Albspirit

Media/News/Publishing

Letra private/ Si iu propozua Esat Pashë Toptanit vendi i Ismail Qemalit

Pas shpalljes së pavarësisë Shqipëria kalon në momente të tjera akoma edhe më të vështira. Lufta e brendshme për zgjedhjen e formës së regjimit ndan personalitetet e kohës. Një moment kyç në këtë histori është përpjekja e Esat Pashë Toptanit për të marrë qeverisjen e vendit, dhe për të larguar Ismail Qemalin, po ashtu për të penguar edhe ardhjen e Princ Wiedit. Mbrojtësi i flaktë i Toptanit ishte Faik Konica për të cilin Mustafa Kruja nuk kursen “gjuhën”, letrat e të cilit vijnë pa asnjë censurë në botimin “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”, një tjetër botim skrupuloz i Eugjen Merlikës, nga arkivi vetjak me dokumente të Krujës. Dokumentet janë te renditura në tre grupe, që i referohen tri periudhave e ngjarjeve të ndryshme. Grupi i parë është më i bollshmi dhe paraqet dokumente të periudhës 1908 – 1914, i dyti me materiale të botuara në një libër artizanal në Romë më 1919 me titull “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes” dhe i treti titullohet “Përshpagimet shqiptare” dhe është marrë në Arkivin Qendror të Shtetit në dosjen e Mustafa Krujës, dokumenta të vitit 1941.

Grupi i parë i dokumenteve historikë, i përkasin një periudhe tashmë të largët, viteve 1908 – 1914, rreth njëqind vite të shkuara, një periudhë tepër e rëndësishme e qënies sonë si komb, para e mbas shpalljes së Pavarësisë e krijimit të të parit shtet shqiptar. Janë materiale të marra nga një botim i posaçëm i revistës Leka të vitit 1942, në kuadrin e 30-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Materialet përbëhen nga letra, telegrame, qarkore, thirrje, peticione, kërkesa të ndryshme që mbajnë firmat e gjithë protagonistëve t’atyre viteve e ngjarjeve të tyre. Nëpërmjet tyre lexuesi do të njihet me historinë e vërtetë t’asaj kohe shumë të trazuar, do të gjejë radiografinë e një realiteti, për të cilin ka mësuar shumë pak gjëra në shkollë. Do të ketë parasysh kuadrin e Shqipërisë së njëqind viteve më parë, problemet dramatike që përballonte çdo ditë në jetën e saj, shkëmbinjtë e stërmëdhenj që duhet të kapërcente në rrugën e saj, mundin titanik t’atyre bijve që u munduan t’i venë themelet.

“Përparësi e synimeve t’atdhetarëve e intelektualëve shqiptarë të kohës ishte bashkimi i përpjekjeve për të përcaktuar bazat e një gjuhe, që do t’ishte instrumenti kryesor i arsimimit të popullit e i forcimit të vetëdijes kombëtare të tij, kur prirjet autonomiste shfaqeshin me forcë. Në këtë drejtim punonin shoqëritë e Bashkimit, të krijuara pothuaj në të gjitha qytetet e mëdha, por edhe organet e shtypit shqiptar jashtë e brënda Vëndit. Më 1908 këto përpjekje arritën fazën e tyre kulmore me Kongresin e Manastirit, që caktoi, me shumicë dërmuese, shkronjat latine si të vetmet për të shkruar gjuhën shqipe.” Nga letrat lexuesi njihet me përpjekjet e fëmijëvë e të rinjve krutanë për të mësuar leximin dhe shkrimin e gjuhës së tyre. Dëshira e zelli ishin shumë të mëdhenj por, fatkeqësisht, mjetet ishin shumë të pakta, pothuaj të paqëna. Mungonin librat, abetaret, klasat, deri edhe vetë mësuesit. Megjithatë vullneti i kapërcente të gjitha mangësitë e të rinjtë arrinin të lexonin me ëndje gazetën “Liria” që Mithat Frashëri botonte në Selanik. Pikërisht n’atë vullnet të hekurt, n’atë dëshirë për të nxënë lindëte Shqipëria e ardhme. Ajo lindëte në luftë me shumë prej bijve të saj që, fatkeqësisht, proçesit tejet të rëndësishëm të përparimit të kombit i kundërvinin idetë e tyre konservatore dhe mosbesimin në aftësitë shtetformuese të popullit të tyre. Kështu veglorohej (strumentalizohej) padija e një pjese të mirë të popullit për të “ …çue mbë kâmbë fëmijët e shkollës fillore edhe ata të”Ruzhdijes”kundra gjuhës shqipe e klubit shqiptar “Bashkimi” tue shamë e poshtnuem mësuesit”. “Kanë kaluar njëqind vite që atëhere, e fakte të tilla edhe sot na bëjnë të skuqemi, por edhe të shtojmë nderimin për ata të pakët pionierë të përparimit, që vunë gurët e parë n’atë rrugë të vështirë.”

***

 Maj (?) 1913

            Avdi Bé Toptani nga Tirana qeverís së Përkohshme në Vlonë. Koncept telegrafe zyrtare . Tyrqisht. Proponime për zbërthimin e krizës së shkaktueme prej qëndrimit t’Esad Pashës.

Së Naltës Ministrí të Punvet të Mbrêndshme

Vlorë

 Nëpër dý rrugë ishim tue u mundue me i dalë para dasís së leme prej shkaqesh qi dijni: njâna tue shue këto shkaqe, dhe tjetra tue i bâmë këto vise qi t’anojnë kah nji qêndër e vetme e e përbashkët dhe tue qitun huq mundimet e kundërta. Por qe se kur na ishim tue u përpjekun në këtë mënyrë, ditën e mërkurë qi shkoi, na e befti Ahmet Begu me të tânë parsín e Mates e të Dibrës. Çâshtja u bâ tepër delikate. Tashti sheshi i punimit t’onë në rrugën e dytë u zgjânue. U shtuen dhe Matja e Dibra. Nuk lamë pa marrë asnji masë qi ishte njerzisht e mundun. Në këtë rasë na u qit përpara nji proponim për nji kuvênd të përgjithshëm. Nuk e shohim të nevojshme me u zgjatun përmbi qëllimet e vërteta e të pashfaquna të këtij proponimi e as me spjegue formën e parë me të cilën na u paraqit e qi ishte tepër e dâmshme e e rrezikshme. Veçse mbas trí dit bisedimesh e kuvêndimesh të gjata, në të cilat kanë shtrydhun trût sa kanë mundun, posë meje, edhe Fuad Beu, Murat Beu e Z. Mustafa, sidomos Kaçorri qi âsht mundue për këtë qëllim mâ shumë se të gjithë na dhe Ahmet Beu qi ka hŷmë në mes me nji mendim pajtues, tue marrë para sŷsh çëdo farë gjasash dhe pandehjesh, kemi gjetun si të vetmen rrugë për me pritun rreziqet, qi ndryshe kishin me na nodhun me doemos, pranimin e kuvêndit të përgjithshëm në nji formë e me kushte qi na ka marrë mêndja për të mirën e atdheut e qi janë këto:

1) Qeverija e Përkohshme të grijshë me u mbledhun përsërì dhe me të shpejtë Kuvêndin e përparshëm tue e quejtun se ka qênë në pushim.

2) Të gjejë mënyrën qi të marrin pjesë në Kuvênd edhe disa zotní, të cilët, ndonse njihen ndër elementat me rândsí të Shqipnís nga shumë pikëpamje, s’kanë pasë mundun të gjinden atje për shkaqe qi s‘ishin në dorë të kurrkuj.

3) Në Kuvênd të marrin pjesë edhe qeveritarët si delegetën.

4) Qëllimi kryesuer i Kuvêndit të jetë bashkimi i atyne elementave dhe pjesve të Shqipnís qi koha e kalueme dhe ndodhít e soçme i kanë largue prej shoqishoqit e bâmë si të huej ndërmjet tyne.

Qe në këto pika përmblidhet themeli i punës qi na kemi pranue e qi kemi bâmë të pranohet edhe prej anës tjetër. Përmbi hollsít kemi edhe shumë sende për të ju thânë. Sidomos kemi përpilue nji rradhue t’atyne zotnive qi duhet t’u shtohen misevet të përparshëm të Kuvêndit, të cilin duhet t’a pëlqejë Qeverija. Këtê kemi me Ju a paraqitun. Veçse pikë mâ të pari dhe pa humbun minutën âsht i nevojshëm kthimi i Ismail Beut. Po ju lutem n’emën t’atdheut me i telegrafue menjiherë. Dërgoni-i me të shpejtë nji telegrafë dhe me ndënshkrimin t’em tue i thânë se dashunija e atdheut duhet t’i imponojë kthimin me të parin vapor. Pres mâ para e pa durim nji përgjegje personale t’Uejën me telegrafë të cifrueme.

 

Radhoi i përmêndun në telegrafën e sipërme

 

Nga Shkodra

Muftiu dhe tre tjerë për t’u shenue,         4

Imzot Sereqi, Kryepeshkop i Shkodrës,  1

Nga Durrsi

»     Bumçi, Peshkop i Kallmetit,         1       Esad Pasha dhe pesë tjerë            6

»     Koleci,        »      i  Nenshatit        1

»     Shllaku,      »       i Pultit               1

Abati i Mirditës,                                       1        Nga Luma e Malsija e Gjakovës

Imzot Bianchi, Kryepeshkop i Durrsit,    1        Bajram Curri edhe dy tjerë,        3

Prenk Pasha,                                             1

Marka Gjoni,                                            1         Nga Kosova

Mana Begu i Leshes,                                1        Hasan Beg Prishtina dhe dy tjer, 3

Mustafë Aga i Pukës                                1

Zenel Aga i Iballes,                                  1         Nga Dibra e Madhe:

Gjithsej  vetë      15       Sheh Sula,                                   1

Nga Dibra e poshtër:                                         Nji prej Demallarve                     1

Jusuf Begu,                                               1         Ali Beu,                                      1

Elez Isufi,                                                 1         Gjithsej vetë                                3

Dy tjerë për t’u shënue                             2

Gjithsej vetë            4

Nga Elbasani:                                                      Nga Berati:

Akif Pasha                                               1          Omer Pasha                             1

Shefqet Beu                                             1          Aziz Pasha                               1

Dy tjerë për t’u shënue                              2          Syrja Beu                                1

Gjithsej vetë            4                                 Gjithsej vetë        3

 

4 qershuer 1913

 Ndërmjet Lef Nosit (Vlonë) e Mustafa Krujës (Tiranë), dhe Iljas Bé Vrionit (Vlonë) e Mustafa Krujës. Bisedim telegrafik. Tyrqisht.

 M.K. – Sigurisht do të keni dijení për sa i telegrafoi me cifra Avdi Béu Mufid Beut. A keni mirsín me më diftue shkurt e në nji mënyrë qi mund t’a marrim vesht vetëm na të dy se ç’mendoni ju mbi ato proponime ?

L.N. –  Rreth ksaj çâshtjeje kemi nji projekt të rì, por nuk âsht vêndosun edhe. Prandej po piqemi e flasim gjat’e gjânë aty kah mbrâmja.

Me kaqë Z. Lef Nosi lypet e shkon në Kshill Ministruer, dhe vjen Z. Iljaz Bé Vrioni:

I.V. –  Mufid Beu më dërgoi të merrem vesht me Jue mbi gjithça. Cifrarin e kam me vete. Urdhnoni.

M.K. – A dhatë ndonji vêndim mbi sa ju kemi proponue ?

I.V. – Jo, asnji vêndim edhe.

M.K. – Mufid Beu a për këtë çâshtje po vjen nesër këndej ? Apo për ndonji tjetër ? Në qoftë për këtê duhet të merremi vesht pakëz në mest t’onë para se të piqet me Pashën, ndryshe âsht në rrezik m’u gjetun i papërgatitun kundrejt tij.

I.V. – Udhtimi i Zit Ministër ka lidhje edhe me këtë çâshtje, prandej thuajnaj mendimin t’Uej.

M.K. – Mbi sa Ju kemi proponue nuk duhet me ngurrue e dyshue aspak. Sepse sa na ka ardhun prej dore e kemi mbyllun mirë çëdo shteg shpërdorimi. Por në qoftë se Qeverija ka ndër mênd të marrë masa tjera druem mos të bjerë në ndonji gabim, mbasi nuk e din sa duhet gjêndjen e këtushme. Prandej desha të dij mâ parë se ç’mendon Qeverija përmbi proponimin t’onë dhe ç’farë masash tjera ka ndër mênd të marrë. Vetëm kështu mund të dija se ç’me ju kshillue.

I.V. – Për dyshim e ngurrim s’ka vênd. Siç Ju thashë Qeverija s’ka vêndosun kurrgjâ ende. Prandej un s’kam se ç’ju diftoj. Ju diftonani se në ç’farë pikash mund të gabojë Qeverija dhe  vênani në rrjedhë të çëdo gjâje tjetër.

M.K. – Mirë se Qeverija si e tillë s’paska vêndue gjâ ende përmbi proponimin t’onë, po mendimin vetijak të Mufid Beut a mund t’a dijmë ? Në qoftë se as kaqë s’âsht gjâ qi mund të dihet, atëherë as un nuk dij ç’ju kshilloj, pse nuk mund t’a dij se ku ju qet nji rrugë qi s’njoh. Për tash pra un vetëm kaqë mund të Ju them: qi deri sa mos të keni folun me Avdi Bén apo me mue, duhet të qëndroni të rezervuem kundrejt Esad Pashës.

I.V. – Mendimin dhe kshillën t’Uej tash i a paraqes Zit Ministër dhe po i them se, po qe e mundun, të Ju a bâjë të njohun sonde mendimin e tij.

M.K. – Në qoftë se ka për t’ardhun nesër mbrâma, këtu po e presim. Ndryshe po i dalim para në Durrës. Duhet të shtoj, veç, se po vojtëm në Durrës nesër mbrâma na duhet të mbesim atje, mbasi s’âsht e mundun të vemi dhe të kthehemi për nji ditë. Me gjithë këtê vapori arrin heret në Durrës e pra na mund të presim urdhnat e tij prej Durrsi.

I.V. – Me sa dij un ai do të mbetet në Durrës. Nderime

  1. K. – Na po presim urdhën prej Durrsi. Nderime

 

22 qershuer 1913

            Hamid Bé Toptani prej Durrsi Mustafa Krujës në Vlonë. Letër private. Tyrqisht. E lajmon se po shkon atje për t’i raportue Qeverís me gojë gjêndjen e keqe.

 

Zit Mustafa Kruja

në Vlorë

Durrës, 9 Qershuer 329

Vlla i im,

Këndej po i kemi punët tepër keq. Sa po vete aqë mâ shumë po ndizen. Qeshë në Tiranë e kur u ktheva i shkrova Avdi Beut nji telegrafë të gjatë të cifrueme. Mirë po telat kishin qênë të preme e kështu telegrafa mbet pa u çue. Sod e mora prapë. Sa ku me i a shkrue me letër ato fjalë po më pëlqen me ardhun vetë aty. Sonde po nisem me vaporin “drita”  dhe nesër mbërrîj aty. Ju shkrova këta rrjeshta sa me ju lajmue. Të fala.

Hamid Toptani

Prefekt i Durrsit

 

27 korrik 1913

 Mahmut Beshiri Mustafa Krujës. Letër private. Tyrqisht. Faik Bé Konica me sa tjerë kundrështojnë në Tiranë kundra Vlonës.

 

Durrës, 27 korrik 1913

“…Flitet se në Tiranë po formohet nji partí kundrështare. Faik Bé Konica, Dervish Hima, Fazil Pashë Toptani dhe disa krenë tjerë gjinden atje…”

 

8 gusht 1913

Mahmut Beshiri Mustafa Krujës. Letër private. Tyrqisht. Prep kundrështime kundra Vlonës.

Durrës, 8 gusht 1913

“…. Pyetjeve qi më bâni po u përgjigjem këtu me rend:

1) Dorhekja e Hamid Beut  veç dy shkaqevet qi thoni ju, ka edhe nji të tretë, qi âsht ky: pse Esad Pasha i a nisi me u organizue porsa mbërrîni.

2) Qëllimi i atyne qi janë mbledhun në Tiranë, si më duket mue, âsht ndërrimi i Kabinetit. Ndër ta gjinden Faik Bé Konica, Fazil Pashë Toptani, Dervish Hima, Basrí Beg Dibra , Midat Bé Frashëri, Memduh bé Zavalani.

3) Edhe un i kam dhânë dum se Esad Pasha s’ka hjekun dorë nga intrigat. Ȃsht kundra Kabinetit. S’âsht i kënaqun prej ksaj Qeveríje. Ka ndër mênd me qitun shumë ngatrresa.

4) Hamid Beu merr pjesë n’intrigat e Esad Pashës. As qêndrimi i Avdi Beut s’âsht fort i mirë. Nuk duket antar i Kabinetit të soçëm. Por nuk mund t’a çëmoj se deri ku ka me përkrahun Esad Pashën

5) Mendimi i përgjithshëm âsht kundra Vlonës….”

 

16 gusht 1913 

            Mahmut Beshiri Mustafa Krujës. letër private . Tyrqisht. Nji pjesë e nacjonalistavet,  me Faik Bé Konicën në krye, i proponojnë Esadit vêndin e Ismajl Vlorës.

 

Durrës, 16 gusht 1913

“ ….. Kam kthye prej Tirane parmbrâmë…. Bejlerët qi janë mbledhun atje i proponuen Esad Pashës Kryesín e Kabinetit. Ky dorë për dorë s’e ka pranue. Veçse âsht lidhun me ta qi, po t’i mbushet mêndja me e pranue, jo vetëm qi merr mbi vete me e zbatue pikë për pikë programën  e tyne pesë nyjash, por edhe me e zbatue të tânë jo mâ gjatë se mbrênda gjashtë javësh. Në rasë të kundërt kishte me dhânë dorhjekjen. Qe shkurtas ajo programë: mos me dhânë konçesione, mos me lânë të shesë kush tokë  , mos me dhânë grada ushtarake dhe ato qi janë dhânë me i hjekun, me mbledhun Senatin , nëpunsit me i zgjedhun prej njerzve t’aftë e të ndershëm dhe me parapëlqim prej shkollarësh, dhe mâ në fund me emnue ministra të zotët. Këtë programë e kanë pëlqye edhe Avdi Beu e Midat Beu. Por që të dy janë kryekëput kundra kryesís s’Esad Pashës. Ata deshirojnë vetëm nji përmirsim të Kabinetit. Pra Avdi Beu s’âsht antar qi të formohet nji qeverí prej asish qi janë në Tiranë….

“….. Esad Pasha nesër mbrâma po niset për aty. Gjithashtu Avdi Beu. I pari ka deshir të madh qi Qeverija të përbaret në Durrës….”

 

11 shtatuer 1913

            Xhemal Belegu nga Durrsi Mustafa Krujës n’Elbasan. Letër private Tyrqisht. Esad Pasha, me cilsín e Ministrit të Mbrêndshëm qi ká në Qeverín e Përkohshme, i a ka nisun me spastrue vendin prej nëpunsish qi nesër mund të qesin pengime, e me mbledhun fuqí në Durrës.

                                                                                                  Durrës, 29 gusht 329

“….. Esad Pasha ka shkue prej Tirane në Rreth . Ditën vjen e e shkon këtu, në Pallat të Qeverís. Me urdhnin e tij u hoqën nga puna Kumandari i Gjindarmerís Z. Tajar Malezi dhe Komisari i Policís Tefik …….  Dje duel fjala se Pasha po ndahet prej Vlonës. Bile drejtorit të financavet i paska dhânë urdhën qi t’a presë korespondencën me atë Qeverí për sa i përket zyrës së tij…….

Nga katundet e ndënprefekturat e Durrsit po vijnë gjind t’armatisun. Siç flitet këta janë thërritun për t’u shkrue gjindarmë. U âsht dhânë për banesë depoja në lagjet të jevgjet. Deri tashti mund të jenë bâmë nja 60 – 70 vetë…….. “

 

21 shtatuer 1913

            Xhemal Belegu nga Durrsi Mustafa Krujës n’Elbasan. Letër private. Tyrqisht. Nji palë nacjonalista organizojnë nji meting të madh për t’i çelun rrugën shpalljes së qeverís s’Esad Toptanit në Shqipní të Mesme.

                                                                                                     Durrës, 10 shtatuer 329

“….. Natyrisht do t’a keshë marrë vesht punën e metingut të këtushëm. Kanë folë edhe gazetat gjat’e gjânë mbi tê. Flitet se nesër do të vijnë tre ministra të Qeverís së Vlonës për t’u marrë vesht me Esad Pashën. Thonë për Mufid Bén, Z. Petro Pogën dhe Aziz Pashë Vrionin. Qe këtu nji kopje të kërkesavet qi u bânë në meting:

  1. Qêndra e Qeverís të përbaret me doemos në Durrës për këto arsye: për me shtrîmë fuqín e saj përmbi malsít, tue qênë se nga Vlona nuk mund t’ushtrohet nji arhí e fortë mbi këto vise; dhe për me ruejtun nderin e Qeverís, mbasi atje në Vlorë Kryetari i saj po gjindet ndën influencën e bashkqytetarëvet të vet.
  2. Të formohet me të shpejtë nji kabinet i ri prej njerzish të zotët qi gzojnë besimin e popullit, tue u marrë vesht me Esad Pashën.
  3. Të mblidhet nji senat simbas nevojave të kombit e të qortohen dhe të përmirësohen ligjët.
  4. T’u hiqet vereja Fuqivet të Mëdhá mbi nevojën e zgjedhjes së mbretit nji or’e mâ parë e të kërkohet prej tyne qi të marrin për këtê masa të serta e të shpejta.
  5. Kabineti i ri, qi ka për të marrë në dorë shortet e kombit, hŷn ndën nji përgjegjsí morale e lândore. Prandej Qeverija e Përkohshme duhet t’i apë asaj hesapin e të të dalmeve dhe të gjithë veprimeve të saja gjatë kohës qi ka qênë në fuqí bashkë me gjithë aktet e dokumentat qi u përkasin; dhe në qoftë se ajo Qeverí ka dhânë konçesjone a ka bâmë lidhní qi cenojnë interesat e vêndit dhe janë në kundrështim me deshirin e përgjithshëm të popullit, me ligjët e arsyen, nji gjâ të këtilë nuk do t’a pranojë kurrsesi kombi e prandej duhet ndriçue e sigurue në mënyrë qi t’i mbushet mêndja e të sjellë besim të plotë.”

 

13 tetuer 1913

 “Pretorija” e Durrsit, Popullit. Shpallje. Tyrqisht. Programa e Qeverís së Shqipnís së Mesme me Esad Pashë Toptanin në krye.

            Në krye e në fund âsht e vulosun me nji vulë rrumbullake qi ka në mest shqipen dykrenshe dhe për qark fjalët “Pretorië e Durrësit”

 

Shrregullimin qi ka shkaktue Qeverija e Përkohshme e Vlorës në vênd, paligjsít dhe paudhsít e saja i din mbarë Evropa. Me gjithë këtê na shtrojmë para sŷve kujdesshëm pikat qi vijojnë.

Në shërbim të sigurimit janë shtí në punë shumë laro e gjaksorë dhe kështu ai përparim  e ajo rregull qi kanë pritun Shqiptarët prej regjimit të rí s’kanë mujtë m’u sendërtue e prandej gjithkush e ka humbun shpresën e besimin qi ka pasun n’atë qeverí.

Nëpunsit nuk janë zgjedhun prej njerzve të ndershëm e t’aftë dhe aqë sa ka qênë nevoja, por janë mbajtun në vênd zyrtarët e vjetër të regjimit tyrk dhe me rroga mâ të majme tue shkaktue rrenimin e bugjetit të këtij populli të vorfën për sod e nesër.

Deri tashti nuk âsht botue asnji dokument mbi t’ardhunat e të prishunat e Shtetit, populli âsht lânë në t’errët mbi këtë pikë e kjo punë e ka shtue mâ tepër mosbesimin e tij.

Qeverija e Vlorës quhet e Përkohshme. Por me gjithë këtê s’i a ka pritue aspak me dhânë konçesione qi kanë të bâjnë me përtardhmen e kombit, me ekonomín e tij e me punët botore, tue shpërdorue në këtë mënyrë besimin e popullit. Nji qeverí e përkohshme s’ka të drejtë e kompetencë me dhânë konçesjone. Historija e botës nuk na tregon nji qeverí të përkohëshme qi të ketë guxue me prishun përtardhmen e popullit të vet me konçesjone.

Qeverija e Vlorës po të kishte marrë para sŷsh psyhologjín e popullit shqiptar duhej t’a kishte kuptue se lumnija e bashkimi i tij nuk mund të sigurohej veçse me nji princ në krye.. Por asnji hapë s’ka bâmë deri tash ke Fuqít e Mëdhá për zgjedhjen e dërgimin e mbretit. Kjo provon se i pëlqen gjêndja kaotike e soçme qi të mundet kështu me sundue vetë si t’i dojë qejfi.

Ky popull ka bâmë shumë metingje për me protestue kundra Ismail – Kemal Beut për këto veprime e shpërdorime qi kanë për qëllim me çue ne vênd lakmít vetijake e me sigurue interesat e veçanta të tija. E ka imtue me ndërrue udhë e me vûmë për fije punët e atdheut. Por kërkesat e drejta të popullit nuk u ndëgjuen. As përgjegje bile s’i dha kush kurrë. Mbrapshtít u shtuen. U pa nevoja tashmâ me i dhânë fund ksaj gjêndjeje. Sikur t’ishim përpara nji qeverije të rregullt e të kishim nji parlament, sigurisht njerzit e saj do t’ishin marrë në gjyq dhe vêndet e tyne do t’i kishin zânë ata qi t’i meritojshin për zotsí e aftí. Por mjerisht deri sod Shqipnija âsht zhytun  në shrregullim. Prandej mbë nj’anë u muerën masa për me i çelun sŷt Qeverís me protesta e me e çue në rrugë të drejtë dhe mb’anë tjetër u bânë mundime me u premë vrullin të ligavet qi ka shkaktue anarqija. Mirë po thirrjet qi i u drejtuen nuk i bânë asnji efekt Vlonës. Mosbesimi e pakënaqsija e popullit u shtuen. Prandej edhe shumë të këqija tjera kishte gjasë qi të lejshin nga kjo gjêndje. Nuk u gjet pra tjetër rrugë shpëtimi veçse…..(këtu ka fjalë qi koha i ka   shlye n’origjinalin e prandej përkthimi i kësaj fraze nuk mund u mbarue. Kështu me pika do t’i shkojmë kudo frazat e paplotueme po për këtë shkak). Parsíja e intelektualët e Shqipnís së mesme, dmth. të Durrsit,…. të Krús, të Tiranës, të Peqinit e të Mates me rrethet e tyne, qi gjinden ndërmjet ujit të Mates e lumit të Shkumbînit, tue pamë se vetëm me pushkë mund të rrëzohej nji qeverí qi përbuz pa tjetër e pa diftue asnji shkak e arsye deshiret e kërkesat e popullit, por tue mendue edhe se gjaku qi do të derdhej kishte për të shkaktue nji dasí të përjetëshme e n’anë tjetër tue mos e pasun as jetën e vet të sigurtë me këtë qeverí, u mblodhën në Kuvênd dhe simbas traditave t’ona kombtare zgjodhën nji krye e nji pleqsí për me matarue punët e popullit. Programa e ksaj qeverije përmblidhet në pikat qi vijojnë:

  1. Pleqsíja quhet Senati i Shqipnís së mesme. Ka me mbetun në fuqí deri ditën qi do të vijë Princi. Kur ka për t’i marrë vetë Mbreti në dorë frêjt e Shtetit, senati do t’i paraqesë qeverís ligjore të formueme prej tij llogarín e veprimevet të veta.
  2. Qeverija e Shqipnís së Mesme, tue qênë e bindun se pikë së pari bashkimi i gjithë Shqipnís dhe mbasandej formimi i nji qeverije ligjore e të rregullshme varet kryekëput n’ardhjen e Princit, do të marrë masa për me i tërhjekun verén Fuqivet të Mëdhá mbi nevojën e zgjedhjes e të dërgimit të tij sa mâ shpejt.
  3. Pleqsija e bashkueme e Shqipnís së mesme do t’i matarojë me kujdes t’ardhunat e vêndit; veç rrogave të zyrtarvet do të paguej po me këto edhe disa punë botore të nguçme e të domosdoshme, pa marrë asnji pare hua e pa dhânë asnji konçesion me çëdo farë kushtesh qi të jetë.
  4. S’ka për t’i njohun n’asnji mënyrë veprimet e deritashme as të mbas tashme të qeverís së Vlorës e as konçesjonet qi ka dhânë ajo për interesa vetijake.
  5. Qeverija e Shqipnís së mesme u shpall me të tânë sinqeritetin e saj gjithë shtetasve shqiptarë edhe Fuqivet të Mëdhá t’Evropës se nuk ushqen asnji mendim pavarsije, se nuk mendon e nuk deshiron të dahet prej Shqipnís tjetër, se e quen vêndin qi qeveris nji pjesë të padame të Shtetit shqiptar të sundueme prej Princit porsa të ketë ardhun e prej qeverís ligjore të formueme prej tij, se âsht gati me i dhânë hesap kurdoherë kshillit kontrollues t’Evropës dhe në këtë mënyrë ajo provon se âsht nji pjesë e Shqipnís së padame.
  6. Senati i Shqipnís së mesme gjithë këto vêndime do t’u a kumtojë telegrafisht Fuqivet të Mëdhá dhe popullit me anë leçísh të shkrueme e të varme ku âsht nevoja e ku e lyp zakoni. Qeverija e Shqipnís së mesme e din se për këtë barrë qi ka marrë përmbi vete ka për t’u bâmë shênj shpifjesh nga ana e atyne qi u cenohen interesat. Veçse ajo e siguron Evropën e paanshme me gjithë sinqeritetin e saj qi ky veprim s’ka qëllim kryengritës. Sikur t’i kishte pasë pranue qeverija e Vlorës proponimet t’ona s’do të kishte mbetun nevojë aspak për këtë. Sikur të kishte pasun në Vlorë nji qeverí si duhet nuk do t’ishin formue administrata të veçanta në Lesh, Mirditë  e Shëngjin. Duem me thânë se kjo trajtë qeverije e formueme në Shqipní të mesme nuk mund të numrohet si… Programa e jonë âsht e qartë e s’lên vênd për kurrfarë dyshimi. Shpresojmë se kjo rrugë qi kemi zgjedhun për të shpëtue atdhén do të pëlqehet  nga ana e gjithë njerëzvet të ndërgjegjshëm e se në Shqipní të mesme kanë për t’u pamë me të shpejtë efektet e mira të ksaj mase të lavdueshme e gjithë të ligat e përparshme kanë për t’u zhdukun. Ftojmë gjith’ata zotní qi kritikojnë programën t’onë ase kanë ndonji dyshim për sa i përket mënyrës së trajtimit t’onë, i ftojmë ata zotní të bâjnë nji udhtim nëpër këtë vênd e të vizitojnë katundet mâ të largta të tij për me pamë me sŷ të vet qetín qi mbretnon e me bâmë nji krahashim ndërmjet kënaqësís qi dëften populli sod e ankimeve të djeshme të tija.Tue pamë mbarshtimin e keq të qeverís së Vlorës, jo veç populli i Shqipnís së mesme ndërmjet Shkumbînit e Mates, por deri Berati e madje deri nji pjesë intelektuale e Vlorës kanë dashun t’i çelin sŷt Qeverís me protestat e tyne e kanë qênë kryekëput në mêndimin t’onë. Por ç’mund të bâjnë ato vise të mjera qi po rënkojnë ndën grushtin e tëmershëm të kriminelave qi ka marrë në shërbim të vet Qeveríja ? Për së shpejti ka me shkëlqye në Shqipní të mesme dielli i drejtís e i përparimit dhe dalkadalë ka për të tërhjekun kah na gjithë bashkatdhetarët t’anë qi kanë për t’ardhun me deshir të plotë.

Me 30 shtatuer 1329 e 13 tetuer 1913 

 

14 dhetuer 1913 

            Avdi Bé Toptani nga Tirana Mustafa Krujës n’Elbasan. Letër private. Tyrqisht. Propagandë për princ mysliman e kundra Wiedit; ndër propagandistat janë edhè Faik Bé Konica e Fadil Bé Toptani.

 

Tiranë, 2 Shëndrè 329

Vllai i im Z. Mustafa Kruja,

Letrën t’uej me 9 /11/ 329 e kam marrë. Por deri tashti s’m’âsht bâ me ju shkrue gjâ. Zati s’kam pasë as ç’me ju shkrue. E dijni qi âsht emnue Princ Wiedi, i cili ka me ardhun për së shpejti. Po shfaqet nevoja e dërgimit të nji dërgate në Gjermaní për t’i u paraqitun Princit nga ana e gjithë Shqipnís. Dhe këtu kanë ndërmênd të më çojnë mue. Ç’flitet aty n’Elbasan për Princin ? Në qoftë nevoja a thue kishin me çue edhe andej delegat ? Si shkojnë punët përgjithsisht aty ? Pres këto lajme prej jush bashkë me mendimin t’uej. Kundra Princit ka nisë m’u zhvillue nji propagandë prej disa anësh. Sidomos në Shkodër, në Mat dhe atyne rretheve janë tue u sjellë propagandista për nji princ mysliman. Deri Fadil Pasha (Toptani) e Faik Beu (Konica), me gjithë qi Princi tashmâ âsht shênjue, s’prâjnë tue bâmë propagandë për princ mysliman. Për këtë shkak i dëbuen prej Durrsi…..

Abdi Toptani

 

23 fruer 1914

Mahmut Beshiri Mustafa Krujës. Letër private. Tyrqisht. Zyrtarë të pallatit kanë fillue të mbërrîjnë në Durrës; dergata shqiptare po niset për në Neu – Wied.

 

Durrës , 10 shkurt 329

“…….. Princi mbrênda këtyne tri javëve do të gjindet në Durrës. Kumandari i Pallatit, doktori, disa sekretarë dhe gjelltarë mbërrînë me vaporin e soçëm. Esad Pasha deri nesër mbrâma mbetet kryetar i Senatit. Ditën e ênjte në mëngjes niset me dërgatën……”

Please follow and like us: