Përgjimi i Sigurimit/ Çfarë thanë Ngjela, Lubonja, Ziçishti e Fiqerete Shehu për vdekjen e Enverit
Si u përgjuan të burgosurit politikë dhe armiqtë e klasës pas vdekjes së diktatorit në prill të vitit 1985.
Dokumente të shumta të Sigurimit të Shtetit pasqyrojnë mënyrën se si u prit vdekja e diktatorit në burgjet komuniste, por edhe jashtë tyre, atje ku ishin ata që quheshin “armiq të popullit”. Sigurimi i Shtetit ka përgjuar në çdo kënd të vendit, për të kuptuar se si po komentohej vdekja e diktatorit.
Përgjimi është kryer nëpër burgje, atje ku gjendeshin “armiqtë” e dalë nga radhët e partisë, ndër të cilët Todi Lubonja, Kiço Ngjela, Llambi Ziçishti e të tjerë. U përgjuan gjithashtu, e veja e Mehmet Shehut dhe ajo e Kadri Hazbiut bashkë me familjarët e tyre e të tjerë “armiqve të popullit”. Më poshtë botohet teksti i gjetur në dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Burrel, 13 prill 1985
I dënuari Abaz Fejzo: Na la në burg. Na erdhi hakut të tërëve dhe na la në burg…
I dënuari Rrahman Përllaku: Edhe Enverit obeziteti ja solli diabetin. Kur vishte rroba ushtarake si … gjatë luftës e ka mbajtur trupin shumë mirë. Komunikata thotë për varrosje, se për ballsamosje nuk do të vihej në komunikatë. Do ta varrosin e ballsamosin pastaj…
I dënuari Gjok Margjoni: …ec more, se kush është tuj ça kryet për të.
Qafë Bari Pukë, 14 prill 1985
Disa të dënuar në repartin nr.311 thanë:
Tani kaq e pati kjo histori, do të dalim nga burgu, asnjë vit nuk e mbushim. Kjo pritej prej vitesh, këta do të hanë kokën e njëri-tjetrit, tani prit nga dita në ditë të vijnë jugosllavët, ata këtë rast kanë pritur. Do të kemi ngjarje të jashtëzakonshme tani e tutje…
E patë? I madhi mbaroi, mbaruan edhe këta. Lum ai që nuk i ka bërë kujt keq e mjerë ai që i ka bërë keq të tjerëve, se do i paguajë të gjitha. Forca e madhe dhe orteku i madh u përmbys…
Iku dhe mori fund diktatura e proletariatit…
Deri në fund të vitit do të dalim dhe nuk do të ketë burgje politike…
Burrel, më 25 prill 1985
Mihallaq Ziçishti: Ç’është kjo hata që na gjeti? Erdhi e papritur fare, edhe unë nuk orientohesha dot. Udhëheqës që të ketë bërë kaq vepra nuk ka në asnjë vend!
Kiço Ngjela: Po Fiqiretja ka bërë letër? Ata që donin ta vrisnin!
Bardhyl Belishova: Po kjo gatishmëri tani edhe mbas varrimit?!
Batër më 25 prill 1985
Avdyl Banushi: Ja edhe ai vdiq, veç vra e pre, mori në qafë dynjanë… Ç’e do, ka vdek një njeri, është puna tek klika komuniste, ajo do shuar… për ne është fitore, se e ka mbajtur 40 vjet në frena popullin tonë. Gjithë mineralet ja ka shitur shteteve të tjera, që të bëhej mirë me ta dhe të bënte politikën e tij…
Tiranë 6 maj 1985
Fiqrete Shehu: Gjithmonë kam menduar se do t’i kalonte të 90-tat. Kisha ndërmend t’i shkruaja një letër Atij, se atje e kisha shpresën, ndërsa tani të gjitha m’u prenë. Në qoftë se do t’i kisha shkruar udhëheqësit kryesor të Partisë, isha e bindur se, jo për veten time, por për djemtë e mi diçka do të bënte.
Tiranë, 13 prill 1985
Llazar Lubonja, me banim në Tiranë, i vëllai i armikut Todi Lubonja, më datë 10/4/1985 është shprehur: …Vdiq një i madh, vdiq i madhi, këtë ma thotë telepatia ime, ai mori fund.
Aristidh Duri, me banim në Tiranë, jashtë përpunimit, më datën 11/4/1985, ka thënë: …Do të vija në shtëpi për të sjellë lajmin e gëzuar për vdekjen e udhëheqësit. Si mendon a do të kemi ndonjë ndryshim të gjendjes? …aman të shpëtojmë, ishallah të ketë ndryshime, se kjo situatë nuk durohet…
Skënder Ymeri, me banim në Tiranë, në përpunim 2/A për tendencë arratisje, më 11/4/1985 ka thënë: …Sot kemi festë, doli fjala ime se ai vdiq, shyqyr që shpëtuam…
Maksim Mano, me banim në Tiranë në përpunim 2/A për tendencë arratisje, më datën 11/4/1985 ka thënë: …Vdiq udhëheqësi kryesor i partisë, por interesant është pse nuk bëhet pushim?
Liri Kupi, me banim në Sektorin Gradisht të rrethit të Lushnjes, e shoqja e Fatbardh Abaz Kupit, është shprehur: …Hë mo, se plak ishte ai, e sa deshët që të rronte?…
Fiqiri Belishova (vëllai i armikes Liri Belishova) duke biseduar me gruan e tij, kur ajo e pyeti për vdekjen e udhëheqësit:
– A e more vesh?
– Po, ju përgjigj ajo dhe nuk bëri asnjë bisedë tjetër. Televizorin nuk e hapën, ndërkohë vajza e tyre këndonte.
Kurbnesh, 6 maj 1985
Elena Azbiu, (vajza e armikut Kadri Azbiu), ditën që vdiq udhëheqësi kryesor i partisë shtirej sikur qante me zë në banesën e saj.
Rrëshen 6 maj 1985
Drita dhe Gjergji Gjergo (vajza dhe dhëndri i armikut Beqir Balluku), ditën që vdiq udhëheqësi kryesor i partisë, bënin xhiro në qytet, qeshnin dhe i binin krahëve të njëri-tjetrit…
Një tjetër dokument pasqyron atë çfarë thanë diplomatët e huaj pak para vdekjes së diktatorit, pra kur ishte i sëmurë.