Albspirit

Media/News/Publishing

Personaliteti i Gjykatës së lartë / Me pseudonimin “Apolon” u përfshi në shërbimin Top Sekret të Sigurimit për Greqinë

Misioni “Apollon”

Kur u ktheva në zyrë ndesha një lajm të papritur që më krijoi shqetësime dhe mërzitje. Një nga shokët e Sofos hyri në zyrën time dhe më tha: E pushuan prof. Sofon, e more vesh?

-Çfarë thua, more! –u çudita unë. Kush jua tha?

-Ju komunikua zyrtarisht.

Bëra për të dalë nga zyra për të shkuar ta takoja, por ai më preu rrugën:

-Mos u mundo kot, ai u bë gjithë nerva dhe doli për t’u qartësuar. Nuk i vinte keq për shkarkimin e tij, por për një qëndrim jo dinjitos që u mbajt ndaj tij. I dërguan një shkresë si të ishte ndonjë pastrues podrumesh, pa e thirrur dhe pa i thënë asnjë fjalë për punën që ka bërë gjithë jetën në drejtësi. Dëgjo, zoti Bezhani, për të gjitha këto flasin se shkaktar jeni ju. Ky është opinion në tërësi, ndonse unë e kam kundërshtuar dhe nuk e besoj. Dhe ta them hapët, nuk e besoj vetëm duke u nisur nga fakti që ti e ke mik, dhe nuk bën kurrë veprime prapa krahëve. Po të kishte gjë për të, do ja thoshe hapur, apo jo? Unë mendoj se do të ishte mirë që Zoti Ministër të bëjë publikisht të qarta motivet e shkarkimit të tij nga puna.

Lajmi për shkarkimin nga detyra të Prof. Sofos më shkaktoi një ankth, më dukej sikur një llavë e zjarrtë më përshkonte venat e trupit tim. Edhe pse nuk doja të bëja veprime të nxituara, nuk mund ta përmbaja dot veten dhe kërkova takim me Zotin Ministër. Sekretarja e tij m’u përgjigj se ministri ishte në Vlorë dhe do të vinte shumë vonë. Kërkova, pastaj, profesorin në telefonin e familjes së tij, por ai lëshonte një sinjal të pandërprerë. Disa herë vazhdova ta kërkoj, por e njëjta gjë. Me sa duket telefoni ishte vazhdimisht në bisedime ose kishin lënë recpetorin të pavendosur në vendin e vet. Më duhej të kërkoja qetësinë, duke hedhur pas krahëve, për një çast, atë opinion të padrejtë që ishte krijuar për mua dhe që cënonte karakterin tim, për ta përballuar më qetësisht dhe në rrugët më të mira. Të gjithë duhet të binden se unë respektoj traditën e shqiptarit për pastërti të veprimeve, jo vetëm para shokut e mikut, por para gjithë opinionit. Kjo transparencë duhet të bëhej zyrtarisht nga Komisioni apo nga vetë zoti ministër.

Ndonse ishte shumë e vështirë për t’u shkëputur nga ngjarja, të nesërmen e ndjeva veten më të qetë, i sigurtë se gjithçka do të zgjidhej konform ligjit. Qysh në mengjes u takova edhe me Zotin Ministër, i cili më dëgjoi me shumë vëmendje. I thashë se po punoja me listën që më kishte dërguar dhe shpresoja që brenda dy ditëve t’i përgjigjesha zyrtarisht. Pastaj e pyeta:

-Dje, z. Ministër, më çuditi një lajm për një masë që kini marrë ju kundër prof. Sofos. E keqja është se i gjithë opinion beson se shkarkimin e tij e kam kërkuar unë, ndërsa në të vërtetë, nga kontrolli i dokumentacionit që kam bërë unë, Prof. Sofua rezulton figurë e pastërt. Një dosje e tij që më rezulton në arkiv, ka për objekt dyshimet e krijuara për të si bashkëpuntor i Asfalisë greke, por ato pakë materiale që gjenden në dosje nuk përbëjnë provë ligjore për t’u vendosur penalizimi i tij. Komisioni nuk mund të vendosë mbi bazën e thashethemeve apo dyshimeve të pabazuara, ai shqyrton dhe vendos vetëm kur gjendet përballë provave të pakontestueshme dhe ligjore.

Ministri më dëgjoi qetësisht dhe pastaj m’u përgjigj me humor:

-Po ti, pse je kaq i çqetësuar? Të siguroj se nuk do të mbetesh pa shok për kafetë e mëngjezit!

-Nuk është fjala për kafe, por për llafe! Në ministri qarkullojnë fjalë, bile të besueshme, se prof. Sofua është shkarkuar nga Komisioni. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe nuk mund të pranohet nga unë.

-Ç’thua more?! – u habit Ministri duke ngritur dorën përpjetë. Atë e kam shkarkuar unë në bazë të ligjit, sepse ka mbushur moshën për pension. Ky është motive zyrtar i shkarkimit të tij.

-Po, zoti Ministër, por njerëzit thonë ndryshe, ata thonë se profesor Sofua ishte me vlera dhe aftësi të veçanta dhe dyshojnë se pas motivit tuaj zyrtar, ka edhe ndonjë motiv tjetër më të rëndësishëm dhe sekret.

-Për këtë shqetësohesh ti?- u përgjigj Ministri. Dëgjo, me qenë se qënka kështu puna, nuk do të lë “të ftohet pilafi”, qysh tani do të thërras mbledhjen e Kolegjumit të Dikasterit dhe do t’i sqaroj për shkakun e shkarkimit të tij. Do t’ju them se zoti Sofo, ishte me të vërtetë specialist i zoti, por shteti ka nevojë të shtojë radhët e specialistëve, t’u japë mundësi edhe gjeneratave të tjera të bëhen edhe ata profesorë, ashtu siç u bë zoti Sofokli Mici. Unë mendoj se aftësitë e tij profesionale mund të shfrytëzohen edhe duke qenë në pension, fjala vjen të marrë një katedër e të edukojë brezat e rinj, apo ndonjë veprimtari tjetër shkencore. Nuk mbetet keq Prof. Sofokliu!

Me Ministrin e vazhduam më tej bisedën dhe ndjeva një qetësim të gjendjes shpirtërore, ndoshta për shkak të garancisë që më dha se do të sqaronte çdo dyshim të krijuar rreth shkaqeve të vërteta të shkarkimit nga detyra e Prof. Sofos. Por atë ditë, nëpër korridore, apo në kafe, më dukej sikur njerëzit më shikonin ftohtë e me dyshim. Dhe, pavarësisht se si qëndron e vërteta, njeriu e ndien veten të brengosur kur të tjerët e shohin si shkaktar të nje vepre të keqe.

Ata ditë vazhdova të kërkoj dosjen e Sofos, i bindur se do të gjeja. Ashtu si gjeologët që kërkojnë mineralin me vlerë, të fshehur nën male, ashtu kërkoja edhe unë dosjen e Sofos, midis maleve të dosjeve të lëna stivë e të pasistemuara. Dhe kur një nga arkivistët kishte ndeshur në të, ndjeva një gëzim të madh, m’u duk sikur edhe unë e zbulova një minierë. Ishte një dosje  e trashë dhe e plotë. Në krye ishte shkruar: Top Sekret! Më poshtë ishte emri me gërma të mëdha, tondi: Sofokli Mici. Poshtë emrit, në kllapa, ishte shkruar: (është administruar dhe përpunuar personalisht nga shoku X). Dosja ishte me kapak të trashë dhe e lidhur me spango në katër pozicione. Në fund të lidhjeve kishte dyll të kuq të vulosur.

Nuk më durohej sa të hapja e të lexoja “thesarin” e saj. I preva shpejt spangot dhe hapa kapakun. Dokumenti i parë, ndoshta i vendosur qëllimisht në krye, si një kurorë e veprës së kryer, ishte një fletë lavdërimi me këtë përmbajtje:

 

Komunistit të devotshëm, shokut Sofokli Mici

Për kryerjen me sukses të detyrës të ngarkuar nga Partia në misionin e rëndësisë të veçantë: “Apolon”, për kontribut të shquar në normalizmin e marrëdhënieve me Greqinë, për mbrojtjen dinjitoze të interesave tona kombëtare….duke përdorur dokumentacion të pakontestueshëm e me një nivel të lartë profesional e shkencor.

Firma X (vula me drapër e çekan)

 

Edhe pse kjo fletë-falenderimi është në nivel të dekoratave të larta, ajo nuk tregon asgjë për të shuar kuriozitetin tim, prandaj shfletova menjëherë faqet që vinin radhazi pas këtij dokumenti. I shfletova paksa fluturimthi, sa për të krijuar një ide të përgjithshme dhe i mbylla përsëri, i ndërgjegjshëm se në “galeritë e kësaj miniere”, nuk mjaftonte vetëm vështrimi, duhet të depërtoje, të kuptoje dhe të analizoje për të dalë me përfundime të drejta. Dhe i gjithë ky process kërkonte jo vetëm kohe, por edhe mendje të kthjellët.

Historia e një hobi kaq të rëndësishëm për Prof. Sofon, kishte filluar në vitin 1986, në mënyrë fare të papritur. Atij mund t’i kishte shkuar ndonjëherë ndërmend se, për begraundin e pastërt që kishte, mund t’i besohej edhe ndonjë detyrë më e rëndësishme nga ajo e antarit të Gjykatës së Lartë, në ato profile ku kërkohej eksperienca dhe aftësitë e tij profesionale, por jo, kurrë nuk mund të imagjinonte veten që, pos emrit të tij të mirënjohur, të njihej edhe me pseudonimin “Apollon” dhe të kryente funksione të tjera Top-Sekret, bile të informonte rregullisht dikë për ato që shikonte dhe dëgjonte.

Idea për të aktivizuar prof. Sofon në një detyrë të tillë, u krijua pas vizitës turistike që bëri në Shqipëri në vitin 1985 një grup turistik grek. Thuhej se ishte grup turistik, por askush nuk dinte hollësi se çfarë kishte brenda atij grupi. Kjo vizitë “turistike” bëhej pikërisht në kohën kur në krye të qeverisë greke kishte ardhur Papandreu, me një politikë të re, më progressive, që synonte edhe kthjellimin e marrëdhënieve midis dy shteteve fqinjë, të mbetura në gjendje lufte për shumë dekada. Pra, është e natyrshme se në këtë grup “turistik”, do të kishte edhe të tillë, të ngarkuar për të vëzhguar gjithçka që ishte e mundur, veçanërisht në territoret e banuara nga minoriteti grek, i ashtuquajtur prej tyre: “Verio-epir”.

Fill pas mbrritjes së tyre në Tiranë, një nga pjestarët e grupit i kërkoi shoqëruesit takim me prof. Sofokli Mici, për shkak se kishte për t’i dorëzuar një letër që i kishte dhënë një kushëri i tij me banim në Prevezë. Shoqëruesi pranoi që ta njoftonte atë, natyrisht duke vënë në dijeni edhe shefat e tij. Dhe profesori shkoi, sipas kërkesës, në orën 17, në hotel “Dajti”, ku gjeti të gjithë grupin duke pirë kafe në sallën e madhe të barit. Shoqëruesi e prezantoi fillimisht me të interesuarin dhe pastaj me pjesëtarët e tjerë të grupit, të cilët i qëndruan ftohët dhe pa shfaqur ndonjë interes për të. Ai u ftua të ulej në rrethin e gjërë të tyre. Në pritje të kafes, ai mori pjesë dhe në diskutimet që po zhvilloheshin midis tyre, duke përdorur me saktësi e pastërti greqishten modern. Një nga antarët e delegacionit e pyeti duke komplimentuar:

-Më vjen mirë që gjej në Shqipëri një njeri që e flet kaq mirë gjuhën greke. Ku e kini mësuar?

-Në Shqipëri, në shkollat tona greke! – përgjegj profesori. Unë vërtetë jam shtetas shqiptar, por I përkas kombësisë greke. Nuk jam vetëm unë që e flas rrjedhshëm gjuhën greke, por I gjithë minoriteti, të cilët e kanë të sanksionuar në Kushtetutën e Shtetit Shqiptar të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare.

E mori fjalën një pjestar tjetër të grupit të “turistëve”, që shprehu hapur mosbesimin e tij:

Do të kemi kënaqësinë për të parë në sytë tona gjendjen e vëllezërve tanë në Shqipëri, por na kanë future në program të vizave  veteëm Dropulin. Përse nuk na lejojnë të vizitojmë edhe territoret e tjera greke, psh Tepelenën, që ka qenë kreu i “Verio-epirit”. Meqë e zotëroni kaq mirë gjuhën greke, ju, me siguri e dini edhe kuptimin toponimik të emrit të kësaj krahine, apo jo?

-Unë jam jurist, nuk jam politikan, siç jinni ju, as historian, por gjykoj se, në qoftë se do të merrnim për prova burime të toponomisë, ashtu siç po i referoheni ju, grekërit nuk do të kishin interes të mirreshin me malet e Tepelenës, por do të kërkonin Filadelfinë apo Kaliforninë e Shteteve të Bashkuara, gjithashtu me emra grekë dhe nga më të pasurat e Botës.

Please follow and like us: