Mary Tudor, historia e përgjakshme e një mbretëreshe
Mbretëresha e Anglisë, Mary Tudor, lindi më 18 shkurt 1516, në Greenwich, Angli. Ishte fëmija i vetëm i mbretit Henry VIII dhe Catherine-ës së Aragonës. Mary e mori fronin në vitin 1553, duke sunduar si mbretëresha e parë në fron e Anglisë dhe Irlandës. Duke kërkuar të kthejë Anglinë te kisha katolike, ajo persekutoi qindra protestantë duke marrë nofkën “Bloody Mary” (Mary e përgjakshme). Ajo vdiq në Londër më 17 nëntor 1558.
Mary Tudor u pagëzua si katolike menjëherë pas lindjes. Me ndihmën e nënës së saj dhe dijetarëve, ajo shkëlqeu në muzikë dhe gjuhë. Në vitin 1525, Henry e quajti atë Princeshën e Wales-it dhe e çoi të bijën të jetonte në kufi të Wales-it, ndërsa vazhdimisht përpiqej për të negociuar një martesë për të.
Frustruar nga mungesa e një trashëgimtari mashkull, në vitin 1533 Henry i dha fund martesës me Catherine-ën duke pretenduar se për shkak se ishte martuar me gruan e vëllait të tij të ndjerë, martesa ishte një lloj inçesti. Ai prishi marrëdhëniet me kishën katolike, themeloi kishën anglikane dhe u martua me një nga shërbëtorët e Catherine-ën, Anne Boleyn. Pasi Boleyn solli në jetë Elizabeth-ën, Mary ishte në presion të vazhdueshëm për fronin ndërsa sfida për të ishte e hapur.
Nga viti 1527, babai i Mary-t, Henry VIII, kishte vendosur të shijonte martesën me Anne Boleyn, që rezultoi të ishte e përkohëshme. Por Mary mbajti anën e nënës së saj Catherine e Aragonës, kur Henry i dha fund martesës së parë. Ai bëri të pamundurën ta largonte nga e ëma, dhe Mary ishte 15 vjeç kur pa nënën e saj për herë të fundit.
Edhe pasi Henry deklaroi të pavlefshme martesën me Catherine-ën, e konsideroi Mary-n fëmijë të jashtëligjshëm duke i hequr titullin princeshë. Sërish nuk i la të takoheshin kur mësoi se nënë e bijë kundërshtonin vazhdimisht veprimet e tij. Kur Mary u sëmur në vitin 1535, Catherine iu lut që ta shihte vajzën e saj, por kërkesa u hodh poshtë.
Mary dhe Catherine mbajtën kontakt vetëm përmes letrave (në fshehtësi sepse Henry e kish ndaluar edhe këtë gjë), por u ruajt me sukses për katër vite. “Bija ime, ka ardhur koha dhe Perëndia i Plotfuqishëm do ta provojë këtë. Kam besim se Mbreti, babai yt, do të trajtojë me dashuri. Të lutem bija ime e mirë, pranoje gëzimin e tij dhe ai nuk do të lejojë të të humbasë nëse tregohesh e kujdesshme për të mos e fyer.Vajza ime e mirë, sidoqoftë, mos u mundo të më shkruash, sepse nëse do mundem do të të shkruaj unë.Nëna jote e dashur.”
Katerina vdiq më 7 janar 1536. Për të rregulluar marrëdhënien me babain e saj, Mary shpesh i shkruante letra ndjese. “Gjunjëzimi më i përulur përpara këmbëve të madhërisë suaj, kaq besnik dhe i bindur, i cili u ndje mjaft i fyer, që zemra ime gur dhe e frikësuar nuk më lejoi t’ju thërras baba. Nuk meritoj asgjë nga madhështia juaj.”
Henry planifikoi ekzekutimin e Anne Boleyn në vitin 1536 për arsye tradhëtie dhe u martua me gruan e tretë, Jane Seymour, që më në fund i dha atij një djalë, Eduard-in, i cili sundoi shumë pak pasi në moshën 15 vjeçare, në vitin 1553, ai do të vdiste.
Pas vdekjes së Eduardit, Mary sfidoi dhe rrëzoi me sukses mbretëreshën e re Lady Jane Grey, mbesën e motrës së vogël të Henry-t, që ishte vendosur në fron sipas një marrëveshje të fshehtë të Eduard-it dhe këshilltarëve të tij. Mary mori fronin duke pranuar dualizmin fetar në vendin e saj, por dëshpërimisht dëshironte të kthente Anglinë te katolicizmi. Mary ishte 37 vjeç në kohën kur hipi në fron. Kishte nevojë për një trashëgimtar katolik për të shmangur ndryshimin e reformave të saj. Për të arritur këtë qëllim, ajo vendos të martohet me Philip-in e II të Spanjës. Pas martesës, presioni ishte i jashtëzakonshëm për të pasur një trashëgimtar. Jo vetëm që donte të gëzonte Philip-in, por e dinte se nëse nuk do të sillte një jetë sundimtarin e ardhshëm të Anglisë, gjysmë-motra e saj Elizabeth ishte në radhë për fronin. Në këto rrethana, Mary përjetoi dy shtatzëni të rreme, në vitin 1555 dhe 1558. Në vitin 1987, në artikullin e gazetës së Shoqërisë Mbretërore të Mjekësisë, u shkrua se Mary mund të ketë patur prolaktinomë e cila ka bërë që Mary të duket se ishte shtatzënë.
Mary-t iu vu pseudonimi Bloody Mary (Mary e përgjakshme), sepse rreth 300 protestantë u dogjën si heretikë gjatë sundimit të saj. Nën sundimin e Henry-t të VIII u dogjën 81 ndërsa nën sundimin e Elizabeth-ës së I, vetëm 5.
Megjithatë Mary duket më pak e përgjakshme kur krahasohet me babain e saj i cili kur ishte në fron rreth 72 mijë njerëz u ekzekutuan. Pa dyshim, ai sundoi më gjatë se Mary – 38 vjet krahasuar me 5 – por shkalla e vrasjeve eklipson atë të Mary-t.
Mary Tudor vdiq më 17 nëntor 1558. Philip-i, përmes ambasadorit të tij, propozoi për martesë Elizabeth-en e I në fillim të vitit 1559. Ai e pa këtë martesë, si një mënyrë për të ruajtur fuqinë e kishës katolike në Angli.