Albspirit

Media/News/Publishing

Sadiku, drejt Luganos së Tramezzanit: Di që po negociohet!

Pas një vere tepër intensive, për shkak të Europianit të zhvilluar me kombëtaren e Shqipërisë, dhe qëndrimit te Zurich, pavarësisht rënies një kategori më poshtë, Armando Sadiku duket se e ka ende të paqartë të ardhmen.

Por, siç ai vet e ka konfirmuar për një portal zviceran “tio.ch”, e ardhmja mund t’i ofrojë edhe një rikthim në nivelet më të larta të futbollit në Zvicër. Bëhet fjalë një për rikthim të mundshëm te Lugano, aty ku së fundi ka shkuar edhe Paolo Tramezzani.

“Di që palët janë duke negociuar – ka shpjeguar Sadiku. – Agjenti im po shqyrton situatën dhe presim ende se çfarë do të ndodhë. Për momentin preferoj të mos flas, pasi duhet t’i lëmë vend zhvillimeve”.

Te Lugano, elbasanasi Sadiku do të gjente një mjedis që e njeh shumë mirë, sigurisht më e rëndësishmja është që do të rikthehej në Superligën zvicerane, por aty do të gjente edhe ish-ndihmësin e Gianni De Biasit te kombëtarja kuqezi, Tramezzanin.

“Sigurisht që e njoh shumë mirë Luganon dhe gjithçka rrethon skuadrën dhe klubin. Gjatë kohës që kam luajtur atje jam ndierë shumë mirë, edhe pse më ka ngelur peng që nuk mundëm të siguronim ngjitjen në majën e futbollit. Tashmë gjërat kanë ndryshuar, duke parë se skuadra po lufton për mbijetesë. Ndërsa për Tramezzanin, nuk mund të flas veçse mirë”, është shprehur Sadiku.

Në fakt vetëm mirë, pasi ai dhe De Biasi kanë kryer një punë të pabesueshme me Shqipërinë. “Jo vetëm unë, por edhe shokët e mi të kombëtares nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse ta falënderojmë. Falë tyre kemi hyrë në histori, ndërsa Paolo është një trajner me shumë energji, si dhe me dëshirë të madhe për të treguar vlerat e tij”.

Verën e 2016-s, pikërisht me fanellën kuqezi, Sadiku u fut në histori si autori i golit të parë europian për Shqipërinë në një Europian. “Nuk e kisha kuptuar atë çfarë bëra, derisa u kthyem në shtëpi dhe kemi festuar me tifozët tanë. Entuziazmi i tyre është treguesi i emocioneve të vërteta. Të gjithë më ndalonin, më kërkonin foto, autografe apo edhe thjesht ndalonin për të më parë. Ishte diçka e jashtëzakonshme për të gjithë ne”.

Please follow and like us: