Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-ambasadori Nikovski: amerikanët duan zhbërjen e Maqedonisë; ja pse doli BESA…

Ish-ambasadori dhe këshilltar i kreut të shtetit, Risto Nikovski, i njohur për opinionin edhe si mbrojtës  i fuqishëm i kauzës nacionaliste maqedonase, në kolumnën e tij të fundit për gazetën maqedonase “Dnevnik” me titull “Riorganizimi final i Ballkanit”, ka paraqitur, sipas tij, planin e ndërkombëtarëve të udhëhequr nga amerikanët për zhbërjen e shtetit të Maqedonisë dhe formimin e shteteve të mëdha-kombe si Shqipëria, Kroacia, Serbia, dhe Bullgaria e Greqia.

Sipas Nikovskit, ky plan amerikan ka qenë i fshehur që me pranimin e Maqedonisë nën emrin e saj kushtetues, por që pastaj u kërkua kompromis me Greqinë për çështjen e emrit, duke kaluar tek Marrëveshja e Ohrit, riorganizimi teritorial me të cilin Kërçova dhe Struga u bënë komuna shqiptare, deri tek përgjimet, kriza politike, Marrëveshja e Përzhinos dhe votimi i 50-70 mijë shqiptarëve për LSDM-në opozitare.

Diplomati Nikovski ka vërejtur se si në rastin kur shqiptarët në numër të madh votuan Boris Trajkovskin për president, edhe tani kur votuan LSDM-në, ata nuk kanë votuar sipas dëshirës së tyre të lirë, por krejt kjo ka qenë një skenar amerikan për realizimin e barazisë së shqiptarëve me maqedonasit, dygjuhësinë dhe federalizimin e vendit, që më pas të vijojë faza e shpërbërjes së plotë të Maqedonisë dhe ndarjes së saj mes fqinjëve që kanë aspirata teritoriale ndaj vendit tonë.

Interesant është fakti që Risto Nikovski shtjellon në tekst, sipas të cilit, përveç luftës së drejtpërdrejtë që ndërkombëtarët (amerikanët) kanë bërë kundër VMRO-DPMNE-së qeveritare, të qëllimshme dhe pjesë të skenarit kanë qenë edhe “sakatimi” i PDSH-së që të mos mund të luajë më tej rolin e opozitës dhe të mos mund të jetë alternativë e BDI-së, si dhe dobësimi i kësaj të fundit, e cila, sipas Nikovskit ia ka kthyer shpinën Uashingtonit. Nikovski mendon se për këtë shkak janë formuar subjektet politike BESA dhe “Aleanca për Shqiptarët”.

Këtu autori ndërlidh edhe platformat nacionaliste të subjekteve të reja shqiptare në Maqedoni si dhe takimet për koordinim që menjëherë pas zgjedhjeve ata i realizuan në Tiranë, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Please follow and like us: