Albspirit

Media/News/Publishing

Djemtë e diktatorëve

Djemtë e diktatorëve kanë shkollim perëndimor – por sillen si etërit

 

Lindita Arapi

diktatureQoftë Kim Jong Un, Bashar Al-Asadi apo Pol Poti: Shumë diktatorë kanë studiuar në Evropën demokratike apo kanë ndjekur shkollat e saj. Megjithatë, demokratë ata nuk u bënë.

Koreanoveriori i ri ishte një djalë i qetë që nuk binte shumë në sy. Me gjuhën gjermane ai nuk miqësohej dot dhe në të shumtën e kohës vishej me kostume sportive. Për nxënësit e tjerë ishte një tip i çuditshëm. Emri i tij: Un Pak, me sa duket djali i një punonjësi të ambasadës koreanoveriore. Në vitin 1997, në fillim të klasës së gjashtë ai u pranua në shkollën “Liebefeld-Steinhölzli” në afërsi të kryeqytetit Bern.

Joan Micaelo dhe Un Pak ishin jo vetëm në të njëjtën klasë, por edhe shokë. Një ditë, rrëfen Micaelo për gazetën zvicerane “Tagesanzeiger”, Un Pak i kishte thënë se “në të vërtetë unë nuk jam djali i një ambasadorit, por djali i presidentit”. Madje ai i kishte treguar edhe një fotografi me ish-presidentin e atëhershëm, Kim Jong II.

Micaelo asokohe kishte menduar se ky rrëfim ishte thjesht shitmendje. Ndërkohë tani ai është i sigurt se shoku i tij i dikurshëm i shkollës është diktatori i sotëm i Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Nga pala koreanoveriore nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për këtë.

Gazeta zvicerane “Sonntagszeitung” ngarkoi qëllimisht në vitin 2012 një antropolog për të bërë analizën e fytyrës. Studiuesi Raoul Perrot kishte krahasuar një fotografi të kohës së shkollës të Un Pakut me një foto aktuale të diktatorit. Rezultat: Një përputhje 95%. “Për mua është fakt: Nxënësi Un Pak është identik me Kim Jong Un-un”, – sqaron studiuesi.

Deri në vitin 2001 nxënësi koreanoverior ndoqi shkollën zvicerane. Pastaj ai u zhduk. Kur u përhapën thashethemet se djali i diktatorit kishte vizituar shkollat e Zvicrës, vëzhguesit politikë shpresuan se ndoshta vitet e perëndimit mund të linin një ndikim pozitiv në botëkuptimin demokratik të Kimit. Por deri tani nuk duken gjasa të tilla. Kim Jong Un-it të ri i pëlqejnë vërtet parqet e tipit Disney, por më e rëndësishme për të është ruajtja e pushtetit me çdo kusht.

 

 

Demokraci? Jo faleminderit

Politologu Günter Meyer është i mendimit se “djemtë e diktatorëve nuk vijnë në Perëndim për të mësuar demokracinë”. Në vend të kësaj ata vijnë për të njohur jetën perëndimore dhe për të marrë një shkollim të mirë. Pas përfundimit të shkollës ata rikthehen në strukturat e vjetra. “Ata janë të programuar në një strukturë pushteti, së cilës ata nuk i shpëtojnë dot”. Kush jep shenja tendence drejt demokratizimit ai rrezikon pushtetin personal dhe atë të klanit.

Johann Benos, profesor psikiatër dhe autor librash ka studiuar biografitë e sundimtarëve në librin “20 diktatorë evropianë”. Sipas studiuesit vula vihet në familje. “Rolin më të rëndësishëm e luan sjellja e babait”. Si rregull diktatorët “janë ndëshkuar, rrahur dhe keqtrajtuar. Ata kanë përjetuar brutalitetin e babait, të cilin nga njëra anë ata e kanë urryer dhe nga ana tjetër e kanë imituar”. Një arsimim humanist nuk mund të korrigjojë asgjë në këtë problematikë.

 

 

Nga shpresëdhënës në autokrat

 

Një shembull tjetër është diktatori sirian Bashar Al-Asad. Edhe ai e ka kaluar një pjesë të rinisë jashtë. Në Londër ai studioi një vit e gjysmë mjekësi. Kur e mori pushtetin në Siri, shumë vëzhgues shpresonin se Bashar Al-Asad do të ndiqte një kurs reformimi. Günter Meyer, ekspert i Lindjes së Mesme kujton: “Por ai shumë shpejt e kuptoi që presioni i pushtetit brenda klanit të tij dhe ai i shërbimeve sekrete ishte aq i madh, saqë ai nuk kishte asnjë shans të dilte jashtë kësaj suaze, pa rrezikuar pushtetin e klanit Asad apo atë të tijin”. Kështu Asadi vazhdoi politikën autoritare të të atit.

Shpresa për eksportimin e demokracisë përmes shkollimit të djemve të diktatorëve është e gënjeshtërt. Seif al-Islam, djali i diktatorit të rrëzuar nga pushteti, Gadafi ka shkruar madje një disertacion në shkollën londineze “London School of Economics” me titullin “Roli i shoqërisë civile në demokratizimin e institucioneve qeveritare”. Por kur në Libi bëhej fjalë për të ruajtur pushtetin e të atit dhe të klanit të tij, Seif Al-Islam harroi refleksionet e tij mbi demokracinë dhe kapi armët. Nga viti 2011 ai ndodhet në burg në Libi. Gjykata Ndërkombëtare kërkon ekstradimin e tij për krime lufte.

 

Ekonomia përfiton

Nga ana ekonomike, beson Günter Meyer shkollimi i pasardhësve të diktatorëve jashtë sjell fryte. “Në këtë kohë ata krijojnë lidhej të ndryshme, nga kjo ka përfituar edhe ekonomia gjermane, për sa i përket kooperimit ekonomik”.

Që të mësosh nga Euroja nuk do të thotë patjetër të qeverisësh në mënyrë humane. Këtë e tregon më së miri rasti i diktatorit të Kamboxhias, Pol Pot. Vrasësi i shumë njerëzve studioi në universitetin elitar të Parisit, Sorbonë. Por jo tek të gjithë studentët e huaj, qëndrimi në Evropë është pa rezultate, mendon Meyer. “Studentë të shumtë nga vendet arabe kanë luajtur një rol të madh në masat liberalizuese dhe shekullarizuese”, – thekson Meyer.

Please follow and like us: