A do rihapet dosja e Metës nga Byroja Kombëtare e Hetimit?
Me këmbënguljen e SHBA-ve dhe BE-së, qeveria miratoi në tetor të vitit 2016 draftin për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kjo strukturë e specializuar pritet të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Një nga ngjarjet e mbetura ‘pezull’, e cila është premtuar edhe nga kryeministri Edi Rama se do të hetohet është video përgjimi Meta – Prifti, e cila shkaktoi edhe 21 janarin.
Në atë kohë, Ilir Meta u shpall i pafajshëm. Pesë gjyqtarët Ardian Dvorani, Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj dhe Ardiana Fullani në unanimitet vendosën për pafajësinë e ish-zv/kryeministrit lidhur me akuzën e korrupsionit aktiv. Kolegji Penal në leximin e vendimit tha se fakti nuk provohet që të ketë ekzistuar, prandaj Ilir Meta shpallet i pafajshëm.
Në fakt, hetimi i atëhershëm ishte i manipuluar. Kjo u vërtetua me kalimin e kohës, sepse 3 ekspertët që kryen hetimet për origjinalitetin e videos, sot janë vendosur drejtorë në institucione të ndryshme nga LSI dhe morën pushtet. (Më poshtë linku i ekspertëve të punësuar nga LSI)
Tre ekspertët e ngarkuar nga gjykata për të bërë ekspertizën e video-përgjimit Meta-Prifti, Ardian Pollo, Ermal Beqiri si dhe Artur Rrahamani, thanë se “në orën ku pretendohet të jetë bërë regjistrimi audio nuk është gjetur materiali origjinal.”
Por, me rihapjen e dosjes së video-përgjimit, mund të ketë edhe dëshmi të reja nga Dritan Prifti apo gazetarë të emisionit Fiks Fare dhe drejtues të saj. Në rast se ata do të thirren si dëshmitarë dhe hetimet do të kryhen sipas standarteve, drejtësia pas reformës mund të rihapë dosjen e Metës, i cili ka qenë edhe strumbullari kryesor që pengonte Reformën në Drejtësi.
Çdo lëvizje kundër reformës në drejtësi për bllokimin e saj bëhej nga Meta. Këtë e faktoi edhe Donald Lu me akuzat e tij të forta, por edhe nervozizmi i Metës, i cili ditën që parlamenti do miratonte reformën në drejtësi bërtiste se nuk ishte ai njeriu që kishte krijuar skenarët e bllokimit, por sillej si flamurtari i saj. Madje, kreu i LSI arriti deri në pikën ku kërcënoi me dorëheqjen nga posti i kryeparlamentarit, por tregoi edhe se i kishte humbur qetësia dhe dashuria gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ndaj Fatmir Xhafës, i cili ishte kreu i Komisionit për Reformën në Drejtësi.
Rihapja e dosjes së Metës dhe hetimi i nga Byroja Kombëtare mund të sjellë qetësi në kampin e Partisë Socialiste dhe të zbardhë ngjarjen e 21 janarit, siç e kërkon edhe kryeministri Edi Rama. Dëshmia më e mirë është video përgjimi, që në rast se do të përdoret pa ndikime politike mund të jetë dosja që do të zhysë Metën pas prangave në drejtësi/citynews