Albspirit

Media/News/Publishing

Berlin 1942/ Fan Noli i shkruante Adolf Hitlerit: Shpëtojeni Norbert Jokl!

“Në emër të gjithë shqiptarëve unë i bëj thirrje shkëlqesisë suaj për ta shpëtuar profesorin e Universitetit të Vjenës, autoritetit të gjallë më të madh në filologjinë shqiptare”

Në mes të shqiptarëve të shquar të vitit 1942 që u përpoqën të shpëtojnë nga nazizmi albonologun Norbert Jokli, ishte padyshim edhe Fan Noli. Ishte koha kur nazizmi gjerman i Adolf Hitlerit nuk kursente asnjë hebre. Norbert Jokli ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje, një ndër themeluesit e albanologjisë. Ishte profesor në Universitetin e  Vjenës. Një personalitet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Në atë kohë Jokli ishte arrestuar nga forcat e Gestapos dhe ishte vendosur në kampet naziste të përqëndrimit. Në atë kohë, Fan Noli vendosi ti shkruaj Adolf Hitelrit një lutje në emër të të gjithë shqiptarëve për të shpëtuar albanologun hebre, Norbert Jokli.

Letra

“Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë shtetit janë të shqetësuar për shëndetin e keqësuar të profesorit në pension të Universitetit të Vjenës, dr. Norbert Jokl, autoritetit të gjallë më të madh në filologjinë shqiptare dhe pasusit më të shkëlqyer të një vargu të gjatë të studiuesve gjermanë, që kanë bërë një punë të paçmueshme pionieri për historinë, letërsinë dhe folklorin e Shqipërisë. Në emër të gjithë shqiptarëve unë i bëj thirrje shkëlqesisë suaj për ta ndihmuar këtë studiues të madh albanolog në çfarëdo mënyre të përshtatshme në kushtet e tashme të vështira.

Peshkopi Fan S.Noli

Norbert Jokli është autor i librave “Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” dhe “Kërkime gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes”. Jokli krijoi një bibliotekë albanologjie e indogjermanistike me rreth 3000 ekzemplarë libra, prej të cilëve sot kanë shpëtuar më pak se 200 copë. Ndër të tjera ai ruante dorëshkrimin e një Fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, i cili ishte vazhdimi ideal i punës së nisun prej G. Meyer-it.

Norbert Joklit kishte lidhje të ngushta me intelektualë shqiptarë të asaj kohe si Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Ernest Koliqi dhe Gjergj Fishta. Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Sqiroit, Naimit dhe traditës bektashjane, njohës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati një letërkëmbim të dendur me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare. Në vitin 1937 kishte vizituar një herë të vetme Shqipërinë ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, u prit me nderime dhe u nderua me çmimin “Urdhni i Skënderbeut”.

Megjithë përpjekjet e shumta të autoriteteve shqiptare, Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja në 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë. Ai ndërroi jetë për shkak të toruturave në kampet nazistë të vdekjes.

Please follow and like us: