Albspirit

Media/News/Publishing

Ç’po ndodh në Turqi?

Image result for albspirit

Hajro Limaj*

Më datë 26 në gazetën “Çumhuriyet”botohej një analizë me titullin “Të përfundojë tashmë ky vit”(Bitsin artik bu sene !), i cili e fillon tekstualisht si më poshtë: “Si përfundim erdhi java e fundit e 2016-ës! Kemi kaluar një vit aq shumë të lodhshëm,brengosës, shkatërrues dhe të vështirë, saqë nuk besoj se do ta marrë malli asnjërin prej nesh! Dhunë, dhimbje, frikë, zi … Të gjitha u bënë pjesë e jetës tonë. Me këdo që të flasim, të thotë “Të përfundojë tashmë ky vit”. Presim ndryshime nga viti i ri, pas gjithë atyre që kemi përjetuar përsëri kemi shpresë”.

Por shpresat nuk mund të plotësohen në Turqinë e viteve të fundit që është kthyer fatkeqësisht në arenë veprimtarish terroriste, ku jo vetëm fshatrat, por edhe qytetet kryesore janë kthyer në liqene gjaku. Natën e ndërrimit të viteve, ora 01:20, përsëri Turqia goditet rëndë. Në një klub nate ku rreth 700 veta festonin familjarisht gëzimin e natës së Vitit të Ri u tronditën nga breshëritë e automatikut ku ngelën të vdekur 39persona, midis të çilëve 15 të huaj. Kjo kasaphanë nuk tronditi vetëm Turqinë, por gjithë botën e civilizuar. Njerëz të pafajshëm humbasin jetën në mënyrë ç’njerëzore, në një Turqi e cila në historinë e saj nuk ka patur kurrë terrorizëm të tillë, veçanërisht në hapësirat qytetare. Për 10 vjet kam jetuar në këtë vend të begatë, 1991-2001 dhe asnjëherë nuk jemi tronditur. Përkundrazi, ishte një vend tepër i sigurt, i qetë dhe i lumtur. Por fatkeqësisht Turqia është përfshirë nga një kaos politik, i cili është shkaku i gjithë këtyre tragjedive të njëpasnjëshme.

Vetëm tre javët e fundit kanë humbur jetën nga sulmet terroriste mbi 100 veta. Në 18 muajt e fundit Turqia është përballur me 34 sulme të mëdha terroriste. Nga këto sulme kanë humbur jetën 485 vetë. Janë mbi 2120 të plagosur. Në këto shifra nuk përfshihen me qindra apo mijëra turq me origjinë kurde që kanë humbur jetën në luftimet që zhvillon ushtria kundër tyre në rajonet lindore dhe juglindore të Turqisë. Po kështu në këto rajone në 10 vitet e fundit të qeverisjes së Erdoganit kanë humbur jetën mbi 1 178 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë. Shifër e frikshme është edhe numri me rreth 1000 vetëvrasje.

Dhe terrori filloi të ushqejë njëri-tjetrin. Partia për Drejtësi dhe Mëkëmbje,parti islamike e drejtuar me dorë të hekurt nga Erdogani duke qenë se në zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit nuk mundi të fitonte zgjedhjet për të krijuar qeverinë e vetme,rishpalli luftën kundër PKK-së në rajonet lindore dhe Juglindore ku jetojnë turqit me origjinë kurde, duke braktisur marrëveshjen e “Periudhës së Paqes” e cila e kishte qetësuar mjaft Turqinë. Shkaku ishte se në këto rajone Partia Popullore Demokratike mori 80 deputetë dhe në zgjedhjet e parakohshme që u bënë pas tre muajsh që u zhvillua në kushtet e një lufte ra në 40 deputetë. Me këtë strategji lufte, partia e Erdoganit rierdhi e vetme në pushtet. Nga fillimi i kësaj strategjie e deri tani u bllokuan projektet politike të brendshme dhe të jashtme, dhe në Turqi këto veprimtari dhunuese e terroriste filluan të ushqejnë njëra-tjetrën. Aktualisht ajo është në “gjendje kaosi”.

Nga zgjedhjet e Qershorit dhe deri tani kanë humbur jetën nga sulmet e njëpasnjëshme terroriste mbi 400 persona dhe janë plagosur me qindra të tjerë. Në vend u përjetua një skenar për grusht shteti. Në renditjen botërore të gazetarëve të arrestuar zë vendin e parë, 164. Dymbëdhjetë deputetë të opozitës, midis të cilëve edhe dy bashkëkryetarët e partisë së tretë në Kuvend janë të arrestuar. Sëbashku me ata edhe shumë kryetarë bashkish. Çdo ditë vazhdojnë arrestimet në masë,përjashtimet nga puna. Nuk ka më liri media dhe liri shprehjeje. Kush flet apo shkruan kundër Erdoganit arrestohet si “terrorist”. Të gjitha këto kryhen pa asnjë kontroll ligjor. Qeveria që ka një pushtet të pakufizuar, por që është jashtë kontrollit politik dhe ligjor nuk mund t’i ndalojë veprimtaritë e pandërprera terroriste që kanë pushtuar Turqinë. Ditët e fundit presidenti Erdogan deklaroi se “numri i të arrestuarve gjatë kësaj periudhe të shkurtër i ka kaluar 40 mijë”.

Humbjet e organizatës së PKK nga operacionet brenda dhe jashtë vendit i kanë kaluar 9 500 veta.

Kemi 40 mijë vetë në paraburgim dhe 10 500 të arrestuar. Në politikën e jashtme u përjetua një kthim “U”. Ambasadori rus u bë kurban. Në tokat e Sirisë po vriten shumë ushtarë. Në këto rrethana po thellohet kriza ekonomike. Dollari thyhet me më shumë se 3.5 lira, po falimentojnë shumë industrialistë e ndërtues,rritet energjia . Përpara kësaj gjendje të rëndë, drejtuesit e Turqisë për çdo goditje terroriste deklarojnë se “dëshirojnë të prishin stabilitetin tonë”, “dëshirojnë të prishin unitetin tonë”, “dëshirojnë të prishin moralin tonë”,etj. Kur në vend, me totalitarizmin e pashembullt të Erdoganit nuk ka as stabilitet, as shpresë dhe as ndonjë moral që do të prishet.

Çdo analist strategjik apo politikan me vlera dhe interesa kombëtare e ka tepër të qartë shkakun. Nëse ka terrorizëm,nëse vazhdojnë sulmet terroriste, përgjegjëse dhe fajtore është shteti, me qeverinë që e drejton, e cila nuk mund të marrë masa për të bllokuar kushtet që i hapin rrugën terrorizmit, që nuk mund t’u sigurojë jetën dhe pasurinë qytetarëve të vet.

Me këtë qeverisje gjendja në Turqi do të përkeqësohet më tej. Zgjidhja e kësaj krize kërkon një zgjidhje urgjente politike: krijimin e një qeverie të pajtimit dhe shpëtimit kombëtar. Por fatkeqësisht, presidenti i vendit në vend të alarmohet dhe të zgjidhë këtë kaos, ai edhe pse Turqia është në gjendje të jashtëzakonshme, është i angazhuar totalisht që nëpërmjet Kuvendit të ndryshojë sistemin politik,nga parlamentar në presidencial. Ai kërkon me çdo kusht pushtet të gjithanshëm dhe të vetëm. Pikërisht këto koncepte dhe qëndrime ekstreme e zhytën Turqinë e bukur dhe popullin atdhedashës të Turqisë në këtë krizë që se meritonte kurrë. Komuniteti Europian me Amerikën edhe pse e kanë kritikuar dhe e kanë paralajmëruar Erdoganin të heqë dorë nga totalitarizmi dhe islamizmi radikal,ata për hir të popullit dhe të kombit turk duhet të rrisin presionet e gjithanshme që të shpëtohet vendi, pasi pasojat e tij janë jo vetëm brenda Turqisë, por ato po japin efekte shumë negative në rajon dhe shumë më tej.

 

*Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Please follow and like us: