Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Daja merr Skënderbeun

Viti i ri sjell ndryshime rrënjësore të Skënderbeu. Klubi korçar ka zgjidhur me marrëveshje kontratën me Andrea Agostinellin, i cili ka prerë vetëm biletën e vajtjes drejt Italisë para festave të fundvitit për shkak të rezultateve jo të kënaqshme. Si pasues i italianit është zyrtarizuar Ilir Daja, prezantimi i të cilit do të bëhet mesditën e kësaj të Mërkure në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës. Presidenti Ardjan Takaj, i zhgënjyer nga rezultatet e arritura gjatë pjesës së parë të sezonit, ia beson skuadrën një trajneri me përvojë në futbollin shqiptar, e madje i shpallur dy herë kampion i Shqipërisë me Elbasanin dhe Dinamon.
Në fakt Daja nuk do të udhëtojë i vetëm drejt Korçës pasi ndihmës të tij pritet të jetë Ardian Memën, një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Daja do të ketë si objektiv mbrojtjen e titullit kampion, dhe nëse e arrin këtë synim kontrata e tij do të rinovohet automatikisht për dy vitet e ardhshme. Kjo lëvizje e presidencës korçare vjen pikërisht para nisjes së skuadrës drejt Turqisë për fazën përgatitore të dimrit nga data 5 deri 17 Janar. Gjatë qëndrimit 12 ditor në Antalia kampionët në fuqi kanë programuar të zhvillojnë tre takime miqësore me Bursasporin, Sumqayit dhe Qarabagun.
Skënderbeu do të jetë skuadra e pestë për Ilir Dajën në Kategorinë Superiore. 50-vjeçari fillimisht spikati në stolin e Elbasanit ku fitoi titullin e parë kampion në vitin 2006, ndërsa në sezonin 2007-2008 e përsëriti këtë sukses në krye të Dinamos. Pas eksperiencës me Besën e Kavajës në sezonin 2012-2013, Daja u rikthye në Superiore duke marrë drejtimin e Tiranës në fund të Tetorit të 2015-ës, si pasues i Shkëlqim Muçës. Pas një viti në krye të bardhebluve u shkarkua nga presidenti Halili për shkak të rezultateve poshtë pritshmërive, me Mirel Josën që mori vendin e tij në fillim të Nëntorit të shkuar. Si për ironi, Ilir Daja do të kërkojë të përsërisë pikërisht suksesin e Josës te korçarët.

Please follow and like us: