëllimi ynë, se shpresa jonë është te juve.
Ju përqafojmë vëllazërisht
nga ana e Klubit Vëllazërija.
Gëzohemi kur na përgjegjeni.
Shkronjësi Kryetari
Musa Demi Mehmet Sejko
***
Cilësia e shkrimit dhe e mendimit të një letre të tillë vlon edhe nga dashuria për krijimin e së tërës miqësi dhe angazhim në shërbim të kombit për të mos mbetur në heshtje dhe në përçarje siç do të dëshironin edhe fqinjët tanë antikombëtarë. Kjo letër dhe përmbajtja e saj flet si një aktakuzë edhe për ditët e sotme për gjenerimin e jetës në Çamëri dhe mbetet një këmbanë treguese se shqiptarët e Çamërisë e kishin të gjallë atdhetarizmin e tyre që e kanë cilësuar edhe rilindasit si një vëmendje specifike.
Nuk besoj se ka mendje të mbrapshta që pasi njihen me realitete të tilla, të mohojnë historinë e një krahine apo të ketë të ashtuquajtur lider të çështjes kombëtare që të mos jenë të pajisur me sinqeritetin e vlerave që na trashëguan të parët tanë.
Mehmet Sejko,
Është njeri nga pinjollët e devotshëm të familjes së Sejkatëve të Filatit të Çamërisë dhe themelues i Klubit “Vëllazërija” të Filatit bashkë me bashkëqytetarin dhe mikun e tij Musa Demi. Mehmet Sejko është edhe një luftëtar i çetave për lirinë e vendit të tij nga invazionet greke dhe të huajt e tjerë që sulmonin vendin e tij. Është e rëndësishme të themi se Mehmet Sejko, si një atdhetar i mirë që ishte dhe një intelektual jo për shkak të arsimimit, ka qenë protagonist në hapjen e shkollës së parë shqipe më shtëpinë e tij të re në Filat bashkë me atdhetarë të tjerë më 1908. Është e rëndësishme të theksojmë se ai është edhe firmëtar i Memorandumit që i bënë çamët Fuqive të Mëdha në vitin 1919 për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë.
Duhet thënë që pas ndarjes së kufijve dhe protestave për aneksimin e Çamërisë nga Greqia, me ndihmën e Konferencës së Londrës, Mehmet Sejko u detyrua që më 1920 të vinte në Shqipëri. Është interesant fakti që me vete, në vend të pasurisë së tij të madhe ngarkoi mushkat me librat shqip që të mos i merrte e digjte greku, duke ruajtur të patrazuar idenë e shkollimit të fëmijëve. Rikthehet në Filat më 1924, por arrestohet nga autoritetet greke dhe me ndihmën e Ahmet Zogut dhe të Mit’hat Frashërit që ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, lirohet dhe kthehet në Shqipëri mes peripecive të mëdha, duke humbur shumë pasuri të mëdha që kishte në vendin e tij të dashur duke mbetur një familje me shumë pak mundësi jetese. Vdiq më 1935.
Musa Demi. “Nderi i Kombit”.
Patriot i madh nga Çamëria u lind në qytetin e Filiatit në Çamëri vilajeti i Janinës, Shqipëri, Perandorisë Osmane në vitin 1878. Babai i tij Hamid Demi ishte Kryetari Lokal i Rajonit nga familja e Filiati Demi. Ai ndoqi Mektebi Iptida=Shkollën fillore dhe Mektebi Rushdije=Shkollën e mesme pas katër klasave që vjen e kryen me diplomim në Filat dhe më pas vazhdoi studimet e tij në Janinë.
Në fillim të viteve 1900 u bë një nga themeluesit e Klubit “Vëllazërija” në Filat së bashku me Mehmet Sejko, që ishte kryetari i këtij Klubi, që së bashku më 25 gusht 1909, e hapi shkollën e parë për gjuhën shqipe në Filat. Musa Demi dhe me Rasih Dino së bashku me banorët e tjerë siguruan fondet për ndërtimin e ndërtesës së shkollës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte shumë aktivë dhe vajza e tij Belkëze Demi, luftoi dhe vdiq gjatë rezistencës shqiptare në Luftën II Botërore.
Ai u dekorua në vitin 1945 me “Medalje” nga Qeveria Shqiptare për “Vepër Patriotike Kombëtare”, dhe vdiq në vitin 1971. Në vitin 1978, ai u nderua pas vdekjes me “Medaljen për Aktivitet Patriotik”. Në vitin 2013 u dekorua nga Presidenti Bujar Nishani me medaljen “Nderi i Kombit”.
Nga Hyqmet ZANE