Albspirit

Media/News/Publishing

Dosja top sekret / Agjenti misterioz i Sigurimit, si kishte ndërtuar rrjetin në Greqi

Mëkatarët/ Nga libri më i bujshëm në këta 25 vjet për dosjet e Sigurimit të Shtetit, rrëfimi i kreut të Komisionit të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani

 

 

 Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

 

Nafiz Bezhani

 

Misioni “Apolon”

Është një nga ngjarjet më mbresëlënëse nga veprimtaria ime në krye të Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurës së Zyrtarëve në funksione të larta shtetërore. Kisha kaluar nëpër duar shumë dosje, madje të ngjeshura, të agjentëve, informatorëve apo rezidentëve të ish-Sigurimit të Shtetit, disa prej të cilëve i kisha njohur edhe personalisht. Por kur para syve të mi u shfaq dosja e prof. Sofos, mikut tim të vjetër, kur pashë se ai kishte qenë një figurë shumë e çmuar në shërbim të Shtetit shqiptar, në një periudhë kohe të caktuar, vura duart në kokë. Si është e mundur, vallë, të mos kisha kuptuar asgjë, të mos më kishte lënë në mendje të paktën një hije dyshimi, shoku im i vjetër, me të cilin kishim pirë mijëra kafe dhe kishim përgojuar shumë e shumë kuadro të lartë të asaj kohe, pse jo edhe vetë Partinë e Punës, pa dyshuar kurrë se veshët e tij janë veshët e djallit apo të ferrit? Por prof. Sofoja në asnjë mënyrë nuk mund të ishte ingranazh i një mekanizmi makabër, ai ishte njeri i virtytshëm, me shikim depërtues, me mendje të kthjellët e zemër të madhe, me një Sovran të fuqishëm e të urtë që shoqëron të gjitha mendimet dhe ndjenjat e tij, me një forcë të panjohur, që përfshin shpirtin dhe ndjenjat e tij – ndërgjegjja e pastër, që e shtyn fuqishëm vetëm për vepra të mira.

Sofokli Micin e kisha njohur qysh në muajin Gusht të vitit 1944, në Helmes të Skraparit, ku zhvilloi punimet Kongresi i parë i Rinisë Antifashiste Shqiptare. Ndërsa unë isha delegate i Rinisë të Brigadës së parë Sulmuese, Sofoja ishte dërguar aty nga krahinat e çliruara të rrethit të Gjirokastrës, si një nga të rinjtë më aktivë të terrenit, për të shërbyer në mensën e delegatëve. Ai ishte shumë i shkathët, i zgjuar dhe i dashur me të gjithë. Bashkë u miqësuam shpejt, jo vetëm për shkak të moshës, por edhe për shkak se ai vinte shpesh në çadrën time, ku mblidheshin të rinj për të luajtur “kungulleshkat”.

Pas çlirimit të vendit, Sofja na shfaqet në hotel “Dajti”, i veshur me uniformën e portierit. Dukej më i rritur dhe më simpatik. Dikush e kishte ndihmuar të vinte në Tiranë, me kush që të vazhdonte edhe shkollën, për t’u bërë më i vlefshëm për shoqërinë. Natyrisht, ai ishte një djalë që meritonte çdo përkrahje, sepse kishte dhënë prova të seriozitetit me zotimet e tij. I riemëruar në administratën e Ministrisë së Drejtësisë, krahas kryerjes së detyrës, ai vazhdoi natën edhe gjimnazin “Qemal Stafa”, të cilin e mbaroi me sukses. Për të ardhmen e tij u kujdes edhe vetë Ministri. Kështu, në një ditë të bukur vjeshte, Sofua niset për studime të larta jashtë vendit, me bursën që i siguroi shteti për të ndjekur studimet në Universitetin e Drejtësisë në Leningrad të Bashkimit Sovjetik. Dhe vitet ecën shpejt. Ai e mbaroi me sukses shkollën dhe u kthye me titullin “jurist” dhe me krenarinë e rezultateve të mira që kishte arritur. Me dijet e fituara dhe me begraundin e tij të pasur e të pastër, filloi t’u ngjitet shkallëve të jetës, të shtojë më tej njohuritë e tij profesionale e shkencore, të zgjidhet anëtar i Gjykatës së Lartë, të meritojë tituj shkencore, doktor e profesor. Dhe tani, mendoni për një njeri kaq të shquar, me një kulturë e me një post kaq të lartë, të pranojë për hobi një karrierë sekrete, të futet në vallen e rrezikshme të agjenturave aventureske. Jam i sigurt se askush nuk do të besonte një gjë të tillë. Edhe në qoftë se dikush do të ishte para informacioneve të firmuara prej tij, do të dyshonte për manipulim të dosjeve, apo për dosje fiktive, që në atë kohë nuk ishin të pakta. Por jo, edhe pse aktiviteti i tij, ka qenë në një periudhë kohe të kufizuar, dosja e tij ishte e plotë ndoshta një ndër dosjet e mëdha që kam pasur rast të kontrolloj unë.

Pas zgjedhjes time në Kuvendin, Popullor në postin e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurës të Zyrtarëve, përkohësisht u sistemova në një dhomë të vogël në Ministrinë e Drejtësisë. Isha në kushte pune shumë të vështira, por ndjeja kënaqësi e përkrahjen që me jepte Ministri dhe gjithë juristet-kolegë të kësaj Ministrie, veçanërisht ndjeja afërsinë e mikut tim të vjetër Sofokli Mici, që në atë kohë drejtonte një sektor të rëndësishëm. Ai do të vinte në zyrën time për çdo mëngjes dhe së bashku do të zbrisnim shkallët për të shkuar në kafen e Ministrisë, që gjendej në podrum. Sado probleme e mërzi që kisha, kur isha pranë tij ndjeja çlodhje dhe humor të mirë. Fytyra e tij ishte gjithnjë e qeshur, nuk e shikoje kurrë të mërzitur apo të ngrysur. Shpeshherë ngacmonte edhe femrat, por vetëm me qëllime të mira.

Thonë se kur ruan marrëdhënie shumë të mira me një person, për një kohë të gjatë, duhet të ruhesh vetëm nga “syri i keq”. Dhe ne, dikush na “hëngri me sy të keq”, duke na krijuar problem serioze. Ishte pikërisht një ditë dimri, në fillim v. 1998, kur ne ktheheshim plot humor nga kafja për në zyrë. Në sallon, përballë derës së zyrës time, më shkëputi nga miku im një djalosh që punonte së bashku me Sofon, aktualisht vazhdon të jetë kuadër me rëndësi në piramidën e Drejtësisë, i cili, me një ton intim, por qortues dhe fare patakt, më thotë:

-Ju shoqëroheni me atë? – duke tundur kokën i habitur.

Në jetën time, shumë gjatë, nuk kam ndier reaksion emocional kaq të madh, ndoshta për shkak të ndërhyrjes së pa takt nga një person i panjohur, ndoshta për shkak të ndikimit që më shkaktoi një këshillë e pazakontë dhe e papërshtatshme për sistemin demokratik, ndoshta edhe për efektin emocional që shkakton këshilla e një djaloshi tek një i moshuar, ose për shkak të të gjitha këtyre. Sado që u mundova ta përmbaja veten, nuk munda të mos i ktheja “reston”.

-Unë, djalosh, nuk u marr leje të tjerëve se me cilin shoqërohem!

Hyra në zyrë i tensionuar, aq sa e kisha të vështirë për t’u qetësuar e për t’u përqendruar në punë. Ishte një ngacmim banal i ndjenjave të mia, që pati efekt të mëtejshëm. Po bluaja me vete se një ndërhyrje e tillë, jashtë çdo rregulli të mirësjelljes, duhet patjetër ta kishte një shkak. Disa duhet të kishte ndodhur me mikun tim, diçka flitej, apo përpunohej kundër tij, ndërsa unë, me besim të patundur në pastërtinë e tij, nuk mund t’u besoja. Por çfarë qarkullon vallë, në mendjet e tyre, për mikun tim Sofo?

Disa ditë më parë, Ministria e Drejtësisë më kishte dërguar listën e kuadrove të saj për të kontrolluar figurën e tyre, konform ligjit nr. 8043, dt. 30.11.1995, e firmuar personalisht nga Zoti Ministër. Në një takim të rastësishëm që pata me të, pasi më pyeti nëse e kisha marrë listën, më tha:

-Është mirë, gjithnjë brenda mundësive që do të kini, ta shikoni me kujdesin më të madh listën tonë dhe mundësisht ta përfundoni sa më parë, për shkak se kam ndër mend të bëj një organizim të ri të Dikasterit dhe duhet patjetër të kem të qarta edhe figurat e tyre. Në të vërtetë unë i njoh personalisht pothuajse të gjithë, por dyshoj në tre persona…”

Kur midis tre të dyshuarve dëgjova edhe emrin e Sofos, u ndjeva paksa i emocionuar, për shkak se kisha bindje të plotë që ai nuk mund të bëhet kurrë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, për shumë arsye, veçanërisht për faktin se ai kishte qenë anëtar i Partisë së Punës dhe komunistët nuk mund të bënin pjesë si informatorë apo agjentë të Sigurimit të Shtetit. Megjithatë zgjodha heshtjen dhe ju përgjigja:

-Ju siguroj se do të bëj të gjitha përpjekjet që listën tuaj ta përfundoj sa më parë. Përfundimet do t’i përcjell zyrtarisht, konform dokumentacionit përkatës.

Dyshimet e shprehura për mikun tim, Sofo, ndonëse isha i sigurt në pastërtinë e tij, më nxitën kuriozitetin për të shkuar menjëherë në Arkiv, për të kontrolluar dokumentacionin përkatës. Dhe kurioziteti m’u shtua më shumë kur në kompjuter më doli emri: Sofokli Mici, lindur më… Kërkova menjëherë dosjen. Ishte një dosje e hapur nga organet e Sigurimit të Shtetit në vitin 1987. Në ndjekje të tij, si i dyshuar për bashkëpunim me Asfalinë greke. Të jetë vallë kjo dosja për të cilën dyshonte zoti Ministër? Nuk ka dyshim se një agjent në shërbim të një shteti të huaj, do të përbënte krimin e tradhtisë, pavarësisht nga regjimi që ka ekzistuar në atë kohë, por një veprimtari të tillë armiqësore, duhet të ketë prova ligjore të pakontestueshme. Raportet apo informacionet e dërguara kundër tij, nuk mund të krijonin bindje për të vendosur masa penalizuese. Lexova raportin e parë, të shkruar me një shqipe të rrjedhshme, mesa duket nga ndonjë agjent shqiptar i shkolluar e me eksperiencë, që kishte firmosur me pseudonimin e tij “Ksamili”. Ndoshta mund të ketë qenë vet shoqëruesi i një grupi turistësh grekë që kishin vizituar Shqipërinë. Në të thuhej: “Sot, në hotel “Dajti” u bë një takim i paplanifikuar midis turistëve grekë dhe prof. Sofokli Mici. Ai shkëmbeu biseda të gjata me grupin dhe mori prej tyre dy zarfe të dyshimta. Për njërin thanë se ia dërgonte kushëriri i parë i tij, Apostolos… nga Preveza, ndërsa zarfi tjetër iu dorëzua nga një turist i pranishëm në takim për një problem të tij. Profesori i futi zarfet në xhep dhe vazhdoi të bisedonte me ta. Biseda e tij është regjistruar dhe ju dërgohet në kasetën G-16-T, firmuar “Ksamil”.

Informacioni tjetër vinte nga një informator apo bashkëpunëtor vullnetar i paspecializuar, me banim në krahinën e Thesprotisë. KJo dilte e qartë jo vetëm nga shkrimi i tij, i papjekur dhe autodidakt, por edhe nga përmbajtja, në të cilën thuhej: Profesor Sofokli Mici, në një mbledhje që u bë për pritjen e tij, këtu, në Gumenicë, u pyet nga ne për përparimin e Komunizmit në Shqipëri, por ai u përgjigj se komunizmin e gjeta në Greqi. Kjo më dëshpëroi mua dhe shumë të tjerë. E pyetëm se përse i tha ato fjalë, por ai u përgjigj se në Shqipëri ne kemi punë, kurse këtu jo vetëm që jam në qetësi, por ju më kini shtruar të gjitha të mirat dhe nuk më kini lënë të vë dorën në xhep. Kështu e përfitojmë komunizmin, apo jo? Ishte firmuar: “Margarita”.

Eca më tej duke lexuar një informacion tjetër, i sigurt se edhe ai vinte nga jashtë shtetit, ndoshta nga Athina. Nga stili i të shkruarit, si dhe nga përmbajtja e tij, me terminologji të specializuar, kuptohej se kemi të bëjmë me një agjent të regjur apo me një rezident që udhëheq një rrjet të gjerë informatorësh, sidomos në Athinë apo në zonat kufitare të krahinës së Thespotisë. Informacioni ishte shkruar me makinë shkrimi dhe me një gjuhë të rrjedhshme. Në fund nuk kishte emër e mbiemër, por vetëm një firmë që deshifrohej lehtë: “Balla”. Në fakt ky informacion i ngjante një analize të hollësishme për vizitat e Prof. Sofos në Greqi. Në të përshkruheshin hollësisht takimet e shumta që kishte patur ai me shqiptarë, grupe të ndryshme shqiptarësh dhe grekë të thjeshtë, me qeveritarë dhe politikanë, si dhe për një takim të dyshimtë që kishte bërë prof. Sofoja me një familje të njohur për qëndrimin e saj antishqiptar. Ky informacion me dha të kuptoj se Sigurimi i Shtetit e kishte një rrjet agjenturesk efektiv në Greqi, që kontrollonte njerëzit e vet. Ndonëse informacioni nuk ishte i plotë, ai ishte serioz dhe tërhoqi vëmendjen time. Kur përfundova së lexuari faqen e tretë, që ishte e fundit, pashë se pas saj kishte një lidhje. Ishte një pusullë e zakonshme mbi të cilën ishte shkruar: “Partia është në dijeni të gjithë veprimtarisë së SHIK-ut Sofokli në Greqi”. E kishte firmuar një drejtues i paidentifikuar. Dhe ishte pikërisht kjo pusullë që më vuri në lëvizje për të kërkuar më thellë, për të gjetur diçka më të rëndësishme, që me siguri do të përmbante veprimtarinë e Profesorit në Greqi. Nuk mund të ishte një vizitë e rastësishme apo turistike, kjo që kishte bërë profesor Sofoja. Ajo do të kishte me siguri një mision, ndoshta shumë të rëndësishëm, që diku duhet të jetë i pasqyruar dhe diiku të jetë i ruajtur. Dhe kjo duhet kërkuar diku gjetkë, për shkak se prof. Sofua nuk mund të ishte një agjent i zakonshëm i Sigurimit të Shtetit, jo vetëm për shkak të funksionit të lartë, që kishte në Gjykatën e Lartë, apo të nivelit të tij shkencor dhe të eksperiencës së gjerë në sektorin ku punon, por edhe për faktin që militon si komunist i vjetër në radhët e Partisë së Punës. Njerëz të tillë mund të kryejnë vetëm misione të rëndësishme, me mandate të veçantë. Natyrisht edhe dokumentet e tyre trajtohen po në skedarë të rëndësisë së veçantë, Top sekret!

Please follow and like us: