Lajmi i bujshëm në Greqi/ Një personalitet i lartë i drejtësisë shqiptare, takimi i fshehtë më Papandreun!
Mëkatarët/ Nga libri më i bujshëm në këta 25 vjet për dosjet e Sigurimit të Shtetit, rrëfimi i kreut të Komisionit të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani
Nafiz Bezhani
Ditën tjetër shkuan së bashku në fshatin Kastri, shumë pranë Gumenicës, ku flitej shqip. Profesori kishte mbetur i mahnitur nga patriotizmi i tyre, i shprehur edhe nëpërmjet këngëve e valleve shqiptare. Natyrisht nuk mungonin edhe nga ata që u dhimbnin veshët nga muzika jonë e bukur. Kështu p.sh. njëfarë Margaritis, i arratisur nga Shqipëria, i tha mësuesit të fshatit:
-“E bëtë tavernën e Josifit Shqipëri komuniste, ndërsa vëllezërit tanë vuajnë të zitë e ullirit!”
-Unë nga Shqipëria erdha dhe nuk gjeta njeri të vuante. Në qoftë se kanë vuajtur kur u arratise ti, ke bërë gabim që i ke lënë të vuajnë!… ia ktheu ai.
Një ditë para se prof. Sofua do të nisej për në Athinë, një gazetar kishte marrë në telefon dr. Janin dhe e kishte pyetur:
-Tek ju ndodhet prof. Sofokli Mici?
-Jo, u përgjigj doktori, sot ndodhet në Kastri.
-Dini gjë, ju lutem, kur do të vijë në Athinë?
-Po. Jam njoftuar se do të niset nesër në mëngjes.
-Dhe ju do të takoheni me të?
-Shpresoj!
-Mund t’i jepni një mesazh, ju lutem? Unë jam J. Darkis, gazetar-komentator, dashamirës dhe njohës i Shqipërisë. Pardje jam kthyer andej dhe dëshiroj ta takoj prof. Sofon për disa problem të rëndësishme. Meqenëse ai parashikon të niset në mëngjes, me siguri që në drekë do të jetë këtu, në Athinë. Kam dëshirë që drekën ta hamë bashkë në restorant “Sant George Licabetus”, në orën 13:30.
-Do të përpiqem!
Kjo bisedë ndodhi pikërisht pas mesnate, kur dr. Jani sapo ishte kthyer nga Kastri, për të bërë një vizitë tepër urgjente në shtëpinë e tij, ku e priste një i sëmurë rëndë. Ai e kishte lënë atje prof. Sofon, për t’u qetësuar, për shkak se të nesërmen do të udhëtonte për në Athinë. Në mëngjes, ata do të takoheshin përsëri, para nisjes për në Athinë. Por telefonata e gazetarit e shtyu “një grusht mizash në tru”, dr. Janit. Pasi vizitoi të sëmurin dhe e kuroi atë, filloi të mendonte për telefonatën e dyshimtë, duke krijuar plot hipoteza e versione jo aq të këndshme. Kush vallë e ka njoftuar gazetarin se dr. Jani është mikpritësi i prof. Sofos? Kush i ka thënë atij se pikërisht tani, në mesnatë, dr. Jani sapo është kthyer nga darka e bukur në Kastri? Ç’është vallë, ajo arsye kaq e ngutshme sa të merret tjetri në telefon në mes të natës? Të gjitha këto i bluante nëpër mendje duke nxjerrë si konkluzion: Me siguri që prof. Sofua konsiderohet për ta një person i rrezikshëm, ndoshta deri në nivelin e atyre që deklarohen “non grata”. Por përse vallë duhet të dalë në skenë një aktor i tillë, si gazetar-komentator? Dr. Jani i vuri të gjitha në peshë dhe përfundimisht nuk parashikonte ndonjë rrezik serioz, për shkak të vlerësimit që kishte për aftësitë intelektuale të prof. Sofos. Megjithatë, para se të ndahej me Sofon, dr. Jani e porositi: “Ta mbash në gjendje alarmi vëmendjen!”
…Ishte e para herë që prof. Sofua shkelte tapetet e restorantit të hotelit më modern të Athinës. Ai u drejtua një gruaje në bankën e recepsionit dhe i tha:
-Jam i ftuar nga gazetari J. Darkis, por nuk njihem me të.
Ajo doli menjëherë nga sporteli dhe e shoqëroi profesorin në sallonin ku priste gazetari, një burrë rreth të dyzetave, por me flokë të thinjura, i cili kishte përpara një gotë me pije me ngjyrë, gati në mbarim. Receptorja i fili në emër, duke i thënë:
-Zoti Darkis! Personi që prisni.
Ai u çua menjëherë dhe, ndërsa receptorja i la vetëm, ata shkëmbyen në këmbë fjalët e para me mirësjelljen dhe elokuencën e dy intelektualëve. Gazetari Darkis e ftoi për drekë në restorantin e hotelit, duke kaluar së bashku një rrugë jo aq të shkurtër, por përmbi një tapet të trashë të tipit persian. Profesori hyri në sallën fantastike të restorantit, si të ishte vetë parajsa. Ata hëngrën sa deshën dhe çfarë deshën. Pastaj u rikthyen në vendin ku ishin, për pirë kafet – simbol i përfundimit të drekës. Por në kafe do të shpalosej dhe sekreti i këtij takimi. Ndërsa deri tani gazetari i kishte folur Profesorit vetëm për përshtypjet e tij nga Shqipëria, duke i kërkuar për të shpjeguar edhe ndonjë kuriozitet që kishte nga kjo vizitë, ndoshta jo aq të rëndësishëm, tani pritej që gazetari të kërkonte më shumë. Dhe bashkë me ardhjen e kafeve, e nisi edhe ai bisedën që pritej.
-Profesor, kam ndjekur me kujdes vizitën tuaj të suksesshme në veri të Greqisë. Për mua gjithçka është e kuptueshme. Ndërsa ju jeni në Greqi për një vizitë private, përse vallë interesohet për ju këshilltari i zotit Kryeministër, prof. J. K.?
-Kasimati? – pyeti si i habitur prof. Sofua.
-Po, po, prof. J. K. këshilltari i parë i zotit Papandreu, Kryeministër i Greqisë. Jo vetëm kaq, por ai është edhe një nga burrat më me reputacion të vendit. Të them të drejtën, më bëri shumë përshtypje për faktin se ndonëse në Athinë ndodhet ambasada shqiptare, një institucion i mirëfilltë diplomatik, profesor J. K. i ka telefonuar disa herë ambasadorit për t’u takuar me ju. Përse vallë të ndodhë kështu?
Informacioni që dha gazetari ishte i saktë. Prof. J. K. kishte marrë vesh nëpërmjet organeve të shtypit për vizitën në Greqi të prof. Sofos dhe i kishte telefonuar dy herë ambasadorit tonë, por ajo që e vuri në mendime Sofon ishte dyshimi se kush vallë ia kishte dhënë këtë informacion gazetarit? Nuk është rasti i parë që i krijohen të tilla dyshime, prandaj i jepte të drejtë edhe shokut X, kur e porositi: “Nuk të lidh asgjë me Ambasadën, sa më larg nga njerëzit e tjerë”. Me siguri që këta lloj “gazetarë” e kanë ndonjë kanal edhe në Ambasadë.
Prof. Sofua, pasi u mendua për një çast u përgjigj me dyshim:
-Mos ka qenë gjë edhe prof. J. K. në Shqipëri?
-Po, po, para disa muajve.
-Atëherë gjithçka duhet kuptuar me vizitën e tij në Shqipëri. Ndoshta ai ka premtuar të ndihmojë Shqipërinë me literaturë juridike për organizimin e shtetit dhe vizitën time e konsideron një shans të mirë.
Gazetari nuk e quajti bindës këtë shpjegim, megjithatë nuk shfaqi asnjë mendim të tij, veç lutjes që i bëri prof. Sofos:
-Mund të jetë edhe ashtu, por sidoqoftë, unë kam një lutje për ju: të më vini në dijeni për gjithë bisedën tuaj me prof. Kasimatin. Dakord?
Varet!- ju përgjigj ai duke e ndier veten në një pozitë të vështirë. Kjo përgjigje e dyshimtë është imponuar nga fakti se unë jam për vizitë private në Greqi, dhe personalisht nuk kam ndonjë kërkesë për të vizituar prof. Kasimatin.
-Ju do të shkoni në Ambasadë, apo jo? Po të shkoni në Ambasadë do t’ju njoftojnë edhe për ftesën e prof. J. K.
-Jo, unë nuk do të shkoj në ambasadë, nuk ka arsye të shkoj.
-Megjithatë, sido që të bëni, prof. Kasimati do të kërkojë takim me ju. Atë do ta njoftoj unë, ndërsa ju sonte do të qëndroni në këtë hotel, është prenotuar edhe dhoma juaj. Unë do të përgatis, një njoftim për shtypin, për ardhjen tuaj dhe për vendin ku pushoni. Jam shumë i sigurtë se prof. Kasimati do t’ju dërgojë menjëherë ftesën për t’ju takuar.
Gazetari kishte një bindje të palëkundshme për takimin e Sofos me J. K., por, gjatë shprehjes të këtij optimizmi, biseda e tyre pati një pauzë, fare “të rastësishme”, në vëmendje të krismave të rregullta të një pale takave, si të ishin tiktaket e një ore të madhe. Në hollin e hotelit, që ishte përballë kafes, kalonte një vajzë me krenarinë e bukurisë së saj. Ishte një krijesë e mahnitshme, që tërhoqi edhe vëmendjen e prof. Sofos. Kishte trup mesatar, por simetrik, të drejtë e të përsosur me kërkesat e ligjit të korrelacionit. Kishte lëkurë të hollë e të ndritshme jo vetëm në fytyrë, por edhe në llërët e saj të zbuluara, si dhe në kofshët që dukeshin deri në pjesën që mbulonte minifundi. Flokët, të verdha, në ngjyrë ari, i kishte të gjata e të lëshuara deri afër mesit. Për kombinim kishte veshur një bluzë të hollë ngjyrë rozë. Gazetarit nuk i shpëtoi shikimi i prof Sofos dhe e pyeti:
-Me sa shoh, ju pëlqeu, zoti Profesor. E quajnë Miss Athina, por ka edhe pakës gjak shqiptar. Është me origjinë nga fshati Perivol i Pindit, ku banojnë, në shumicë çobanë “farsherot”, me origjinë shqiptare. Babai i saj di edhe shqip. Tani gjendet në burg, i dënuar për shkak se vrau të shoqen për motive xhelozie. Kjo bukuroshe ka mbetur jetime, por jeton mirë, në këtë hotel me pesë yje!
-Po ju nga e dini që është “farsherot” babai i saj? – e pyeti Profesori.
-Kam ndjekur procesin e tij gjyqësor, ishte gjyq interesant.
-Ndërsa unë nuk e besoj që kjo të ketë origjinë çobane nga Perivoli – këmbënguli Sofua. Në Pind nuk mund të gjesh asnjë vajzë bjonde!
-Ah, profesor, këtu gabove. Është e vërtetë që në Pind vajzat janë brune, por në Athinë, ka mjete të tilla që u japin flokëve çdo ngjyrë: sot ti e shikon një vajzë brune, nesër bjonde e pasnesër gështenjë, apo jeshile…
-Me siguri që në Athinë gjenden edhe mjete të tilla, që sot i quan nga Pindi, nesër nga Athina e pasnesër nga Kreta! – ja ktheu me ironi prof. Sofua.
Ai nuk u përgjigj, por e gëlltiti ironinë me një buzëqeshje afirmative. Pastaj ai desh ta linte vetëm profesorin duke i thënë:
-Edhe ju jeni lodhur dhe kini nevojë për të pushuar, ndërsa unë duhet të shkoj në Redaksi, të dorëzoj materialet e planifikuara për t’u botuar nesër, duke përfshirë edhe një lajm të zgjeruar për vizitën tuaj në Athinë.
Gazetari donte që ta bënte paraprakisht të njohur këtë vizitë, në mënyrë që në numrat e ardhshëm, të siguronte lajmet sensacionale që parashikonte nga bisedat jo zyrtare që do të zhvillonte profesor Sofua me Këshilltarin e parë të kryeministrit grek, prof. J. K. Ky arsyetim konkurroi fillimisht në mendjen e Sofos, por pastaj u duk edhe më qartë qëllimi i vërtetë i këtij gazetari, si një pjesë e një mekanizmi shtetëror të ndërlikuar. Por gjithsesi, botimi i një lajmi të tillë i interesonte edhe prof. Sofos, se do të bënte të njohur vendbanimin e tij, për zotin J. K.
Profesor Sofua mori ashensorin dhe shkoi në dhomën e tij. Ai mbeti i mrekulluar qysh në shikimin e parë. Edhe pse kishte shëtitur gjithë Evropën jug-lindore, ai nuk kishte parë hotel kaq komod. Paradhoma e tij ishte 4/4 m2 dhe e pajisur me orenditë e nevojshme. Një tapet i tipit persian mbulonte tej e tej dhomën, mbi të cilin qëndronin kolltukët e butë, tavolinat luksoze dhe komodina e televizorit 28’. Kishte lule të shumta dhe abazhurë me ngjyra të ëmbla. Ndërsa dhoma e fjetjes ishte me të vërtetë një dhomë princërore, me një krevat dopio me rimeso arre, mbuluar me një copë të butë e të ndritshme; gjithashtu me komodina, dollapë e komo rimeso-arre, parketi i mbuluar me një tapet shumë të bukur. Përballë dalloheshin dy dyer. Njëra të çonte në kuzhinë, e pajisur me të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe një frigorifer plot e përplot me pije të ndryshme, me freskuese, çokollata etj. Ndërsa dera tjetër të çonte në WC, e pajisur me vaskë, dush e shumë mjete modern që profesor Sofua i shikonte për herë të parë dhe e ndiente të vështirë përdorimin e tyre. Dhe pikërisht nga banja e filloi. Ai desh të shtrihej në atë vaskë të shndritshme, ku do të gjente çlodhje dhe kënaqësi të vërtetë. Vendosi në vaskë tapën e shkarkimit dhe hapi rubinetin për ta mbushur me ujë, u çua dhe shkoi në krevat, i lehtësuar. Ai vendosi të mos dilte këtej as për të ngrenë darkë, sepse i dukej vetja i ngopur me atë pjatancë plot me karkaleca deti që kishte ngrënë në drekë. Ndoshta për të thyer urinë, mund edhe të përdorte, nga frigoriferi ndonjë pije freskuese, farëra të ndryshme apo ndonjë çokollatë. Hapi televizorin dhe ndali në një stacion që kishte në program këngë popullore greke. Pas tyre, në orën 10, ai mbeti i habitur kur dëgjoi lajmin: “Një personalitetit i lartë i drejtësisë shqiptare viziton Athinën”. Në lajm thuhej se nga burime të sigurta, mësohet se prof. Sofokli Mici, gjatë ditëve që do të qëndrojë në Athinë, do të vizitojë edhe personalitete të larta në qeverinë e Papandreut”.