Arkivat sekrete britanike/ Omer Nishani! Presidenti komunist , spiun i sovjetikëve, zyrtar i fashistëve dhe bashkëpunëtor i nazistëve
Kur Shqipëria u pushtua nga Italia, Omer Nishani u kthye në shtëpi dhe menjëherë u caktua anëtar i Këshillit të Shtetit me anë të një dekreti të Jakomonit. Ai veshi “këmishën e zezë” dhe është një anëtar i shquar i Partisë Fashiste
“Standard” vazhdon botimin e arkivave sekrete britanike për krerët më të lartë të diktaturës komuniste në vitin 1945. Sot po botojmë profilin e shërbimeve sekrete britanike për presidentin e parë komunist të Shqipërisë, dr. Omer Nishani, një biografi e panjohur e tij, e fshehur nga publiku dhe historiografia zyrtare deri më sot. Sipas britanikëve, ai ishte një agjent i vjetër i Komiternit, Komitetit Qendror të Internacionales Komuniste drejtuar nga PK e Bashkimit Sovjetik dhe shërbimet sekrete të këtij vendi. Sipas arkivave sekrete britanike, ai ishte rekrutuar që në vitin 1922 nga shërbimet sekrete sovjetike dhe ishte dërguar në Shqipëri për të krijuar një organizatë komuniste të financuar nga Bashkimi Sovjetik. Ai u angazhua në lëvizjet revolucionare të majta. Me pushtimin fashist të vendit ai bëhet pjesë e tij duke u bërë nga drejtuesit e partise fashiste dhe anëtar i Këshillit të Shtetit një organizëm që mori drejtimin e shtetit në kohën e pushtimit fashist deri në vitin 1943. Pas kësaj ai bën një kthesë spektakolare duke zhveshur këmishën e fashizmit dhe duke veshur atë të komunizmit. Shkon në Mukje si përfaqësues i PKSH-së. Por nuk mbaron me kaq. Sipas shërbimeve sekrete britanike, kur gjermanët pushtuan Shqipërinë në shtator të vitit 1943, Omer Nishani shkoi paqësisht në zyrën e tij të Këshilltarit të Shtetit në Tiranë dhe mori dy apo tre muaj rrogë dhe pas një përpjekjeje tjetër në nëntor të vitit 1943 sërish veshi këmishën e kuqe të komunizmit. Ky person, një nga bashkëpunëtorët të mëdhenj të sovjetikëve, fashistëve dhe nazistëve, bëhet në vitin 1945 Presidenti i Shqipërisë Komuniste dhe ministër i Jashtëm i saj. Si kreu i shtetit firmos në emër të antifashizmit dënimet e nacionalistëve, patriotëve dhe demokratëve shqiptarë, të cilët i akuzonin si bashkëpunëtorë të pushtuesve.
Me gjithë këtë veprimtari të hapur antikombëtare, ai vazhdon ende të nderohet nga historiografia, e cila fsheh gjithçka nga kjo biografi e zezë e tij, ndërkohë që edhe shteti e politika mbajnë të njëjtin qëndrim. Shumë rrugë e sheshe në mbarë vendin mbajnë emrin e tij, ndërkohë që në librat shkollorë u imponohet nxënëseve dhe studentëve si një figurë e nderuar. Si të gjithë udhëheqësit e lartë komunistë ai vazhdon të mbajë tituj e dekoratat më të larta të shtetit shqiptar të kohës si dhe ato të ish-Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik.
I lindur në Gjirokastër në vitin 1885, nuk pati kohë të përfundonte studimet e tij për mjekësi në Kostandinopojë, për shkak të Luftërave Ballkanike. Në vitin 1922, ai shkoi në Moskë i udhëhequr nga shoku i tij Kosta Boshnjaku; atje kërkuan nga Komiterni para dhe ndihma të tjera për të krijuar një organizatë komuniste në Shqipëri. U kthyen në Shqipëri të shoqëruar nga një agjent i Komiternit, i cili ishte përgjegjës për lëvizjen komuniste në Ballkan. Në vitin 1924, Omer Nishani u largua nga Shqipëria dhe filloi botimin e gazetës në gjuhën shqip “Liria kombëtare”, të financuar nga Komiterni. Më vonë ai shkaktoi një mosmarrëveshje mes emigrantëve politikë shqiptarë, të cilët nuk donin të ishin në shërbim të Komiternit. Grupi i tij i përbërë nga njerëz që mbështesnin revolucionin proletar botëror, u shkëputën nga të tjerët dhe morën emrin Konare (Komiteti Kombëtar Revolucionar), ndërsa grupimi nacionalist mori emrin “Bashkimi Kombëtar”. Më pas emërtimi “Konare” u ndryshua në “Çlirimi Kombëtar”. Kur Shqipëria u pushtua nga Italia, Omer Nishani u kthye në shtëpi dhe menjëherë u caktua anëtar i Këshillit të Shtetit me anë të një dekreti të Jakomonit. Këtu kemi një kthim të pushtimit italian ku ai vesh “këmishën e zezë”, është një anëtar i shquar i partisë, shkruan disa artikuj në gazetën e Tiranës, “Tomorri”, duke ngritur lart bekimet për Duçe e Perandorisë së re Romako-Fashiste. Në gusht të vitit 1943, një tjetër kthim i papritur dhe dr. Omer Nishani merr malet dhe shkon në Mukje si një delegat i Partisë Komuniste dhe si i tillë nënshkruan marrëveshjen. Duke parë se kjo marrëveshje dobësoi shanset e tyre për të marrë pushtetin, komunistët e dhunuan atë dhe sulmuan me pabesi nacionalistët. Kthimet e papritura vazhdojnë: Kur gjermanët pushtuan Shqipërinë në shtator të vitit 1943, Omer Nishani shkoi paqësisht në zyrën e tij të Këshilltarit të Shtetit në Tiranë dhe mori dy apo tre muaj rrogë dhe pas një përpjekjeje tjetër në nëntor të vitit 1943 sërish veshi këmishën e kuqe dhe shkoi në mal, kësaj here si anëtar i Këshillit Antifashist. Ditët e sotme ai është President i Këshillit Antifashist dhe ministër i Punëve të Jashtme.