Albspirit

Media/News/Publishing

Mesila DODA: A jemi një? (dedikuar arrestimit të Haradinajt)

Në fillim u mendua se ishte një gabim, më pas u ndjemë të hutuar dhe tash në fund një dëshpërim krejt i natyrshëm po përhapet me shpejtësi pas lajmit të pabesueshëm se ish-kryeministri i Kosoves, kryetar i një partie parlamentare AAK-së, i akuzuar dy herë dhe po aq herë i shpallur i pafajshëm nga Tribunal i Hagës Ramush Haradinaj, ndalohet në territorin francez si pasojë e një urdhri ndalimi nga qeveria serbe.

Ndalimi nuk ndodh në Serbi, siç mund të kish qenë e kuptueshme…ndodh në Francë, një vend në të cilin Rramush Haradinaj ka qenë edhe herë të tjera, një vend që bën pjesë në forcat e armatosura KFOR që janë të instaluara në Kosovë, një vend që njeh fuqinë e vendimeve të Hagës dhe që konsiderohet si zemër e Europës.

Kjo është rrjedhoja e politikës mjerane, të pafuqishme e disfatiste që shqiptarët kanë prodhuar gjatë këtyre viteve. Përgjatë historisë sonë politikanët kanë lëshuar shpesh pjesë të territoreve kombtare për të marrë pushtet…dhe sot e gjejmë Shqipërinë me çerekun e territoreve që do duhet të kishte, sot e gjejmë luftën e luftëtarëve të Kosovës nën akuzë në Tribunal e ngritur me votën e deputetëve shqiptarë të Kosovës, gjejmë Kosovën të shqyer në Mitrovicë, Preshevë e në Mal të Zi, sot vështrojmë pa kurrfarë habie se si një luftë heroike e vetmbrojtëse po demontohet moralisht e ligjërisht dhe po vihet nën akuzë, ndërsa ne mjerisht ose rrimë e kundrojmë pa lëvizur as gishtin, ose i japim votën në parlament…
Tash ka nevojë për veprime e bashkveprime urgjente. Më së pari shteti shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të veprojë si një i vetëm. Të lemë mënjanë cicërimat sa në Tiranë e sa në Prishtinë, dhe ti dalim bashkërisht në krah Rramush Haradinajt që sot është fytyra e Luftës së UÇK-së, anipse e goditur, e përbaltur dhe e tradhëtuar. Së dyti, të nisim një process të vërtetë bashkimi mendjesh e politikash të përbashkëta, të lemë mënjanë marrinat e kombit Kosovar e shqiptar dhe të sillemi si një gjak e një mendje.

Rramush Haradinaj nuk ka nevojë për askënd nga ne. Ja ka dalë bukur fort të tregojë pafajsinë e tij me parë, e ka dalë me ballin lart nga Haga dhe do ja dalë edhe kësaj here. Por sot e kaluara dhe e ardhmja jonë ka nevojë për mbrojtje nga të gjithë ne, nga politikanët e Shqipërisë, Kosovës, opozita, diaspora, diplomacia dhe ekonomia e fuqishme dhe që vepron njëherazi. Veprime e protesta energjike, ne Francë nga diaspora, në diplomaci nga Tirana e Prishtina, protesta para çdo ambasade franceze kudo ku ka shqiptarë…duhet të fillojmë të sillemi si një komb i përgjegjshëm.

Please follow and like us: