Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: DEDË GJON LULI NË SHËRBIM TË BASHKIMIT KOMBËTAR

 Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme, të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve. Ishin këto pengesa të vjetra e të reja, sipas orekseve të rastit të armiqve të shqiptarëve, por që ishin ndoshta më të rënda se pengesat, me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës në rrugën e tyre drejt bashkimit kombëtar. Megjithëse këto pengesa, për shqiptarët ishin tepër të mëdha gjatë gjithë historisë së tyre, dëshira dhe ndërgjegjja e tyre për bashkim kombëtar nuk u shua kurrë. Por pa marrë parasysh pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia e shqiptarëve ka plot raste bashkimesh krahinore dhe fisnore shpirtërore të shqiptarëve, madje janë shënuar edhe përpjekje për organizime panshqiptare, që ndër më të famshmet ishin Lidhja Shqiptare e Skënderbeut në Lezhë dhe Lidhja e Prizrenit – përpjekje këto të udhëhequra nga figurat më të shquara të kombit shqiptar dhe që me veprat e tyre patriotike u dalluan për veprimtarinë dhe luftën e tyre drejt bashkimit shpirtëror dhe kombëtar të shqiptarëve.
Njëri prej këtyre figurave është edhe Dedë Gjon Luli nga Malësia e Madhe Më 24 shtator 2015, u mbushën 100-vjet nga vrasja tradhtisht e tij, kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar. https:// www.youtube.com/watch?v=ZwWOPluuBaU Deda ishte prijësi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë në trojet shqiptare, që prej kohës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve – mbi të gjitha – për nga karakteri mbarëkombëtar i saj, gjë që si e tillë më në fund tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit. Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me në krye Dedë Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkojnë për t’u takuar me Malësorët e Dedë Gjon Lulit dhe si përfundim përpilojnë Memorandumin, i cili përbënte kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin. Memorandumi në fjalë ishte në të vërtetë, një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim në mbarë trojet e veta. Kërkesa kryesore e Dedë Gjon Lulit, siç sugjeron edhe kënga popullore ishte se Shqipëria donte vendin me sundue. Dedë Gjo Luli, shkrue ka letër, t’parit Shkodrës o ia ka çue, Se Shqipnia nuk don tjetër, veç don vedin me sundue…
Si rrjedhim, kërkesat e Malësorëve të shfaqura në Memorandum i bënë kryengritësit e maleve t’i paraqiteshin botës së atëhershme si përfaqësues të aspiratave të mbarë kombit shqiptar. Lufta për liri e Malësorëve ishte simbol i vëllazërimit të kombit shqiptar dhe tregoi se shqiptarët kishin një atdhe që dëshironte liri, dritë dhe bashkim kombëtar. Prijësi i Malësisë së Madhe dhe malësorët e tij nuk kishin filluar kryengritjen dhe luftën kundër pushtuesve për përfitime personale, ideologjike ose krahinore, por ishte një nismë e tyre për liri, jo vetëm për krahinën e Malësisë së Madhe, por ishte një luftë për mbijetesën e kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Si e tillë, pra lufta e tyre kishte qëllime mbarëkombëtare.
Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve mbarë kombëtare, Dedë Gjon Luli mbetet edhe në këtë 100-vjetor të vdekjes së tij, një mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i fateve afat shkurta dhe afat gjata të trojeve etnike shqiptare dhe bashkimit të tyre. Frymëzimi dhe kryengritjet e Dedë Gjon Lulit dhe të luftës së Malësorëve ndezën flakë gjithë trojet etnike shqiptare për liri dhe vetëqeverisje. Si rrjedhojë, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por për një popull që ishte në prag të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit turk. Për një popull, i cili dëshironte bashkim kombëtar të trojeve të tij etnike, ndër më homogjenet në Europë, pasi si sanxhak otoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër administrativ i imponuar nga otomanët.
Kryengritja e Malësorëve, me në krye Dedë Gjon Lulin frymëzoi pastaj edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve të tjera shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Dedë Gjon Luli, si rrallë ndonjë tjetër patriot shqiptar pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializmin e institucioneve të saj. Si i tillë, ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejt fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike në një shtet të pavarur, të quajtur Shqipëri.
Vepra e tij dhe e malësorëve të tij, mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi për të jetuar në liri, duke sunduar veten larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve.
Gjithashtu, në këtë 100-vjetor të vrasjes së Dedë Gjon Lulit, ne e ndjejmë veten kryelartë si malësorë, mbasi heronjtë dhe dëshmorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe – kësaj kalaje të patundur arbërore ndër shekuj, ku nderi e burrëria përkundën në të njëjtin djep – si vëllezër e motrat tona, të një gjaku, të një kombi, ata dhanë kontributin e madh, duke ndezur flakë kryengritje mbarë kombëtare, që më në fund çuan në shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar, më 28 nëntor 1912, duke u bërë kështu dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë e shqiptarëve. Ata, me heroizmin dhe sakrificën e tyre – si gjyshat dhe stërgjyshat e shqiptarëve ndër shekuj – i ndenjën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë si dhe vetsundimit të Kombit Shqiptar – besës e burrërisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe armiqve të afërt dhe të largët të kombit shqiptar ndër shekuj.
Dedë Gjon Luli ishte personifikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit
Në këtë 100-vjetor të vrasjes në tradhti të Dedë Gjon Lulit, duhet të kujtojmë, se ai dhe kryengritësit e tij malësorë i erdhën në ndihmë tokës arbërore, ndoshta në periudhën më kritike të historisë së saj. Në një kohë kur dukej sikur shpresave shekullore të shqiptarëve për liri por edhe identitetit arbëror të shqiptarëve po u vinte fundi dhe kur tokat shqiptare ishin venë në ankand – dhe kur armiqtë e shqiptarëve me influencë nëpër kancelaritë e Europës, përpiqeshin të bindin botën se nuk kishte komb shqiptar. Kryengritjet e malësorëve të udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, i treguan Europës se, po këtu ka një komb shqiptar, se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për t’u shitur. Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu për herë të pare ndër shekuj, ata e ringjallën atë, duke ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e shqiptarëve. Si i tillë, Dedë Gjon Luli është i të gjithë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve etnike në Shkodër, Tiranë, Gjirokastër, në Shkup e Manastir, në Prishtinë e Prizren, në Ulqin e në Tivar.
Trimëria dhe vendosmëria e heronjve të kombit si Dedë Gjo Luli, ndaj avancimit të kauzës për liri e pavarësi mbarëkombëtare brenda kufijve etnikë të shqiptarëve, janë arritje të cilat në mënyrën e tyre unike, kanë kontribuar dhe duhet të vazhdojnë të frymëzojnë dhe të kontribuojnë në formimin e ndërgjegjes dhe të zhvillimit kombëtar edhe sot. Në këtë 100-vjetor të vdekjes së Dedë Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akorduan atij rilindasit e kombit dhe baballarët e pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Mungesa e respektit për Dedë Gjo Lulin si person dhe e veprës së tij atdhetare do të konsiderohej si një mungesë vlerash kombëtare e brezit të sotëm të klasës politike shqiptare për të cilat luftoi dhe vdiq 100-vjet më parë Dedë Gjo Luli. Vlerat e tyre ishin të qenët besnik atdheut, drejtësisë dhe lirisë së Kombit Shqiptar – besës e burrnisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballëë sfidave me të cilat përballëen sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta.
Dedë Gjon Lulit nuk i është njohur gjithmonë kontributi i tij i vërtetë në historinë mbarë kombëtare të shqiptarëve. Fan Noli, pasi ka shkruar me një rast se ndonëse Dedë Gjon Luli e kishte tërhequr atë shumë “për trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për atdheun e tij”, Noli shprehet se, “jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Dedë Gjon Luli. “Regjimi komunist me heshtjen e tij e dënoji për së vdekuri heroin e luftërave për Flamur dhe Pavarësi, Dedë Gjo Lulin. Fatkeqësisht është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën postkomuniste. Megjithëkëtë “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Dedë Gjon Lulit. Çdo komb tjetër po të mos kishte një hero si Dedë Gjo Luli, do ta shpikte një të tillë.
Please follow and like us: