Milto Kutali rikthen Robert Ndrenikën në teatër
Regjisori i njohur i teatrit Milto Kutali këtë vit e nis me një premierë, e cila do të sjellë në skenë aktorë të njohur të teatrit, mes të cilëve aktorin e shquar Robert Ndrenika. Teatri i Metropolit çel sezonin artistik të këtij viti me premierën teatrore “Mendohu Xhiakomino” e autorit të njohur italian Luigi Pirandello, me regji të Milto Kutalit dhe është shfaqja e parë në skenën e teatrit për të rritur këtë vit. Provat për shfaqjen kanë nisur që vitin që lamë pas, por dhe këto ditë po punohet në Teatrin e Metropolit për premierën. Një përzgjedhje e kësaj vepre, që sipas regjisorit ka qenë në vëmendje, sepse shoqëria ka nevojë sot shumë për humanizmin njerëzor. “Aspekti human është ajo që e përshkon nga fillimi në fund këtë vepër, dhe mua më intereson shumë për momentin në të cilin ndodhet dhe shoqëria shqiptare, për disa vlera të qenësishme të humanizmit njerëzor që kanë filluar të humbasin”, është shprehur regjisori Kutali. Regjisori rolin e profesor Totit ia ka besuar aktorit të njohur Robert Ndrenika, i cili vjen me këtë rol pas atij në serialin televiziv “Rrokullisja”. Personazhet e tjerë në komedi do të interpretohen nga Amri Hasanlliu-Xhiakomino, Paola Kodra-Liljana, Arben Derhemi-Cinkuemani, Marjana Kondi-Marjana, Klodjana Keco-Rozaria, Redjan Mulla-At Landolino, Alert Celoaliaj-Kavalier Diana, Merita Dabulla-Filomena dhe Erza Voglo-Nini. Historia në veprën e autorit të njohur italian Luigi Pirandello ka një profesor, që është i afruar moshës së pensionit, por që nuk ka krijuar as familje. Ai nuk ka as të afërm dhe mendon të sakrifikojë për gjeneratën e re, për t’i dhënë një mësim shoqërisë. Bën një martesë fiktive, adopton një vajzë që është vajza e dy prindërve shumë të varfër vetëm që ti japë mundësi një çifti të ri, që të krijojnë jetën, të paktën të hedhin hapat e para në jetë. Por ndërsa puna në Metropol për shfaqjen ka nisur në vitin që lamë pas, sipas regjisorit personazhet e Pirandello-s kanë doza të shumta humori.