Kur gratë shkriheshin në hamamet e aksionerit Tefik bej Lamçe
Vepror Hasani
Histori/100 vjet më parë: Hamamet e aksionerit Tefik bej Lamçe dhe thashethemet për gratë dhe vajzat që i frekuentonin
Ndoshta muhabeti për hamame turke e banja evropiane nuk do të ishte ngjizur ditën e 13 marsit, sepse ishte ende ftohtë dhe ardhja e pranverës as që kishte filluar të ndihej, ndaj dhe kjo bisedë dukej sikur kishte ardhur në kohën më të papërshtatshme, por siç dihet, çudirat ndodhin në çdo kohë pa pyetur për stinët e vitit dhe as për të ftohtin dhe të nxehtin. Megjithatë sebep për një kuvendim të tillë, mbushur plot dëshira, thashetheme dhe hamendje, ishte bërë “Zëri i Korçës”. Atë ditë kjo gazetë kishte dalë me një artikull të zgjeruar mbi hamamet që po ndërtoheshin në Korçë nga shoqëria “Shëndeti”, e cila kryhesohej nga aksioneri Tefik bej Lamçe. Gazeta u lexua nga shumë njerëz, por ato që mbetën të magjepsura për gjithçka që thuhej dhe shkruhej në artikull ishin gratë dhe vajzat e qytetit të Korçës. Lamçe kishte shpjeguar për gazetarin e “Zërit të Korçës”, gjithçka me hollësi. Për një çast vajzat e panë veten duke u larë në banjat më moderne të kohës. Gjithsecila kishte të gjitha mundësitë të zgjidhte sipas dëshirës, ose banjat evropiane, ose hamamet turke. Në të vërtetë, kureshtja e vajzave nuk kishte qenë krejt e pavend, edhe vetë artikullshkruesi pohonte se kishte mbetur i befasur nga të gjitha ato që kishte parë në godinën e banjave, e cila tashmë gjendej në përfundim e sipër dhe shumë shpejt do të fillonte nga puna. Ishte 13 mars i vitit 1928.
PLAKAT
Megjithatë vajzat e kishin një merak. Nuk ishin të sigurta nëse prindërit e tyre do t’i lejonin që të shkonin e të laheshin në këto banja ose jo. Një hamam, (sigurisht jo si ky që po ndërtohej) kishte ekzistuar edhe në kohën e gjysheve, por ato (kur kishin qenë çupa) pasi e kishin frekuentuar hamamin për një farë kohe, u ndaluan përfundimisht që të shkonin atje. Vendimi që gratë dhe vajzat të mos laheshin në hamam ishte marrë më 6 mars të vitit 1828. (Bëhej fjalë për 100 vjet më parë). Thuhej se një vendim i tillë ishte marrë për shkak të llafeve dhe thashethemeve që ishin përhapur në atë kohë!… Ç’mund të kishte ndodhur vallë? Në të vërtetë thashethemet ishin përhapur nga vetë plakat e qytetit. Të moshuarat me të dëgjuar fjalën “hamam”, kishin çjerrë faqet me thonj, kishin bërë pu-pu-puuu dhe nën zë e me zë kishin thënë: ” Po prishet bota! Si mund të shkojnë gratë dhe çupat e të lahen në një vend të botës që nuk është shtëpia e tyre! Si mund t’i zhveshin të gjitha rrobat e trupit! Thonë që lahen lakuriq fare!” Për plakat diçka e keqe kishte për të ndodhur në Korçë. Mblidheshin te sofatet e portës dhe pyesnin njëra-tjetrën: “Si bëhet larja në atë vend të mallkuar që quhet “hamam?” Vetë ato nuk kishin guxim të shkonin e të shihnin se çfarë bëhej atje, sepse bota do të thoshte që edhe plakat paskëshin dalë nga fiqiri. Megjithatë rrinin dhe përgjonin se çfarë thuhej e nuk thuhej për çupat që dilnin gjithë nur prej hamameve, aq sa djemve kishte filluar t’u ikte truri. Për plakat e Korçës hamami mund të ishte i bukur dhe i këndshëm si një përrallë, por nuk mund të ishte i vërtetë sepse një gjë e tillë duhej të ishte krijuar doemos nga vetë djalli.
BANJAT E TEFIK LAMÇES
Edhe pse kishin kaluar disa ditë nga botimi i artikullit që fliste për hamamet e shoqërisë “Shëndeti”, vajzat përsëri i kujtonin njëra-tjetrës fraza të shkëputura që u kishin mbetur në mendje. Lamçja kishte thënë se, “është e para ndërtesë kësidore që ndërtohet në Korçë dhe ndofta e vetmja në tërë Shqipërinë, edhe nga më të mirat në tërë Ballkanin”, ndërsa vetë gazetari e quante ndërtesën “me pamje fort të lezetshme”. Megjithatë vajzat ndiheshin të përkdhelura nga vetë fakti që një ndërtesë e tillë do të ishte e vetmja në gjithë Shqipërinë. Për to, ishte mrekulli të të shihin duke dalë që andej si një hirushe që del prej pallatit dhe e lagur krejt si rosa që del prej ujit. Kur gazetari kishte hyrë në brendësi të ndërtesës ishte gjendur përballë një mekanizmi që ai e kishte quajtur “mashinë” dhe ndërkaq kishte parë disa kazanë të mëdhenj që mbanin një emër të huaj e të çuditshëm “Steam Boiler”. Mashina tërhiqte ujë nga pusi dhe e dërgonte te kazanët që ndodheshin përmbi banjat. Më pas, ai ishte ngjitur edhe në katin e dyti, ku gjendeshin 28 dhoma. Tefik Lamçe i kishte shpjeguar gazetarit përse do të shërbenin ato: 12 prej tyre do të ishin banja europiane dhe me dush, 4 banja turke, 2 dhoma për të djersitur, 2 dhoma për t’u prehur dhe 2 dhoma të tjera për të pritur. Do të kishte gjithashtu edhe 2 bufe dhe 1 dhomë për kujdestarin, ndërsa tre 3 dhoma të tjera do të shfrytëzoheshin për shërbime të ndryshme. Të gjitha dhomat ndriçoheshin si me pasqyrë. Tefik Lamçe i kishte shpjeguar gazetarit se, “banjat janë krejt të mbaruara dhe kanë lehtësirat e banjave europiane”. Pra, pritej vetëm inaugurimi t tyre. Sipas vajzave, ato kishin qenë me fat që kishin ardhur në jetë në një kohë të tillë kur përparimi po ndriçonte gjithë njerëzimin. Ato nuk do të laheshin më në govatë ashtu si deri më tani. Qyteti do të kishte hamame të tilla që nuk ishin parë kurrë deri më sot. Megjithatë ende e kishin një merak, mos vallë edhe ato do të ndaloheshin të shkonin në hamam?
SI JANË HAMAMET?
Vajzat dinin gjithashtu se hamami i parë ishte ndërtuar nga fundi i shek XV nga Iljaz bej Mirahori, themeluesi i qytetit, ndërsa i dyti ishte ndërtuar nga Dhimiter Pilika. Ky hamam u ndërtua aty nga vitet 1800 dhe ngrihej përballë kishës së “Shën Gjergjit”. Pilika kishte qenë emigrant në Egjipt dhe atë kohë sapo ishte kthyer që andej. Të parën punë që bëri ishte ngritja e hamamit jo vetëm për burrat por edhe për gratë, por tashmë asnjëri pej tyre nuk ekzistonte, ndaj vajzat ishin të dëshiruara të dinin më shumë se si ishin hamamet. Shpresonin shumë që edhe ato të laheshin atje. Në hamamin e dikurshëm, atje ku laheshin gratë, nuk lejohej prania e burrave, ndoshta kështu do të ishte edhe ne hamamin e ri, ndaj ishte caktuar edhe një kujdestar. Nga më të moshuarat kishin dëgjuar se në hamam gratë nuk laheshin me ujë po me avull. Madje kishin dëgjjuar gjithashtu se larja në hamam të zbukuronte dhe lëkurës i jepte shkëlqim. Hamami gjithnjë kishte qenë një çudi. Gratë e asaj kohe nuk kishin patur ndonjë faj që kishin shkuar të laheshin në hamam, sepse të gjitha këto i kishin dëgjuar nga burrat. Ata kishin qenë të parët që ishin larë atje. Kur u binte rasti të grindeshin me bashkëshortët ato u thoshin: “Kini të drejtë ju, se laheni në hamam, ju ka ikur mendja fare, keni filluar të shkoni edhe dy herë në javë, kurse për ne gratë ka mbetur vetëm govata! Sherret do të vazhdonin deri sa një ditë disa gra hynë në hamam. Akulli ishte thyer. Pati shumë njerëz që folën keq për gratë e hamamit, kishte edhe nga ata që qëndruan të heshtur, siç pati dhe të tjerë që thanë se larja e grave në hamam nuk ishte ndonjë turp, por plakat e qytetit vazhdonin të çirrnin faqet me thonj e të ankoheshin se po prishej bota
HABIA
Kur vajzat kujtonin hamamin e 100 viteve më parë, ndiheshin të lumtura që femrat e asaj kohë ia kishin dalë mbanë e të shkonin të laheshin në hamam, ashtu sikurse ndiheshin të trishtuara për vendimin që ishte marrë e që i ndalonte gratë dhe vajzat të mos shkonin më të laheshin atje. Ato veërtet kishin mundur ta fitonin luftën, por vetëm për një farë kohe, sepse plakat nuk reshtën së thëni se grate e sotme ishin çmendur të gjitha. Sipas tyre, të gjitha fajet i kishin burrat që u kishin hequr kapistrën dhe po i linin të livadhisnin siç u donte qejfi. Për to, bota po prishej, dhe katastrofa e madhe nuk do të vononte. Të moshuarave u vinte keq që nuk po gjenin dot përkrahje as nga djemtë e tyre. Sa herë flisnin për hamamin ata përgjigjeshin: ” Po nuk është vetëm Korça që ka hamam. Hamam ka edhe në Tiranë, edhe në Krujë, edhe në Elbasan, edhe në Shkodër edhe në Durrës, edhe në Çorovodë, edhe në Delvinë, edhe në Gjirokastër, edhe në Lezhë, edhe në Berat, edhe në… “Qenka bërë bota hamam, pse nuk thoni, përgjigjeshin plakat, por nëse është çmendur bota, shtëpia jonë nuk do të çmendet. Nusja jonë do të lahet në govatë .. pas kësaj gratë nisën të thërrisnin njëra- tjetrën dhe shkonin së bashku për t’u larë që të ishin më të mbrojtura nga llafet. Kur gratë ktheheshin në shtepi ishin gjithë shend e vere. “E po nuk mund të laheshim gjithë jetën në govatë! Megjithatë asnjëherë nuk e kishin menduar se do të vinte një ditë kur do t’u thoshin: “Nga sot e tutje ju nuk do të shkoni të laheni në hamam!”.
HAMAMI
Pak ditë më pas u bë edhe inaugurimi i hamamit. Nga fjala e Tefik bej Lamçes u kuptua se dy kazanet e mëdhenj merrnin nga 4.000 qillo ujë secili. Uji i ngrohtë që ndodhej në këto dy kazanë shpërndahej me sulina të ndryshme nëpër banja e hamame. Përmbi dhomën e kazanëve ndodhej stera (rezervuari) me ujë të ftohtë i cili merrte më shumë se 17 mijë qillo ujë. Sipas Tefik bej Lamçes, ndërtesa së bashku me truallin dhe instalacionin kishte kushtuar deri në100.000 fr. ari. Veç kësaj, shoqëria “Shëndeti”, kishte mendur që pranë ndërtesës së banjave të ngrinte edhe një furrë moderne për prodhimin e bukës hase, të biskotave dhe prodhime të tjera prej brumi. Por atë çast vajzat e kishin mendjen vetëm te hamami. Atë ditë ato patën rastin ta shihnin ndërtesën nga afër. Hamami vërtet kishte qenë një çudi. Ishte një ndërtesë e bukur, e zbukuruar edhe me piktura. Gjithkush që vinte aty hynte së pari te dhoma e pritjes. Deri sa të të vinte radha mund të qëndroje në dhomën e pritjes, ku të qerasnin me çaj apo me diçka tjetër. Edhe në këtë dhomë bënte ngrohtë. Aty grate mund të pinin çaj, mund të bënin thashetheme, ashtu sikurse mund flisnin edhe për politikën nëse dëshironin. Ambiente të dtilla do t’u kujtonin gjithnjë grave dhe vajzave se si kishin bërë deri atë ditë që ishin larë në govatë, e ndërkaq do t’u duhej të qeshin me zë të lartë me të kaluarën e tyre.
VAJZAT
Vajzat mendonin se bota kishte ecur shumë përpara. Kushedi ç’gjëra të tjera do të degjonin si kjo puna e hamamit. Ende nuk e kishin të qartë se çfarë ishte dhoma e avullit por gjithsesi kuptohej seç mund të ishte loja me avullin. Interesante mbetej edhe dhoma e djersitjes. Atje djersiteshe e gjitha. Duhej të ishte Parajsë e vërtetë. Nuk kishte asnjë ngjasim me larjen në shtëpi, ku këtej laheshe me ujë të nxehtë, duke e hedhur ujë me kapaçkë dhe këtej të futeshin mornica. Aty ishte bukur e ngrohtë. Si u kishte vajtuar mendja vallë të shpikin një gjë të tillë! Aty, te këto dhoma që dukeshin sikur nuk kishin të numëruar, mund të hyje në ujin e ngrohtë në një vaskë të madhe, ku uji i nxehtë vinte që së larti e zbriste aty përmes tubash qeramike. Se si vinte të nxehtit edhe nga dyshemeja edhe nga tavani askush nuk ishin dhe aq në gjendje ta kuptonte, por vajzat do të ishin të kënaqura që kishin pasur fatin të jetonin në një epokë të tillë. Ndoshta të gjithë njerëzit e botes kështu laheshin. Edhe ne nga ata i kishim mësuar. Kushedi ç’gjëra të tjera të bukura ka bota!. Një çast më pas vajzat u përpoqën të pëfytyronin se si silleshin plakat me nuset dhe çupat e tyre, vetëm e vetëm që të pengonin vajtjen e tyre në hamam.
VENDIMI
Vërtetë 100 vjet më parë ishte e ndaluar që burrat t’i afroheshin hamamit, por djemtë e dashuruar prisnin diku më larg të shikonin çupat e tyre kur dilnin prej andej. Dëshironin t’i shihnin kur dilnin në rrugë të lehta si pupla, të krehura e të ujdisura, me erën e sapunit dhe të ujit që shpërndahej gjithandej. Ato bënin sikur nuk shikonin, iknin kokulur dhe pa kthyer kokën anash, por kjo gjë ua ndizte edhe më shumë gjakun të rinjve. Përpiqeshin t’u bënin ndonjë shenjë, por nuk mundeshin. Veç kësaj, ato ishin gjithnjë të shoqëruara. Nëse do t’u dilte ndonje fjalë, duhet ta qanin përjetë hamamin. Megjithatë, djemtë vazhdonin të shpresonin në larjen tjetër të vajzave. Përsëri dilnin dhe prisnin diku larg hamamit për të mos rënë edhe aq shumë në sy. Thuhet se pati edhe nga ata që u dashuruan. Qytetin e Korçës po e mbulonin sërish thashethemet. Plakat gjetën rastin për të thënë se në hamame bëheshin vetëm turpe. Gratë zhvisheshin fare dhe bënin çudira. Fjala shkoi deri te Mitropolia. Plakat thanë se Korça po turpërohej. Vajzat dhe çupat po luanin mendsh. Të pakët kështu e shikonin situatën më të moshuarat.
Gratë nisën përsëri rezistencën, por nuk e dinin se kësaj radhe do të humbisnin luftën. Mitropolia e Korçës me 6 mars 1826, doli me një qarkore, në pikën 12 të saj, thuhej: “Nuset dhe gratë ndëshkohen të shkojnë në hamam”. Pas kësaj gratë u detyruan t’i riktheheshin ritit të vjetër. Çdo të shtunë laheshin në govatën prej druri, por gjithnjë duke shpresuar të fitonin serish mbi thashethemet. Ato gjithnjë ia kanë dalë mbanë.
Dhe ndërsa kujtonin të gjitha këto, vajzat e Korçës ndiheshin mirë që kishin mundur të realizonin ëndrrën e gjysheve të tyre. Askush prej banorëve të Korçës nuk po ankohej pse vakjzat po shkoheshin të laheshin në hamamet e shoqërisë “Shëndeti”. Kohët kishin ndryshuar. Vërtet, por nëse gjyshet do të ishin gjallë, çfarë do të thoshin për mbesat e tyre, a do t’i linin të shkonin të laheshin në hamam?