Albspirit

Media/News/Publishing

Alush Shima: Kosova ka artistë shumë të talentuar, që i kanë krijuar vepra me vlerë

Piktori i mirënjohur Alush Shima e ka nisur vitin 2017 me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. “Në zgjerim të intimes” titullohet ekspozita personale që hapet nesër, më 6 janar, ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kjo ekspozitë personale e artistit Alush Shima, ka si kurator Parid Teferiçin dhe është e para ekspozitë personale e Alush Shimës në GKA dhe në mbarë Kosovën. Në një prononcim ekskluziv për “360grade.al”, piktori i mirënjohur, një nga më të shquarit e pikturës bashkëkohore shqiptare, thekson përse zgjodhi Kosovën për ekspozitën vetjake të radhës.

-Z. Alush, përse zgjodhët Kosovën për nisjen e këtij viti dhe diçka më shumë për këtë ekspozitë?

– Është një ekspozitë personale që hapet nesër në Prishtinë, në Galerinë Kombëtare. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur nga data 6 janar deri në 6 shkurt. Unë kam çuar rreth 60 punë, të cilat do të ekspozohen dhe  do të kenë rastin të vizitohen e vlerësohen nga artdashësit. Janë punime të kohëve të fundit, sepse është e para herë që unë ekspozoj punë të këtyre viteve.  Pas ekspozitës personale të vitit 2013, që hapa në GKA në Tiranë,  ku përmblidheshin punime retrospektivë të viteve 1968- 1973, kur gjithçka u mbyll nga regjimi, vij me këtë ekspozitë të parë me punime të reja, të paekspozuara, të viteve të fundit, të cilat unë i kam shumë për zemër dhe publiku do t’i shikojë e do t’i gjykojë vetë.

– Ju, z.Shima, a keni hapur të tjera ekspozita në Kosovë?

-Jo, kjo është hera e parë që hap një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, por edhe në Kosovë. Ishte kërkesa e tyre e cila më shtyu që të pranoj ftesën, nisur edhe nga fakti se unë në Kosovë kam shumë miq e shokë, piktorë e më gjerë.

-Si e vlerësoni artin figurativ dhe artistët e Kosovës?

– Kosova ka artistë shumë të mirë, të talentuar. Ata  janë artistë që kanë studiuar në vende të ndryshme,  por kryesisht në Zagreb, por edhe në vendet e Perëndimit, madje deri në Japoninë e largët, p.sh piktori i talentuar Shyqyri Namani.  Unë i çmoj si artistë shumë të mirë dhe ndër ta veçoj Myslim Mulliqin, që është artisti që i kalon kufijtë e Kosovës. I tillë është edhe Shyqyri Nimani e shumë e shumë të tjerë të cilët përfaqësojnë sot artin e Kosovës dhe janë artistë që i kanë dhënë shumë vepra me vlerë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.  Sepse, realisht, Kosovë  e Shqipëri është e njëjta gjë.

– Që kur ju ishit drejtor i GKA dhe më vonë ka nisur ky bashkëpunim i ndërsjellët  mes artistëve të të dy vendeve. Si e shikoni në perspektivë?

– Besoj se kjo politikë e ndërsjellët  duhet të ndiqet edhe më tej.  Siç vijnë artistë nga Korça apo gjetkë dhe ekspozojnë në Tiranë, ashtu duhet  që edhe artistët e Kosovës të vijën nga Prshtina e vise të tjera e të ekspozojnë në GKA e në Tiranë. Por kjo varet nga politikat që ndjekin institucionet dhe qeveritë përkatëse.

Please follow and like us: