Voskopoja u ndërtua nga vllehët, Korça nga myslimanët
Si e plaçkitën pazarin e Korçës dhe i vunë zjarrin Kasabasë
Korçë- Që nga atëherë kanë kaluar shumë kohë por deri më tani kjo histori ka mbetur e patreguar. Sot vjen për herë të parë. Çuditërisht as historianët nuk kanë mundur të shkruajnë qoftë edhe një fjali të vetme për ngjarjet e Korçës; madje as për djegiet, as për vrasjet, as për shkatërrimet dhe as për bombardimin e 17 shkurtit 1917, ku mbetën me dhjetra të vrarë, shumë të plagosur dhe shtëpi të tëra të rrënuara e të groposura në humnerat e hapura prej 50 bombave që u hodhën mbi Korçë njëra pas tjetrës nga 7 aeroplanë. Që të gjitha këto janë mbajtur nën një heshtje të plotë duke e shndërruar ngjarjen në një mister të frikshëm. Pse ka ndodhur kështu, arsyet edhe dihen, ne do t’i përshkruajmë gjatë rrëfimit, por ajo çfarë ka ngjarë me Korçën është vërtetë një dhimbje e madhe. Ne mund të ofrojmë vetëm një pjesë të saj; atë që ka mbetur e shkruar në kronikat e gazetës “Koha”, të drejtuar nga Mihal Grameno. Sigurisht, edhe dokumente të tjera mund të gjendeshin, por historianët tanë, me qëllim ose jo, i kanë anashkaluar këto ngjarje që në të vërtetë s’janë gjë tjetër veçse tmerre e tragjedi mbi popullsinë myslimane të qytetit të Korçës.
Një plan i zi për Korçën
Ishte viti 1914 kur kapedani grek Varda i ndjekur nga një turmë njerëzish, me dhe pa uniforma ushtarake, (ushtarë dhe andartë) ishte nisur me tërbim drejt Korçës, ashtu siç ndodh me një bishë kur e di se kopeja ndodhet në vathë dhe nuk ka nga t’i ikë. (Kur themi Korça, e kemi fjalën për lagjet e “Kasabasë”, sepse ajo ishte dhe qyteti në atë kohë). Atij, kapedan Vardës nuk po i durohej sa të shkelte Kasabanë. Dëshironte të mbërrinte atje një orë e më parë. E kishte një plan të zi në kokën e tij dhe nuk i pritej sa ta shihte të realizuar. Do të plaçkiste një nga pazaret më të famshme të asaj kohe e do të rrëmbente prej andej gjithçka që mundej; mall, të holla, ushqime dhe veshje për ushtarët e tij, të cilët ngjasonin më së shumti me një turmë rrjepacakësh e qafëpalarësh. Pastaj do t’i vinte zjarrin gjithçkaje, që tregtarët myslimanë të linin lagjet e “Kasabasë” e të merrnin arratinë. Ushtarë dhe andartë do t’i ndiqnin nga pas dhe do t’i mbanin për një kohë të gjatë nën breshërinë e plumbave që ata të iknin sa më larg që të ishte e mundur dhe mundësisht të mos ktheheshin më kurrë në atë qytet, (në Kasaba), të cilën myslimanët e kishin ndërtuar vetë me duart e tyre. Që nga dita e themelimit të qytetit, (1484-86), kishin kaluar më shumë se 400 vjet, dhe ata deri atë ditë kishin jetuar gjithnjë në paqe, por ja që kapedan Varda ishte nisur nga Greqia e po vinte drejt Kasabasë që të përzinte banorët e saj, sepse ai nuk e donte atë qytet të ndërtuar nga myslimanët. Ai do t’i përzinte përjetësisht që prej aty, vetëm e vetëm që të kishte mundësi të shkruante një histori tjetër për këtë qytet, lavdia e të cilit kishte shkuar shumë larg. E kishte marrë përsipër mjerani këtë aventurë, sepse as që e kishte menduar ndonjëherë se nga këto troje do të kthehej në shtëpinë e tij veçse i vdekur…
Ai kishte mbërritur…
Po , më në fund kapedani Varda kishte mbërritur. Askush nuk kishte patur dijeni mbi mundësinë e ardhjes së tij. Gjithçka kishte qenë e papritur. Kështu ishte parashikuar edhe në planin e tij të zi. Të gjitha veprimet duhej të ishin të befasishme, sepse në të kundërt njerëzit mund të largoheshin dhe ai nuk do të kishte mundësi të vriste e të priste. Plaçkitja e pazarit do të ndodhte brenda një kohe jo fort të shkurtër. Nga ana e Vardës sapo ishte dhënë urdhëri i bastisjes. Ushtarët dhe andartët nisën të hynin në dyqane, kafene, hane e tavëhane dhe nxirrnin zvarrë që andej pronarët e lokaleve. Pastaj filluan të rrëmbenin gjithçka që mund të rrëmbehej; veshje, ushqime, cigare, pije… Frangat e arit i takonin vetëm kapedan Vardës. Dyqanet po boshatiseshin dhe rrugët po mbusheshin me mallra të hedhura andej-këndej. Gjithkush synonte që fillimisht të merrte ato që kishin më shumë vlerë e më pas të tjerat. Ishte një rrëmujë që dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë. Shtyheshin, vraponin, iknin, ktheshin dhe zhvatja përsëri nuk kishte të përfunduar. Pazari i Korçës kishte një shtrirje kaq të madhe sa të dukej sikur nuk kishte as fillim dhe as fund. Edhe magazinat po plaçkiteshin njëra pas tjetrës. Ajo që po ndodhte me Korçën ishte një tmerr i vërtetë që nuk do të harrohej kurrë.
Edhe grekomanët…
Nuk vonoi shumë dhe turmës së ushtarëve dhe andartëve të kapedan Vardës iu bashkuan edhe ata, ca grekomanë që banonin në lagjet e “Varoshit”. Edhe atyre më në fund po u ndriste fati. Tashmë edhe ata mund të vidhnin, të rrëmbenin dhe të plaçkisnin ashtu siç po bënin “trimat” e Vardës. Dhe kur në të gjitha dyqanet nuk kishte mbetur qoftë edhe një kuti shkrepse pa u grabitur, atëherë dikush prej tyre u kujtua dhe u tha andartëve se atje në periferi të qytetit gjendeshin kopetë e bagëtive, lopët dhe delet e myslimanëve. Askush prej tyre nuk u mendua dy herë, nuk pati asnjë çast hezitimi, që të gjithë u nisën andej nga i udhëhiqte udhërrëfyesi. Myslimanët çuditërisht nuk po bëheshin të gjallë. Disa thanë se tashmë ata kishin ikur nga Kasabaja; të tjerë pohohuan se i kishin parë të fshiheshin nëpër bodrumet e shtëpive, ashtu sikurse pati edhe nga ata që thanë se Varda i kishte shkuar që të gjithë në thikë e s’kishte mbetur askush i gjallë, por në të vërtetë asgjë nuk dihej me siguri. Tmerri ishte i madh. Që nga ardhja e kapedan Vardës breshëria e plumbave nuk pati të pushuar për asnjë çast. Përderisa ata ishin nisur të grabisnin mallin dhe gjënë e myslimanëve dhe myslimanët nuk po bëheshin të gjallë, kjo tregonte se ata ose kishin kishin ikur, ose nuk jetonin më. Bagëtitë vërtet kishin mbetur pa zot. Edhe çobenjtë kishin braktisur gjënë e gjallë dhe nuk dihej nga kishin shkuar.
Mish dhe verë…
Pas pak, gjithë hajdutëria nisi të kthehej me tufa dhensh, lopësh e dhish. Disa të tjerë po vinin kapardisur mbi kuaj, duke u tundur dhe shkundur si arkondë të vërtetë. Atë natë u therën shumë bagëti dhe u festua deri në të gdhirë. Mishi dhe vera nuk kishin te sosur. Të dehurit u përhapën si fantazma në të gjitha rrugët e qytetit. Ahengu i ushtarëve të Vardës do të përfundonte vetëm në të gdhirë. “Varda me andartët, katilët e tij, bëri të njëmijë e një qindat, e zhveshi dhe e prishi megjithsej Korçën dhe rrethinat e saj”, shkruante gazeta “Koha”. Vjedhja vazhdoi edhe ditën e nesërme. Ushtarë, andartë e grekomanë do të përhapeshin nëpër të gjitha çifligjet që ishin pronë e bejlerëve të Kasabasë, sepse gjithnjë gjendet diçka për të rrëmbyer në pronën e tjetrit. Disa prej rrëmbyesve shpresonin që ato çifligje ose të bëheshin prona të tyre, ose të merreshin me ndonjë farëlloj qiraje sa për t’u zënë në gojë, sepse kthimi i myslimanve në Kasaba as kishte për të ndodhur ndonjëherë dhe as nuk mund të mendohej. Madje që të nesërmen nisën të vinin në punë njerëzit e varfër dhe tu qëndronin te koka, si për tu tregur atyre se tani e tutje do të ishin ata zotët e këtij vendi. Më pas nuk lanë pa vjedhur e prishur xhami e teqe. Shpresonin shumë që tek tyrbja, atje ku gjendej varri i themeluesit të qytetit, Iljaz bej Mirahorit dhe i njerëzve të tij do të gjenin të fshehur edhe ndonjë thesar, megjithatë vodhën gjithçka gjeten dhe prishën gjithçka mundën. Askush prej asaj turme nuk ndjente të ngopur me vjedhje e grabitje.
Por… çfarë kishte ndodhur vallë me myslimanët?
Banorët e Kasabasë
Tregtarët myslimanë me të braktisur dyqanet e pazarit kishin nxituar drejt banesave me qëllim që të merrnin familjet e tyre dhe të iknin sa më larg Ksabasë, por nuk kishin mundur. Pikërisht në këtë kohë, në dyert e shtëpive të tyre kishin mbërritur ushtarët dhe andartët. Që nga ai çast edhe brenda banesave nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh, ulërima grash, të qara fëmijësh dhe rrënkime pleqësh… Kishte qenë një kacafytje e përgjakshme mes banorëve të Kasabasë dhe kapedanëve të kapedan Vardës. Po ndodhnin gjëra që nuk mund të tregohen… Të gjithë donin të iknin… Dhe ata që mundën ikën… Mbetën aty vetëm pleqtë që nuk ecnin dot, ata që ishin të sëmurë dhe lëngonin në shtrat, por edhe ata që preferuan të vdisnin në shtëpitë e tyre… Megjithatë, që të gjithë vajtonin; edhe ata që kishin marrë arratinë, edhe ata që nuk mundën të iknin dot. Ata që ikën e kishin mendjen te prindërit që s’mundën t’i merrnin dot me vete, por edhe dhe të moshuarit lotonin që ishin ndarë nga fëmijët. Asnjëri prej tyre nuk e dinte si do t’i vinte halli tjetrit… Kishin katërqind vjet që jetonin në ato banesa dhe nuk u kishte ndodhur kështu kurrë më parë. Kishin investuar gjithë jetën e tyre, brez pas brezi, dhe ia kishin dalë mbanë të ndërtonin një qytet të madh dhe të bukur, ashtu siç e kishte ideuar vetë themeluesi i Korçës, Iljaz bej Mirahori. Ishte hera e parë që po e braktisnin atë vend dhe sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, në ikje e sipër, do të shikonin se Kasabasë i ishte vënë flaka; po digjej gjithçka e po shndërrohej në hi. Një tmerr të tillë nuk e kishin menduar kurrë…
Korça vepër e myslimanëve
Po iknin nga ai qytet që ishte bërë realitet fal mundit dhe sakrificës së myslimaneve. Po linin pas pazarin; mall, pasuri e gjithë ç’kishin patur. Vallë a do ta gjenin më këtë qytet nëse një ditë do të ktheheshin përsëri aty? Fama e pazarit kishte shkuar shumë larg, e bashkë me famën e tij po kaq larg kishte shkuar edhe emri i banorëve të tij. Për atë qytet ata do të kishin gjithnjë mall dhe dhimbje. Ishte një qytet që gjithnjë e më shumë po tërhiqte jo vetëm vëmendjen e tregtarve, por edhe të udhëtarve, të historianëve, të studiuesve e të njerëzve të artit. Kasabaja për të gjithë mbetej një krijesë sa e këndshme aq dhe e mrekullueshme. Veç kësaj, çdonjërin që jetonte në ato anë e bënte të ndihej krenar. Madje mund t’u duket e pabesueshme, por vetë me dëshirët e tyre, disa të krishterë morën iniciativën për ta shndërruar portretin e Kasabasë në një imazh të pavdekshëm. Në vitin 1767 ata e gdhëndën pamjen e saj në një gravurë. Fati e deshi të ndodhte kështu, që askush të mos e zhdukte dot imazhin e saj, qoftë edhe duke e djegur, prishur dhe shkatërruar. Kishte qenë e shkruar që ajo të ringjallej sërish nga hiri për të qenë përjetësisht aty. Kjo gravurë e vitit 1767 u skicua në Vjenë prej voskopojarit Theodhor Sina Grundo, nën përkujdesjen e murgut të shenjtë Parthen të manastirit të Shën Prodhromit Voskopojë, me shpenzime të tregtarit gjithashtu voskopojar të asaj kohe, zotit Andrea Tirka. Gravura e Korçës është një pjesë mikroskopike e një gravure komplekse të madhe ku përveç pamjes së Voskopojës, Shipskës etj, jepet edhe pamja e qytetit të Korçës. Në këtë gravurë dallohet lumi, xhamia dhe disa shtëpi të qytetit (që nuk është gjë tjetër veçse Kasabaja), si dhe një pyll me pisha në pjesën jugore, matanë lumit të Moravës.(shpjegimet janë të studiuesit Ilia ballaurit) Skalitja e pamjes së Kasabasë është një falenderim për vllehët e Voskopojës
Asgjë e çuditshme
Ndoshta dikujt mund t’i duket e çuditshme pse Kasabaja u skicua nga Voskopojarët, madje dhe me shpenzimet e tyre, por në të vërtetë këtu nuk ka asgjë të çudtishme. Me Voskopojarët, banorët e Kasabasë kishin patur gjithnjë marrëdhënie e fqinjësi të mirë dhe gjithnjë i kishin ofruar ndihmë njëri-tjetrit. Mjeshtrit e Kasabasë u kishin mësuar zanatet voskopojarëve. Këtë të vërtetë e sjell edhe Pirro Thomo në librin e tij “Korça, urbanistika dhe arkitektura” ku konkretisht shkruan: “Nga dokumentet e vitit 1762 mësojmë se banorët e Voskopojës kanë shkuar te mjeshtrit e kazasë së Korçës, kanë punuar dhe mësuar zejet e rrobaqepësisë, këpucarisë dhe të farkëtarisë”, pra, shpjegon Thomo, “duket qartë se në atë kohë zejet në këtë qytet ishin në lulëzim, përderisa banorët e Voskopojës, e cila kishte arritur një nivel të lartë si qendër e rëndësishme tregtare e kulturore, vinin këtu dhe mësonin zanat”. Edhe sahatin e Kasabasë që ngrihej në oborrin e Xhamisë së Madhe e kishin ngritur bashkë me voskopojarët. Investimet u kryen nga rufeti i bakejve myslimanë në bashkëpunim vllazëror me zejtaro-tregtarët e Voskopojës. Në vitin 1784 sahati zbukuroi gjithë qytetin, pasi u vendos në një kullë të lartë nga ku mund të shihej prej të gjithëve. Sigurisht Voskopoja ishte ndërtuar nga vllehët, ndërsa Korça ishte vepër e myslimanëve. Kjo ishte dhe arsyeja që i lidhi kaq fort njëri me tjetrin, si ndërtues të dy qyteteve të famshme.
Braktisja e Kasabasë
Kishin jetuar për 400 vjet me radhë në qytetin e tyre në Kasaba, por tashmë e kishin braktisur atë. Kishin marrë udhët dhe ishin ndalur fshatrave të largët, atje ku kishin patur të afërm apo të njohur. Ende kishin shpresa se një ditë gjendja do të qetësohej, dhe ata do të riktheheshin në shtëpitë e tyre, por lajmet që përhapeshin ishin dëshpëruese dhe të frikshme. Greqia kishte sjellë në Korçë njerëz të tjerë; ishin përzgjedhur gjithë kriminelët e Greqisë, ata që ishin të aftë t’i bënin të gjitha. Gjithçka ishte e qartë: nuk do të lejohej më kthmi i myslimanëve në Kasaba. Gazeta “Koha” shkruante: “Këtu në Korçë, siç flitet, u pikas që u fillua një komitet grek, i cili do të ketë detyrë që të trembë e të vrasë çdo njeri që i kundërshtohet propagandës greke. Ky komitet grek në Korçë u formua prej 8 vetësh dhe Kondulit, (kapedanit grek, i cili erdhi pas kapedan Vardës, shënimi ynë), i ardhi urdhëri që ta njohë e ta mpronjë me çdo therori komitetin grek, që komiteti t’i ketë duart e zgjidhura për të bërë si të dojë”. “Kanë sjellë edhe katilët e Gjiritit për të vrarë ata njerëz që nuk u pëlqejnë atyre, shkruante më tej gazeta. Me që në ky komitet ndodhen edhe ca Korçarë, të cilëve s’u dhimbet aspak për Korçën, është frika se mos na futin në një vëllavrasje. Me një fjalë, siguri këtu në Korçë nuk ka, dhe ne s’dimë se qysh do të jetë fundi ynë, po punët s’na duken fare të mbara…”. (Gazeta koha 1 prill 1915) Të gjitha këto lajme që dukeshin sikur dilnin prej ferrit i dëshpëronin edhe më shumë myslimanët e ikur. Vallë a do të kishte një ditë të bardhë edhe për ta. Asgjë nuk dihej, përveç shpresës që vdes e fundit…
Vrasjet prapa shpine
Fill pas krijimit të komitetit grek nisën të përhapen edhe lajmet e vrasjeve. Njerëzit vriteshin prapa shpine. Autorët kryenin vrasjet dhe largoheshin nga vendi i krimit duke menduar për krimin tjetër që do të kryhenin në një nga ditët që do të vinte. Në shenjestër ishin vënë myslimanët. “Përpara ca kohësh vranë dy bejlerë të Pojanit afër fshatit, shkruante gazeta e cituar më sipër, tani më së fundi vranë tre myslimanë nga fusha, dhe as u kërkuan, as u muar vesh se kush i bëri këto vrasje” “Përveç qeverisë ushtarake, të cilën e drejton kolonel Konduli dhe një policie me ca xhandarë, qeveri ose gjykatore nuk ka në Korçë; as nëpunës s’janë vënë, dhe asnjë e drejtë nuk shikohet”. (Gazeta koha 1 prill 1915) Myslimanët ndiqeshin kudo që të ishin. “Tashti ka dërguar qeveria ca oficerë- katilë të cilët kanë zënë e po bastisin fshatrat myslimane. I mundojnë të gjorët fshatarë duke u vënë hekur të nxehtë nëpër gishtrinj, duke u futur spica nëpër thonjë, duke u hedhur vaj të djegur në kraharor, duke i shtrënguar që të japin çfarëdo arme që kanë dhe duke u rrëmbyer sa mund para më tepër. Të gjorat fshatra myslimane nuk u janë mbarur akoma taksiratat, s’është mjaft që u prishën megjithsej po edhe po i pjekin të gjallë!!! Gazeta koha 21 tetor 1915). Njerëzit, shkruante gazeta, duke parë këto klika me anën e një komiteti katil-gjiritas që është në Korçë ka shtënë tmerrë duke vrarë gjindjen e duke rrjepur edhe lëkurën e trupit të gjindjes”. Veç sa më sipër, tashmë grekomanët kishin edhe dy gazeta në dispozicion për ta përhapur propagandën gjithandej. Fat i mirë ishte që njerëzit e propagandës greke kishin gjithnjë përçarjen mes tyre. “Duke parë që gazetën “Pellazgu” të qelbësirës Skënder nuk e zinin me dorë, veçse (me nder) në të ligë, zunë të nxjerrin një tjetër lëvere më të qelbur “Korica” prej Arqimidh Vangjelit, i dhëndri i qir Vasillaq Singjellit, se arriti kafsha, (është fjala për Arqimidhin), ta urdhërojë gruaja…!” ( 24 june 1915 ).
Asnjë lajm i mirë
Ditët kalonin njëra pas tjetrës dhe banorët e Kasabasë çdo ditë pyesnin mes dhimbjes dhe lotëve; mos vallë grekët kishin ikur nga Kasabaja dhe pazari kishte mbetur i lirë, por nga ato që dëgjonin nuk kishte asnjë lajm të mirë. Grekët nuk kishin ikur dhe në Pazar nuk shkonte askush, sepse tmerri dhe frika ishin përhapur gjithandej. Thuhej se në Korçë mund të yje i gjallë, por për të dalë që andej, veçse i vdekur. Ja si e përshkruante gjendjen e pazarit, gazeta e përmendur më sipër: “Tregtia në Korçë është shumë e pakët, pazari nuk luan fare, tërë tregtarët dhe ditën e së shtunës rrinë me duart kryq dhe po hanë para të azërta, me që myslimanët u prishën fare, dhe me që të holla prej Amerike vijnë fort të pakta, tregtia sot e Korçës po qan, dhe çarshia po gjendet në hall të madh. Po edhe ata bukuroshë korçarë që rrëmbyen këtë behar sa plasën, rrinë dhe po u sosen të hollat dhe po mendohen se s’kanë nga ta zënë, dhe nuk gjejnë më të rrëmbejnë se u mësuan liksht pa punë. Pandehin se po ta zaptojë përsëri Greqia Korçën do të derdhë thasët me flori…” “Një shtrenjtësi e madhe që nuk tregohet, vetëm mishi shitet lirë sepse kasapët kanë edhe lopë edhe dhen të rrëmbyera. (Gazeta “Koha”8 prill 1915) Duhet të shkruaj një kalema të gjatë por të vërtetë për të treguar gjithë të këqijat që po heqim nga vëllezërit grekë nga katilët e mëdhenj të botës që nuk kanë shembull në historitë e përbotshme. Edhe për të vënë në veprim gjithë poshtërsitë kanë ndihmës klikën e poshtër dhe të fëlliqur tradhëtare, të cilët së bashku rrjepin popullin e fakir-fukaranë. Këta të poshtër kanë marrë me qira çifligjet e bejlerëve dhe me ndihmën e qeverisë janë bërë më keq se Ismail Durdushi, vrasin dhe presin më të katër anët, kanë nga tre palë kuaj dhe nuk dinë qysh të mundojnë çifçinjtë (bujqit) për të marë më shumë bereqet. Çifçinjtë muhamedanë, por më shumë të krishterët, janë kaq të dëshpëruar dhe të inatosur kundra këtyre bejlerëve kaurë sa s’është çudi që t’i goditin dhe t’i vrasin se i kuptuan zuzarët që gjer dije u thërritnin dhe i ndërsenin duke thënë: “O burrani, bjeruni turqve dhe u merrni çifligjet,” dhe sot i shikon allabraca me ca belurçina të qelbura të bredhin në sokakët e Korçës bashkë; kanë dhe zuzarë (14 tetor 1915)
E vërteta e planeve të grekut
U deshën të kalonin disa muaj nga dita e shkatërrimit të Kasabasë që njerëzit të fillonin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur realisht me qytetin e tyre. Pasiguria rritej vazhdimisht dhe çdo ditë mbërthente me hijet e frikës edhe shpirtrat e banorëve që vinin të tregtonin te pazari. Gjithçka mund të ndodhte në ato ditë të vështira. Tmerri po bëhej edhe më i madh, kurse varfëria po trokiste në dyert e të gjithëve. Komiteti grek i kishte duart të lira të bënte sit ë donte. Rrugët e Kasabasë kishin mbetur të shkreta, ku herë pas herë shfaqeshin vetëm disa pleq të drobituar që i kishin shpëtuar plumbit dhe zjarrit. Gjithë pamja i ngjasonte një vajtimi therës. Ngado kishte vetëm mure pa dyer dhe dritare dhe hi. Tashmë gjithkush po kuptonte se si u gjendën kaq papritur në këtë situatë kaq të vështirë. Qëllimet e grekut nuk paskëshin qenë aspak të mira për askënd. Gazeta “Koha” shkruante: “Tani e kuptuan bukur cili ishte greku; ata që betoheshin “ja vdekje, ja bashkim”, mallkojnë sahatin e lig kur shkeli këmba e grekut këtu, sepse po e shohin që planet që kishin grekët për ta djegur Korçën, ta bënin hi, jo vetëm që i përmbushën, por përkunrdazi i kapërcyen një qind herë më shumë”. Dhe pas këtij përshkrimi të shkurtër, korrespondenti i gazetës “Koha” në një gjendje tejet dëshpëruese, vazhdonte të pohonte: “Një qind herë më mirë ta kishin djegur se sa e lanë në mure vetëm, dhe me njerëz që s’u ka mbetur as frymë as shpirt! (12 gusht 1915). Megjithatë tashmë grekët kishin disa ditë që kishin ikur dhe myslimanët nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Shpresonin se një tragjedi e tillë nuk kishte për t’u ndodhur më.
Rikthehet ushtria greke
Asgjë nuk do të rezultonte e vërtetë nga ajo që kishin shpresuar myslimanët. Kur kishin kaluar vetëm disa muaj dhe banorëve të Kasabasë ende nuk u ishin mbyllur plagët, ushtria greke u rikthye sërish. Ishte mëngjes kur ata mbërritën në Korçë. “Në një heshtje të plotë ku mbizotëronte qetësia, nisën zërat: Zito! Zito! Zito!… Buçiste qyteti, shkruan gazeta “Koha” kur shikojmë një tokicë njerëz, kapardisur me hutat ndë dorë sikur kishin marrë kokën e krajlit, duke kënduar greqisht u përhapën ndë qytet posi të marrosur. Këta ishin andartët, mohonjësit e shtëpive të tyre. Pas këtyre erdhi një tabor me ushtarë të rregulleshëm, të cilët u përndanë në mëhallat e myslimanëve për të mbrojtur nderin e tyre gjoja. Vinin me një mendje që Korça lule i hodhi zinxhirët e Rrobërisë. Vizitorët bukuroshë, si panë dritën e shkëlqimit të qytetit, ngulë këmbë e nisën të kapardisen; një javë s’lanë gjë pa bërë: çnderuan, prenë, vodhën e prishën xhami e teqe dhe më pas vunë minaret në nishan dyfeku, këta që mos u mbiftë fara! S’guxonte të dalë hoxha në minaret nga plumbat që dërgoheshin. Pa shikoni sa bukur dhe sa mirë i do muhamedanët qeveria greke; si prushin në gji… Ti lëmë fjalët, u suall aq mire, aq të qytetëruar, sa më s’ka ku të vejë. Kështu që vizitorët liridashës shumë nga gratë myslimane u zbulonin suratin! Pasandaj si mund të na ngrohet ky barbar! Kur pas ca kohë, kur dëgjojmë tellallin që thërret dhe thotë, sot do të ngrihet flamuri ynë, të vijnë të gjithë qytetarët! U çudita, shkruan korrespodenti i gazetës “Koha”. Cili flamur do të ishte ay!… Të gjithë ishin mbledhur përpara shtëpisë të Ali Qytezës dhe kur shoh të ngrihet flamuri grek ndë një cep të shtëpisë, ndë atë vend që ka qenë djepi i Lëvizjes Kombëtare. E mjera Korçë!… Pati fatin e zi dhe me ndihmë të saj (të grekomanëve) të arrijë këtë ditë kaq të mërzitur. Gjithë ajo shumicë njerzish e farmakosur me ndjenja mosnjerëzore i shikoj të mblidhen përpara Mitropolisë, që prej asaj delnin farmaqet të gatitura për atë popull, që ta farmakosë”. Ishte viti 1915. Për Kasabanë tmerret dhe dhimbjet nuk do të kishin të sosur. E gjitha kjo është vetëm një pjesë e vogël e rrëfimit e asaj cfarë kemi gjetur te koronikat e gazetës “Koha”
Epilogu
Po , kjo është vetëm një pjesë e asaj çfarë ka ndodhur me Kasabanë, që në atë kohë ishte edhe qyteti. Dikush mund të pyesë: po në anën tjetër të lumit cilat lagje shtriheshin? Ekzistojnë dëshmi të shumta, por mes tyre ka mbetur edhe një dëshmitë mjaft e rallë. Një i moshuar pati rastin t’i tregojë në vitin 1917 botuesit të gazetës “Adriatiku” se si kishte qenë Korça në vitet 1850-60, kohë të cilën ai e kishte jetuar. Me qenë se për Kasabanë dhe pazarin e saj në këtë shkrim kemi folur gjatë, po i referohemi dëshmisë të të moshuarit vetëm për lagjet që ishin në anën tjetër të lumit, (kur lumi ekzistonte). Sipas të moshuarit, “Bulevardi “Shën Gjergji”, (në vitet 1860) ishte një përrua i thellë, që atje kullonin ujërat dhe si zbriste afër kazinos, (kazinoja u ndertua pas viteve 1900, shënimi ynë), merrte më të mëngjër e derdhej në lumë. Që nga shtëpia e Cales dhe gjer në “Shën Gjergji” ishin bostane. Gjeni mëhalla që quhet, ishin ara, ashtu sikurse edhe Barç mëhalla. Kisha e “Shën Gjergjit” ishte një kishë e vogël fort edhe në hapësirë, sikurse janë kishat e katundeve. Ku qendron kazinoja sot, ishte poçaranë dhe më tej s’kishte as farë magazie. Pazari dhe tregtia bëheshin në çarshi të vjetër, (pra në Kasaba, shënimi ynë) që quhej mëhalla nga pazari i peshkut dhe rrotull”. ( Gazeta “Adriatiku”, 9 shkurt 1917). E pra, qyteti i Korçës ishte Kasabaja, dhe meqenëse ishte ndërtuar nga myslimanët, grekët do ta kishin hal në sy, sepse dëshironin që Korçës t’i jepnin një histori tjetër. Megjithatë ajo rilindi sërish nga hiri për të qenë përjetësisht aty… si një vepër e mrekullueshme e myslimanëve.
Vepror Hasani