Bashkim Shehu: E shkuara komuniste rëndon shumë mbi Shqipërinë e sotme
Intervistoi: Alda Bardhyli
Bashkim Shehu ia ka dhënë së fundmi një intervistë gazetës “Shqip” ku flet kryesisht për romanin e tij “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”. Komentet e autorit janë interesante pasi ai ka një rol në libër si “dëshmitar i nivelit të lartë”.
“Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, duket që e shkuara vijon të grishë letërsinë tuaj. E kujtoni kohën kur nisët ta shkruanit këtë roman?
Po. E kam filluar në ditët e para të korrikut 2013. Kisha pothuajse një vit që nuk shkruaja dhe papritur fillova të ndjeja një si boshllëk dhe nuk vonoi të më vinte ideja e këtij romani.
Si ndodh me ju procesi i shkrimit të një romani. Ju e vendosni që në fillim kohën kur duhet të përfundojë shkrimi? Ka rregulla që janë tuajat?
Përvoja e të shkruarit më ka mësuar tashmë se nuk mund ta planifikoj kohën e përfundimit të një romani.
Me këtë roman si ndodhi…Kur e shkruat fjalinë e fundit?
Në nëntor 2014. Po data e saktë nuk më kujtohet. Kisha menduar se do ta mbaroja goxha më shpejt, mirëpo, sa më shumë zhytesha në të, aq më kompleks bëhej. Dhe çuditërisht, ose ndoshta aspak çuditërisht, aq më shumë kënaqësi më jepte. Dhe ndoshta kjo kënaqësi më ka bërë që ta ngadalësoja ecurinë e punës në mënyrë të pavetëdijshme.
Duket sikur që në titull paralajmëroni atë çfarë ky roman trajton, të shkuarën… Si vjen tek ju një titull?
Së pari, një saktësim: titulli nuk paralajmëron vetëm të shkuarën, po edhe të tashmen, apo më saktë periudhën post-komuniste, së paku kështu më duket mua dhe këtë kam dashur. Ndërsa mënyra se si vjen një titull, domethënë mënyrat se si vjen, sepse janë të shumëllojshme, nuk jam në gjendje t’i shpjegoj. Gjetja e titullit është nga ato gjëra që shkrimtari di t’i bëjë, por nuk di t’i shpjegojë. Nga ana tjetër, tek unë titulli është një nga elementet kyç, një nga elementet që e orientojnë të shkruarit. Zakonisht, e gjej në fillim titullin, sikurse për këtë roman, ose aty nga fillimi, sikurse me disa libra të tjerë. Për sa kohë nuk e gjej, nuk jam i qetë.
Keni zgjedhur të përballeni me ish diktatorin si personazh në këtë libër. Një përballje jo e lehtë. Ju e keni kthyer atë në një personazh… Cili është raporti juaj me Enver Hoxhën personazh?
Është po ai raport që kam me çdo personazh tjetër, ose më mirë me çdo personazh tjetër interesant. Në lidhje me trajtimin e këtij personazhi konkretisht, mendoj se më ndihmon edhe humori.
Pothuajse pjesa më e madhe e librave tuaja kanë në qendër histori nga komunizmit… Ka ende histori midis teje dhe të shkuarës që do ti hedhësh në libër?
Nuk e di, sepse nuk janë histori të gatshme dhe nuk mund ta parashikoj se çfarë mund të më sjellë imagjinata. Ndërkaq, libri që jam duke shkruar nuk e ka në fokus atë periudhë.
Kundera e quan letërsinë thjesht imagjinatë, megjithatë realiteti, përvojat jetësore duket se janë të qenësishme për shkrimin. Cila nga këto dy gjendje është më e fortë tek ju?
Janë e njëjta gjë. Në letërsi, realiteti bëhet imagjinatë dhe anasjelltas. Të vetmet gjëra të paprekshme për imagjinatën janë disa të vërteta historike themelore, që janë të pakta, por që përbëjnë themelin apo armaturën e njohjes poetike të asaj që mund të quajmë “realitet”.
Historia juaj personale në raport me komunizmin, babai juaj, a janë një arsye që ju vijoni të shkruani për komunizmin?
Ka arsye të tilla, sigurisht, dhe nuk mendoj se kryesorja qëndron te babai. Qëndron ku e ku më tepër te krejt njohja e përjetuar e atij realiteti dhe te natyra e atij realiteti, një natyrë që e bën shumë të përshtatshëm për letërsinë, sidomos për letërsinë që synon të rrokë dimensionet absurde të jetës dhe që synon gjithashtu ato kufij ku realiteti takohet me imagjinatën, apo edhe me marrëzinë. Burimi i lëndës së parë të artit të romanit është kujtesa, nuk e kam fjalë te kujtime ngjarjesh të caktuara, po te një botë apo një atmosferë e depozituar në kujtesë dhe ku imagjinata ndihet në habitatin e saj, funksionon natyrshëm në të, kështu që dalëngadalë dhe vetvetiu e rikthen të tranformuar sipas trilleve të saj të pashpjegueshme. Dhe pjesën më të madhe të jetës kur tek unë është përftuar kujtesa si botë, kujtesa e objektivuar, e vështrueshme së jashtmi prej meje për shkak të largësisë kohore, është ajo e së kaluarës komuniste të Shqipërisë. Prandaj, është e natyrshme që kjo të shfaqet në një pjesë të mirë të librave të mi, po sigurisht në një pjesë të konsiderueshme të tyre bëhet fjalë për të tjera gjëra.
Cili është ndikimi i babait tuaj në letërsinë tënde?
Më duket se po më ngatërroni me Ben Blushin: ai e ka babanë shkrimar, jo unë.
Ju jeni angazhuar jo vetëm si shkrimtar por dhe si kurator për projektin muzeor të ish – sigurimit. Më lejoni tju bëj një pyetje që shkrimtari Bernardo Atxaga juaj bën ju në librin më të ri me letërkëmbime që ju keni botuar bashkë: a jeni shumë ju që interesoheni për kujtesën?
Kësaj pyetjeje më duket se i jam përgjigjur në mënyrë të plotë në letrën që më kërkuat për botim. Në plotësim të saj, do të shtoja se ekipi i projektit ka bashkëpunuar me organizata të shoqërisë civile, sikurse Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Qendra Shqiptare e Rehabilitimit për Viktimat e Torturës dhe të Traumave, Projekti Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, se dhe është mbështetur edhe në sugjerime të kryetarit të Shoqatës së ish-të Përndjekurve, zotit Bilal Kola. Ndërkaq, kurator i projektit nuk jam më, e kam lënë atë detyrë. Dhe, natyrisht, po pati ndryshime të rëndësishme në skenarin që tashmë kam shkruar për këtë muze, nuk duhet kurrsesi të paraqitet si skenari im. Gjithashtu, meqë ngulmuat në faktin se një pjesë e mirë e librave të mi bëjnë fjalë për të kaluarën komuniste të Shqipërisë, mund të them se gjatë kohës që kam punuar për projektin e muzeut, duke pasur më shumë kontakt me Shqipërinë, kam parë dhe kuptuar që kjo e kaluar vazhdon të rëndojë mbi të sotmen më tepër nga sa e mendoja.