Besnik Aliaj: Veliaj, ushtari i oligarkëve të ndërtimit dhe medias
Dje, më 29 Dhjetor 2016, Erion Veliaj ja doli të “miratojë” në shkelje të plotë të ligjit dhe kushtetutës, planin urbanistik të Tiranës 2030.
Për koincidencë data 29 dhjetor konsiderohet një ditë e keqe në histori! Kjo për shkak të masakrës me 14,000 foshnja të therura nga Herodi, në kërkim të Fëmijës Mbret të sapolindur. I tmerruar nga ardhja e Jesusit, Mbreti Herod u dha urdhër ushtarëve të tij të masakronin të gjithë fëmijët meshkuj më të vegjël se 2 vjeç të qytezës së Betlehemit dhe të krahinës përreth. Kështu Herodi ia doli të masakrojë të ardhmen e qytetit, por jo shkëndijën e shpresës që do të ngjizte më vonë gjithë lëvizjen që krijoi Jesusi i Nazarethit!
Edhe dje, përsëri në atmosferën e Krishtlidjeve, në Tiranë ndodhi një masakër ligjore dhe kushtetuese, me pasoja të parikuperueshme për fëmijët e Tiranës dhe të familjeve të tyre. Dje u shkel hapur neni 2 pika 24 e ligjit të planifikimit të territorit 2014 dhe një sërë të drejtash kushtetuese të qytetarëve. Dje kolonat e demokracisë u shembën dhe çatia e ngrehinës- shtet na zuri të gjjthëve brenda. Dje Tirana u bë përfundimisht theror, për shkak të interesave të Trustit të Ndërtimit dhe Medias (tani e tutje shkurt TNM ose Trusti). Kjo ditë do të mbahet mend si një ditë e zezë për qytetin dhe për krejt vendin, sado e bukur e paraqitën panoramën e planit mediat e Trustit.
Unë nuk merrem me shpifjet e tua dhe të stafit tënd pa shkollë, se nuk ja vlen. Kjo sepse po të ishte siç thua ti, unë do isha i pranishëm dhe i kapur në sallë, e duke votuar në rresht!
Dhe për më tepër se vetë Erioni nuk është aspak Herod, por veç një ushtar i verbër që është gati të masakrojë me urdhër nga lart fëmijët dhe qytetin! Vetë ai në këtë histori ka dëshmuar të sillet maksimumi si një zv-kryetar bashkie. Vendin e kryetarit ai as nuk ka kurajon ta mendojë! Kryetar i vërtetë i bashkisë së Tiranës tashmë janë shefat e tij Herodë, kjo sepse në fakt Erioni ka më shumë se sa një shef! Prandaj ai shfaqet shumë i trazuar, i shtirur, i trembur, e në hall të madh, aq sa merr përsipër shkelje të vazhduara të ligjit dhe kushtetutës që s’mund të kalohen aq lehtë në rrethanat e krijuara. Ndaj të gjithë çuditen me të kur ai sillet si i fortë para kamerave.
Kaq për Erionin, sepse më tej po i tregoj kollaj fare shefave të tij dhe publikut: Përse unë nuk mora pjesë në mbledhjen e djeshme farsë të Këshillit Bashkiak të TNM-së në të cilën refuzoj të jem më pjesë e tij!
Dje Trusti i TNM-së zbatoi një operacion diabolik dhe perfekt mafioz që përgatitej prej kohësh. Pasi punuan një vit në heshtje dhe mënyrë të njëanshem, ata vendosën që ta miratojnë planin pa asnjë informim publik pikërisht në datën 29 dhjetor 2016. Çuditërisht të gjitha hatatë e vitit ishin lënë si me magji të zgjidheshin në të njëjtën ditë e orë: komisioni parlamentar për CEZ-in bëri goxha show e tërhoqi kohë televizive. Po kështu dekriminalizimi i tre deputetëve në KQZ ishte diskutim mjaft interesant e plot ankth për t’u ndjekur. Ndërkohë në Durrës një ditë më parë në darkë krejt papritur ndodhi hataja: koalicioni qeverisës ra në këshillin bashkiak sepse LSI mrekullisht na bashkoi votat me PD duke rrëzuar buxhetin e bashkisë Durrës! … Me thënë të drejtën bukur fort dhe me regji të shkëlqyer, aq sa lindi shpresa e pafajshme se skenari i “buxhetit durrsak” pritej të ndodhte edhe në Tiranë … Në fakt, në djall të shkojë buxheti mjaft plani të na kalojë! … Se sa për buxhetin këtu jemi e rregullojmë kollaj këtë punë…
Shkurt, Trusti i TNM-së ishte kujdesur me kohë që Erioni të kamuflohej sa më mirë dje pas shashkave kakofonike të një procesi sa më të zhurmshëm mediatik, lë mënjanë përgatitjet për gjelin e detit që Lubonja e përshkruan shumë bukur …. E gjitha kjo regji vetëm që zvkryetari i bashkisë të Trustit TNM të performonte sa më bindshëm para kamerave e të miratonte sa më urgjent e me me pak telashe planin e ri të bashkisë. Ishte ditë perfekte pushimesh dhe një kohë e mrekullueshme me diell për të larguar vëmendjen, e për t’iu përvjedhur tinzësh banorëve të shpërqëndruar të Tiranës për masakrën herodiane që e pret qytetin sot e tutje!
Në këtë panoramë në fakt unë jam akushi, një subjekt i vogël dhe krejt i parëndësishëm, një pikë ujë në oqean përballë përmasës së interesave në lojë! Por për koincidencë fatale TNM-ja dhe zvkryetari bashkiak ishin në hall të madh me ligjin, sidomos me nenin 2 pika 24 e tij, me kushtetutën, dhe me vetë “big brother” që çdo ditë s’pushon së foluri për vettingun! Shkurt Trustit i duhej dëshpërimisht një subjekt i besueshëm në publik, një profesionist me CV të pakontestueshme, mundësisht nga opozita.
Kërkohej dëshpërimisht një certifikues moral që mundësisht nuk të hap telashe, për të finalizuar një spektakël plot ngjyra ku është vështirë të kuptosh protagonistët e vërtetë. Dhe kështu Trusti dhe zvkryetari bashkiak dilnin të nderuar: ja planin jua diskutuam mirë në institucione, siç e do publiku dhe siç thotë ligji, madje pati debate e kritika të forta, demokracia fuksionoi dhe në fund s’kemi ç’bëjmë më, se u vendos me shumicë votash dhe plani u ligjërua! A nuk funksionon demokracia edhe në vende të tjera kështu? … Në fakt është vetëm një model i denjë venezuelan, tipik për republikat e bananeve, e që s’ka lidhje fare me demokracinë europiane!
Ja kjo është e gjitha o Erion! Dhe s’ka lidhje fare me fiksionet e tua qesharake për Besnikun kapitalist të ndyrë … për tendera të majme konsulence me qeverinë. Trusti ka kohë që ka dhënë urdhër që unë e miqtë e mi të mos kemi asnjë shans! Ju dogjët së fundi një projekt strategjik europian për Shqipërinë vetëm se vendi partner zgjodhi më garë si ekspert lokal kolegët e mi, dhe nuk pranoi presionin tuaj të ndryshonte garën! Europa nuk është Otomani Erion dhe ka rregulla ku unë mund ta tregoj mirë ty qefin se sa të vlen lekura kur vjen puna tek dija dhe ekspertiza. Mbi të gjitha unë s’pranoj t’ju paguaj bakshish… Ti dhe Trusti dje ishit në hall të madh sa morët përsipër të sulmonit jetën dhe aktivitetin tim privat. Vijo Erion se më bën veç nder e reklamë! Dhe as më bën përshtypje më asgjë në këtë vend! Jo që nuk jam ankuar kujt për presion kërcënim, por po ta them se nuk të llogaris fare as ty, as TNM-në tënde e as shefat e tu të shumtë as horrat që mbani vërdallë. Unë jam i lirë Erion dhe po ta ripërsëris: mos u kruani me mua dhe rrethin tim, se ju del tymi shumë larg. Po të flas me këtë gjuhe se ti ke mjaft kufizime! Ke një fjalor të kufizuar, mungesë shkollimi dhe e vetmja armë që ke është ligësia dhe kërmillizimi.
Sot nuk ka më naivë në këtë vend. Edhe pse njerëzit heshtin të gjjthë e dinë mirë se ka një grusht sipërmarrësish në ndërtim e media, të cilët drejtojnë realisht këtë vend. Demokriacia këtu është fasadë. Ata janë Herodët e vërtetë të pushtetit, kurse ti je vetem ushtari që zbaton urdhërat verbërisht herë të njërit e herë të tjetrit shef. Herodët e tu kanë secili nga një lider politik si beniamin, me të cilët ata bëjnë planet, koordinojnë ose ndajnë hesapet e abuzimit, në kurriz të njerëzve dhe qytetit. Ata nuk ngopen kurrë së ndërtuari firma piramidale që po e gërryejnë këtë vend. Plani jot urbanistik është piramida më e fundit që ata kanë stisur pas krizës së vitit 2010 e këtej. Plani do të gllabërojë përfundimisht pronat, banesat, bizneset e vogla, familjare e të mesme në emër të rizhvillimit. Ju s’do të lini copë toke pa ndërtuar në qyetet dhe s’do të lini këmbë njeriu në fshat që të populloni këto ndërtime kurth me skllevër të bindur që paguajnë vetëm për ju! Dhe fitimet do t’i financoni ndër të tjera për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit! Kjo është skema dhe ju jeni të evidentuar!
Herodët e ty të plotfuqishëm kanë aftësinë çudibërësë që të bëhen miq me çdo qeveri, me çdo kundërshtar. Ata ndërtojnë aleanca nga më të paimagjinueshmet midis politikanëve kryesorë mjaft që të mbajnë pushtetin e të fitojnë! Dje, unë njeriu askush, pika e ujit në oqean, ekpserti i pavarur, profesori, nën kryetari i komisionit të planifikimit në këshillin bashkiak, ju dola jashtë skeme sepse nuk jam naiv dhe i kapur siç kujton ti! Ndaj dëshpërimi jot ishte shumë i madh, sepse more një pickim të fortë dhe kjo të trembi e të bëri nervoz. Fillove të bërtisje e shaje si burracak.
Për parkun të dola përballë në ‘Klan’, ti u shmange në ‘TCH’ dhe shave si gratë e liga. Për planin të dola përballë ty dhe Boerit, ti u shmange se kishe celebrim, kurse ai të paktën u përball. Por atëhere kur ti dhe TNM-ja jote mafioze kishe qef të më kishte përballë që të më keqpërdorje, unë nuk jua dhashë këtë kënaqësi me konshiencë të plotë! Sepse unë Erion llogjikoj e marr vendime me kokën time. Unë kam miq e shokë njerëz të thjeshtë, inteligjentë e të ndershëm. Unë nuk jam peng i partisë, qoftë edhe asaj times. Unë besoj tek llogjika e arsyes dhe tek forca e fjalës, tek ajo që është e moralshme. Unë besoj në vlerat e Fëmijës Mbret dhe nuk jam i paskrupullt e pafe si ju!
Një këshillë ke nga unë. Kush ngjitet lart shumë shpejt dhe në mënyrë të pajustifikuar, kur bie vritet keq! Dhe ti për fatin tënd të keq i je qepur me shpejtësi pemës së fikut që e ke fiksim, për të cilën populli thotë se ka rënie shumë të keqe!