Albspirit

Media/News/Publishing

Katër bukuroshet e dinastive të Kinës

Në historinë kineze një vend të veçantë zenë dhe 4 vajza, që kanë jetuar në epoka të ndryshme, por që njihen si “4 bukuroshet e Kinës.

Cilat janë ato?

Diaochan, dinastia Han Lindore jetoi në vitet 25–220; Xi Shi, Periudha e Pranverës dhe Vjeshtës, jetoi në vitet 770–476 p.e.s; Wang Zhaojun, dinastia Han Perëndimore jetoi në vitet 206–25 p.e.s; Yang Guifei-jetoi gjatë dinastisë Tang në vitet 618–907.

Çdo gjë rreth këtyre 4 bukurosheve është e mbuluar nga legjendat dhe admirimi popullor. Për bukuroshen Xi Shi thuhet se edhe peshqit ndalnin lundrimin në ujë kur figura e saj reflektohej në ujë. Ndërsa për bukuroshen Diaochan thonë se kur shëtiste mbrëmjeve Hëna fshihej e turpëruar pas reve nga bukuria e saj.

Nisur nga këto vlerësime adhuruese për bukurinë e vajzave studjuesit në lashtësi krijuan një proverb, në të cilin thuhet : ” Bukuroshja Xi Shi mbyste peshqit, Wang Zhaojun rrëzonte zogjtë, Diao Chan eklipsonte Hënën, kurse Yang Guifei turpëronte lulet”

Diao Chan-bukuria që sfidonte Hënën
cri1-1-343x200Për bukuroshen e pare Diao Chan populli këndon se kur ajo dilte mbrëmjeve perëndesha e Hënës, e njohur si Chang’e fshihej pas reve, pasi nuk e përballonte dot hijeshinë e vajzës.
Ndoshta duket si e tepëruar kjo thënie, por kështu e cilëson poeti popullor bukurinë fizike të Diao Chan.

Roli i Diao Chan në historinë e vendit përshkruhet në romanin e njohur ” Romanca e tri mbretërive”. Sipas kësaj vepre, Diao Chan ishte një këngëtare që jetoi gjatë dinastisë kineze Han Lindore. Ajo u përpoq të ndërmjetësonte mes tiranit Dong Zhuo dhe djalit të tij të birësuar Lu Bu, me të cilin pati një lidhje romantike. Ky subjekt trajtohet shpesh dhe nga Opera e Pekinit. Sipas historianëve bukuroshja Diao Chan ka qenë një personazh real. Ajo jetonte në fshatin Muzhi të Xinzhou-t, në provinvën Shaanxi. Në këtë fshat ndodhet varri dhe një tempull me emrin e Diao Chan. Ajo nderohet se sakrifikoi veten në dobi të atdheut.

Disa historianë thonë se që në moshën 15 vjeçare Diaochan nderohej nga qeverisja e lashtë të Kinës. Madje ata i atribuojnë bukuroshes krijimin dhe dekorimin e kapeles të mbajtur nga gjykatësit, të njohur me termin “diao chan”, për nder të saj.

Interesant është fakti se emri “diao chan” mund të përkthehet dhe si ” gjinkalla e zezë”. Kësaj vajze i janë kishtuar vepra artistike ndër të cilët një film artistik në vitin 1938, që mban emrin e saj me regji të Bu Wancang, prodhim i Zhang Shankun Xinhua Film Company.

Xi Shi- bukuroshja, së cilës i fshiheshin peshqit
cri2-1-156x200Bukuroshja Xi Shi jetoi gjatë Periudhës së Pranverës dhe Vjeshtës në Mbretërinë kineze Yue. Ajo u lind në fshatin Zhuji, të provincës Zhejiang dhe thuhet se i pëlqente të lante në rrjedhën e lumit veshje të mëndafshta. Sipas legjendës edhe peshqit kur shihnin bukurinë e Xi Shisë të reflektohej në ujë, turpëroheshin. Legjenda rrëfen se mbretëria Yue po mundej nga fqinji i fuqishëm Wu.

Mbreti Yue, me shpresë që të rifitonte fuqinë e dikurshme dhe si hakmarrje ndaj kundërshtarit Wu,i ofroi bukuroshen Xi Shi, në këmbim të fuqizimit dhe paqes.
Poema të tëra i kushtohen bukuroshes Xi Shi, madje dhe përroi ku ajo lante rrobat e mëndafshta njihet si Huan Sha Xi (Rrjedha e larjes së mëndafshit).

Yang Guifei- bukuroshja që turpëronte lulet
cri3-1
Bukuroshja e Kinës Yang Guifei, e njohur dhe me emrin Yang Yuhuan thërritej dhe si Taizhen. Ajo ishte gruaja e perandorit të dinastisë Tang, Xuanzong që jetoi në vitet 685-762. Thuhet se perandori e zgjodhi bukuroshen Yang mes mijëra konkubinave të pallatit të tij. Sipas të dhënave të kohës perandori injoroi drejtimin e vendit, duke e lënë në duart e zyrtarëve të korruptuar, mes tyre dhe Yang Guozhong, i afërm i gruas së tij, që u bë kryeministër.

Pas një rebelimi në pallatin perandorak u urdhërua vrasja e kryeministrit dhe bashkë me të e Yang Guifeit, e cila u var me një shall të mëndafshtë bashkë me motrat e saj. Për shkak të kësaj humbjeje të madhe, perandori e kaloi pjesën tjetër të jetës në izolim. Yang Guifei u shndërrua në një legjendë kulturore dhe subjekt i shumë librave, dramave dhe poezive, duke përfshirë “Kënga e dhimbjes në botën tjetër,” nga poeti i dinastisë Tang, Bai Juyi.

Për bukuroshen Yang Guifei janë prodhuar filma artistikë e televizivë si “Princesha Yang Kwei-Fei” e vitit 1955, “Konkubina e mrekullueshme” me regji të Li Han Hsiang e vitit 1962 dhe filmi televiziv “Legjenda e Lady Yang”.

Wang Zhaojun rrëzonte zogjtë nga pema

cri4Në këtë rubrikë ju kam folur gjerësisht për Wang Zhaojun-in dhe martesën e saj me prijësin e fisit Hun, gjatë sundimit të dinastisë Han Perëndimore në Kinë. Kjo martesë ndali luftrat dhe rivalitetin mes hanëve dhe hunëve ndaj dhe bukuroshja Wang Zhaojun nderohet.

Në vendlindjen e saj Xishang të provincës Hubei shumë monumente i kushtohen kësaj vajze-legjendë, që shquhej jo vetëm për bukurinë fizike, por dhe për mençurinë dhe talentin e saj artistik. Mjafton të vizitoni vendlindjen e saj në një terren malor, në mes të gjelbërimit dhe do të shihni se hotele, mjedise argëtuese janë zbukuruar me portretin e pikturuar apo të gdhendur të Wang Zhaojun. Legjendës së kësaj bukurosheje të Kinës i janë kushtuar mjaft krijime artistike, filma artistikë e televizivë në seri, por edhe pjesë baleti e teatri.

Please follow and like us: