Albspirit

Media/News/Publishing

Shërbimi i fshehtë grek / Alarm për jetesën e minoriteteve, mostra nga “bukë e zezë” notë proteste te agjenti shqiptar

Mëkatarët/ Nga libri më i bujshëm në këta 25 vjet për dosjet e Sigurimit të Shtetit, rrëfimi i kreut të komisionit të kontrollit të figurave, Nafiz Bezhani

 

 

images (12)

 

Nafiz Bezhani

 

 

Propaganda shumëvjeçare e armiqve të Shqipërisë që akuzonin Shqipërinë për politikë denigruese dhe shkombëtarizuese ndaj minoritetit grek, e kishte bërë efektin e duhur edhe në pjesëtarët e këtij grupi. Ata prisnin të shikonin njerëz të roptuar në këtë krahinë. Nuk u besonin syve dhe mbetën pa mend kur vizituan shkollat greke, kur folën vetë me nxënës që flisnin aq rrjedhshëm dhe qartë greqishten, morën pjesë edhe në dasmat tradicionale ku panë me sytë e tyre se si respektoheshin zakonet dhe doket e pastra greke. U ftuan për vizita në familjet e fshatarëve të Goranxisë, Derviçanit, Grapshit etj, ku gjetën jo vetëm mikpritjen tradicionale, por panë me sytë e tyre dhe gjendjen ekonomike e kulturore të këtyre fshatrave. Për nder të tyre u organizua edhe një koncert i grupeve folkloristike të Dropullit, me këngë e valle greke, që shkaktuan mbresa të jashtëzakonshme.

Grupi i turistëve greke vizitoi edhe Sarandën, në qendrat turistike dhe historike. Gjatë gjithë këtyre vizitave, prof. Sofua qëndronte gjithnjë pranë prof. Kasimatit, ndërsa bisedat e tyre kishin për objekt, kryesisht, nevojën për të nxitur opinionin dhe forumet e ndryshme institucionale për krijimin e urave të miqësisë midis dy shteteve fqinjë. Ndërsa ditën e fundit prof. Kasimati deklaroi me emocion:

-Ishte një vizitë me mbresa të thella për realitetin shqiptar dhe veçanërisht për minoritetin grek të Shqipërisë. Ju siguroj se këtë realitet do t’ia paraqes menjëherë kryeministrit të Greqisë, zotit Papandreu. Jam i bindur se marrëdhëniet tona do të jenë miqësore dhe të dobishme. Nuk mund të ndodhë ndryshe, midis dy popujve më të vjetër të Ballkanit!

Së bashku me zgjatjen e dorës së lamtumirës, prof. Kasimati e ndjeu të nevojshme t’i propozonte prof. Sofos, të bënte edhe ai një vizitë private në Athinë, i bindur se do t’i shërbente shtytjes më tej të këtyre marrëdhënieve. Por për një vizitë të tillë kishte menduar më parë shoku X. Dhe nuk zgjati shumë, kur ai e thirri Sofon për t’i thënë se nuk duhej të humbiste kohë.

-Kaq kisha unë, shoku Sofo – i tha prerë ai, -të tjerat i di vetë. Nesër paraqit pasaportën për vizën përkatëse, dakord?
Misioni “Apollon”, që iu besua prof. Sofo Micit, ishte shumë më i ndërlikuar nga sa u parashikua nga shoku X, por prof. Sofua, “e drodhi bukur shaminë” dhe, ashtu siç do të shohëm, e përfundoi me sukses këtë mision.

Thonë se fillimi është gjysma e punës , por hajde e gjeje atë fillim që do të vlerësohej kaq shumë. Shoku X i dha Sofos vetëm detyra, ndërsa të tjerat duhet t’i gjente vetë, para së gjithash të ashtuquajturën fillim të mirë, që të përfaqësojë gjysmën e punës. Dhe ishte pikërisht para një zgjidhje të tillë, më shumë se të panjohura për fillimin të veprimtarisë së tij. Sipas rëndësisë së detyrave të ngarkuara, veprimtarinë duhet ta fillonte nga Athina, për shkak të rëndësisë të veçantë që paraqiste takimi me prof. Kasimatin, me synimin për të shpejtuar firmosjen e dekretit për heqjen e gjendjes së luftës me Shqipërinë. Por një vizitë e tillë në Athinë nuk motivohej dhe ndoshta mund të shërbente për keqësim të situatës nga elementë të ndryshëm me ndjenja armiqësore. Viza e lëshuar për prof. Sofon, ishte motivuar për një vizitë në Prevezë, për t’u takuar me kushëririn e tij, Apostoli, prandaj, për të qenë sa më në rregull me vizën, ai duhej që fillimisht të shkonte në Prevezë, pastaj të ndiqte atë itinerar që do të shikonte më të favorshëm. Ndoshta këtu do t’i krijoheshin edhe mundësitë për të plotësuar më mirë detyrat e rëndësishme që kishte marrë përsipër. Vizita në Greqi e prof. Sofos filloi me një shans shumë premtues. Ai u nis së bashku me një grup turistësh çam, që kishte vizituar Shqipërinë në atë kohë dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ishte njohur me ta gjatë kësaj vizite dhe udhëtoi së bashku me ta për në Greqi. Gjatë gjithë rrugës, ai u bë personazhi më i admirueshëm, me histori të thjeshta e të bukura nga jeta e gjyqësorit dhe e njerëzve të thjeshtë të Shqipërisë. Gjatë gjithë ditës udhëtim, ai ndjeu lodhje dhe humori i mirë i tij ndikoi pozitivisht edhe në udhëtarët e tjerë. Dhe kur udhëtimit të përbashkët të tyre po i afrohej fundi, shumica e tyre e ftuan profesorin të vizitonte edhe krahinën e tyre të bukur, për të njohur edhe ai ngrohtësinë e mikpritjes të banorëve të kësaj krahine.

-Dëgjo, profesor, i tha dr. Mihal Mano, ish kryetar i Qendrës Kulturore të Flitatit, pjesëtar i grupit turistik. Të takon të vizitosh qytetin tonë dhe këtë vizitë duhet ta bësh me çdo kusht. Të ftoj në emër të Qendrës Kulturore, si dhe në emrin tim personal. Do të jesh i lumtur të jesh miku im.

– Po qe puna për ta ftuar, ne e ftojmë të gjithë. Profesor, ju ftojmë të gjithë dhe ju presim në Paramithi, në Pargë, në Kastri në Gumenicë e kudo. Nga goja juaj sot digjuam vetëm të vërtetën dhe kushdo do të gëzohet kur nga goja jote do të dëgjojë të vërtetën.

Duke shprehur falënderimet e tij për ftesat që i bënë, ai vlerësoi se vizita të tilla do të krijonin mundësi për të njohur realitetin shqiptar në atë krahinë, aktualisht e njohur për veprimtarinë antishqiptare të organizuar nga qarqet shoviniste greke.

Në Prevezë autobusi arriti në darkë. Profesorin e priste një grup dashamirësish dhe,midis tyre, kushëriri që e kishte ftuar, Apostol Gjyli, me gruan e tij. Dina, si dhe me dy fëmijët: Kristo dhe Kosta. Një takim i ndezur, i gëzueshëm, i mallëngjyeshëm. Por ndodh që njeriu e ka të vështirë të tregojë me forcën e shpirtit gëzimin që ai ndjen në të vërtetë për njerëzit e tij,sidomos, kur ndjen se motive i vërtetë i një vizite të tillë, ka për objekt tjetër qëllim. Dhe pikërisht në një situatë të tillë psikologjike ndodhej në këto çaste prof Sofua. Ai u pushtua nga një ndjenjë ankthi dhe trishtimi, që, padashur, u shfaq hapur në humorin e rënë të tij. Edhe pse të gjithë të gëzuar, atij i dukej sikur dikush po i thoshte: “Pse na gënjen, i dashur Sofo? Ti nuk ke ardhur këtu për dashurinë tonë, ti nuk ke mall për ne, ti ke ardhur për punë të tjera…”

Por jo, një akuzë kaq të rëndë nuk mund ta pranonte Sofua, sepse dashuria dhe malli I tij ishte po aq i madh sa malli dhe dashuria e tyre. Por ky “shokim” e kishte edhe terapinë e vet: vizita e tij në Greqi, i shërbente marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve, pra, kishte qëllime dhe detyra të tilla që shprehnin interesat dhe dëshirat e tyre të zjarrta.

Pasi u çmall me të afërmit e tij në Prevezë, Sofua u përgatit të shkonte në Gumenicë, së bashku me Apostolin, të ftuar nga miku i tyre dr. Jani, por pikërisht në kohën e nisjes, ndodhi ajo që nuk pritej dhe as që mund të imagjinohej. Në shtëpinë e Apostolit vijnë për vizitë tre funksionar të njohur të Shoqatës së Verio Epirit , për një takim kortezie me profesor Sofon. Apostoli i njifte që të tre, por kurrë nuk e kishte pirë një kafe me ta dhe kurrë nuk i kishin shkelur pragun e Shtëpisë. U mbërthyer nga një psikozë frike për kushëririn, që ishte mik i tij. Përse, vallë, të jenë kaq të shqetësuar për këtë vizitë? Për Apostolin ishte më se e qartë se qëllimet e tyre ishin të kobshme, megjithatë, ai vendosi t’i presë sipas zakonit, me nderimet përkatëse. I ftoi në dhomën e pritjes dhe i prezantoi me kushëririn e tij, prof. Sofon. Dhe ndërsa u ulën në kanape, profesori takoi me radhë, duke shprehur sakaq, në gjuhën greke, se ishte minoritar, bile një nga minoritarët më të varfër të krahinës greke, por asgjë nuk i kishte munguar për t’ju ngjitur piramidës së drejtësisë.

Një nga mysafirët, i njohur për ndjenjat e tij armiqësore ndaj Shqipërisë, e ndërpreu duke i thënë:

Profesor do të ishte mirë ta na krijoje neve mundësinë për t’ju pyetur, se neve kemi nevojë, prandaj erdhëm këtu. Personalisht dua t’ju pyes: A janë po kaq të lumtur edhe vëllezërit tanë të tjerë në Verio Epir? E bëj këtë pyetje se unë i pashë me këta të dy sy që hanin bukë të zezë. Mora dhe vetë një copë bukë dhe ua tregova shokëve, këtu, u thash se ja si jetojnë vëllezërit tanë. A mund të jenë edhe ata të lumtur në kushte të tilla?

U duk sikur i kishte fituar pikët. Me krenarinë e provës së bukës së zezë, ai ishte i bindur se e kishte mbërthyer me shpatulla për muri prof. Sofon. Por, nuk zgjati shumë ky iluzion. Me qetësinë që e karakterizon, prof Sofua u përgjigj:

-Personalisht nuk jam politikan dhe do të preferoja të qëndroja jashtë gardhit të diskutimeve politike, por mendoj se lumturua nuk duhet të shikohet tek buka e zezë. Dëshiroj t’ju kujtoj një sintezë të të madhit Sokrat, i cili ka thënë: “I pasur është ai që kënaqet edhe me pak. Kënaqësia është shëndeti natyral”

Të zënë ngushtë nga kjo përgjigje, e mori fjalën një verioepirot tjetër, që më vonë u mësua se kishte edhe gradë shkencore. Ai tha:

-I nderuar koleg, respektoj përgjigjen tuaj, apo më mirë të themi të Sokratit, por desha t’ju kujtoj se sot nuk jemi në kohën e Sokratit. Bota, e veçanërisht Evropa, kanë ecur aq shumë sa Shqipëria duket se nuk i përket asaj. Dhe është e natyrshme, ajo nuk mund të ecë përpara me atë bujqësi dhe industri të prapambetur, nuk mund të ecë përpara pa ndihmën e shteteve të tjerë të përparuar. Përse, vallë, Qeveria Shqiptare i refuzon ndihmat e Evropës dhe e lë minoritetin me bukë të zezë?
Ndërsa Apostoli u vuri përpara nga një gotë raki, sipas zakonit, prof Sofua përplasi gotën duke përshëndetur mysafirët dhe, duke shprehur falënderimet e tij për vizitën e tyre, me një ton të qetë, ju përgjigj kolegut:

-Po më bëni pyetje që i përkasin politikës ekonomike të shtetit, ndërsa unë, ashtu siç sqarova edhe më parë, jam jurist. Por edhe pse nuk e kam një kompetencë të plotë, më lejoni të jap mendimin tim si qytetar. Janë të njohura faktet kur Shqipëria ka pranuar me mirënjohje ndihma të sinqerta për përparimin e saj, por ka prapsur me përbuzje çdo ndihmë qëllimkeqe. Një fjalë e urtë thotë: “në çarqe do të gjendet vazhdimisht djathë, por nuk është parë ndonjë mi i lumtur!” E pra, ndihma të tilla të karakterit të djathit të çarqeve, në Shqipëri nuk pranohen

Sofua u nis për Gumenicë, i shoqëruar nga Apostoli. Pas makinës së tyre, fare pranë, vinte një fuoristradë me tre agjentë të Asfalisë të Janinës. Sofua e vuri re makinën që i ndiqte dhe pyeti Apostolin:

-Foristrada që na ndjek pas, me tre persona, ka qenë edhe në Prevezë, i njeh kush janë?

-Po! Është makina e Asfalisë, por le të bëjnë punën e tyre.

Kur shkuan në Gumenicë, vunë re se nga makina zbritën dy persona, të cilët Apostoli i njihte mirë që punonin në Asfali dhe bashkë me ta një gazetar nga ata që sipas Apostolit “nuk njeh asnjë ngjyrë tjetër veç mavisë, dhe asnjë realitet tjetër veç shpifjeve për qëllime denigruese”.

Apostoli ndjeu një shqetësim të ligjshëm, për shkak se iu krijua dyshim për një koordinim të Asfalisë me gazetarin, ndoshta edhe për përgatitjen e ndonjë provokimi të mirëstudiuar.

Ata ju afruan vilës së Dr. Jani.

-Erdhëm, – i tha Apostoli. Kjo është vila e mikut tonë!

Por, dr Jani i priti me qortim. Pa i lënë të ulen në karriget e dhomës, së pritjes ai u tha:

-Ne kishim mbetur dakord të vinit mbrëmë, të dashur miq, si është e mundur që nuk e mbajtët fjalën? Ne u pritëm deri vonë, me shumë miq e dashamirës të Shqipërisë.

-Profesor Sofua, i ndier nën akuzë, desh të sqaronte çështjen:

-Kini të drejtë, zoti Doktor, por e kishte edhe ajo një arsye, për të cilën besoj se do të kemi kohë për t’u sqaruar juve edhe miqtë e tjerë.

-Natyrisht! –ja preu fjalën doktori, por sot ju keni premtuar të shkoni në Filat. Ata ju presin dhe nuk duhet të bëhet i njëjti gabim. Ta bëjmë këtë vizitë të parën dhe në kthim të jeni miqtë e mi. Dakord?

Pasi pushuan pak në shtëpinë e doktorit, të rrethuar me dashurinë e të afërmeve të tij, u nisën së bashku për në Filat. Gjatë rrugës, prof Sofos i mbetën sytë pas, mbi fouristradën e Asfalisë, që i ndiqte këmba-këmbës. Edhe dr. Janit ja zunë sytë atë makinë, por nuk i bëri asnjë përshtypje. Ai i tha Sofos:

-Janë të Asfalisë, bëjnë detyrën!

-E kuptoj drejt atë që thoni- ia priti prof. Sofua, gjithashtu i qetë, por më bën përshtypje fakti që bashkë me Asfalinë udhëton dhe një gazetar antishqiptar. Nuk e di nëse është edhe ai i Asfalisë apo është Asfalia e tij?!

Doktori ju përgjigj me një buzëqeshje të sforcuar:

-Do të ishte më mirë të shikonim vetëm përpara.

Këshilla e doktorit ishte kuptimplotë. Për Sofon, tanimë ishte çdo gjë e qartë, çdo lëvizje e tij do të ishte nën survejimin e rreptë të Asfalisë dhe të armiqve të Shqipërisë. Ai kuptoi se çdo fjalë e tij duhej të ishte e kujdesshme, se çdo veprim i tij duhet të kryhej pas një studimi të hollësishëm dhe në mënyrat më të sofistikuara.

Në Filat profesor Sofua u gjend para surprizave të këndshme. Ishin grumbulluar të gjithë ata që kishin patur fatin të vizitonin Shqipërinë, me në krye dr. Mihail Manos, ish kryetar i Qendrës Kulturore të Filatit. Piktori Viron Memos, që gjithashtu kishte vizituar Shqipërinë, kishte bërë zbukurimin e sallës me piktura e fotografi nga jeta në Republikën Socialiste të Shqipërisë. Salla ishte e mbushur plot me njerëz, si në festash. Orkestra, e drejtuar miku i Shqipërisë, Spiro Kalojeros, ekzekutonte një program të posaçëm me pjesë të zgjedhura nga muzika popullore shqiptare.

Takimi e hapi Kryetari i Qendrës Kulturore të Filatit, Jorogo me një përshëndetje të shkurtër për mysafirin nga Shqipëria. Pastaj floën shumë të tjerë, vizitorë të Shqipërisë, si Mihail Menos, Av. Çonis, dr Kostandini etj. Ishte një darke shumë e bukur, midis njerëzve që mendonin vetëm mirë, midis miqve të Shqipërisë. Në rrethana të caktuara, prof. Sofua pati edhe mundësinë e nevojshme për të mësuar, hollësisht, mbi gjendjen aktuale të këtij qyteti.

Një takim shumë i ngrohtë u organizua të nesërmen në shtëpinë e Dr. Janit, në Gumenicë, ku morën pjesë dashamirës të doktorit dhe të Shqipërisë.

 

Please follow and like us: