Ndotja në Kinë, Pekini nën “alarmin e kuq”
Viti i Ri nuk ka sjellë asgjë të re për situatën e ndotjes në Kinë, madje ka vazhduar me alarmin e kuq për shkak të gjendjes tejet të rënduar në qytete.
Pekini, prej ditësh gdhihet i mbuluar nga smogu dhe mjegulla e ndotjes, me shikueshmëri më pak se 50 metra në disa zona. Situata e rënduar bëri që autoritetet të mbyllin disa autostrada dhe të anulojnë qindra fluturime.
Zakonisht, autoritetet kineze janë shumë të kursyera me shpalljen e alarmit të kuq për kryeqytetin, por duket se përkeqësimi dramatik i situatës nuk u kanë lënë mundësi tjetër.
Njerëzit me maska mbi fytyrë janë tashmë një pamje e zakonshme për qytetet kineze, ndërsa fëmijët thuasje janë izoluar në shtëpi, pas mbylljes së shkollave dhe kopshteve. Shumë prej të intervistuarve nga mediet thonë se kanë nisur të mendojnë seriozisht largimin nga qytete si Pekini, pasi ndotja është bërë e papërballueshme.
Kina është në vitin e saj të tretë të luftës ndaj ndotjes, që ka si qëllim riparimin e dëmeve që janë shkaktuar në ambient nga dekadat e zhvillimit të fuqishëm ekonomik, por masat e marra deri tani kanë pasur shumë pak efekt, për të mos thënë aspak.