Xhamia e Korçës, Mitropolia, Zoti dhe gjuha shqipe
Korçë – Një gjë është e vërtetë, janë të paktë ata që kanë pasur fatin të shihnin dhe të lexonin kronikat e vitit 1900. Gjithçka e atyre viteve u servir ashtu siç dëshiruan udhëheqësit komunistë përgjatë 50 viteve të qëndrimit të tyre në pushtet. Mbi të gjitha ata i sollën ato të deformuara. Dhe është kjo arsyeja pse për shumë ngjarje kemi gjykime të gabuara. Megjithatë, rreth 30 kronika të shkurtra, të shkëputura nga gazeta “Korça”, e cila botohej nga patrioti i madh Sami bej Pojani, sjellin atmosferën e vërtetë të atyre viteve. Deri më sot askush nuk parë të shkruhet e të lavdërohen priftërinjtë e Elbasanit, të cilët kanë qenë të parët ortodoksë që iu lutën zotit shqip. Gjithashtu, askush nuk ka gjetur të shkruar se hoxhallarët ishin të parët që u shndërruan vetë në nxënës të gjuhës shqipe, që pas kësaj t’ua mësonin këtë gjuhë fëmijëve të vegjël, ashtu sikurse nuk është folur edhe për ngjarje të tjera.
Ne përzgjodhëm kronikat që flasin për Xhaminë e Korçës, Mitropolinë, Zotin dhe gjuhën shqipe.
1. Për gëzimin e gjithë shqiptarëve gjuha shqipe hyri në idadije. (shkollë turke)
Klubi rekomandoj për mësonjës z. Mihal Grameno. U dha urdhër që gjithë hoxhallarët e fshatrave të vijnë në Klub’ të Korçës që të mësojnë shqip për të mësuar djemtë
(Gazeta “Korça”, 24 shënëndre 1908)
2. Gjuha shqip në shkollat idadije të Manastirit dhe të Korçës
Nxënësit e këtyre shkollave me qenë që janë bij shqiptari, me gëzim të madh prisnim t’u mësoheshe gjuhë e vet, por qeveria akoma me që s’ka mbledhur ment në krye sikur nuk do të punojë pas konstitucionit, prandaj gjer aty ca ditë përpara gjuhën shqipe e kishte lenë si në heshtje, mirëpo si kushdo sot ka katër sy, jo djemtë e shkollave, dhe ata të çmendurit e muarë vesh se ç’ka brenda vivël’ e konstitucionit. Nxënësit si ja kuptuan qëllimin e ndryshkur qeverisë të sotme, doemos u shtrënguan të ngenë pak kryet dhe të kërkojnë mësimin e asaj gjuhe që dëgjojnë që sapo dualë nga barkët e mëmave. Mbi lëvizjen e të ndershmëve nxënës u dha urdhër që të mësonet gjuha shqip dhe këtë e sipër në shkollat të Manastirit u bë mësonjës Ferid bej Ypi, i cili ka sosur shkollën e Drejtësisë dhe është avukat në Manastir; në shkollë të Korçës, z. M. Grameno, i cili ka qenë e është një atdhetar i flaktë dhe një nga shkronjësit e gazetës tonë
(Gazeta “Korça”, 7 janar 1909)
3. Në konferencën që mbajti direktor i gjimnastos të skolisë eleniste tha se vetëm gjuha eleniste lehtëson dialeknë e çdo gjuheje.
“Korça”, – Ç’doni ta besojmë?
(Gazeta “Korça”, 7 janar 1909)
4. Jo me qëllim tjatër, po vetëm me një mejtim për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët janë një komb i dëgjuar edhe me nder në ballë, me ndihmën e Zotit zumë të nxjerrim fletën “Korça”. Qyteti i Korçës s’themi që është qendër e Shqipërisë, po ja vumë emrin “Korça”, po me qenë ky qytet nga shërbimet q’i ka bërë Shqipërisë është dëgjuar midis shqiptarëvet, prandaj na pëlqen ky emër i bukur. Me të nxjerrë në shesh numrin e parë të gazetës muarëm nder t’ia u dërgojmë gjithë shqiptarëve që ndodhen në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë. Si çdo shqiptar që mori fletën “Korça”, me gaz na uroj. Vetëm ca shqiptarë të qytetit Korçë që pa turp dhe pa nder në ballë e quajnë veten e tyre grekomanë, ju paska ardhur shumë rëndë kur paskan parë emrin e Korçës të shkruar me shkronja shqip… (Pikërisht në këtë vend, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet qartë, por kuptohet që gekomanët kanë vendosur ta bojkotojnë gazetën, ndërsa më poshtë artikulli vijon:
Ç’thoni mo mendje karkalecësh! Ç’qytet u kanë lënë Elinët, akoma me të vjetrat, prapë zutë nga megalidhetë? Oh, të mjerët fatzez! Kur do t’i lini këto mejtimet e ndryshkura; mosni mor të mjerë u gënjeni kaq shpejt se nuk është Korça vent greku dhe nuk ja u kanë lënë Elinët, po ky qytet ka qenë, është, do të jetë Shqipëriii, a muarët vesh. Se prej bojkotazhit tuaj gazeta “Korça” nuk tundet fare nga vendi, se fuqia juaj nuk është e zonja të lëvizë një fill kashte, prandaj sus, mos lihni shumë.
(Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)
5. Lutja që i kishin bërë 200 dardharë nga Amerika në fshat për të folur gjuhën shqipe nuk u dëgjua nga shkaku se Dhespoti i trembi me mallkim. Është e tepërt të këshillojmë vëllezërit dardharë të Amerikës qysh të fitojnë të drejtat e tyre, po vetëm këtë mund t’u themi. Letra e të holla mos dërgojnë, pastaj le t’ngopnjë barkun Dhespoti e grekomanët me urime!
(Gazeta “Korça” 22 janar 1909)
6. Prej 15 ditë hoxhallarët e fshatrave po mësojnë në Klub, edhe për së shpejti do t’u jepet diplomë që të venë e të mësojnë djemtë shqip
(Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)
10. Në Pogradec u hap shkollë shqip. Në Progër dhe në Tren me gëzim të madh mësojmë q’u bë një pleqësi për të hapur shkolla shqip. Kur pyetnë Dhespotnë për të hapur këto dy shkolla u përgjiq fshatarëve: “Si të doni, po e mira është të duroni edhe pak, se unë kujdesem për këto gjëra”.
Reagimi i gazetës “Korça”: Këshillojmë gjithë fshatarët që të mos pyesën dhespotnë po të hapin sa më shpejt shkolla që të nderdohen (nderohen) djemtë
(Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)
7. Pardje në Klub të Shqiptarëve Shefqet bej Frashëri dha një konferencë mbi gjuhën e bukur shqipe ku tregoi, kombi shqiptar si ka ardhur dhe si ka marrë këtë emër të lartmë dhe ç’trimërira ka treguar në botë.
(Gazeta “Korça”, 12 shkurt 1909)
8. Dhespoti i Korçës në kishën Shën Gjergji pas dhiadhiqit të të ndjerit Lakçe, si ndau bukët nëpër të varfërit, mbajti një fjalë të gjatë, ku tha se për të vajtur krishterimi përpara midis të krishterve shqiptarë, secili i krishterë lipset gjuhën e vet ta mësojë dhe ta shkruajë me shkronjat e gjuhes elenishte, se ndryshe si që nuk kanë për të përparuar, ashtu do të humbin fenë dhe besimin e tyre
(Gazeta “Korça”, 12 shkurt 1909)
9. Klubi i Korçës dërgoi në Pogradec një profesor për të hapur një shkollë dhe të mësonjë hoxhallarët e fshatrave
(Gazeta “Korça”, 12 shkurt 1909)
10. Përsëritjen e konferencave në klub të shqiptarëve e nisi i flakti mëmëdhetar z. Shefqet bej Frashëri, i cili për mi (mbi) dy orë habiti dëgjonjësit duke patur për subjekt qenien e gjendjen e sotme të Shqipërisë. Të dytën konferencë do ta mbanjë zoti profesor Dimitri Berati për të cilën do të bëjmë fjalë me kohë
(Gazeta “Korça”, 12 shkurt 1909)
11. Lidhja Ortodokse shqiptare në Korçë. Këtë emër i dhanë ortodoksët korçarë lidhjes që do të bëhet në Shqipëri për të kërkuar të drejtat e tyre kishtare, në mbledhjen q’u bë më 1 të shkurtit 1909 në shtëpi të Tasi Ilos. Në këtë mbledhje me gjithë që nuku ishin ftuar zyrtarisht, muar anë më tepër se një qint të krishterë të cilët pas shumë fjalësh vendosnë kanonizmën edhe zgjodhnë këtë pleqësi: Kryesonjës, Mina Frashëri; nënkryesonjës, Mihal Grameno; arkëtar, Thoma Adam; shkronjës, Pandeli Cale. Edhe pleq: z. Thoma Eqimi, Ilo Furçi, Llambi Ramiz, edhe Llambi Bimbli. Si u mbarua mbledhja edhe shkuan shokët, pleqësia pas kanonizmës u mblodh të dyjtën ditë dhe vajti në Mitropoli për të kërkuar këto të drejta: 1) Të dhënit e të lëçiturit të Ungjillit në gjuhën shqipe. 2) Apostoli. 3) Paqësitë (irinika) që do të thotë dhjakoja. 4) Ca psaltika me të mëngjër. 5. Dhespoti të thotë o Zot o Zot edhe të epet leje priftërinjve nëpër shtëpitë të lëçitin shqip, sikundër edhe ca të paka në varrim e pagëzim.
Sh. T. Dhespoti i priti në dhomë të madhe ku ishin dhe dhimogjerondët mbledhur edhe si dëgjoi lutjet e drejta e të pakta, tha që t’ja apin të shkruara me qenë që Sh. T., pa pyetur Patriarqinë s’mund të bënjë gjësendi. Pleqësia u mblodh përsëri edhe si fjaluan shumë dhanë dy qarje, njërën në Dhespoti edhe tjetrën në Patriarqi. Pleqësia dërgojti edhe më shumë tejshkrime nëpër qytetet e Shqipërisë që të punojnë bashkërisht.
(Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909
12. Zonjat e Korçës po krijojnë një shoqëri për të përhapurit e mësimit midis zonjavet që nuk kanë mundur të mësojnë diturin’.
Reagimi i gazetës “Korça”: Shprehim se kjo shoqëri e vjejtur do t’i shërbenj kombit shqiptar. Pa dyshim se të gjitha zonjat shqiptarka do t’i zgjatin dorën kësaj shoqërie dyke ndihmuar me çdo gjë
(Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909)
13. Baba Abidini i Teqesë së Frashërit shtëpin’ e tij që ka në katunt Krushovë e ndërtoj mire, e bëri shkollë shqipe, me qenë që shtëpia është e madhe ka ndarë dhe ca dhoma që të flenë nxënësit, të cilët i kanë katundet lark
(Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909)
14. Zoti Dreqtonjës!
Pas ca letrave që marim nga fshati ynë Dardha, na shkruajnë se mësonjësi i shkollës elenishte z. Ligor Sulioti u thotë nxënësve të tij: “Tu alvanizman i psora maqedhoni dhen mulini uti apomakrini apo ton elenizmas!” (Zgjebja e shqiptarizmit nuku fëlliq maqidhonët, as që i largon ngaj elenizma, edhe shumë poshtërime të tjera, pa më së fundi vë djemtë të thërresin: “Zitooo o elenizmos, kato masono arvanites”. Përveç mësonjësit janë dy të poshtër që përzihen në të këtilla mejtime, dyke marrë rog’ nga ark’ e të qelburve andarë, të cilët janë Thoma Kjanon dhe Andon Dakun me shokët e tjerë. O qirjon dhaskalos me këta faqezinjtë së bashku, trembin fshatnë duke thënë se ay që kërkon të këndojë shqip ose i thotë vetes së tij shqiptar pa dyshim do ta vrasim!!!.
Kur qenka kështu, atëherej çfarë konstitucioni paska në vent tenë
Gazeta “Korça”, 6 mars 1909
15. Gjer më sot 70 hoxhallarë mësuan në klub gjuhën shqipe edhe shkuan në fshatrat për të mësuar djemtë
Gazeta “Korça”, 6 mars 1909
16. Atdhetari i flakët Emin Efendiu, i cili është nëpunës i tapive në Korçë, kuptoj se gjuh’ e vet lartëson mendimin e njeriut dhe forcon kombësinë, hodhi këmbën përpara dhe hapi një shkollë në fshat të tij Selenicë (Frashër). Nga zemra e urojmë këtë zot dhe të vëllanë Jakub Efendinë, i cili do të jetë i detyruar për përparimin e kësaj shkolle
(Gazeta “Korça”, 20 mars 1909)
17. Shqiptarët e krishterë të Starovës kërkuan një prift shqiptar nga shoqëria ortodokse e Korçës që në kishë të këndojë Ungjillin dhe të tjera shqip
(Gazeta “Korça”, 20 mars 1909)
18. Klubi i Korçës mori një letër zyrtare nga çemijeti, ku i thoshin se me qenë që shqipëtarët janë një komb i vjetër i Mbretërisë Osmane, prandaj as nonjë çemijet s’ka të drejtë të ndalojë shqiptarët nga gjuha dhe nga klubet e tyre, kurdoherë janë të lirë të punojnë për përparimin e kombit të vet
(Gazeta “Korça”, 20 mars 1909)
19. Për të parën herë në xhamit të Korçës mevludi (lindja e Profetit Muhamed), u këndua mbi gjuhën shqipe. Dëgjonjësit qenë aqë të tepër (të shumtë) sa xhamija nuk i nxinte. Të gjithë mbetnë të kënaqur se kishin shumë kohë që këtë mevlud e këndonin më gjihë tjetër, po kurrë nuk u ka bërë një përshtypje kaq të mirë dhe të tepërt (të madhe). Prandaj urojmë Hafiz Alinë, i cili e këndoj dhe e ka përkthyer këtë vivël më gjuhën shqip. Pa dyshim dhe shumë gjera të tjera që po përkthehen shqip do të këndohen nëpër xhamitë
(Gazeta “Korça”, 31 mars 1909)
20. Rroftë Elbasani me bijt e tij e paçin bekimin e Perëndisë e të kombit shqiptar. Istoria do t’i shkruanj me shkronja të arta emrat e atyre të bekuar proftërinj, të cilët patnë fatnë të mësojnë e t’i luten Zotit për të parën herë në Shqipëri, në gjuhën e bukur shqipe si kundër dhe gjithë vëllezërve ortodoksë. Perëndija dhëntë që për së shpejti të dëgjojmë gjithë ortodoksët shqiptarë të Shqipërisë, Italisë, Greqisë e kudo që gjenden të gjyrmojnë shëmbëllën e Elbasanit
(Gazeta “Korça”, 8 maj 1909)
21. Lidhja Ortodokse shqipe pas këshillave të Hyqymetit që të presë me durim për kërkimet se do të epen, dhe pas ngjarjeve të Stambollit s’ka marrë asnjë vendim. Për së shpejti do të bisedohet dhe udha që duhet marrë për të fituar të drejtat e tyre se Patriarqia i vuri si gjithnjë në kalendat greke këtë çështje!
(Gazeta “Korça”, 8 maj 1909)
22. Dy barrë me vivla shqip që vajtën për të shitur në Elbasan që të gjitha në tri-katër ditë e sipër u shitnë si kush e kush të blinte më parë
(Gazeta “Korça”, 8 maj 1909)
23. Nuk kemi të drejtë të zëmë fajtor priftërinjtë se neve e dimë shumë mirë që këta shenjtorë vetëm një mjekër, një çybe në krah, një shkop në dorë edhe një trajstë më sup kanë. Si të mos nxjerrin gënjeshtrat nga mëngët e gjera të çybesë; ku ta gjejnë kungullin me verë që të zbutin gurmazë, ku të gjejnë koromane që të mbushin trajstën për të mbajtur shpirtin? Si të vejë prifti gurmas edhe dorëthatë më shtëpi? Neve e dimë që priftëresha e zë për mjekre pa i mer shkopnë nga dora e tij, pa kokën ia fut në torbët, pa i heq edhe një qint kurrizit sa t’ja bëjë më të butë se barkun.
Prandaj e do nevoja që priftërinjtë t’i lënë mënjanë dhe të zëmë fajtor njerëzinë që nuku kuptojnë gënjeshtrat e këtyre remadhëve. Pse njerëzia nuk i pyet priftërinjtë, Rusët, Serbët, Vllehët, Bullgarët a nuk janë ortodoksë? Ata pse këndojnë Ungjillin mbi gjuhën e vet?…
(Gazeta “Korça”, 11 qershor 1909)
24. Këto ditë nën kryesinë e mytesarifit të Korçës për të ndihmuar shkollat e myslimanëve që ndodhen nëpër fshatrat e Korçës do të lohet një thjatro nga nëpunësit e nga gjithë mësonjësit e shkollave oficiale. Shpresohet se mjaft të holla do të mblidhen. Pa dyshim asnjeri do të mos mbetet pa vajtur të shohë këtë thjatro, i cili do të bëhet me një vërejtje (kërshëri) të madhe. Urojmë gjithë ata zotërinj që mejtojnë të këtilla mir-bërje që janë të dobishme
(Gazeta “Korça”, 1 Vjesht’ e II-të 1909)
25. Thirje.
Vëllezër të dashur korçarë, u apim zë gjithë korçarve si dhe kujtdo që dëshiron përparimin e qytetit tonë, kudo që gjenden brenda ose jashtë Shqipërisë, se hapmë shkollë shqip të djemve me një sistemë të re. Shkolla ka pesë rreshte (klasë) edhe pesë mësonjës. Në këtë shkollë përveç shqipes dotë mësonen edhe turqishtja, greqishtja, anglishtja edhe frëngjishtja. Me qenë që është e para herë që hapet një shkollë e tillë në Shqipëri, ju lutemi të gjithve të na ndihmoni me sa ja mundet që të mundim ta mbajmë këtë shkollë e cila na nderon në botë. Çdo ndihmë sado e vogël që të jetë, më qenë që do të ipet me qëllim të atdhetartë, është e mirëpritur. Çdo ndihmë dërgohet në dretimn e Klubit Shqiptar “Dituria” në Korçë
Nga zyra e klubit “Dituria”
(Gazeta “Korça”, 1909
26. Një tejshkrim nga Bukureshti na lajmëron se më një të nëntorit u bë një meshë në gjuhën shqipe në kishën “Shën Gjergji” të Bukureshtit prej priftit shqiptar Harallambo nga Berati. Përgëzojmë atdhetarët e Bukureshtit për përpjekjen e tyre patriotike dhe i lutemi Zotit të na sjellë edhe neve lumtësin’ e madhe që të dëgjojmë të meshuarit në gjuhën shqipe edhe në kishën e “Shën Gjergjit” të qytetit tonë
(Gazeta e Korçës, e Enjte, 5 vjesht’ e III-të 1909)
27. Në shkollën greke të çupave po mblidhen mjaft groshka (të holla) prej atyre çupave që lajthitin e flasin ndonjë fjalë shqip në shkollë. Është vendosur një nom (ligj) prej direktreshës së shkollës, se ajo çupë që do të flaës një fjalë shqip do të paguaj një grosh. Pra, sa fjalë aq dhe groshka. Pyesim pra, z-ën Direktreshë të na çkoqitë këto dy çështje që s’mund t’i kuptojmë dot.
1) Përse kjo masë kaq e reptë kundër gjuhës shqipe në kërthizë të Shqipërisë, në Korçë. 2) përse do të përdoren këto të holla që mblidhen prej vashave, të cilat me zi e shohin një 5-sh për të blerë gjësendi….
(Gazeta “Korça”, e Enjte 12 Vjesht’ e III-të 1909)
28. Dje u zgjodh pleqësia e re e klubit “Dituria” shqip, e cila është kjo:
Kryetar nderi, Ymer Bej; Kryetar, Orhan Pojani; arkëtar, Idhomene Kosturi dhe pleq: Thomaq Eqimi, Qani bej Dishnica, Hafëz Ali, Çikozi Miçe, Ismail Bej, Tefik Efendi
(Gazeta “Korça”, e Enjte, 26 Vjesht e III-të 1909)
29. Numri i dyjtë i së çkëlqyerës gazetë “Rrufeja” që del në Misir nga i palodhuri mëmdhetar z. Vruho ardhi në Korçë, po grekomanëve u duk si rrufe prej perëndije se u thotë çanak-lëpirës…
(Gazeta “Korça”, 22 prill 1909)
Përgatiti Vepror Hasani