Brenga e një nëne…
Ilir Hoxholli
Ajo nuk e di se fati i saj po vendoset në një emision televiziv. Nuk ka si ta dijë, se ajo është mësuar që hallet e saj t’i zgjidhi jo t’i qajë. Ka rritur pesë fëmijë; tre djem dhe dy vajza, të gjithë të martuar dhe me fëmijë. Nuk e njoh këtë nënë, por si çdo nënë e kohës së diktaturës dhe më pas ka sakrifikuar gjithçka për fëmijët e saj. Sot, lexova një lajm, një lajm që më tronditi, fëmijët me arsyen e varfërisë kishin nxjerrë nënën në treg, dikush duhet ta blente. Dikush që nuk e njeh duhet ta ndihmojë. Në emisionin “Me zemër të hapur” nëna e mbetur në derën e dhëndërit, mbase pa e ditur po priste që dikush t’i jepte një strehë. Djemtë janë në kushte ekonomike të vështira, kanë fëmijët e tyre.
Ngjan si ato ngritjet me ballonë, ku fillon dhe pret ata thesët e mbushur me rërë, djemtë prenë nënën e tyre për të siguruar fluturimin familjet e tyre në koshat e ballonave. Jemi mësuar të dëgjojmë të kërkohet ndihmë për fëmijët, për gjendjen ekonomike, për të sëmurë, por sepse nëna ka mbetur jetime, djemtë e kishin mbajtur nga 5-6 vjet, e kjo ishte periudha që e kishin kompesuar nënën. Djemtë e ndoqën live dhëndërin që kërkonte ndihmë për nënën e tyre apo për vjerrën e tij “që i kishte ngelur në derë”. Mbesa, vajza e njërit prej djemve foli drejtpërdrejtë në emision, duke thënë që nuk kemi mundësi, jetojmë në vështirësi ekonomike, fëmijët nëpër shkolla, e nuk mundemi ta mbajmë nënën.
Mos harro vajzë se pas gjyshes e kanë rradhën prindërit e tu, ti nuk u edukove me sakrificat e babait tënd të mbante nënën, as të xhaxhallarëve. Nuk dua të bëj heroin se nuk ju njoh, por besoj se varfëria nuk lehtësohet duke larguar nënën, ajo as nuk e shton as nuk e pakëson. Nëse do dilte dikush e ta mbante në pëllëmbë të dorës nënën tuaj, ajo s’do ishte kurrë e lumtur, brenga e saj do të ishte se si e nxorrët në rrugë, si mundet kur çdo lot i juaji, kur ishit të vegjël ishin dhe lotët e saj. Sa herë ju u sëmurët ajo ishte pranë jush, ju rriti, ju martoi, sot keni fëmijët tuaj, por nëna juaj vlen shumë, për atë nuk ka çmim, asnjë dhimbje gjatë lindjes nuk ia kompesoni. Unë nuk e di, nëse do mundni ta lexoni këtë shkrim dhe ky lajm që ju prodhuat, na shtoi dashurinë për nënat tona, ndërsa për nënën tuajën ndjemë dhembshuri. Në botë Zoti sjell disa shembuj për t’u ndjekur e disa për të mos u bërë si ata… Kjo botë është e rrumbullakët, ndësa në tjetrën keni shkelur amanetin e Zotit që nënën mos e kundërshtoni për asgjë, as me një “uff…” ndaj tyre.