Albspirit

Media/News/Publishing

Mafioz dhe talent muzikor: 101 vite më parë lindte Frank Sinatra

Është legjenda, por është edhe realiteti. Në legjendë, kur lideri sovjetik Nikita Hrushov vizitoi Hollywood në 1959 kërkoi të takonte Marilyn Monroe, pa bashkëshortin, shkrimtarin Arthur Miller, i dyshuar se ishte komunist.

Ndërsa bashkëshortja Hrushovit, Nina, kërkon të shëtisë nëpër Los Anxheles me Frank Sinatran, por këngëtari italoamerikan ngurron, atëherë i takon presidentit të ardhshëm të SHBA-ve, miku i tij John Kennedy, që ta bindte.

Në realitet, Bruce Springsteen, Boss i këngës së re, i lindur si Sinatra në Nju Xhersi, pëlqen të përsërisë: “Mamaja ime, kur isha i vogël, dhe kur zëri i muzikës së Sonatrës dëgjohej në rrugë, më thoshte më zë të ulët: Mos harro, edhe Sinatra, ashtu si ti ka lindur në Nju Xhersi”.

Mes mitit dhe realitetit

Për të kujtuar 101-vjetorin e lindjes së Frank Sinatras, 12 dhjetor 1915 – 14 maj 1998, është e vështirë të ndash mitin me realitetin të “The Voice” siç thërritet në Itali, “Ol’ Blue Eyes” në Amerikë.

Është e vështirë të kuptosh një artist që për 63 vite spektakël shiti 150 milionë disqe, duke interpretuar 2200 këngë në 60 albume dhe ka fituar dhjetëra çmime.

Por ka diçka në jetën e Sinatras që ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e publikut: miqësia e tij me mafian.

Mafia

Sinatra dhe banda e kriminelëve, është një histori e vjetër dhe shumë e gjatë dhe ndoshta shumë më intriguese nga ç’mund të mendohet. Njerëzit kanë menduar se nga ai mund të nxirrnin histori e ngjarje mafioze nga më të ndryshmet, ndërkohë që vetë Sinatra mendonte se histeria e publikut dhe etja për lajme sensacionale e kishte ekzagjeruar tejmase çështjen e tij dhe kishte krijuar histori nga hiçi. Ai thoshte se fakti që ishte një njeri i famshëm i showbiz-it, e bënte të pamundur tentativën për t’u larguar nga thashethemet dhe nga gangsterët e kohës.

Megjithatë, më afër të vërtetës është të thuash se Sinatra gjatë gjithë karrierës së tij ka bërë të pamundurën për të qenë pranë tyre dhe jo për t’iu larguar. Ai fluturoi për në Havana në vitin 1946 për të ndjekur një event kriminal për Lucky Luciano, i cili në atë kohë priste të dëbohej përsëri për në Itali pasi ishte liruar me kusht nga dënimi që kishte marrë për prostitucion të organizuar. Më pas, kur Luciano ishte larg shtëpisë së tij në Napoli, policia italiane gjeti në shtëpi një kuti të artë për të mbajtur duhan ku ishin gdhendur fjalët: “Për mikun tim të shtrenjtë Lucky, nga miku i tij Frank Sinatra”.

Gjatë investigimit Kefauver, Sinatra u mor në pyetje paraprakisht nga këshilltari i komitetit Joseph L. Nellis për të vendosur nëse ai duhet të thirrej për të dëshmuar. Në një mbledhje të mbajtur në orën 4 të mëngjesit në katin e fundit të qendrës Rockefeller, Sinatra u mor në pyetje rreth gangsterëve dhe mafiozëve që njihte ose që eventualisht mund t’i kishte edhe miq dhe ai kishte bërë të ditur se i “njihte”, i “kishte parë”, i kishte thënë “përshëndetje” apo “mirupafshim” një liste jashtë mase shumë të gjatë, ndoshta edhe jo të plotë, të mafiozëve më të njohur dhe më të rrezikshëm siç janë: Lucky Luciano; vëllezërit Fischetti, Joe, Rocco dhe Charles, kushërinj të Al Capones dhe superfuqive të grupeve të organizuara në Chicago, siç janë: Meyer Lansky; Frank Costello; Joe Adonis; Longy Zëillman; Willie Moretti; Jerry Catena dhe Bugsy Siegel. Si përfundim, komiteti Kefauver nuk e thirri Sinatrën për të dëshmuar në seancën gjyqësore. Në një kohë kur karriera e tij ishte në rënie, komiteti mendoi se nuk kishte asnjë arsye reale apo nevojë të madhe për të përdhosur emrin e tij në publik apo ndoshta për t’i dhënë fund karrierës së një miti. Megjithatë, në atë vendim që u mor ishte i padyshueshëm fakti, ose ndoshta pjesëtarët e komitetit në atë kohë nuk e dinin, që Sinatra ishte diçka më shumë se sa një “lodër” personale e Mafias. Joe E. Lewis dhe Jimmy Durante e cilësonin sjelljen e tij shumë më tepër se gatishmëri.

Pas seancave të shqyrtimit, karriera e Sinatrës mori jetë përsëri dhe ai vazhdoi të mbetej i lidhur me mafiozët, por ishte e vështirë të kuptoje nëse ishte Sinatra ai që u ngjitej atyre apo ata nuk e linin të qetë atë. Në fakt, nuk përjashtohet fakti se të dyja palët kanë përfituar herë pas herë diçka nga njëri-tjetri. Ralph Salerno, një specialist i krimit të organizuar, i cili më parë kishte shërbyer për Departamentin e Policisë së New Yorkut, shqetësohej më shumë kur vërente se njerëzit, duke e ditur që Sinatra ishte mik me presidentë dhe mbretër, arrinin të mendonin se edhe shokët e tij gangsterë mund të ishin në rregull. “Ky është thjesht një shërbim që Sinatra i kryen miqve të tij gangsterë”, thonte Salerno. “Ju mendoni se një person si Frank nuk do të arrinte kurrë ta bënte këtë, por ja që e bën. E bën dhe nuk i intereson opinioni publik”. Në të njëjtën mënyrë është shprehur dhe Nicholas Cage për të, duke thënë se, “është thjesht një i punësuar me shanse jo të barabarta në kompaninë e Mafias”.

Faktikisht, mafiozët kanë arritur ta përdorin disa herë Sinatrën dhe maskimin e tij prej personi publik. Kur Doc Stacher, bashkëpunëtor i ngushtë i Meyer Lansky, po ndërtonte Stands në Las Vegas, i tha intervistuesve disa vjet më vonë, “ne…i shitëm Frank Sinatrës një kuotë prej 9 përqind të hotelit. Ai u kënaq shumë nga ftesa jonë, por qëllimi real ishte që ta bënim atë të performonte atje, pasi në Las Vegas nuk ka shumë audiencë. Kur Frankie filloi të performonte hoteli u mbush me të vërtetë plot”.

Miku i parë gangster i Sinatrës, duket se ka qenë Willie Moretti, një shantazhist nga New Jersey, trafikant i lëndëve narkotike dhe vrasës. Moretti, gjithashtu i njohur si Willie Moore, filloi të krijonte simpati për mikun e tij nga New Jersey, gjithashtu dhe e ndihmoi atë që të linte takime me disa banda muzikore kur Sinatra luftonte për emër dhe për disa qindarka në klubet periferike.

Më pas Sinatra arriti të regjistronte këngën e tij të parë hit së bashku me Harry James në vitin 1939, “All or Nothing at All” dhe nisi të punonte për Tommy Dorsey për 125 dollarë në javë, që në atë kohë dukej si një rrogë e jashtëzakonshme. Shumë shpejt u krijua një mit rreth Sinatrës dhe Dorsey-t, të cilët ishin ndarë, por vazhdonin të ishin miq të mirë. “Armiq të betuar” do të kishte qenë në fakt përshkrimi adeguat. Popullariteti i Sinatrës filloi të ngjitej lart në qiell. Vajzat më të bukura e ndiqnin këmba-këmbës gjithandej. Ai donte medoemos të largohej nga Dorsey dhe historia kriminale thotë se Willie Moretti kishte shkuar ta shpëtonte. Thuhet se Moretti kishte arritur të siguronte largimin e liderit Sinatra nga banda muzikore, duke e bindur Dorsey-n me metodat e tij mafioze, pra duke i vënë atij një pistoletë në ballë. Më pas u bë edhe pazari i famshëm, nga i cili Dorsey arriti të fitonte 1$ për t’i shitur Sinatrës të gjithë kontaktet e tij.

Moretti pra e ka ndihmuar dhe ka ndjekur hap pas hapi mbarëvajtjen e karrierës së mikut të tij dhe ka bërë çdo gjë të nevojshme për hir të krijimit të mitit Sinatra. Megjithatë, Moretti gjithashtu e ndëshkonte herë pas here këngëtarin e tij të përkëdhelur. Në kohën kur martesa e parë e Sinatrës me Nancy-n, po shkonte keq e më keq dhe ai po planifikonte të martohej me Ava Gardner, mafiozi i dërgoi një telegram ku shkruhej: “Jam shumë i çuditur për lajmet që kam lexuar nëpër gazeta rreth asaj çfarë po ndodh midis teje dhe gruas tënde të dashur. Ki kujdes dhe mos harro që ke një grua të nderuar dhe fëmijë. Duhet të jesh shumë i lumtur për këtë. Gjithë të mirat. Willie Moore”.

Më pas, ndodhi që Sinatra nuk pati as kohë që t’i kundërvihej Morettit, i cili kishte marrë përsipër të drejtonte jetën e tij. Gangsteri u ekzekutua nga Mafia. Me sa duket, Moretti kishte kohë që vuante nga një stad i zhvilluar të sifilisit, që i kishte prekur edhe pjesën më të madhe të trurit. Në atë kohë mafia kishte frikë se ai nuk ishte më aq i kthjellët dhe se po tregonte më tepër seç duhej rreth operacioneve mafioze.

Në vitet e ardhshme, emri i Sinatrës është bashkangjitur jo pak herë me emrat e mafiozëve më të rrezikshëm, veçanërisht Sam Giancana dhe Johnny Roselli, kryemafiozët e Chicago-s. Sinatra u zu shumë ngushtë me një fotografi të publikuar në të gjitha gazetat ku shfaqej ai me dorën hedhur në supin e Lucianos në kohën e mbledhjes famëkeqe në Havana. Në vitet e mëpasshme u publikuan gjithashtu një numër i madh fotografish të tjera ku shfaqej superylli në dhomën e zhveshjes së Teatrit të Premierave në Westchester, New York në shoqërinë e famozëve si për shembull Carlo Gambino, vrasës me pagesë dhe informator, Jimmy Fratiano dhe gjithashtu tre mafiozë të tjerë, të cilët më pas u dënuan nën akuzat e mashtrimit dhe sekuestrimit të të ardhurave të zyrës së shitjeve të teatrit.

Në vitin 1985, karikaturisti Garry Trudeau vizatoi një tribut për Frank Sinatrën nga Presidenti Ronald Reagan dhe i bashkangjiti karikaturës së tij edhe fotot e publikuara nëpër gazeta të Sinatrës së Teatrin Westchester. I xhindosur, Sinatra bërë një deklaratë për shtyp nëpërmjet firmës së tij personale të marrëdhënieve publike: “Garry Trudeau nxjerr bukën e gojës, duke tentuar të bëjë humor pa marrë parasysh se çfarë është e drejtë apo çfarë është mirësjellja. Nuk e di nëse ka bërë ndonjëherë në jetën e tij diçka në interes të të tjerëve ose nëse ka bërë ndonjë tentativë të ndihmojë njerëzit më pak fatlumë se ai në këtë vend apo kudo. Jam i lumtur që Presidenti dhe qytetarët e Shteteve të Bashkuara më gjykojnë në bazë të gjurmëve që kam lënë pas gjatë jetës time”.

Gjatë viteve që pasuan, Sinatra ishte po aq i afërt me presidentët dhe kandidatët presidencialë aq sa ishte edhe me mafiozët. Ai kishte një lidhje të veçantë dhe të ngushtë me John Kennedy-n (deri në ditën kur Robert Kennedy e dëboi nga Shtëpia e Bardhë, pasi kishte investiguar të kaluarën e tij), Hubert Humphrey (i cili kishte planifikuar për të disa koncerte të ndryshme për mbledhje fondesh, por e largoi Sinatrën pa shumë zhurmë gjatë fushatës së tij në vitin 1968, pas një artikulli të publikuar në Wall Street Journal, ku përmendeshin disa nga marrëdhëniet e tij me botën kriminale), Richard Nixon, Spiro Agnew, Gerald Ford dhe natyrisht, Presidenti Reagan.

Jimmy Fratiano, i njohur ndryshe si Jimmy “karoseli”, pasi u bë informator, duket se ishte tepër i shqetësuar për furinë e sulmeve mediatike kundër Sinatrës, duke propaganduar se ishte një superyll që nuk mund t’i përdhosej reputacioni. Sipas Fratianos, “mbrojtësi” i Sinatrës, Jilly Rizzo i ishte afruar një ditë dhe i ishte ankuar për një ish-badigard, të cilin Sinatra e kishte pushuar pak kohë më parë, duke i thënë se ai ishte personi që spiunonte dhe i dërgonte gazetave materialet javore rreth tij. Thashethemet thonin se ky person, i quajtur Andy “Banjo” Celentano, po shkruante një libër rreth Sinatrës. “Karoseli” citoi Rizzo-n, i cili kishte thënë: “Ne duam që ky person të ndalohet një herë e përgjithmonë”, duke nënkuptuar që Celentanos duhet t’i priheshin të dyja këmbët dhe të çohej në spital. “Le të shohim nëse në këtë mënyrë arrin të zërë mend”. Fratiano sigurisht e pranoi detyrën për të vëzhguar Celentanon, por as ai dhe as një mafioz tjetër në Kaliforni nuk arriti dot kurrë të gjente vendndodhjen e tij. Megjithatë, Celentano i zgjidhi vetë të gjitha problemet e tyre, duke pësuar një atak kardiak nga i cili vdiq më 8 tetor 1977.

Vite më pas, Jimmy Fratiano pati një proces gjyqësor shumë të kënaqshëm pas informacioneve që i serviri prokurorëve dhe u zhgënjye shumë pasi gjykata shfaqi një vëmendje shumë të vogël për këtë çështje. Nuk kishte asnjë provë që të lidhte Sinatrën dhe avokatët federalë nuk u treguan shumë të interesuar në ndjekjen e Jilly Rizzo-s. “Në këtë rast”, një avokat federal i tha Fratianos, “kemi një shans të fusim bosat në burg. Këto janë shanse që vijnë vetëm një herë në jetë. Me një dëshmi të një informatori të brendshëm, ekspozimi i tepërt mund të jetë si një sëmundje vdekjeprurëse”.

Në këtë mënyrë, qeveria po i tregonte Fratianos me butësi se nuk ekzistonte asnjë çështje ligjore dhe se nuk do ta lejonin të dilte nëpër gazeta dhe të ushqente titujt kryesorë për të krijuar skandale. Ndryshe nga episodi i padëshirueshëm që ndodhi me karikaturistin Trudeau, Sinatra nuk shfaqi asnjë shenjë inati apo mërie kur vrasësi me pagesë, Fratiano, përshkroi me detaje të gjitha incidentet që e lidhnin emrin e Sinatrës me kryemafiozat në librin e tij “Mafiozi i fundit”.

Please follow and like us: