Albspirit

Media/News/Publishing

Shtypi gjermanofon për arrestimin e Haradinajt

Ekstradimi i Haradinajt do të ishte një sensacion, shkruan ndër të tjera gazeta zvicerane “NZZ”. Politikanin kosovar Haradinaj e ndjek sërish hija e së shkuarës, e titullon artikullin gazeta gjermane TAZ.

Duke analizuar rrethanat e arrestimit të Ramush Haradinajt dhe reagimet që ka ngjallur arrestimi i tij në opnion, analisti i “Neue Zürcher Zeitung” pasi bën një përshkrim të figurës së ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, ndalet edhe në zhvillimet në Kosovë në fillim të viteve 2000, kur u themelua kjo parti nga Ramush Haradinaj. “Në vitin 2000 ai themeloi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës duke u bërë kështu një konkurrent i Hashim Thaçit. Diplomatët perëndimorë politikanin e sapo formësuar e morën në mbrojtje. Ata e lëvdonin atë si të aftë për të mësuar dhe bashkëpunues dhe vlerësonin respektin, që ai tregonte ndaj tyre. Por që ky raport paternalist nuk i përgjigjej aspak raporteve reale të pushtetit, ata e kuptuan në vitin 2004. Shumë kosovarë asokohe ishin të zhgënjyer që pavarësia nuk po avanconte dhe indinjoheshin që ‘ndërkombëtarët’ donin të diskutonin për statusin e vendit pasi të përmbusheshin ‘standardet’ e kërkuara prej tyre. Kësisoj shpërtheu një pogromë gjysmë spontane dhe gjysmë e orkestruar. Kryesisht kjo revoltë drejtohej kundër minoriteteve por edhe kundër pranisë ndërkombëtare. Në këtë çast u bë e qartë, se pushteti në Kosovë nuk ishte në duart e ‘bashkësisë ndërkombëtare’, por në duart e ish-warlords, që në çdo kohë mund të nxisnin një gjendje të jashtëzakonshme. Ramush Haradinaj ishte përfaqësuesi më promiment i këtij grupi. Shefi i Misionit të OKB-së, UNMIK, Sören Jessen-Petersen, për këtë arsye u afrua me të. Kësisoj u zhvillua një aleancë nga halli në formën e një miqësie burrash. ‘Ndërkombëtarët’ gjithnjë e më shumë u angazhuan për agjendën e pavarësisë të elitës vendase, ndaj vullnetit të së cilës ato ishin të varura, për ta mbajtur në stabilitet protektoratin. Kur Haradinaj në mars 2005 u akuzua nga Tribunali për Krimet e Luftës, Jessen-Petersen e cilësoi atë si mik dhe e mbështeti. Kryeprokurorja e Tribunalit, Carla Del Ponte, më vonë akuzonte, se atë nuk e kishin mbështetur as UNMIK-u dhe as NATO-ja. …

Duke komentuar procesin ndaj Haradinatj në Hagë, më tej në artikullin e ‘Neue Zürcher Zeitung’shkruhet: “Sado të dyshimta të jenë rrethanat që e shoqëruan këtë proces, po aq i qartë është juridikisht lirimi nga akuza i Haradinajt. Ndaj janë të pakta shanset që të ketë sukses kërkesa e Serbisë për ekstradim, edhe për faktin se Haradinaj udhëtonte me pasaportë diplomatike. Gjatë arrestimit të tij të fundit në Slloveni më 2015 autoritetet e liruan atë pas pak ditësh për shkak të imunitetit që gëzonte. Një vendim ndryshe i francezëve do të ishte një sensacion”, shkruan ‘Neue Zürcher Zeitung’.

Sërish politikanin kosovar Haradinaj e ndjek hija e së shkuarës, e titullon artikullin gazeta gjermane “Tageszeitung” (TAZ). Në Francë dhoma e prokurorisë së gjykatës së apelit duhet të vendosë, se si do të vazhdojë çështja e ish-kryeministrit të Kosovës, shkruan kjo gazetë duke nënvizuar: “Kjo çështje e diskutueshme edhe në aspektin diplomatik, sikurse iu bë e ditur gazetës TAZ në Colmar, do të gjykohet javën e ardhëshme nga drejtësia franceze. Gjatë shqyrtimit duhet të merren shumë aspkete në konsideratë. Pikërisht çështja, nëse formalisht dhe në aspketin përmbajtësor urdhër-arresti i Serbisë i vitit 2004 duhet pranuar. Serbia do t’i hapë proces Haradinajt për krime lufte. Ai akuzohet, se njësia e drejtuar prej tij “shqiponja e zezë”, gjatë luftës për pavarësi ka torturuar e vrarë disa duzina civilë serbë në rajonin e Deçanit. Haradinaj në vitin 2008 u lirua nga Tribunali për Krime Lufte në të 37 pikat e akuzës për mungesë provash. Tani drejtësia franceze duhet të provojë, nëse në kërkesën për ekstradim ndaj tij ngrihen të njëjtat akuza. Po ashtu motivet politike nuk do të ishin të lejushme për ekstradimin. Por pavarësisht gjykimit lidhur me arrestin Haradinaj brenda 24 orëve duhet të paraqitet tek një gjykatës. Ky i fundi ka mundësi që ta mbajë atë në arrest deri në marrjen e një vendimi për lëndën ose ta lirojë atë me kusht. Por atij edhe mund t’i tërhiqet pasaporta diplomatike dhe të detyrohet, që deri në hapjen e procesit të mbahet nën kontroll policor në Colmar.

Please follow and like us: