Albspirit

Media/News/Publishing

Përse disa njerëz i dashurojnë filmat horror, ndërsa të tjerët i urrejnë?

Shumë njerëz nuk janë kurrë të kënaqur me sasinë e filmave horror në qarkullim, ata duan gjithnjë e më shumë. Janë pothuajse të çmendur pas tyre, shkojnë në çdo premierë, blejnë çdo koleksion, shkarkojnë çdo film.

Nga ana tjetër, persona të ndryshëm pranojnë se nuk do arrinin ta shihnin një film horror për më shumë se pesë minuta. Këta ndihen të tmerruar, i mbeten skena të papëlqyeshme në mendje, gjë që i prish qetësinë gjatë ditës dhe mbrëmjes. Ja përse disa njerëz i urrejnë, e të tjerë i duan filmat horror.

Sipas Glen Sparks, profesor i shkencave të komunikimit në Universitetin e Purdues, në Indiana të SHBA-së, një arsye është ndjesia që krijohet pas shikimit të filmit. Kjo ndjesi quhet “Procesi i fillimit të ekzaltimit”. Kërkimet e Sparks tregojnë se kur njerëzit shohin filma të frikshëm, rrahjet e tyre të zemrës shpejtohen, presioni i gjakut rritet dhe frymëmarrja shpeshtohet. Pas përfundimit të filmit nis një zgjim fiziologjik i pavetëdijshëm. Kjo nënkupton se çdo lloj emocioni pozitiv që përjetoni, si për shembull kalimi i një kohe të bukur me miqtë, intensifikohet për shkak të ngacmimit të fituar nga filmi horror. Në vend që të përqendroheni te frika që përjetuat gjatë filmit, kujtoni vetëm kohën e bukur. Kështu do të kërkoni të shihni më shumë filma horror.

Nëse përvoja juaj ishte jo shumë e mirë, ju nuk do të kërkoni të shihni një film horror përsëri. Emocionet dhe ndodhitë jo të mira që keni përjetuar deri më tani, do t’ju heqin dëshirën për të parë më shumë filma të frikshëm, pasi kujtimet tuaja do të jenë të hidhura.

Ekspertët mendojnë se përgjithësisht të rinjve u pëlqen të ndihen të frikësuar dhe të ekzaltuar, ata janë gjithnjë në kërkim të përvojave emocionuese, që ua bëjnë zemrën t’i rrahë fort. Të rriturit nuk i pëlqejnë edhe aq shumë këto zhanre filmash të frikshëm, pasi ata janë në periudhën e jetës ku kërkojnë siguri, qetësi dhe mirëqenie. Mendohet se 10 për qind e popullatës botërore është në kërkim të adrenalinës së vazhdueshme. Për këtë arsye disa individë kërkojnë t’i ngjallin emocione të frikshme vetes, në mënyrë që trupi i tyre të reagojë në një mënyrë të ndryshme nga situatat normale.

filmat-horror-3

Filmat horror nxisin imagjinatën dhe mendime të çuditshme tek cilido që i ndjek, pra janë si një lloj droge pamore, shprehet profesori Sparks. Përmbajtja e tyre është diçka që nuk shihet çdo ditë, janë ngjarje të jashtëzakonshme, me personazhe të jashtëzakonshme. Një tjetër arsye është se shikimi i një filmi horror ngjall kujtimet e frikës fëmijënore ndaj errësirës dhe imagjinatave të tjera, në një mënyrë apo në një tjetër ata që shohin filma të frikshëm, fitojnë një justifikim të drejtë për eksperiencat e tyre fëmijënore, që deri në atë kohë i quanin të paarsyeshme.

70 për qind e atyre që ndodhin në filmat horror, janë meritë e efekteve vizuale, që priren nga fantastikja, mbinjerëzorja dhe e frikshmja. Edhe pse është e qartë se gjithçka që ndodh në atë çast nuk është e vërtetë, magjia e efekteve dhe aktrimi i personazheve na drejtojnë për nga një botë tjetër, që shumë prej spektatorëve e shohin si interesante.

Sipas studimeve, meshkujt i pëlqejnë filmat horror më shumë se femrat, kjo për shkak se këta janë rritur me idenë e të qenurit trima dhe burrërorë. Shumë meshkuj zgjedhin ta bëjnë të qartë aspektin e tyre burrëror, duke shkuar në kinema për të parë një film horror, që në takimin e parë me një femër. Duke qenë se filmi do të japë efektin e tij të frikshëm, supozohet që femra të ndihet e tmerruar dhe do kuptojë sigurinë që mashkulli përkrah i jep. Kjo është një strategji e rrezikshme, pasi nëse filmi është tejet i tmerrshëm, ka mundësi që edhe mashkulli të trembet, duke marrë kështu lamtumirën nga femra përkrah.

Ekspertët i këshillojnë prindërit të tregohen të kujdesshëm për sa u përket filmave të frikshëm, që fëmijët e tyre mund të dëshirojnë t’i ndjekin. Studimet tregojnë se personat që në fëmijëri kanë ndjekur filma horror, e kanë të vështirë t’i harrojnë ato edhe pas shumë vitesh, e për këtë arsye janë më të prirë nga problemet e gjumit dhe akthi. Fëmijët e moshës 5 deri 7-vjeçare besojnë gjithçka që shohin, ndaj ruajini fëmijët tuaj nga pasojat negative të filmave të frikshëm.

Pavarësisht spektatorëve të shumtë që kanë, filmat horror mundet që të ndikojnë për keq, pasi ndodh që personi që i sheh, jo vetëm që nuk kënaqet, por përkundrazi nis të ketë frikë ndaj veprimeve të ndryshme që në film janë paraqitur me skena të tmerrshme. Për shembull, pas shikimit të filmit “Jaws”, ku peshkaqenët shqyejnë turistët që notojnë në oqean, shumë njerëz kanë pasur frikë të notojnë përsëri.

Të rinjtë shprehen se ata i shmangin filmat horror që kanë të bëjnë me profesionin apo mënyrën e tyre të jetesës.

Please follow and like us: