Blushi propozon parlament me 100 deputetë
Deputeti Ben Blushi ka propozuar sot që parlamenti shqitpar të reduktojë numrin e deputetëve, nga 140 që janë aktualisht në 100.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi shprehet se një parlament më i vogël do të ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulgaritet. Sipas tij, në parlament janë futur të paditurit, të paaftëtm banditët, analfabetët etj dhe reduktimi i deputetëve do të sillte normalizimin e situatës.
Postimi i Blushit
Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve aq më pak shpresë kam se parlamenti i ardhshëm do jetë më i pranueshëm se ky që kemi. Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaceve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në parlament duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive te vjetra. Dikush me shaka më ka thënë se të gjithe deputetët bashkë kanë më shumë makina se libra. Dikur në fshatrat malorë ngrinin prita për te penguar ujqit. Ndoshta mund të përdoret si teknikë duke zvogëluar derën e parlamentit. Një parlament më i vogël do ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulg. Unë jam për një parlament me 100 deputetë.
A jeni dakort? Nëse po më shkruani. Por edhe ju që s’jeni dakort, prapë më shkruani.