10 momentet më tronditëse në histori
Nga magjitë e Salemit te bombardimi i Hiroshimas, historia është e mbushur me data që kanë shokuar botën dhe vazhdojnë tani, dekada dhe shekuj më vonë, të kenë lënë gjurmë.
Nga dëshmitë e njerëzve, letrat, dokumentet, ditarët dhe arkivat, BBC na ritregon disa nga historitë më shokuese.
1 – Ekzekutimi i Anne Boleyn
Mëngjesin e 19 majit 1536, gruaja e dytë e Henry VIII, Anne Boleyn, u bë e para mbretëreshë e Anglisë që u ekzekutua publikisht. E akuzuar për tradhëti bashkëshortore, inçest dhe konspiracion për vdekjen e mbretit, Anne-s iu pre koka në një tribunë të ngritur në Kullën Jeshile, brenda Kullës së Londrës. Në atë kohë Anne dhe Henry kishin 3 vite që ishin martuar. Për të, Henry kishte lënë gruan e tij të parë me të cilën kishte 24 vite martuar dhe kishte një fëmijë me të. Gjithashtu për të kishte prishur raportet me Kishën Katolike. Ambasadori spanjoll Eustace Chapuys në gjykatën e Henry-t shkroi: “Askush nuk tregoi aq guxim para vdekjes sa ajo”.
2 – Ndërtimi i Murit të Berlinit
Për gati 30 vjet, Muri i Berlinit ndau pjesën lindore komuniste të Gjermanisë nga ajo perëndimore aleate me SHBA-në.
I ndërtuar gjatë natës mes 12-13 gushtit 1961 nga Republika Demokratike Gjermane, qëllimi zyrtar i murit ishte të ndalonte “fashistët” perëndimorë që të hynin në Gjermaninë lindore. Në të vërtetë, ai shërbeu për të parandaluar dezertimet në masë nga lindja në perëndim. Më 13 gusht berlinasit u zgjuan të ndarë nga familjet, shokët dhe puna e tyre, dhe madje në disa vende edhe nga shtëpia e tyre. Ishte e pamundur për të kaluar nga perëndimi në lindje.
Në total 171 persona u vranë në përpjekje për të kaluar murin i cili qëndroi deri më 9 nëntor 1989.
3 – Fundosja e Titanikut
Natën e 14 prillit 1912, anija e madhe Titanik që sipas ndërtuesve nuk kishte gjasa të mbytej, u mbyt që në udhëtimin e parë. Nga 2208 persona në bord, anija më e madhe në botë e të gjitha kohërave, vetëm 712 vetë mbijetuan.
Iu deshën vetëm 2 orë e 30 minuta anijes që të mbytej, dhe shumë njerëz vdiqën për shkak të temperaturave të ftohta. Shkalla e shkatërrimit nuk njihej deri në momentin që lajmi u shpërnda disa ditë më vonë më 16 prill nga Daily Mail.
4 – Njeriu i parë në hapësirë
Më 12 prill 1961, kozmonauti sovjetik Juri Gagarin u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë, duke bërë një 108-minuta fluturim orbital në anijen e tij Vostok 1.
Me një skafandër portokalli të ndritshme dhe një përkrenare të gdhendur, 27-vjeçari Gagarin u nis me fjalën e tij “Le të shkojmë”.
Sergei Hrushov, djali i Nikita Hrushovit, i cili ishte kryeministri sovjetik në kohën e fluturimit të Gagarinit, tha për BBC në vitin 2010: “E krahasoj këtë festë me ditën e fundit të Luftës së Dytë Botërore për Bashkimin Sovjetik “.
5 – Shtrigat e Salemit
Mes qershorit dhe shtatorit të vitit 1692, 19 burra e gra u akuzuan për magji dhe u ekzekutuan në komunitete të vogla fetare në Salem të Masaçusets, SHBA. Një horror që shokoi botën, gjykimet ndaj shtrigave të Salemit u bënë shkas e shkrimit të shumë librave e filmave.
Burrat dhe gratë u akuzuan e dënuan pas dëshmive të një grupi vajzash të fshatit që deklaronin se u ishte bërë magji. Deri në vitin 1692 u akuzuan rreth 150 burra e gra.
6 – Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore
Një luftë që përfshiu 30 kombe në shkallë gjeografike, e paparë ndonjëherë, mori titullin Lufta e Parë Botërore pasi ndoshta ishte i pari konflikt global.
Më shumë se 9 milionë persona humbën jetën, dhe kjo luftë ndryshoi përgjithmonë peisazhin social e politik në botë.
Britania i shpalli luftë Gjermanisë më 4 gusht 1914, pas javësh tensionesh pas vrasjes së Franz Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, në Sarajevë më 28 qershor.
7 – Xhek Rrjepësi
Brenda vetëm disa javësh në 1888, një vrasës serial i quajtur “Xhek Rrjepësi” gjymtoi dhe vrau pesë prostituta në lindje të Londrës.
Paniku kaploi qytetin ndërsa policia kërkonte për vrasësin dhe spekulimet që ishin përhapur për identitetin e tij. Ishte Jack një mjek, një çifut, një i huaj, një kasap?
Një teori lidhej edhe me vrasjen e nipit te Mbretëreshës Victoria, Princi Albert Victor. Megjithatë, pavarësisht dhjetëra të dyshuarve policia ka dështuar për të akuzuar dikë për vrasjet, dhe në këtë ditë identiteti i vrasësit mbetet një mister.
8 – Varri i Tutankhamun
Ndoshta zbulimi më i madh arkeologjik i të gjitha kohërave, në 1922 arkeologu britanik Howard Carter dhe ekipi i tij gjetën varrin e paprekur e një faraoni egjiptian të dinastisë 18: Tutankhamun.
Varri ishte i mbushur me objekte, duke përfshirë statuja dhe vepra arti – aq shumë, sa në fakt, u deshën 10 vjet për t’u kataloguar.
Ky zbulim, shkaktoi një furi globale për Egjiptin e lashtë. Arkeologu Carter u bë një njeri i famshëm në të gjithë botën, madje organizonte turne në të gjithë Amerikën në vitin 1924 për të dhënë leksione në lidhje me gjetjet e tij.
9 – Bombardimi i Hiroshimës
Më 6 gusht të vitit 1945, Amerika hodhi një bombë bërthamore në qytetin Hiroshima të Japonisë, duke vrarë rreth 135,000 njerëz. Brenda tre sekondave të para, thotë eksperti Stephen Walker, mijëra persona u dogjën nga temperatura që arriti 60 milionë gradë celsius – 10.000 herë më shumë se sipërfaqja e diellit. Sulmi u pasua tri ditë më vonë nga një bombë e dytë atomike që u hodh në qytetin e Nagasaki, i cili vrau të paktën 50.000 njerëz.
Shumë nga të mbijetuarit vuajtën simptomat e sëmundjeve të rrezatimit, të cilat përfshijnë të vjella, ethe, lodhje, gjakderdhje nga mishi, diarre dhe, në rastet më të këqija, vdekje.
10 – “Ekzekutimi” i Oliver Cromwell
Ndoshta një nga momentet më të shquara në histori, në 1661 trupi i Oliver Cromwell u zhvarros nga Westminster Abbey për t’u “ekzekutuar” për tradhti. Vetëm dy vite më parë, në nëntor 1658, Cromwell-it i ishte dhënë një funeral shtetëror në Westminster.
Një oficer i ushtrisë parlamentare në shpërthimin e Luftës Civile në verën e vitit 1642, Cromwell u bë një prej figurave kryesore të konfliktit dhe ka luajtur rol kryesor në gjyqin e Charles I.
Pas ekzekutimit të mbretit, u shpall republika e njohur si Komonuelthi i Anglisë.