Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi

Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi.

Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall.

Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri,

Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh.

Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja

M’u duk se më kujtonte një premtim.

Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja,

I thashë më në fund plot pikëllim.

Ajo më pa habitshëm që pas qelqit:

Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem.

Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur,

Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?

S’e di, i thashë, me habi të ftohtë,

Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush.

Dikush nga ne të dy s’është më në botë,

Po cili a cila, këtë s’e di askush.

Një copë herë me shenja morëm e dhamë.

S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund.

Gjersa ajo u tret te qelqi i madh

Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.

 

Please follow and like us: