Pafosi – Kryeqyteti kulturor qipriot i Evropës 2017
Pafosi në Qipro dhe Arhusi në Danimarkë janë kryeqytetet kulturorë të Evropës për vitin 2017.
Pafosi e ka marrë seriozisht me titullin dhe kudo në qytet po bëhen përgatitje të shumta. Riparime rrugësh e dyqanesh, muzeumesh e monumentesh dhe në kështjellën mbi portin e vjetër të qytetit, prej nga ndriçon simboli i kryeqytetit kulturor qipriot, kulla e kështjellës, e ngritur në vitin 1592.
Pafosi si e gjithë Qiproja është një vend ku në 10.000 vitet e fundit janë kryqëzuar popuj e kultura të ndryshme. Persianët, ptolemeasit, bizantinët dhe britanikët – Qiproja ka përjetuar plot vërshime e pushtime. Historinë e tyre e prezanton ekspozita “Faces of Paphos – a journey through history” në muzeun e qytetit, të ngritur në hamamin e restauruar së fundmi.
Nga periudha romake ka mbetur odeoni, i cili si atëhere edhe sot përdoret si skenë për shfaqje nën qiell të hapur. Një pjesë e të rreth 300 koncerteve, teatrove dhe shfaqjeve që do të organizohen gjatë vitit në kuadrin e programit “Open Air Factory” do të zhvillohen në odeon, që është trashëgimi kulturore e UNESCO-s dhe përreth bashkisë. Ato do të kenë në qendër mitet e antikitetit.
Në Pafos ka shumë objekte antike për t’u vizituar. Për shembull varret nëntokësore me kolona dorike të mbretërve, ku duke filluar nga shekulli IV p.e.s. ptolemeasit filluan të varrosnin edhe nëpunës të lartë. Në Pafos ka edhe shumë mozaikë romakë të zbuluar rastësisht në vitin 1962 nga fshatari Hasip, kur po punonte tokën.
Më madhështori nga dyshemetë e katër vilave që u përkasin shekujve III dhe IV është mozaiku prej rreth 500 metrash katrorë, që mban emrin e Dionisit, perëndisë së verës. Në këtë mozaik shihen skena nga vjelja e rrushit, festat e verës si dhe Dionisi.
25 kilometra larg Pafosit gjendet vendi, ku sipas legjendës doli nga valët e detit perëndesha e bukurisë, Afrodita.