Albspirit

Media/News/Publishing

A do të përcaktojë 2017-ta të ardhmen e NATO-s?

vropa po goditet nga një sërë krizash të njëkohësishme politike, ekonomike dhe të sigurisë, të cilat po mbjellin dyshime për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e shërbimit serb të Zërit të Amerikës Jela de Franceschi, i hedh një vështrim gjendjes së tanishme të komunitetit euroatlantik, brenda të cilit përfshihen unioni politiko-ekonomik i 28 vendeve evropiane dhe aleanca më e fuqishme mbrojtëse në botë, NATO.

Vlerat e përbashkëta dhe interesat e ndërthurura janë themeli i asaj që shpesh përshkruhet si partneriteti transatlantik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Të dyja anët e Atlantikut përballen me të njejtat sfida dhe kriza në shumë pjesë të botës. Të dyja palët janë mbështetëse të demokracisë, shoqërive të hapura, të drejtave të njeriut dhe tregut të lirë.

Por, Evropa po manovron tashmë në ujëra të turbullta.

“Kriza e borxhit të Greqisë, fluksi i refugjatëve me përmasa të paprecedenta, rreziqet e shtuara të sigurisë, ngritja e lëvizjeve populiste dhe vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian e kanë tronditur Evropën nga themelet”, – thotë ambasadori i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara, Peter Wittig.

Këto ngjarje kanë ngritur frikën për koherencën, në mos edhe për ekzistencën, e Bashkimit Evropian:

“Mendoj se pas 2 deri në 5 vite, Evropa do të ketë më shumë refugjatë, më shumë terrorizëm. Mendoj se Evropa do të përjetojë më pak angazhim amerikan dhe më shumë Rusi. Kjo nuk do të ishte një marrëdhënie transatlantike e qëndrueshme, e gjallë dhe e shëndetshme.”

Evropa mbështetet për sigurinë tek roli udhëheqës amerikan, por premtimi amerikan ndoshta nuk do të jetë dhe aq i palëkundur gjatë administratës së re amerikane, thotë analisti Stephen Szabo:

“Të dyja shtyllat janë tashmë të lëkundshme: NATO-ja dhe angazhimi amerikan nëpërmjet NATO-s ndaj sigurisë evropiane dhe Bashkimit Evropian.”

Ndërkohë, aneksimi nga Rusia i Krimesë në vitin 2014 i ka rikthyer Evropës politikat e forcës, thotë Admirali James Stavridis, ish-komandant i NATO-s, tashmë dekan në Shkollën Fletcher të Diplomacisë Ndërkombëtare, në Universitetin Tufts:

“Nuk e dëshirojmë as nuk duhet t’i rikthehemi Luftës së Ftohtë. Por, duhet t’i kundërvihemi veprimeve të paligjshme të Rusisë kudoqoftë.”

Kremlini po ndërhyn edhe në politikat e Evropës, duke nxitur forcat anti-BE, kryesisht në Francë dhe Gjermani, dy vendet themeluese të bllokut evropian.

“Prioriteti parësor strategjik i Presidentit Putin është të krisë aleancën transatlantike.”

Por, mund të mbizotërojë edhe një skenar tjetër. Telashet e Evropës kanë rigjallëruar ekzistencën e NATO-s – vendet evropiane kanë njoftuar për blerje avionësh survejimi dhe dronësh, sistemesh të reja mbrojtjeje ajrore dhe luftanijesh.

“Për t’u siguruar që asnjë komandanti rus apo presidenti rus të mos i shkojë mendja se mund të fitojë një luftë me NATO-n,” thotë studiuesi Christopher Chivves, nga Korporata Rand.

Forcat politike kundër BE-së do të demonstrojnë forcën gjatë zgjedhjeve në Francë dhe Gjermani, por të moderuarit kanë ende një shans për të mbizotëruar.

“Evropianët po e marrin si sfidë për t’i dalë në mbrojtje Evropës nga fragmentimi”,thotë Steven Szabo, drejtor i Akademisë Transatlantike të Fondit Marshall.

Pavarësisht se kush do të fitojë, 2017-ta do të jetë një vit që mund të përcaktojë të ardhmen e aleancës transatlantike, një ndër shtyllat kryesore të rendit liberal ndërkombëtar.

Please follow and like us: