Albspirit

Media/News/Publishing

Kerry: Zgjidhja me dy shtete – rruga e vetme për paqen në Lindjen e Afërt

Ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry e mbrojti abstenimin e qeverisë së SHBA në KS të OKB-së, përsa i përket politikës izraelite të ngulimeve. U veprua në përputhje me vlerat amerikane, tha ai.

Zgjidhja me dy shtete është sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm të SHBA, John Kerry rruga e vetme për një paqe të qendrueshme në Lindjen e Afërt. Prandaj SHBA nuk patën votuar të premten kundër rezolutës së OKB-së kundër ndërtimit të kolonive nga Izraeli në zonat e pushtuara palestineze, bëri të ditur Kerry në një fjalim parimor në Uashington. Synimi i SHBA është “që rruga për zgjidhjen me dy shtete të mbetet e hapur”.

“Pushtim i përhershëm”

SHBA dëshirojnë një të ardhme të Izraelit “si shtet hebre dhe demokratik, i cili jeton në paqe dhe siguri krah për krah me fqinjët e tij”, deklaroi më tej demokrati Kerry. Aktualisht, zgjidhja me dy shtete megjithatë është “e rrezikuar seriozisht”. Një ruajtje e statuskuosë do të ishte e barabartë me “një pushtim të përhershëm”, paralajmëroi Kerry.

Ai e kundërshtoi kritikën, se qeveria e Presidentit të SHBA, Barack Obama është kundër Izraelit. “Asnjë qeveri nuk ka bërë kaq shumë për Izraelin sa Obama”, tha ai. Dhe tërhoqi vëmendjen para së gjithash për mbështetjen ushtarake. “Por miqtë duhet të thonë edhe të vërteta të parehatshme”, shtoi Kerry.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu e akuzoi Kerryn pas fjalimit të tij edhe që është i njëanshëm përballë Izraelit. “Për më shumë se një orë u morr Kerry i marrosur me kolonitë dhe thuajse fare me rrënjët e konfliktit – opozitën e palestinezëve kundër një shteti hebre në cilatdo kufij”, tha Netanjahu. Me këtë, fjalimi qe i ngjashëm me rezolutën e OKB-së kundër politikës izraelite të ngulimeve, të cilën Kerry e pati mbështetur në Kombet e Bashkuara, tha Netanjahu.

Rezoluta e parë kundër Izraelit që më 1979

Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi të premten për herë të parë që prej vitit 1979 një rezolutë kundër ndërtimit të kolonive nga Izraeli. Kjo u bë e mundur përmes vendimit të SHBA për të mos përdorur të drejtën e vetos, por për të abstenuar. Të 14 anëtarët e tjerë të KS votuan në mbështetje të tekstit, që kërkon ndalimin e mënjëhershëm të aktiviteteve izraelite në kolonitë në Jordanin Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor. Izraeli e kritikoi ashpër rezolutën e OKB-së.

Aktualisht në Jordanin Perëndimor të pushtuar jetojnë rreth 430.000 kolonë hebrej dhe më shumë se 200.000 jetojnë në Jeruzalemin Lindor të aneksuar nga Izraeli. Ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry u përpoq disa herë të ndërmjetësonte në konflikt. Bisedimet e fundit të paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve dështuan në prill 2014.

Please follow and like us: