“Rinia e Peshkopisë dënoi me forcë ‘Dimrin…’ e Kadaresë”
Raporti sekret i majit 1972 i sekretarit të Komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës, Sami Gega, dërguar Gafurr Çucit në Komitetin Qendror të PPSH-së
Gazetari i njohur i rubrikës së dossierit, Dashnor Kaloçi, ka botuar së fundmi një libër tejet interesant për “kryqëzimet” që i janë bërë ndër vite shkrimtarit tonë kombëtar Ismail Kadare nga kolegët, por edhe nga forumet e partisë së vetme në pushtet. Libri, i cili po prezantohet me një sukses jo të zakontë në panairin e librit, ka pasur një jehonë të jashtëzakonshme, sepse ka hapur plagën e vjetër të përdorjes së artistëve dhe intelektualëve ndër vite për të sulmuar çfarëdo vlere cilësore, liberale dhe përparimtare. Një nga fushatat më të bujshme të aplikimit të “revolucionit kinez” në vendin tonë ka qenë ajo vitit 1973 kundër shkrimtarit shqiptar më të talentuar në atë kohë, Ismail Kadaresë, pas botimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Kaloçi në librin e tij ka botuar për herë të parë 32 dokumente të nxjerra nga fondi “tepër sekret” i Arkivit të Shtetit, të cilat tregojnë se deri ku kishte arritur mediokriteti për të gjunjëzuar një gjeni në rritje si Kadare. Gazeta “Standard”, me lejen e autorit, po boton sot pjesë nga ky libër interesant.
Rrethi letrar i shtëpisë së kulturës të rrethit tonë u mblodh dhe diskutoi për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të shkrimtarit Ismail Kadare si dhe artikullin kritik “Tri vërejtje” për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të Frederik Shalësit, botuar në gazetën “Zëri i rinisë” datë 12 maj 1973. Të gjithë diskutantët arritën në përfundim se artikulli i botuar në “Zëri i rinisë” për këtë roman kap problem të rëndësishme të përmbajtjes dhe pasi i analizon me objektivitet, shpreh me të drejtë mendimin se kjo vepër nuk ndikon për edukimin e brezit tonë të ri dhe nuk pasqyron realitetin konkret historik…?!
Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit Dibër
Sami Gega
Përmbajtja e dokumentit
Ky dokument që po publikojmë në këtë kapitull të këtij libri dhe që mban datën 18. III. 1973, është një raport i Sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Dibrës, Sami Gega (sekretar i dytë, që mbulonte propagandën, artin dhe kulturën), i cili ia dërgon Gafur Çuçit, funksionar të Komitetit Qëndror të PPSH-së, po për çështjet e propagandës. Në atë raport-informacion rutinë, i cili çuditërisht mban siglën “Sekret”, kreu i partisë së rrethit të Dibrës, njofton fillimisht Komitetin Qëndror mbi disa probleme që dolën në qytetin e Peshkopisë gjatë ditëve që aty zhvillohej kampionati i volejbollit të femra. Pasi vajzat e ekipeve të Tiranës dhe të Durrësit, kishin manifestuar shfaqje të huaja në paraqitjen e tyre të jashtëme, me veshje që ishin jashtë normave të moralit komunist. Dhe për këtë arsye, Komiteti i Rinisë së Rrethit të Dibrës, ishte mbledhur duke analizuar me partishmëri atë fenomen të huaj dhe ju kishte vënë atyre vajzave një Fletë-Rrufe. Pas kësaj pike të raportit që zë dhe pjesën më të madhe në letrën dërguar Komitetit Qëndror, trajtohet problemi i antenave të televizorëve për stacionet e huaja, iniciativa e rinisë së disa fshatrave të thella të atij rrethi për të kthyer në organizatat e tyre, disa vajza që nuk kishin mbushur ende moshën, por nuk militonin më në rradhët e saj.
Për Kadarenë
Dhe si pikë të fundit të raport-informacionit, jepet aktiviteti Shtëpisë së Kulturës së qytetit të Peshkopisë që kishte bërë një diskutim krijues për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të shkrimtarit Ismail Kadare dhe artikullit të botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, me titull “Tre vërejtje për romanin ‘Dimri i vetmisë së madhe” i shkruar nga Frederik Shalësi. Në atë diskutim krijues, të gjithë diskutanët ishin solidarizuar njëzëri me artikullin e gazetës “Zëri i Rinisë”, pasi autori kishte analizuar dhe kishte kapur objektivitet problem të rëndësishme të romanit, i cili nuk pasqyronte realitetin historik dhe si i tillë nuk i shërbente edukimit të brezave të rinj. Po kështu gjatë asaj mbledhje kishin dalë edhe probleme të tjera shumë të mëdha të romanit, të cilat anëtarët e organizatës së rinisë së Peshkopisë i kishin ndriçuar nga diskutimet e tyre. Si p.sh., ata nuk mund të pajtoheshin me atë që dilte në roman, se prishja e marrëdhënieve në mes dy vëndeve kishte ardhur pasi Bashkimi Sovjetik i kishte ndaluar Shqipërisë një vapor me grurë, kur në realitet, prishja kishte ardhur për probleme të mëdha parimore. Pasi Partia e Punës Shqipërisë kishte mbrojtur vijën e drejtë marksiste – leniniste. Nga ky dokument, duket interesant fakti që problemit të diskutimit krijues për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të Kadaresë, i është kushtuar shumë pak vënd në raport dhe vetëm në fund të tij, ndërsa pjesën kryesore që përbënte dhe shqetësimin më të madh të Komitetit të Partisë së Peshkopisë, e zënë; veshjet me modë të vajzave volejbolliste, iniciativa e disa organizatave të rinisë së fshatareve të thella të Dibrës për të hequr antenat e televizorëve për stacionet e huaja, si dhe nisma e 44 nuseve të reja nga Kooperativës së Reçit, për t’u rikthyer në radhët e rinisë.
Organizata e rinisë gjykon Kadarenë
Ky dokument dhe raporti që përcillet në të, sot tingëllon mjaft qesharak, ndërsa për n’ë atë kohë ishte më se normal. Por interesant është fakti se s’i mundet një organizatë rinie e një rrethi të vogël verilindor, të kishte tagër që të diskutonte e të kritikuar ashpër romanin e Kadaresë, një prej shkrimtarëve më në zë të vëndit?! Po të kthehemi pas në kohë, kemi parasysh se në ato vite, pra menjëherë pas daljes në qarkullim të romanit “Dimri i madh” (version i parë i këtij romani), në mjaft rrethe dhe qytete, u organizuan diskutime nga rrethet letrare dhe ajo vepër u kritikua ashpër. Kështu kishte ndodhur edhe disa vjet më parë edhe me romanin “Dasma” të Kadaresë, kur ai u sulmua dhe u kritikua, gati-gati në linçim?! (Kjo gjë duket dhe në disa dokumente që janë pasqyruar në faqet e këtij libri), Por ndryshimi me “Dasmën”, ishte se; kësaj radhe (viti 1973), ai sulmohej jo nga shkrimtarë, miq, kolegë, intelektualë, fshatarë, punëtorë etj, por nga vetë partia, e cila fshihej pas tyre nën petkun e “vijës së masave”. Dhe kjo bënte një diferencë të madhe. Aq shumë ishte sulmuar Kadare me “Dasmën”, duke e quajtur me epitete nga më të ndryshmet, si; “revizionist”, “vepër pa asnjë lidhje me realizmin socialist”, “denigruese për femrën shqiptare” etj., etj., saqë udhëheqja e lartë u detyrua ta merrte në mbrojtje në një farë mënyre. Apo më saktë nuk reagoi ndaj sulmeve që i bëheshin shkrimtarit, duke i konsideruar ato sulme si të qëllimëshme dhe që bëheshin ndaj vijës politike që ndiqte PPSH-ja edhe në Letërsi e Arte. Kjo edhe për faktin, se “Kështjella” e Kadaresë, kishte fituar çmimin e 25 vjetorit të çlirimit. Dhe udhëheqja s’mund të dilte kundër vetes?! Por kjo gjë nuk ndodhi më në vitin 1973 me “Dimri…”, pasi disa zërave sporadikë që dolën fillimisht kundër tij, me shumë gjasa udhëheqja e lartë tashmë i besoi, duke menduar se vërtet “Kadare ja kishte me hile partisë”. Dhe ashtu si në Revolucionin Kulturor në Kinë, “kokën” e tij ua lëshoi në “sini”, turmave, njësoj siç bënin gardistët e kuq që ndërseheshin nga kryetarit Mao, duke shqyer këdo që ai u hidhte tek këmbët. Të gjitha këto, pra shigjetat në drejtim të “Dimrit”, dhe autorit të tij, vinin me porosi nga lart (Komiteti Qëndror), ashtu siç ka pasur direktivë edhe në rastin konkret Komiteti i Partisë së Rrethit të Dibrës. Pasi për të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë dihet mirë se, edhe për gjëra krejt elementare, në mënyrë kategorike, komitetet e partive në rrethe nuk mund të merrnin vetë nisiativë, pa urdhër nga lart. Dhe jo më për një gjë kaq me rendësi siç ishte romani i Kadaresë, ku si figurë kryesore ishte udhëheqësi kryesor i partisë. Se si shkuan punët më pas dhe fati i “Dimrit…”, tashmë është një gjë krejt e njohur dhe nuk ja vlen të ndalemi. Por ky dokument që po e botojmë të plotë në këtë pjesë të librit, është një dëshmi e qartë që na tregon se në çfarë gërxhesh, monopatesh e xhunglash i është dashur të kalojë shkrimtari Ismail Kadare, gjatë rrugëtimit të tij për të arrdhur këtu ku është sot?!? Por për të pasur një ide më të qartë, apo më saktë për t’u spostuar në kohë dhe për të shkuar në vitin 1973, kur ndodhte ky diskutim krijues në sallën e Shtëpisë së Kulturës së qytetit të Peshkopisë, krahas këtij dokumenti, po botojmë të plotë dhe shkrimin e autorit Frederik Shalësi, me titull “Tri vërejtje për romanin ‘Dimri i vetmisë së madhe”, ashtu siç është publikuar nga gazeta “Zëri i Rinisë”, e datës 12 maj 1973. I cili duket qartë se nuk dallon aspak nga një “pretencë prokurori”, nga ato që jepeshin asokohe në gjyqet politike ndaj atyre shkrimtarëve apo artistëve që ishin akuzuar dhe dënoheshin për agjitacion e propagandë?!
PARTIA E PUNES SHQIPERISE “Sekret”
KOMITETI i PARTISE SE RRETHIT Ekzemplar Nr. 1
DIBER Peshkopi, më 18. 3. 1973
Nr. 327 Prot.
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(Shokut Gafurr Çuçi) TIRANE
Në rrethin tonë nga data 9 deri në 13 Maj 1973 u zhvillua Kampionati Kombëtar i Volejbollit i kategorisë ë II-të për femra të Grupit A, ku konkuruan gjashtë ekipe; “Dajti”, i Tiranës, “Traktori” i Lushnjes, “Lokomotiva” e Durrësit, “Erzeni” i Shijakut, “Kastrioti” i Krujës, dhe “Korabi” i Peshkopisë. Në adresë të ekipit “Dajti” i Tiranës dhe “Lokomotiva” e Durrësit, nga disa organizata rinie të shkollave dhe qëndra të punës të rrethit tonë, këtyre ekipeve ju drejtuan tre fletë-rrufe, përmbajtja e të cilave është si më poshtë: Ekipi i “Dajtit” kritikohet se pjestarë të tij (vajza) manifestonin shfaqje dhe ndikime të huaja në veshje. Kishte vajza që mbanin pantallona kauboj, ndërsa njëra mbante një pallto që i ngjante një jeleku të gjatë si frak. Të rinjtë e cilësuan “Vajza e veshur me xhube”. Ekipi “Lokomotiva” dhe “Erzeni” të Durrësit ju bënë kritika se pse kishin vajza të veshura me minifunde, këpucë me taka të gjata dhe flokë të prera si pas modës së huaj. Në fletë-rrufetë kritikonin komitetet e fizkulturës së këtyre ekipeve për punë të pamjaftueshme ideopolitike me ekipet sportive të cilat duhet të mbajnë përgjegjësi për këto shfaqje të huaja në veshje, sjellje dhe disiplinë. Drejtuesit e kampionatit në bashkëpunim me përgjegjësat e ekipeve, organizuan mbledhjen e zgjeruar me pjesëmarrjen e të gjitha ekipeve ku u diskutuan fletë-rrufetë. Në këtë mbledhje mori pjesë dhe sekretari i parë i Komitetit të Rinisë së Rrethit, Kryetari i Komitetit të Fizkulturës së Rrethit dhe sekretarët e organizatave të rinisë që kishin bërë fletë-rrufetë. Në këtë analizë shumica e vajzave e kuptuan drejtë gabimin dhe bënë autokritikë për këto të meta dhe falenderuan organizatat e rinisë së rrethit tonë për vigjëlencën e treguar dhe ruajtjen e normave të shoqërisë sonë socialiste.
Rrethi letrar i shtëpisë së kulturës të rrethit tonë u mblodh dhe diskutoi për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, të shkrimtarit Ismail Kadare si dhe artikullin kritik “Tri vërejtje” për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të Frederik Shalësit, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” datë 12 Maj 1973. Të gjithë diskutantët arritën në përfundim se artikulli i botuar në “Zëri i Rinisë” për këtë roman kap problem të rëndësishme të përmbajtjes dhe pasi i analizon me objektivitet, shpreh me të drejtë mendimin se kjo vepër nuk ndikon për edukimin e brezit tonë të ri dhe nuk pasqyron realitetin konkret historik. Gjithashtu gjatë diskutimit doli se përveç problemeve që ngrihen në artikull dhe trajtohen drejt nga artikullshkruesi, në roman ka edhe gjera të tjera të diskutueshme që i ndriçuan me analizat e tyre diskutantët, kështu p.sh, u tha në një diskutim se në roman del sikur e çara midis dy Partive vjen vetëm nga shkaku se Bashkimi Sovjetik i ndaloi grurin Shqipërisë, kursen në fakt kontraditat qenë dhe mbeten parimore, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vijës parimore, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vijës marksiste-leniniste nga Partia jonë. Ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi vetëm, kemi pas dhe do të kemi gjithmonë përkrahjen e të gjithave Partive marksite-leniniste të botës.
Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit
Sami Gega
Shënim: U njoftuan Komitetet e Partive të rretheve të Tiranës dhe Durrësit për fletë-rrufetë që janë bërë në drejtim të ekipeve të volejbollit të tyre të frymëzuara për tu parë në kolektivat e tyre sportive. 20.5 1973.
Asaf Hasan Luli
Arkivi Qëndror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 307. Viti 1973